Skandali me Mogherinin/ Zyrtari i lartë i Komisionit Europian del në pension të parakohshëm, postin e merr zëvendësi

Stefano Sannino ka njoftuar se do të tërhiqet para kohe nga posti i tij aktual si Drejtor i Përgjithshëm për Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Gjirin, pas përfshirjes së tij në hetimin në vazhdim për dyshime mbi keqpërdorimin e fondeve të BE-së.

Në një mesazh të brendshëm dërguar stafit të mërkurën, e parë nga Euractiv, Sannino konfirmoi se ishte marrë në pyetje në lidhje me një projekt të zhvilluar gjatë mandatit të tij si Sekretar i Përgjithshëm i shërbimit diplomatik të BE-së, EEAS.

Ai tha, megjithatë, se ‘kishte besim në punën e magjistratëve dhe se ishte i bindur se gjithçka do të sqarohet’.

Sannino u ndalua dhe më pas u lirua vonë të martën, pasi u shpall si i dyshuar në hetimin për mashtrim që ka tronditur Brukselin.

Duke përmendur nevojën për të mbrojtur punën e Drejtorisë së Përgjithshme, Sannino tha se nuk e konsideronte më “të përshtatshme të vazhdonte” në rolin e tij dhe se do të dilte në pension në fund të dhjetorit.

“Drejtoria e Përgjithshme duhet të mbetet e përqendruar në veprimtarinë e saj dhe të zbatojë agjendën ambicioze që kemi zhvilluar,” shkroi ai.

Zëvendësi i tij, Michael Karnitschnig, do të marrë menjëherë rolin e drejtorit në detyrë, thuhej në email.

Ky është largimi i parë në nivel të lartë i lidhur me hetimin në zgjerim, që përfshin kontrolle në EEAS dhe në Kolegjin e Europës, i raportuar fillimisht nga Euractiv.

Next