SPAK ka mbyllur hetimet për 27 të pandehur dhe i ka dërguar për gjykim, ku mes tyre janë edhe personazhe të njohura të botës së krimit, si Ervis Martinaj, Endrit Dokle dhe Arian Tuku. Ndërkohë për gjykim është dërguar edhe ish-deputeti i PS Arben Ndoka.
Nga hetimet bëhet me dije se Arben Ndoka dhe Arian Tuku, në rolin e krijuesve, organizuesve dhe drejtuesve të një grupi të strukturuar kriminal, në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të këtij grupi, të pandehurit Ervis Martinaj, Samuel Ndoka, Jozi Kraja, Aldo Avdyli si dhe shtetas të tjerë të paidentifikuar, gjatë vitit 2020 kanë siguruar kushte dhe mjete materiale për të kryer vrasjen e shtetasve, Durim Bami dhe Valter Bami.
Njoftimi i SPAK:
Të pandehurit Arben Ndoka dhe Arian Tuku, në rolin e krijuesve, organizuesve dhe drejtuesve të një grupi të strukturuar kriminal, në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të këtij grupi, të pandehurit Ervis Martinaj, Samuel Ndoka, Jozi Kraja, Aldo Avdyli (alias Elidon Avdyli), Marklen Haka (alias Marklen Aliu), me të pandehur të tjerë të dërguar më parë për gjykim në kuadër të proçedimeve penale nr.59/1, të vitit 2022 dhe nr.59/2, të vitit 2022, si dhe shtetas të tjerë të paidentifikuar, gjatë vitit 2020 kanë siguruar kushte dhe mjete materiale për të kryer vrasjen e shtetasve, Durim Bami dhe Valter Bami.
Të pandehurit Arben Ndoka dhe Arian Tuku, në bashkëpunim me të pandehur të tjerë, të dërguar më parë për gjykim në kuadër të procedimit penale, nr.59/1, të vitit 2022, ndihmuan më 3.7.2020, të pandehurin Aldo Avdyli (alias Elidon Avdyli), për kalimin e paligjshëm të kufijve. I pandehuri hyri në territorin e Shqipërisë nga Mali i Zi, pa kaluar nga pika e kalimit kufitar.
Të pandehurit Arben Ndoka dhe Arian Tuku, në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të këtij grupi, të pandehurit Samuel Ndoka, Vinçens Tuku, si dhe me shtetas të tjerë të paidentifikuar, kanë planifikuar vrasjen shtetasit, Aleks Ndreka (alias Aleksandër Deda), më 1.12.2020, e mbetur në tentativë. Aleks Ndreka mori plagë të lehta, pasi u qëllua më armë zjarri nga një automjet.
