Në Ditën e Rinisë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar qeverinë socialiste, ndërsa u ndal tek Belinda Balluku, e pezulluar nga detyra dhe e marrë nën hetim nga SPAK për aferat me tunelin e Llogarase dhe Unazës së Madhe.
Berisha tha se ‘kurrë kombi shqiptar nuk ka patur në krye një si Lubi Balluku”, që sipas tij ka vjedhur pasuritë e shqiptarëve.
“Kurrë ky komb nuk ka patur në krye një dyshe të tillë siç ka Ramën dhe Lubi Ballukun që ta kenë vjedhur atë, as 1 të 100 e atyre që kanë vjedhur këto dy monstra të vjedhjes dhe të grabitjes së pasurive të shqiptarëve. Është i pari kryeministër në historinë e Evropës që mbron vjedhjet e tij dhe të ministrave. Sot në ditën e Rinisë, Rama vjen si armiku më i egër i shqiptarëve. Në 10 vite të sundimit të tij plaçkitës, me politikat e tij përzuri nga Shqipëria mbi 700 mijë të rinj dhe të reja. Rama me ndihmën e Sorosit, mafies ndërkombëtare të ekstremit të majtë bëri gjithçka për një Shqipëri pa opozitë. Por dështoi”, tha Berisha.
