Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka folur mbrëmjen e sotme lidhur me zgjedhjen e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme.
Nesër kandidatët për kreun e ri të SPAK do të paraqesin platformat e tyre dhe më pas Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të votojë për drejtuesin e ri.
Karamuço tha se pritet që në KLP të jenë të pranishëm mbi 30 diplomatë, të cilët janë të interesuar ta ndjekin nga afër të gjithë procesin.
“Ndërkombëtarët kërkojnë që ky proces të garantohet edhe për shkak të këtij presioni të madh të jashtëm. Flitet për një presion që vjen kryesisht nga disa politikanë të vegjël, të cilët mendojnë se, me problemet që kanë në SPAK, mund t’ua mbyllë drejtuesi i ri duke i siguruar ndonjë votë, dhe nga disa biznesmenë që kanë probleme me SPAK, por edhe tentakula që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, por që deri më tani është më i tërhequr sesa nga dy komponentët e parë. Nesër në KLP do të jenë mbi 30 diplomatë që kanë shprehur interesin për ta ndjekur nga afër, jo nga TV, por nga afër; mbase jo në të njëjtën sallë, por do jenë prezent në godinën e KLP për të parë nga afër procesin, që nga prezantimi i platformave të kandidatëve dhe momenti i votimit. Sigurisht, prania e tyre është një lloj shtyse edhe për vetë anëtarët e KLP, për të ndjekur ato rregulla dhe bindjen e tyre të brendshme, për të mos pasur cedime në elemente që mund të krijojnë një problematikë që e vë në dyshim procesin. Jo ta hedhin në erë, se do ishte gjë shumë e madhe dhe e pafalshme, por flasim për proces të rregullt, transparent dhe të garantuar nëpërmjet një vote që duhet të jetë prej vullnetit të tyre të brendshëm, jo ndikimeve nga persona të tretë”, tha Karamuço.
