Mediat kanë siguruar dosjen hetimore që zbardh detaje të reja për shkeljet në tenderin e tunelit të Llogarasë, ku janë përfshirë zv.kryeministrja Belinda Balluku dhe ish-drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi. Në dosje janë përfshirë edhe bisedat telefonike mes dy zyrtarëve, të gjetura në një aparat “BlackBerry” të sekuestruar Berberit gjatë hetimeve.
Komunikimet mes Ballukut dhe Berberit datojnë në mars 2021, periudhë në të cilën ishte hapur tenderi i parë për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Në atë kohë, kompania “Gjoka Construction” kishte paraqitur ofertën më të ulët, me vlerë 140 milionë euro, por më 19 prill procedura u mbyll papritur. Pak muaj më vonë, tenderi u rihap dhe fitues u shpall bashkimi i operatorëve turq, me një ofertë 160 milionë euro pa TVSH.
Sipas dosjes, Balluku i ka kërkuar me mesazh Berberit që të mbyllte procedurën “me urgjencë”, ndërsa ky i fundit është shprehur se “s’ia ndjen për asnjë”, duke pranuar menjëherë ta ndërpriste. Në datën 18 mars, ditën kur janë shkëmbyer mesazhet, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka përfunduar vlerësimin dhe ka skualifikuar të gjitha ofertat, pas së cilës Berberi e ka informuar Ballukun me mesazhin: “E mbyllëm.”
Tashmë, Belinda Balluku dhe pesë vartës të saj janë marrë të pandehur nga Prokuroria për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, lidhur me ndërtimin e tunelit të Llogarasë — një projekt me vlerë të madhe strategjike dhe financiare që ka ngritur dyshime të forta për ndërhyrje politike dhe manipulim të procedurave.
Pjesë nga dosja hetimore dhe bisedat mes Ballukut dhe Berberit
Në orën 17:40, Belinda Balluku:
“Mendoj ta anulojmë Shkualifikoji te gjithë”.
Në orën 17:43, Evis Berberi: “Jam mese dakort. Se kam diçka qe sme kuadron ne gjithe situaten e do sot apo neser Megjitate nese te duhet ja kendoj kengen sma ndjen shume per asnje dhe e çoj ku duhet”.
Në orën 17:50, Belinda Balluku:
“Jo jo Kam ate ndjesine time qe nuk duher”.
Në orën 17:51, Evis Berberi:
“E ke te frikshme ndjesine. Kur e do”.
Në orën 17:56, Belinda Balluku:
“Me jep afatet nese e shpallim neser”.
Në orën 18:01, Evis Berberi:
“Max 24 mars ankimimi ne MIE ne 25 i kthejme pergjigje. Max 4 prill ankohet ne KPP dhe min 14 prill max 22 prill kthen KPP pergjigje. Duhet ta rishpallim pernjehere qe ti djegim afatet e ankimimit ne gjykate”.
Në datën 18.03.2020, në orën 11:30, Belinda Balluku i dërgon Evis Berberi mesazhet:
“Po si ke lajmeruar te tjeret per anullim? Mbylleni sot me urgjence.
Në orën 11:36, Evis Berberi:
“Po gysin orën 17:09. Evis Berberi: “E mbyllem”. Sot e ke te mbaruar”. JOQ