Nga Tony Chalot, DH NET
Këtë të hënë, një çështje aspak e zakonshme do të nisë para Gjykatës së Krimeve të Rënda të Brukselit, e cila do të zhvillohet në kompleksin ‘Justitia’ gjatë ditëve në vijim. Ambienti ultra i siguruar nuk do të jetë i tepërt për të gjykuar nëntë persona, të akuzuar për një nga narko-vrasjet e para që tronditën kryeqytetin belg.
Figurat kryesore të dosjes, Franc Gergely dhe Mikael Qosja, dyshohet se janë anëtarë të një klani mafioz në Shqipëri, i përmendur shpesh në çështje të importit të kokainës në shkallë të gjerë në Europë.
Ngjarja
Më 27 nëntor 2020, Ardit Spahiu, një shqiptar 38-vjeçar, ra në një pritë në rrugën Condor, në Molenbeek-Saint-Jean. Rreth orës 17:45, një burrë i armatosur dhe i maskuar, i pajisur me një armw automatike me silenciator sipas një dëshmitari, hapi zjarr intensiv ndaj tij.
Në vendngjarje u gjetën 17 gëzhoja, ndërsa nëntë plumba e goditën viktimën.
Sipas konstatimeve të para të mjekut ligjor të dërguar në vend në atë kohë, ka shumë gjasa që Ardit Spahiu të jetë ekzekutuar përfundimisht në trotuarin ku u rrëzua.
Luftë klanesh
Ardit Spahiu dyshohet se ishte gjithashtu i përfshirë në trafik droge, përmes një klani tjetër, klani Alibej, rival i atij të Franc Gergelyt. Kjo luftë dyshohet se zgjat prej vitesh dhe ka çuar në disa kontrata vrasjeje në Shqipëri, sipas familjarëve të viktimës që janë marrë në pyetje nga hetuesit e dërguar atje.
Arsyet e konfliktit ndryshojnë nga një dëshmi në tjetrën:
– rivalitet për kontrollin e tregut,
– vjedhja e një ngarkese prej 50 kg kokaine,
– borxhe financiare,
– apo edhe thjesht çështje egoje.
Zhbllokimi i hetimit: SKY ECC
Hetimi ngeci për një kohë të gjatë, deri sa autoritetet arritën të deshifrojnë rrjetin SKY ECC, aplikacionin e mesazheve të përdorur nga bota kriminale ndërkombëtare.
“Ishte sikur po uleshe në tryezën e mbledhjeve të kriminelëve”, komentonte në atë kohë një zyrtar i lartë i policisë federale.
Ky deshifrim çoi në shkatërrimin e shumë organizatave kriminale në mbarë botën, dhe në këto komunikime u gjetën edhe elementë që lidhen me organizimin e vrasjes së Ardit Spahiut.
Veçanërisht në faqet e shkëmbimit të mesazheve mes Franc Gergelyt (i njohur edhe si Franc Çopja) dhe protagonistëve të tjerë të çështjes – tre prej të cilëve janë ende në arrati.
Tani u takon anëtarëve të jurisë, të përzgjedhur këtë të hënë, të përcaktojnë arsyet e kësaj vrasjeje, nëse do të shpallin të akuzuarit fajtorë.
Franc Gergely u arrestua në shtator 2023 në Emiratet e Bashkuara Arabe, prej nga u ekstradua në dhjetor të po atij viti – një precedent i parë gjyqësor mes Belgjikës dhe këtij shteti të Lindjes së Mesme.
