E BUJSHME/ Zbardhet plani i rrëmbimit të Ahmetajt në Zvicër, do shitej si operacion policor

Në muajin tetor 2025, persona ende të paidentifikuar, për të cilët ka dyshime të forta se kanë lidhje me botën e errët të krimit të organizuar, dyshohet se kanë tentuar të vënë në zbatim një plan të fshehtë për rrëmbimin në Zvicër të ish-zëvendëskryeministrit të Shqipërisë, Arben Ahmetaj.

Skenari i dyshuar parashikonte rrëmbimin e Ahmetajt në një moment kur ai do të ndodhej jashtë banesës së tij, nxjerrjen e tij në mënyrë të paligjshme nga territori
zviceran dhe transportimin drejt Italisë.

Në këtë shtet, ngjarja do të raportohej publikisht si një arrestim nga strukturat e kërkimit të Policisë së Shtetit shqiptar, duke u paraqitur si sukses i një operacioni policor.

Pas këtij veprimi, do të ishte Prokuroria e Posaçme SPAK ajo që do të aktivizohej, duke iu drejtuar autoriteteve italiane me një kërkesë për ekstradimin e Arben Ahmetajt drejt Shqipërisë.

Plani ka dështuar pasi vetë Ahmetaj ka konstatuar praninë e personave të dyshimtë në rrugët e Luganos, në Zvicër, dhe ka depozituar menjëherë një denoncim pranë policisë lokale.

Sipas gazetarit Qyno për këtë ngjarje ka nisur një hetim nga autoritetet zvicerane, të cilat kanë sekuestruar pamje filmike nga disa rrugë të qytetit me qëllim identifikimin e personave të përfshirë. Gjithashtu janë administruar edhe mesazhe telefonike me përmbajtje kërcënuese, të dërguara ndaj Ahmetajt gjatë muajit tetor 2025 dhe më pas.

Arben Ahmetaj, ish-ministër i qeverisë Rama dhe aktualisht azilant në Zvicër, ka hedhur akuza dhe ka paraqitur fakte që, sipas tij, implikojnë kryeministrin Edi Rama, ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, si dhe drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, në afera korruptive dhe veprimtari kriminale. Këto denoncime janë kthyer në dosje penale nga SPAK, ndërsa për disa prej tyre janë kryer edhe arrestime.