Edmond Mhilli, aktor dhe regjisor i Teatrit “Migjeni” në Shkodër, është ndarë nga jeta këtë premte. Ikja e tij në moshën 79 vjeçare, shënon një moment të trishtë për kulturën dhe artin shkodran, duke lënë një boshllëk të madh në komunitetin artistik.
Familja njofton se homazhet do të zhvillohen nesër, më 10 janar, nga ora 09:00 deri në 12:00, në hollin e Teatrit “Migjeni”.
Edmond Mhilli – një jetë kushtuar artit
Edmond Mhilli lindi 23 gusht 1947 në Shkodër dhe përfundoi Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1970. Karriera e tij filloi si regjisor në Pukë (1970-1974), ndërsa më pas për 15 vjet kontribuoi në Estradën e Shkodrës, në Radio Shkodra dhe në Shtëpinë e Kulturës së rrethit. Prej vitit 2003, ai ishte pjesë aktive e Teatrit “Migjeni”.
Si regjisor dhe aktor, Mhilli dallohej për kujdesin ndaj detajeve, fokusin në fjalën dhe gjestin e aktorëve, si dhe trajtimin realistik të situatave komike. Seria e tij e shfaqjeve “Ditë buzëqeshjesh” fitoi Çmimin e Parë në vitet 1983-1984, ndërsa sezoni 1985-1986 u vlerësua si më i miri midis estradave profesioniste të vendit.
Në vitin 1980 u shpall regjisori më i mirë në Festivalin e Estradave Profesioniste të Shqipërisë.
Edmond Mhilli ka regjizuar dhe shkruar shumë shfaqje të njohura, përfshirë “Gomari i Babatasit”, “Një histori e thjeshtë” dhe “Ylli i mëngjezit”. Ai la gjurmë edhe në kinematografi, duke marrë pjesë në filmin “Militanti”.
Me ndarjen e tij nga jeta, Shkodra humb një tjetër figurë të shquar të artit dhe kulturës, një artist që ia kushtoi jetën skenës dhe publikut të tij.
