Burri blen tankun për 45 mijë euro, brenda gjen ar me vlerë mbi 2.5 milionë euro

Një qytetar britanik u përball me një surprizë të jashtëzakonshme pasi bleu një tank ushtarak, duke zbuluar se brenda tij ndodhej ar me vlerë miliona euro.

Nick Mead, një entuziast i njohur i automjeteve ushtarake, bleu një tank rus të tipit T54/69 për rreth 45 mijë euro, me synimin për ta restauruar dhe për ta shtuar në koleksionin e tij prej rreth 150 automjetesh ushtarake.

Së bashku me mekanikun Todd Chamberlain, Mead vendosi të kontrollonte rezervuarin e karburantit të tankut, për të verifikuar nëse brenda kishte municione që duhej asgjësuar. Gjatë procesit, të cilin ata e filmuan, dyshja zbuloi disa shufra ari, secila me peshë deri në 5 kilogramë.

Sipas një përllogaritjeje të shpejtë, vlera totale e arit arrinte mbi 2.5 milionë euro. Pas zbulimit, Chamberlain deklaroi për gazetën “The Sun” se reagimi i tyre i parë ishte të njoftonin policinë.

“Nuk dinim çfarë të bënim. Nuk mund të paraqitesh thjesht me pesë shufra ari pa ngritur dyshime, ndaj telefonuam policinë”, u shpreh ai.

Autoritetet britanike morën arin dhe i pajisën dy burrat me dokumentacionin përkatës, ndërsa çështja u trajtua sipas procedurave ligjore.

Nick Mead, i cili drejton kompaninë “Tanks-a-lot”, një shërbim që u lejon qytetarëve të drejtojnë automjete të blinduara, sqaroi se tanku ishte blerë si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë, që përfshinte edhe stërvitje me mjete të tjera ushtarake, pasi e kishte parë automjetin në një reklamë në eBay.

Sa i përket origjinës së arit, Mead dhe Chamberlain dyshojnë se ai mund të jetë plaçkitur nga ushtarë irakianë në Kuvajt gjatë Luftës së Gjirit në vitet ’90, përpara se tanku të kapej dhe të transferohej më pas në Britaninë e Madhe.

Sipas tyre, personat përgjegjës për grabitjen dyshohet se kanë hapur një vrimë në rezervuarin e karburantit për të fshehur shufrat e arit. “Edhe nëse nuk marr asgjë nga ari, do të më mbeten ende tanket e mia”, është shprehur Mead.

Kjo nuk ishte hera e fundit që Nick Mead u bë pjesë e lajmeve. Pas nisjes së luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, ai dhuroi dhjetëra automjete ushtarake për Ukrainën, përfshirë mjete të blinduara dhe automjete transporti. Sipas raportimeve të vitit 2023, ai pretendon se ka dërguar mbi 100 automjete ushtarake në zonën e konfliktit.

Burimi: The Sun