Avokati i njohur, Spartak Ngjela ka dhënë informacionet më të fundit mbi lëvizjet e mundshme politike të Sali Berishës dhe ndikimin e tyre në pushtetin aktual në Shqipëri. Ngjela shpjegon se ekziston një mundësi që Berisha të kërkojë negociata me Partinë Socialiste, por, sipas tij, kjo nuk do të ketë sukses. Ngjela thekson se pushteti i Ramës sot është i pakontestueshëm, ndërsa Partia Demokratike vazhdon të drejtohet nga një lidership i dobët dhe i izoluar, i cili e bën të pamundur rikthimin e saj si forcë konkurruese.
Sipas tij, e vetmja mënyrë që ekuilibri i pushtetit të ndryshojë është nëse PD-ja zgjedh një kryetar të ri me pranueshmëri ndërkombëtare, duke hapur rrugën për sfida reale ndaj maxhorancës socialiste. Ngjela shprehet se shqetësimi kryesor i Edi Ramës nuk është opozita aktuale, por një krizë e mundshme brenda Partisë Socialiste që mund të dobësojë pozicionin e tij. Për momentin, socialistët janë të konsoliduar dhe çdo lëvizje e Berishës për t’u ulur në negociata me ta nuk ka shanse të sjellë rezultate. Madje, analiza e Ngjelës e krahason këtë situatë me një proverbë të njohur politike
Ja çfarë thotë Spartak Ngjela në rrjete sociale
“Shenjat janë se Sali Berisha do të kërkojë negociata me socialistët. Por socialistët kanë sot 83 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, edhe me një deputet ata arrijnë të kenë 2/3 e Parlamentit të Shqipërisë. Kurse një proverbë e vjetër na ka thënë se: Negocimi i bariut me ujkun nuk mund t’i shpëtojë dot delet dhe as nuk do të sjellë paqe të qëndrueshme – ujku, pasi të ketë ngrënë delen e parë, do vijojë të caktojë datën për vaktin tjetër. Por pyetja është: A mos vërtet socialistët do të hyjnë në bisedime me Partinë Demokratike për një ndarje pushteti? Jo. Kjo as që mund të mendohet… Atëherë?
Arsyeja politike ka një tjetër logjikë: fitorja e thellë e Partisë Socialiste në zgjedhjet e fundit, si maxhorancë politike që është, a di ajo të luajë me sens real të arsyes politike? Deri tani nuk e kemi parë, sepse dihet që pushteti absolut i një kryeministri nuk e lejon atë që të bëjë ndonjë politikë tjetër veç politikës së karakterit qeverisës në favor të kompanive të Socialistëve në tregun e Shqipërisë. Atëherë? Asgjë. Sepse sot e vetmja frikë apo shqetësim i Edi Ramës është ndonjë krizë e mundshme Socialiste ekonomike në Shqipëri. Por është edhe shqetësimi i brendshëm i Ramës nëse PD krijon mundësinë për të zgjedhur një kryetar tjetër të saj si parti që konkurron për pushtet…
Por edhe kjo duket që është e pamundur, sepse Partia Demokratike është një parti e nënshtruar nga absolutizmi Berisha. Atëherë? Asnjë shpresë nuk mund të ketë ende sot Partia Demokratike. Atëherë? Asgjë, sepse kjo do të jetë gjendja e politikës në lidhje me pushtetin politik për aq kohë sa PD të drejtohet me këtë lidership politik që ka, i cili tani dihet se është nongrata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atëherë? Rrjedha absolute e Partisë Socialiste në politikën aktuale bllokohet vetëm nëse Partia Demokratike zgjedh një kryetar të ri që është shumë i pranueshëm nga USA dhe nga Bashkimi Evropian”, shkruan Ngjela.
