Valbona Kalaja, gruaja e gjyqtarit Astrit Kalaja, ka rrëfyer për herë të parë publikisht sesi e ka mësuar lajmin e për vrasjen e bashkëshortit të saj, brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit, në 6 tetor të vitit të kaluar.
Gjatë PodCast-it, “Zë me Mirën”, Valbona ka rrëfyer se është telefonuar nga dy kolegë, të cilët nuk kanë pasur guximin t’i tregonin të vërtetën. Ndërsa më tej, ajo tha një koleg i Astritit, e ka telefonuar dhe i ka thënë se gjyqtari është plagosur.
“Në atë moment më merr një tjetër koleg pune, i cili kishte dëgjuar lajmin. Unë televizorin nuk e lë kurrë në lajme, të gjithë e kishin marrë vesh, unë jo. Më pyeti: ‘Si ke qenë, a ka ndonjë gjë të re?’. Folëm shkurt dhe ma mbylli telefonin, nuk ma tha. Nuk arriti të ma thoshte. Pastaj na merr një mike jona e përbashkët, ishte sikur po bërtiste, më pyeti: ‘Po Astriti si është?’. Dhe ajo ma mbylli telefonin, nuk më tha gjë. E telefonova Astritin, nuk ma hapi. Më shkoi mendja te mesazhi i parë, mora atë kolegun dhe ai më tha që diçka kishte ndodhur te Gjykata e Apelit. Më mori një koleg i Astritit në telefon dhe më tha se ishte plagosur dhe ndodhej në spital”, tha ajo.
Valbona tha se lajmin e ka marrë nga taksisti që po udhëtonte drejt spitalit të Traumës, i cili i kishte thënë se kanë vrarë një gjyqtar. Kur ka mbërritur në spital, ka gjetur kolegët e bashkëshortit te saj, duke qarë.“Mora një taksi. Ngjarja ishte aq e madhe sa e kishte marrë vesh edhe taksisti. I thotë nipit: ‘Kanë vrarë një gjyqtar’. Në spital kam gjetur të gjithë kolegët e tij duke qarë. Qanin me dënesë. Nuk vinte asnjë, nuk e merrte guximin askush të më thoshte gjë”, rrëfeu ajo.
Por bashkëshortja e gjyqtarit ka treguar se vajza e saj, Bjorna është martuar një muaj pas vrasjes së 57-vjeçarit. Më tej ajo rrëfeu se Astriti donte një dasëm të madhe, por ishte dëshira e Bjornës për një ceremoni të thjeshtë.
“Nuk e dija që Astriti fliste me kolegët e tij për familjen. Gjatë pushimit të seancave, gjyqtarët flisnin për problemet familjare të vetat dhe ndër to, Astriti kishte prek edhe dasmën e Bjornës, edhe lindjen e nipit. Të dyja ishin dy gëzimet e fundit tona, njërën e arriti, tjetrën jo. Tek ceremonia që do të bënte Bjorna në Vjenë, ishte e thjeshte, pasi Astriti ishte qefli për të bërë dasmë të madhe si gjithë shkodranët, por Bjorna është rritur ndryshe, pasi ka qëndruar në Vjenë dhe nuk donte ta bënte dasmën si e bëjmë ne, por donte një celebrim të thjeshtë”, tha Valbona Kalaja.
Valbona Kalaja tha se vajza e saj dhe e gjyqtarit, është martuar në datë 17 nëntor, pasi Astriti e kishte qef atë datë. Ndërsa më tej, deklaroi se Bjorna veshi fustanin e bardhë, që më parë ia kishte treguar Astrit në Shkodër.“E vendosëm me e bërë dasmën, pasi duhet të çonim edhe amanetin e Astritit pasi e kishe me shumë qef atë 17 nëntorin. E bëmë dhe doli një ceremoni shumë e bukur. U vesh edhe me fustan të bardhë, që e kishte të thjeshtë, si me qenë një fustan i zakonshëm, por ishte i bardhë, që i ati ia kishte parë, kur erdhi nga Vjena në Shkodër. E kishte marrë me vete që të ia tregonte të atit”, tha ajo
