Sali Berisha krenohet me dhunën në protestën e opozitës, Rama cilëson protestuesit paramilitarë, mercenarë të paguar…

Sali Berisha krenohet me dhunën në protestën e opozitës, Rama cilëson protestuesit paramilitarë, mercenarë të paguar dhe rrugeçër lagjesh, policia arreston 18 persona dhe merr nën hetim 17, mes tyre deputetët Balliu, Boçi e Bardhi
Rigels Seliman

Kreu i Partisë Demorkatike, Sali Berisha, doli dje në një konferencë për mediat, një ditë pas protestës, u shpreh se policia e krimit ushtroi dhunë ndaj protestuesve dhe do të mbajë përgjegjësi. Berisha e cilësoi si protestën e ndërgjegjes, ndërsa theksoi se qytetarët triumfuan në rrugët dhe sheshet e Tiranës. “Protesta u dominua nga të rinjtë, do të jenë ata që do e përmbysin këtë organizatë kriminale. Policia e krimit përdori dhunë të egër ndaj protestuesve”, deklaroi Berisha. Ndërsa e cilësoi si një ogur të bardhë për shqiptarët faktin se protesta u dominua nga rinia, nga guximi, energjia dhe vendosmëria e të rinjve, Berisha tha se do jenë të rinjtë dhe gjenerata e tyre, ata të cilët do të përmbysin, do të largojnë nga pushteti këtë organizatë kriminale.

“Dje, narkopolicia me urdhër të Edi Ramës, e komanduar nga Proda i krimit, Proda i Gys Agasit, përdori dhunë të egër ndaj protestuesve. Goditi me të gjitha mjetet, përdori gaz lotsjellës të skaduar, i cili në konventa ndërkombëtare përbën helm luftarak dhe s’mund të përdoret kurrë ndaj protestave. Gazi lotsjellës ishte i skaduar prej tre vitesh. Dhe ai pas skadimit është e njohur se transformohet në helme të tjera të cilat japin dëmtime të rënda sistemeve, por mund të shkaktojnë dhe humbjen e pamjeve. U përdorën topat e ujit dhe mjete të tjera. U goditën me shkopi protestues paqësorë dhe u arrestuan, u ndaluan brutalisht në akte të që cilësohen në krime kundër njerëzimit.Fëmijë 10 vjeç tek dilte nga xhamia, 10 vjeçar, Romeo dhe s’kishte asnjë lidhje me protestën. Ai kishte ardhur me detyra të ngarkuara nga familjarët e tij. Dhe e morën në mënyrën më të turpshme, më kriminale. Do të ushtojnë kohë të gjatë lutjet e tij ndaj atyre banditëve pesë burra që e tërhiqnin zvarrë një fëmijë 10 vjeçar. E çuan në komisariat. Shkelën konventat ndërkombëtare. Fytyra e vërtetë e Edi Ramës, i cili edhe kur të jetë puna për karrigen e tij, nuk ndalet as për krime para fëmijëve. Agresuan qytetarë që s’kishin lidhje me protestën. U sollën egërsisht dhe në mënyrë të padenjë ndaj deputetëve. Agresuan disa deputetë, Luçiano Boçin, nënkryetarin e partisë, Xhelal Mziun, Besart Xhaferrin. Agresuan si të droguar.

Akte këto vetëm të njerëzve në panik të tmerrshëm. Të njerëzve pa shpresë. Përpjekje për të mbuluar krimet e, krimet monstruoze të Edi Ramës, Belinda Ballukut, Lindës së AKSHIT dhe Lindës së Surrelit, e Gys Agasit e të tjerë”, u shpreh ai. Më tej Berisha theksoi se për tre orë, kryengritësit guximtarë morën në dorë Tiranën, bulevardin, sheshet e saj. “Nderim të madh të gjithë atyre qytetarëve djemve, vajzave, burrave dhe grave, të moshuar, që nga Tirana dhe mbarë Shqipëria protestuan në mënyrën më të vendosur kundër rilindjes kalbësirë, kundër organizatës kriminale të Edi Ramës. Protesta e tyre nuk kishte lidhje me ndërtesat, as dhe institucionet kushtetuese.

Protesta, revolta, zemërimi i qytetarëve shqiptarë dje dhe që zjen sot në të katër anët e vendit dhe në diasporë, ka lidhje vetëm me Ramaduron, vjedhjet e tij qindra milionëshe e miliarda euro, lidhjet e tij me krimin e organizuar, kartelet e drogës. Dje regjimi u trondit nga themelet. Dje qytetarët triumfuan në rrugë dhe sheshet e Tiranës. U bënë zëri i ndërgjegjes se njerëzve të ndershëm, të cilët nuk pajtohen kurrë me një qeveri me lidhje të tmerrshme me drogën dhe krimin. Nuk pajtohen kurrë me një qeveri që nuk del nga vullneti i tyre, por nga farsa elektorale. Nuk pajtohen kurrë me një qeveri që vjedh 97% të taksave të tyre dhe të çmendurisht të gjitha pasuritë publike.

Dje ata ishin pra vetë ndërgjegja e kombit në betejë. Ata u përcollën mesazh çdo shqiptari se nuk po luftojmë për veten tonë, se nuk po luftojmë për Sali Berishën, se nuk po luftojmë për Partinë Demokratike, as dhe parti të tjera, se po luftojmë për ndërgjegjen e njeriut, për dinjitetin njerëzor, për interesin kombëtar. Po luftojmë dhe për ju që po na ndiqni në televizione, po luftojmë dhe për ju që mund të mos u pëlqejë protesta. Në fakt, po luftojmë dhe do luftojmë për çdo shqiptar. Kjo është veçantia e kësaj proteste. Kjo është protesta e ndërgjegjes dhe nuk ka asgjë më të fuqishme, nuk ka asgjë më të pathyeshme, nuk ka asgjë më të pamposhtur se sa ajo që buron nga ndërgjegja e njeriut”, nënvizoi dje Berisha.

Reagon Rama

Ndërkohë kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me protestën e organizuar këtë të shtunë nga Partia Demokratike. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social X, ai i quan mercenarë protestuesit e Partisë Demokratike, duke e cilësuar atë si një akt dhune të organizuar dhe të papranueshëm në një vend europian. Në reagimin e tij, Rama shprehet se në Europë ka lloje të ndryshme protestash dhe protestuesish, nga anarkistë e ekologjistë, te studentë apo grupe ekstremiste, të cilët shpesh maskohen dhe kryejnë akte vandalizmi, duke dëmtuar prona dhe plagosur punonjës policie. Ai akuzon edhe kryeopozitarin berisha si organizator.

“Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e shkatërruar prona… Po qysh nga koha e partive famëkëqia të 100 vjetëve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Europë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat! Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm! Të shkuara punonjësve të policisë që u plagosën e lënduan nga kjo lukuni e verbër”, shkroi dje Rama.

Reagon policia

Nga ana tjetër, 18 persona janë arrestuar, 17 të tjerë janë vënë nën hetim dhe 2 janë shpallur në kërkim pasi gjatë protestës së dhunshme që Sali Berisha mbajti ditën e shtunë në Tiranë, ku hodhën molotovë, si dhe kundërshtuan e goditën punonjësit e Policisë. Mes personave të vënë nën hetim janë edhe 3 deputetët demokratë Luçiano Boçi, Klevis Balliu dhe Gazment Bardhi, të cilët pas protestës mësynë Komisariatin numër 1 në Tiranë, ku u përplasën me blutë duke kërkuar lirimin e protestuesve të shoqëruar. 3 ligjvënësit, së bashku me sekretarin organizativ të Partisë Demokratike akuzohen për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”.

11 punonjësit e Policisë që mbetën të dëmtuar gjatë tubimit morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën. “Hodhën lëndë djegëse (molotovë) dhe kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Policisë, gjatë tubimit të zhvilluar dje, identifikohen 37 shtetas. Arrestohen 18 prej tyre, procedohen penalisht 17 dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë. Gjatë tubimit u dëmtuan 11 punonjës policie. Më datë 24.01.2026, rreth orës 17:00, subjekti politik Partia Demokratike zhvilloi një tubim në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë dhe Parlamentit. Gjatë zhvillimit të tubimit, disa prej pjesëmarrësve kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit që ishin të planëzuar me shërbim për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe kanë hedhur drejt tyre lëndë djegëse (molotovë).

Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan 37 shtetas që kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Në vijim:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. L., 19 vjeç, A. Ll., 26 vjeç, A. L., 24 vjeç, A. M., 30 vjeç, T. K., 25 vjeç, E. Sh., 24 vjeç, S. S., 21 vjeç, E. M., 30 vjeç, A. T., 50 vjeç, R. H., 24 vjeç, B. S., 48 vjeç, E. H., 22 vjeç, A. T., 47 vjeç, L. Xh., 26 vjeç, B. B., 48 vjeç, E. H., 40 vjeç, R. B., 40 vjeç dhe H. C., 20 vjeç; nisi procedimi penal për shtetasit:B. N, E. V, A. P, K. K., F. P, M. K, D. B, R. K, A. Z, R. T, dhe 3 të mitur; u shpallën në kërkim shtetasit S. D dhe E. Ll.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. M., me detyrë sekretar organizativ i subjektit politik Partia Demokratike, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” si dhe shtetasit L. B, K. B dhe G. B, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”. 11 punonjësit e Policisë që mbetën të dëmtuar gjatë tubimit morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund te kënë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje”, njoftoi dje policia.