Aksidenti në Rumani, i plagosuri zbulon detaje: Mbaj mend gjithçka, nuk humba ndjenjat asnjë moment

Një nga të mbijetuarit e aksidentit me 7 viktima në Rumani ka folur lidhur me ngjarjen tragjike. I plagosuri u shpreh se është në gjendje të mirë shëndetësore. Ai theksoi se aksidenti ishte shumë i rëndë dhe se po mban zi për miqtë e tij.

Lidhur me gjendjen shëndetësore të dy të plagosurve të tjerë, ai tha se ata janë mirë dhe se mjekët ia kanë konfirmuar.

“Jam vetëm në një dhomë, nuk di rumanisht, nuk di mirë anglisht. Rastësisht dëgjova zërat e tyre, ndërsa po kaloja me karrocë për të bërë një rezonancë magnetike, i dëgjova, të paktën e di që janë gjallë.Ata kaluan një natë të mirë për sa i përket rezultateve dhe sot i pyeta mjekët se si janë miqtë e mi. Më thanë gjëra të mira. Është shumë e mundur që të gjithë të nisemi nesër me aeroplan. Kam disa fraktura, disa thyerje”, theksoi ai.

Lidhur me udhëtimin dhe aksidentin, ai tha se mban mend çdo gjë. Ai theksoi se nuk është i sigurt se përse furgoni me të cilin po udhëtonte ngeci në korsinë e kundërt e cila rezultoi me përplasjen fatale me një kamion.“Mbaj mend gjithçka, nuk humba ndjenjat për asnjë moment. Nuk jam i sigurt se si ngeci aty. E keni parë videon. Kishte kohë që të shkonte siç duhet dhe nuk ndodhi asgjë. E morëm me qira furgonin nga Edessa, shoferi shkoi dhe e mori që andej dhe na “ngarkoi” të gjithëve nga Selaniku.

Ishim 6 veta nga Imathia dhe pjesa tjetër është nga zona të tjera që u takuam të gjithë në një vend të përbashkët që kishim caktuar të takoheshim. Ishim si vëllezër, jemi miq shumë të mirë”, theksoi ai.

Aksidenti ndodhi të martën në një rrugë të ngarkuar dhe të rrezikshme në Rumani, disa kilometra pas Caraseves. Gjatë një tentative për parakalim, automjeti doli në drejtim të kundërt dhe u përplas ballë për ballë me një kamion, duke rezultuar në copëtimin e automjetit dhe humbjen e 7 jetëve dhe plagosjen e tre të tjerëve.