Një gjykatë në qytetin Leipzig të Gjermanisë ka shpallur të pafajshëm një shtetas shqiptar 52-vjeçar, i cili akuzohej për vrasjen me thikë në zemër të një bashkëkombasi të tij.
Ngjarja e rëndë kishte ndodhur më 13 korrik 2024, rreth mesnatës, përballë një lokali, pas një sherri mes dy shqiptarëve. Gjatë konfliktit, viktima, një 39-vjeçar, u godit me thikë në zemër dhe u transportua me urgjencë në spital, ku ndërroi jetë gjatë natës për shkak të plagëve të marra.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor, prokuroria kërkoi dënimin e 52-vjeçarit me shtatë vite burg, duke e konsideruar ngjarjen si vrasje. Megjithatë, trupi gjykues arriti në përfundimin se veprimi mund të jetë kryer në kushtet e vetëmbrojtjes.Për këtë arsye, gjykata vendosi shpalljen e pafajësisë dhe lirimin e menjëhershëm të të pandehurit. Sipas mediave gjermane, shqiptari la sallën e gjyqit si njeri i lirë dhe do të përfitojë gjithashtu dëmshpërblim për kohën e kaluar në paraburgim.
Vendimi ka ngjallur reagime të shumta, ndërsa çështja konsiderohet e mbyllur në shkallën aktuale të gjykimit.
