Ditën e sotme në Gjykatën Themelore të Prishtën po mbahet seanca e parë gjyqësore për 2026 në lidhje me vrasjen e bujshme të Liridona Ademajt, e cila dyshohet se u porosit nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Në seancën e sotme po jep dëshminë e tij, bashkëshorti i viktimës, i cili ndryshe nga deklarata e vëllait të Liridona Ademaj, që ka theksuar se viktima para se të ndërronte jetë ka qenë e lënduar si rrjedhojë e një tradhëtie nga bashkëshorti i saj që ajo kishte zbuluar, Murseli pretendon se ata kanë patur një marrëdhënie të shëndetshme martesore.
“Kemi pasur 11 vite martesë me Liridonën, si rezultat kemi dy fëmijë dhe marrëdhënia ime me Liridonën ka qenë shumë e mire. Ka qenë një grua e mrekulleshme, nënë e përkushtuar dhe shumë e devotshme. Liridona kishte shumë dëshirë të bëhet nënë dhe kishte probleme me mbet shtatzënë, por më pas na u realizua ëndrra ajo u bë nënë dhe unë u bëra babë. Çdo gjë ka qenë në rregull mes neve”, mësohet të ketë thënë Murseli duke i dhënë përgjigje pyetjeve së avokatit të tij, Shemsedin Piraj.
“Asnjëherë në jetën time, larg qoftë me ushtru dhunë apo diçka e tillë. Ato gjëra nuk kanë ekzistu në lidhjen tonë”, shtoi më tej Murseli.
Më tej Murseli bën me dije se ata kanë jetuar së fundmi në Suedi, dhe bashkëshortja e tij e ndjerë pas tri vitesh qëndrimi atje, është bërë shtetase suedeze.
Ndërsa në lidhje me marrëdhënien romantike me Liridonën, Murseli në dëshminë e sotme, pretendon se vëllai i saj, Leonard Ademaj, ka rrëfyer se ajo nuk është ankuar asnjëherë për ndonjë gjë në lidhjen mes tyre. Këtu Murseli shtoi se mes tyre ka patur grindje, siç ndodhin zakonisht mes çifteveve. Por më tej ai pretedon se marrëdhënia e tyre nuk është ftohur kurrë aq shumë sa ata të kenë një krisje.
Ndërsa ka pohuar se as ai e as fëmijet, nuk kanë qenë në makinë, në momentin kur është vrarë Liridona.
“Iu betohem në dy fëmijë që i kam që Naim Murseli as në makinë s’ka qenë në momentin kur është vrarë Liridona. As unë as fëmijet, ju betohem. Kjo është e vetmja e vërtetë. Ajo që e thotë prokuroria është shpifje”, ka thënë Murseli.
Ndërkohë që para pak mujash, vëllai i Liridonës, Leonardi para togave të zeza ka rrëfyer se çfarë fëmijët i kishin thënë atij se mamin e kanë vrarë hajdutët dhe ata e kanë parë momentin e vrasjes.
“Atë ditë ka ndodhur krejt rasti. Djali e kish pas shtrënguar dorën shumë. Kur kam shkuar në polici m’u ka afruar më ka përqaf, dajë tha hajni mi ka lyp paret po unë s’ia kom dhënë e ka qel dorën i kish pas paret aty“, rrëfen ai.Duke qenë se dyshohet që vrasja e Liridonës të jetë urdhëruar nga burri i saj në këmbim të 30.000 eurove, Museli para togave të zeza deklaroi të ardhura financiare ata kishin mjaftueshëm, për shkak se së bashku me Liridonën, zotëronin një restorant dhe pastrim kimik, duke shtuar dhe angazhimin e tij në marketingun online për biznese të ndryshme. Ndaj të ardhurat e tyre vjetore arrinin diku 65 mijë euro, ku prej tyre Liridona siguronte 20 mijë euro.
I pyetur lidhur me polisën e sigurimit, ai tha se secili shtetas i Suedisë e ka sigurimin shtëpiak dhe jetësor, e në këtë rast e kishin edhe ai e Liridona, në të njëjtën shumë.
“Ajo shumë 3 milionë kruna, 260 mijë euro, nuk është shuma maksimale e polisës. Ajo mund të rritet deri në 600 mijë euro, nëse pala ka interes”, tha Murseli.
Në lidhje me marrëdhënien e tij me të akuzuarin e vrasjes Granit Plava, Murseli tha se ka qenë hera e parë që është takuar me të pa Kushtrim Kokallën (djalin e dajës), ndërkaq dy herë të tjera e ka takuar me të. Ai shtoi se nuk kishte miqësi me Plavën, e ka njohur atë përmes Kokallës.
Mediat vendase raportojnë se në seancën e sotme janë dorëzuar video-incizime të cilat përforcojnë akoma më shumë akuzat ndaj të dyshuarve për vrasjen e Ademajt, ngjarje ndodhur më 29 nëntor të vitit 2023 në Prishtinë.
Referuar provave të mbledhura deri më tani, autori i vrajses së 30-vjeçares, mendohet të ketë realizuar krimin në shkëmbim të 30 mijë eurove të ofruara nga partneri i viktimës, Naim Murseli.
Sipas hetimeve të kryera deri më tani, mësohet se vrasja e Liridonës ka ndodhur brenda 7 minutave.
Në momentin e ngjarjes, Naim Murseli së bashku me dy fëmijët e çiftit u larguan nga mjeti, duke lënë 30-vjeçaren në makinë aty ku dhe ndodhi vrasja.
Ndërkohë Plava ka deklaruar para hetuesve se ai është paguar 30 mijë euro për të vrarë gruan e ish-këshilltarit të politikanit Behgjet Pacolli. Paratë, 15 mijë euro Naim Murseli i ka dhënë para ngjarjes dhe 15 mijë euro të tjera pas saj.
