Prokuroria e Korçës ka çuar për gjykim Ilirjan Selmanin, 32-vjeçarin, i cili rreth 6 muaj më parë, vrau të dashurën e tij, Kozeta Teço, krim i ndodhur në Pogradec. Autori u arrestua disa orë pas ngjarjes që tronditi qytetin e Pogradecit, ndërsa ka pranuar krimin para policisë. Ndër deklaratat e para që Selmani ka dhënë para grupit hetimor, ai ka pohuar se nuk duronte dot më. “E doja, nuk më bënte përshtypje mosha. Vij nga një familje e mirë dhe nuk mund të bëhem vrasës. Ajo shpesh dehej dhe më godiste, por e duroja sepse e doja. Pastaj nuk durova dot më”, tha ai gjatë rrëfimit të parë në polici. Ndaj Selmanit, Prokuroria e Korçës ka ngritur akuzën ‘vrasje në rrethana të tjera cilësuese’ parashikuar nga neni 79/e i Kodit Penal.
Dosja e Prokurorisë
Nga hetimet, rezultoi se në lagjen nr.1 në qytetin e Pogradecit, në korrik 2025, kishte rënë zjarr në një banesë dhe dyshohej një viktimë, e identifikuar më vonë si shtetasja Kozeta Teço. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, ku u gjetën disa vatra zjarri, si dhe nga këqyrja e parë e kufomës, në trupin e së cilës u konstatuan shënja dhune. Ndërsa në tualetin e banesës, të vendosura në një qese mbeturinash u gjetën një dorezë thike, një teh thike, një thikë tjetër me bisht druri dhe një teh thike të ndotur me lëndë të kuqërremtë të ngjashme me të gjakut. Në përfundim të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor u konkludua se dëmtimet që i janë shkaktuar viktimës, janë me mjete të fortë prerës. Sipas hetimeve, shkaku i vdekjes ka qënë si pasojë e shokut traumatiko-hemoragjik. Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, aktet dhe burimet e provave të përftuara, rezulton se, shtetasi nën hetim Selmani ka patur një marrëdhënie dashurie me viktimën. Ai shkonte shpesh në banesën e saj, rreth 2-3 herë në javë dhe marrëdhënia e tyre ka zgjatur për më shumë se 3 vjet.Nga rezultatet e këqyrjes së pamjeve filmike të marra nga subjektet përreth vendit të ngjarjes është konstatuar se shtetasi Ilirjan Selmani ka shkuar në banesën e viktimës në orën 22:48 sipas pamjeve filmike dhe pas kësaj ore nuk është konstatuar asnjë lëvizje tjetër deri në orën 03:58 sipas orës së kamerës dhe 04:58 sipas orës reale, moment kur Selmani ka hedhur qeset në koshin e mbeturinave. Në referim të akteve të ekpertimeve biologjike vlerësuese dhe krahasuese, ka rezultuar se shtetasja Kozeta Teço është vrarë me thikat që janë gjetur në një qese në tualetin e banesës së saj, të cilat përmbanin gjak dhe fije floku që i përkisnin viktimës. Ka rezultuar se në xhepin e pasëm të pantallonave të shtetasit Ilirjan Selmani është konstatuar gjaku i viktimës. Në përfundim, nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, janë përftuar akte dhe burime provash që provojnë se shtetasi Ilirjan Selmani, ka vrarë në rrethana që i kanë shkaktuar mundime të veçanta viktimës dhe duhet të përgjigjet penalisht për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” në mënyrë të tillë që i shkakton mundime të veçanta viktimës, parashikuar nga neni 79, shkronja (e) të Kodit Penal.
