Tjetër tragjedi në ‘familjen’ e PAOK, 55-vjeçari ndërron jetë pasi mësoi për vdekjen tragjike të 7 tifozëve, një prej tyre mik i tij

Një tjetër lajm i keq ka prekur ‘familjen’ e PAOK, pasi një tifoz i kësaj skuadre ka ndërruar jetë pas lajmit tragjik për aksidentin me 7 viktima.

Sipas mediave greke, 55-vjeçari që jetonte në Larisa ka pësuar arrest kardiak, pasi mësoi për lajmin tragjik, ku mes viktimave ishte dhe një mik i tij.

Ai ishte një nga tifozët e zjarrtë të PAOK, ndërsa në ditët në vijim kishte planifikuar të kryente një ndërhyrje në zemër, pasi kishte probleme prej disa kohësh.

Ky ishte momenti tragjik i aksidentimit të furgonit me tifozë të skuadrës greke PAOK, në Rumani, ndërsa ishin nisur për të ndjekur ndeshjen e skuadrës së tyre të zemrës në Francë.

Siç shihet nga pamjet, furgoni i zi, ku ndodheshin 10 persona, mes tyre edhe dy shqiptarë të identifikuar si Genci Sadiku dhe Vasil Palo (për të cilët ende nuk dihet nëse janë mes tre të plagosurve apo mes 7 viktimave), bën manovra të rrezikshme dhe parakalim të gabuar, duke u përplasur më pas me një kamion.

Pas përplasjes së fortë furgoni ‘fluturon’ në ajër dhe përfundon i shkatërruar në anën e rrugës, duke u marrë jetën 7 personave dhe duke lënë të plagosur rëndë 3 të tjerët./Top Channel