Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ankimimin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij.
Sipas burimeve të Euronews Albania, Beqaj i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për lirimin nga qelia, duke argumentuar se masa e arrestit me burg është e papajtueshme me Kushtetutën dhe se cenon të drejtat e tij themelore.
Në kërkesën e depozituar, ish-ministri kishte kërkuar gjithashtu rigjykimin e çështjes në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në argumentet e paraqitura, Beqaj kishte vënë në dukje edhe gjendjen e tij shëndetësore, duke theksuar se gjatë qëndrimit në paraburgim ka pasur probleme shëndetësore dhe është trajtuar si i sëmurë në burg, fakt që, sipas tij, duhet të merrej në konsideratë për zbutjen ose ndryshimin e masës së sigurisë. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese nuk i ka pranuar këto pretendime dhe ka vendosur rrëzimin e ankimimit.
Ilir Beqaj po hetohet në kuadër të dosjes së SASPAC, ku dyshohet se ka abuzuar me fondet e Bashkimit Evropian gjatë kohës kur ishte në krye të kësaj agjencie. Hetimet për këtë çështje vijojnë, ndërsa masa e arrestit me burg mbetet në fuqi.
Ndërkohë, për çështjen e sterilizimit, ish-ministri i Shëndetësisë po ndiqet në gjendje të lirë. Në këtë dosje janë gjithsej 8 persona nën akuzë, ndërsa procesi gjyqësor për këtë çështje vijon veçmas.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese përforcon qëndrimin e institucioneve të drejtësisë për vijimin e masës së sigurisë ndaj Beqajt, pavarësisht pretendimeve të tij për shkelje kushtetuese dhe probleme shëndetësore gjatë qëndrimit në burg.
