Belinda Balluku me fletë arresti vazhdon emërimet e pjesëtarëve të bandës, përzë Gazhelin nga “Doganat” dhe emëron besnikun e saj.
Pavarësisht se ndodhet nën hetim të thelluar nga SPAK për disa procedura tenderuese dhe përmendet në një seri dosjesh hetimore që përfshijnë shkelje të rënda ligjore, Belinda Balluku vazhdon të sillet si e paprekshme nga ligji, duke ndërhyrë drejtpërdrejt në emërime dhe shkarkime në institucionet më të rëndësishme të shtetit.
Sipas burimeve konfidenciale, dyshohet se me kërkesë të drejtpërdrejtë të saj është larguar nga detyra pas afro gjashtë vitesh në krye të Doganave Gent Gazheli, një nga drejtuesit më jetëgjatë të këtij institucioni, për t’i hapur rrugën emërimit të një figure besnike të Ballukut.
Në vend të Gazhelit është emëruar Besmir Beja, i konsideruar si njeri i afërt dhe i besuar i ministres, i cili deri më tani ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Financave. Ky veprim shihet si pjesë e një skeme më të gjerë spastrimesh dhe ripozicionimesh, ku Balluku po konsolidon kontrollin e saj mbi strukturat kyçe fiskale dhe financiare të shtetit, në një kohë kur ndaj saj rëndojnë dyshime serioze penale.
Gazheli, i cili drejtoi Doganat që prej vitit 2020, është “sistemuar” nga qeveria në postin e zëvendësministrit të Mjedisit, një lëvizje që në qarqet politike interpretohet si largim i butë për të shmangur përplasjet dhe për të mos lënë gjurmë rezistence ndaj urdhrave të Ballukut.
Sa shumë paska tredhur Balluku!
Kjo vendimmarrje vjen në një klimë ku, sipas analizës së gazetarit Basir Çollaku, Balluku ka ndërtuar një rrjet të gjerë ndikimi dhe frike, që shkon shumë përtej ministrisë që ajo drejton. Në analizën e tij, Çollaku ngre pikëpyetje të forta mbi arsyen pse, pavarësisht statusit të saj penal dhe fakteve të bëra publike, ajo jo vetëm nuk shkarkohet apo arrestohet, por vijon të ushtrojë pushtet absolut.
“Kur mediatikisht shpërtheu një copëz bisede referuar se ishte bërë mes Ramës dhe Ballukut, në takimin maratonë të tij me të akuzuarën, pas marrjes së saj të pandehur, se ajo nuk ishte si Veliaj, nuk mund të shkarkohej, as të arrestohej, se po të bënin vaki këto, ajo do ta merrte me vete palloshin e gjatë, spekulimet për pavërtetësi zhurmuan pafund. Po sot?! Pyetja është, sa shumë politikanë, gjithë-kuvendarë, pozitarë, grinjarë, prokurorë, gjyqtarë, biznesmenë, kushtetues e mediatikë paska tredhur Balluku? Burra dhe gra pa kokërr dallimi.
Majtas dhe jo vetëm, pa kokërr dyshimi. Rama kryeson listën e kapjes. Pafuqia e tij, lidhet me fakte e prova, ku ai përmendet, porosit, vepron, kërkon ndere e merr vendime, të cilat formalisht i ekzekuton zëvendësja në hetim. Njëherësh tani edhe publikisht, Rama kryeson aksionin kanosës publikisht ndaj Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme si dhe asaj Kushtetuese. Këtu del tredhëria si model. Po kapërcehen dy muaj me akrobaci politike dhe burokratike.
Pasi telendisi Kushtetuesen ata u harkuan nga trysnia e Ramës ditën dhe hijet e lëvizjeve të Ballukut natën, për të hequr pezullimin nga detyra, masë e vendosur nga Gjykata e Posaçme. Fitili u ndez. Kjo shërbeu si masë bllokuese ndaj hetimit, për të shkuar në vendimmarrje të tjera. E pandehura po lejohej në zyrë. Nuk munguan veprimet. Tendera të tjerë shpërthyen. Dhjetëra milionë të tjerë euro. Në prag firme janë disa premtime për kontrata qindra milionë euro.
Pa këllqe profesionalo-morale, Kushtetuesja kërkoi kohë mendimtarësh. Fundja vetë vulos e firmos. Kuvendi, shumica rilindase nuk lejonte shqyrtimin e kërkesës së SPAK, për heqje imuniteti dhe arrest të zëvendëses së Ramës. Çështje të palidhura. Peleshi i bindet shefit. Do presim Kushtetuesen. Duket se 28 janari u la si datë, me një bindje se me 22 janar, Gjykata Supreme do të kishte pjekur mendimin e saj të vyer juridik.
Por sërish ata duan kohë. Nuk dinë se çfarë të bëjnë. Aq sa kohë do shef Rama, aq sa do shefe Balluku. Këtej struken nga Rama andej mbahen shënime nga Ambasada. Prokuroria zbulon intimidimin e dëshmitarëve nga zv/kryeministrja. Kjo mund të kishte shërbyer edhe si flagrancë. Prishja e provave ekspozohet radikalisht. Amerikanë dhe evropianë në krah të prokurorisë i kërkojnë Kryeministrit të mos i bëjë presion drejtësisë e mos mbrojë ministren e pandehur.
Asgjë. Ai nuk e rruan për askënd. Po sa paska tredhur Balluku, kur shihet se për të “Neroni” i qeverisë do të djegë gjithçka? Çfarë ka në ato 16 mijë faqe dërguar në Kuvend? Sa ka më rëndë në mijëra faqe të tjera, me prova shumë më të rënda në prokurori? Pyetjet publike janë shqeto: Përveç Ramës, sa ministra, ish-ministra, deputetë, gazetarë, operatorë mediatikë janë kapur për institucionesh? Kjo nuk është një mesele synetllëqesh. Jo jo. Shkon më larg bisturia. Sa biznesmenë të cilët janë aktorë të rëndë ekonomikë dhe elektoralë janë rrotull e brenda dosjes, ku gjezdisin duart e Ballukut e sms-të e Ramës?
Sa diplomatë e ambasadorë të heshtur, kanë ndonjë mjaltosje gjëkundi nga tendera ndërkombëtarë, të fituar ballukisht? Sa shërbime sekrete lindore, duan zëvendësen e Ramës aty ku është? Sa banda dhe grupe kriminale, organizata të trafikut të kokainës, me investime strategjike miliona euro, duan Ballukun si garanci firmëtare aty në atë karrige? Sa narko-terroristë janë në këtë lojë?
Sa Sinaloa dhe Ndranghteta janë në krah të narko-qeverisë me Ramën dhe zëvendësen në tryezat e tyre? Kjo është një përballje e drejtëpërdrejtë e Edi Ramës në anën narcos, me SPAK dhe mbështetësit e tyre USA-BE. Deri tani Rama i ka mundur. Paligjshmërisht sigurisht. Ky dështim, nëse vazhdon kështu, bën qesharak investimin më të madh në drejtësi, Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme. Të tjerat janë dokrra hini…!”, shkruan Çollaku.
Në këtë kuadër, vijimi i emërimeve, tenderëve dhe kontratave me vlera dhjetëra e qindra milionë euro, ndërkohë që ndaj Ballukut rëndojnë akuza dhe dosje voluminoze në SPAK, shihet si tentativë e hapur për të bllokuar hetimet, për të intimiduar dëshmitarë dhe për të shkatërruar prova.
