Është arrestuar në Greqi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, shtetasi Kostandin Nishku, 65 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar prej vitesh.
Nishku kërkohej nga autoritetet shqiptare pasi Kolegji Penal i Gjykatës së Kasacionit, me vendimin nr. 319, datë 18.11.1998, ka lënë në fuqi vendimin nr. 103, datë 10.09.1998, të Gjykatës së Apelit Durrës, e cila e ka dënuar atë me burgim të përjetshëm për veprën penale “Vrasje për shkak të cilësive të veçanta”, parashikuar nga neni 79 i Kodit Penal.
Sipas hetimeve dhe vendimeve gjyqësore, Nishku i është shmangur drejtësisë për 29 vite.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 19 mars 1997, në qytetin e Gramshit, ku ai ka shkuar në shtëpinë e tij që të kërkonte vëllain e të miturit dhe e ka kërcënuar të miturin se do ta vriste në rast se nuk tregonte.
Kur 9-vjeçari nuk ka treguar e ka qëlluar për vdekje. Më 10 shtator të vitit 1998 është dënuar në burgim të përjetshëm.
Autoritetet po ndjekin procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga gjykatat shqiptare.
