Skip to content

FOTO/ “Kemi frikë të dalim nga shtëpia, ndihemi të kërcënuar!”- Rrëfen një nga familjarët e dhunuar në Durrës: Na zunë rrugën kur po dërgonim të afërmin në spital! As bukë për fëmijët s’kemi marrë

Pak orë pas dhunës së paprecedentë ndaj një familjeje në qytetin e Durrësit, ka ardhur reagimi nga një prej personave të dëmtuar, që ka rrëfyer tmerrin dhe panikun e përjetuar.

“Kemi frikë të dalim nga shtëpia se mos na rrahin sërish. Nuk kam dalë as për të blerë bukë për fëmijët!”, shprehet V. Meçani, që gjithashtu është sulmuar nga autorët që janë shpallur në kërkim nga policia, kurse një 44-vjeçar është nën procedim.


Ajo është një nga personat që pasditen e së premtes janë goditur brenda në makinë nga disa persona për të cilët tani policia e Durrësit ka nisur procedimin penal dhe shpalljen në kërkim. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.14, në Nishtulla.

Sipas Meçanit, i pari që është goditur nga një grup prej disa personash është 55–vjeçari Fatmir Meçani.

Në momentin që vëllai i tij, Lulzimi, bashkëshortja e Fatmirit dhe kunata e tij po e shoqëronin në spital, makina e tyre është goditur nga po të njëjtët persona që më parë kishin gjakosur Fatmirin.Familja Meçani, pas dhunës së pësuar një ditë më parë ndihet e kërcënuar dhe e pambrojtur, përsa kohë këtë shtetas janë ende të lirë.

Sipas kësaj familjeje, kjo nuk është hera e parë që ata i dhunojnë, ashtu siç kanë dhunuar edhe familje dhe persona të tjerë po në atë zonë.Pas sulmit ndaj makinës së tyre, 4 personat janë drejtuar për në policinë e Durrësit, ku kanë bërë denoncimin përkatës. Motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta, teksa paraprakisht bëhet me dije për një konflikt të çastit dhe me motive të dobëta.

Në njoftimin për shtyp, policia bën të ditur se:

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim, në ngarkim të shtetasit A. Z., 44 vjeç, banues në lagjen nr. 14, Nishtulla, Durrës. Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit S. Z., 46 vjeç, dhe V. R., 37 vjeç, të dy banues në lagjen nr. 14, Nishtulla, Durrës”.Dhe më tej sqarohet dinamika:

“Po sipas policisë, pas hetimeve të kryera nga ekspertët e kriminalistikës, ka rezultuar se “më datë 30.01.2026, rreth orës 17:30, në lagjen nr. 14, Nishtulla, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me grushte shtetasit F. M., 55 vjeç, dhe L. M., 55 vjeçe, si dhe kanë dëmtuar automjetin tip “Ford Focus”, duke thyer xhamat e derës së shoferit dhe pasagjerit, në pronësi të shtetasit L. M., 47 vjeç”.

Published inNews