Kreu i “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj tha se kryeministrit Edi Rama po i bie fasada e njeriut që është krah drejtësisë. Ai tha se me Belinda Ballukun, dy ditë më parë në Divjakë, i bëri karshillëk drejtësisë, shoqërisë dhe SHBA.
Në fjalën e tij në protestën që po mban para kryeministrisë, Lapaj theksoi se po qëndrojnë në ditën e 55-të të qëndresës së tyre përpara një godine, e cila do të mbahet mend që është zaptuar nga “Edi Rama dhe hajdutët e tij”.
Sipas tij, me daljen publike të tij dy ditë më parë në një aktivitet në Divjakë, krah zëvendës kryeministres së pandehur Belinda Balluku, tregoi se Edi Rama po i bën karshillëk qytetarëve dhe se do t’i mbajë të korruptuarit pavarësisht skandaleve që i përfshijnë.
Po ashtu, sipas tij, Rama “injoroi” edhe SHBA, e cila kërkon luftë kundër krimit dhe korrupsionit në Shqipëri.
“Vëllezër, motra, nëna e baballarë sot jemi në ditën e 55 të qëndresës përballë godinës që do të mbahet mend si godina që u zaptua nga Edi Rama dhe hajdutët e tij. Çdo ditë e më shumë kësaj qeverie po i dalin skandalet, ndërkohë që i marruri peng Edi Rama po dëshmon se rreshtimi në krah të drejtësisë në fillimet e veta e kishte thjesht fasadë qëndresa jonë dhe përballja me të po i rrëzon fasadën duke e rreshtuar si njeriu kundër drejtësisë.
Ai dy ditë më parë ishte në Divjakë, në krah kishte Ballukun si karshillëk që i bën shoqërisë duke iu thënë se nuk ka problem që iu vjedhin, unë i mbaj në krah. Me Belindën në krah i bënte karshillëk drejtësisë. Ai me Belindën në krah i bënte sfidë SHBA, që i kanë shpallë luftë krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri. Koha të bëhemi krah për krah kundër Edit që mban në krah Belindën.”, tha Lapaj.
Kjo është protesta e katërt kombëtare e “Shqipëria Bëhet” para Kryeministrisë, ku Lapaj po qëndron pandërprerë prej afro javësh, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisjen e vendit nga një qeveri tranzitore deri në mbajtjen e zgjedhjeve.
