Elon Musk ka reaguar pas publikimit nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së të mbi 3 milionë dokumenteve lidhur me çështjen e Jeffrey Epstein, ku ka dalë edhe emrin i tij teksa ka komunikuar me abuzuesin seksual në email.
Musk ka deklaruar se ishte “shumë i vetëdijshëm se disa email-e me Jeffrey Epstein mund të keqinterpretoheshin dhe të përdoren për të dëmtuar emrin e tij”, duke iu përgjigjur një përdoruesi në platformën X.
“Askush nuk ka bërë më shumë për të publikuar dosjet e Epstein-it sesa unë, dhe jam i lumtur që kjo më në fund ndodhi”, shkroi ai.
Miliarderi theksoi se kishte pasur pak komunikim me Epstein dhe se kishte refuzuar më parë ftesa për të vizituar ishullin e tij ose për të udhëtuar me avionin e njohur si “Lolita Express”. Ai shtoi se prioriteti i tij kryesor është ndjekja penale e “atyre që kanë kryer krime të rënda bashkë me Epstein-in”.
Musk ka deklaruar më parë se kishte refuzuar vazhdimisht ftesat e Epstein-it për të vizituar ndonjërin nga dy ishujt privatë të tij – Great St. James dhe Little St. James – në Ishujt Virgjër Amerikanë, pranë Ishujve Virgjër Britanikë. Little St. James është lidhur me dekada abuzimesh ndaj vajzave të mitura dhe grave të reja nga Epstein.
Megjithatë, sipas dokumenteve, më 13 dhjetor 2013, Musk i kishte dërguar një email Epstein-it, duke i shkruar se do të ishte në zonën e Ishujve Virgjër Britanikë dhe të Shën Bartolomeut gjatë pushimeve dhe duke pyetur nëse kishte “një kohë të përshtatshme për vizitë”. Dy ditë më vonë, Epstein iu përgjigj se fillimi i vitit të ri do të ishte i përshtatshëm, duke shtuar se “gjithmonë ka vend për ty”. Në një email të ri më 25 dhjetor, ai shkroi se “2 ose 3 do të ishte perfekte” dhe se do të shkonte ta merrte.
Gjatë përplasjes së tij të fortë me Donald Trump vitin e kaluar, Musk kishte lënë të kuptohej se presidenti po vononte publikimin e dosjeve të Epstein-it sepse emri i tij ishte përfshirë në to. Kjo përplasje shënoi prishjen e marrëdhënieve midis presidentit dhe biznesmenit, i cili më parë konsiderohej një nga këshilltarët e afërt të tij.
Në shtator, kur emri i Musk u shfaq në një tjetër seri dosjesh, ai u përpoq sërish të distancohej nga Epstein. Në një postim në X, Musk deklaroi se “Epstein tentoi të më bindë të shkoja në ishullin e tij dhe unë refuzova”.
Fillimisht, Musk u përgjigj se duhej të kthehej në Los Anxheles më 2 janar në mbrëmje. Më pas, ai sugjeroi se mund të shtynte udhëtimin për një ditë, duke pyetur drejtpërdrejt: “Kur duhet të shkojmë në ishullin tënd, më 2?”
Nga dokumentet nuk rezulton qartë nëse Musk vizitoi ndonjërin nga ishujt e Epstein-it. Megjithatë, email-et zbulojnë një nivel komunikimi midis dy burrave që nuk ishte i njohur më parë, veçanërisht në sfondin e përpjekjeve të mëvonshme të Musk për të lidhur publikisht politikanë dhe kundërshtarë të tij me Epstein-in.
