Për të tretën ditë me radhë, banorët e fshatit Baks-Rrjoll në Velipojë kanë vijuar protestën e tyre kundër ndërtimit të një resorti turistik në zonë, duke paralajmëruar përshkallëzim të situatës me bllokim të rrugëve dhe një protestë para dyerve të SPAK.
Në një prononcim, një nga banorët protestues deklaroi se kundërshtimet do të jenë “të pandalshme” derisa të zgjidhet çështja e pronave, për të cilat ata pretendojnë se po u grabiten për t’i hapur rrugë ndërtimit.
Sipas tij, projekti kërcënon rreth 80 banesa. Protestuesi drejtoi akuza të forta ndaj qeverisë, duke e krahasuar Kryeministrin Edi Rama me Enver Hoxhën dhe Ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, me Themie Thomain.“Ne i kërkojmë shtetit, kryeministrit Edi Rama dhe Belinda Ballukut që ka firmosur,” tha ai, duke akuzuar gjithashtu biznesmenin Bashkim Ulaj dhe një ish-zyrtar të quajtur Fatmir Shpellza si përgjegjës për situatën. Banorët paralajmëruan se do ta përshkallëzojnë protestën duke bllokuar rrugën kryesore. Gjithashtu, ata bënë thirrje për një protestë të nesërmen para Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku kërkojnë të priten nga drejtuesit e saj.
“Do ta presin popullin e Rrjollit nga ora 11:00 te dera,” u shpreh protestuesi. Duke theksuar se kanë dokumente ligjore dhe vendime gjyqësore për pronat e tyre, banorët i bënë thirrje edhe kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci, që të interesohet për hallin e tyre. “Ne nuk jemi popull Izrael që kemi ardhur të zëmë tokat e kurrkujt. Ne jemi popull që i kemi me letra,” deklaroi ai.
Në lidhje me prezencën e forcave të shumta policore, banorët kërkuan që të mos ushtrohet dhunë ndaj tyre, duke siguruar se protesta do të jetë paqësore. Megjithatë, ata denoncuan se një ditë më parë, disa të rinj ishin arrestuar nga policia. Protestuesit janë të vendosur të mos tërhiqen, duke këmbëngulur se do të vazhdojnë kundërshtimet derisa autoritetet të dëgjojnë zërin e tyre dhe të ofrojnë një zgjidhje për çështjen e pronësisë.
Banori:
Ne po protestojmë ditën e tretë dhe nuk po gjejmë kurrëfarë rregullsie në këtë shtet. Sot është dita e tretë dhe do të jetë edhe 30 e 30 e 30. Banorë ka pak që do të protestojnë se as s’ka mbet populli i këtij vendit. Ne i kërkojmë shtetit. Që ne kryeministrin Edi Rama dhe Belina Ballukut që ka firmosur. Nuk po them për kriminelë të tjerë si kanë vjedhur tokën e fshatit Baks-Rrjoll.
Dhe i bëjmë thirrje që kjo protestë do të jetë protestë e pandalume. Që pa ardhur zoti Bashkim Ulaj dhe krimineli Fatmir Shpellza, që na ka çuar 80 shtëpia në këtë gjendje, ne nuk do ta ndalim protestën. Me policinë, i bëjmë thirrje që mos ta çojnë popullin në 40 vetë, 100 policë. 25 shkojnë në rajon dhe 100 policë rrinë këtu. I bëjmë thirrje dhe kryetarit të Bashkisë Shkodrës, zotit Benet Beci, të interesohet për këtë popull.
Se ne nuk jemi popull Izrael, si kemi ardhur me zënë tokat e kurrkuja. Ne jemi popull që i kemi me letra. Ne jemi popull që i kemi me vendime gjykatet. Ne jemi popull që i kemi në proces. Ne jemi popull me zotin avokat Nuh Pjetrin që ka folur dje. Ne jemi popull që ka shkuar fjala jonë deri në parlament. Këtu nuk po merret gjë vesh se kush e ka fajin.
A e ka fajin populli, a e kanë fajin grabitqarët e tokave? Ky popull nuk do t’i ndalet protestës, si një ditë, si dy ditë, si 300 ditë. Ky popull leshin po i lë punët e veta pa bërë. Lesh si shteti po na çon në burg, lesh si shteti po na përdhunon. Por ne më gjatë nuk po dimë se ku me shkuar.
Hapi i sotëm do të jetë bllokimi i rrugës që mos me dalë mjetet në rrugë të madhe. I bëjmë thirrje. Edi Rama si Enver Hoxha. Belinda Balluku si Themie Thomai. Nuk po i marrim të tjerët se janë zëvendësit e tyre. O të na shkombëtarizojnë krejt si popull. Edhe i bëj thirrje. Kryetarit të Bashkisë, Benet Beci, administratorit të Velipojës, që të vijnë të takohen me këtë popull. Të na sqarojnë, të na thonë o zotni, ju keni me shku më tej, ose të burrat në burg…
