Detaje të reja janë zbardhur lidhur me ngjarjen e rëndë që ka ndodhur Porcari, në provincën e Lucca-s, Itali, ku një familje prej katër anëtarësh ka humbur jetën si pasojë e një rrjedhjeje monoksidi karboni.
Viktimat janë Arti Kola, me origjinë shqiptare, bashkëshortja e tij Jonida dhe dy fëmijët e tyre, Hajdari (22 vjeç) dhe Xhesika (15 vjeçe). Familja po përgatitej të ulej për darkë kur ndodhi tragjedia.
Alarmi dyshohet se u dha nga xhaxhai i fëmijëve, vëllai i kryefamiljarit, i cili u shqetësua pasi nuk po arrinte të komunikonte me familjarët nëpërmjet telefonit. I shqetësuar, ai shkoi personalisht pranë banesës gjatë mbrëmjes.Ngjarja ka ndodhur rreth orës së darkës. Sipas rindërtimit paraprak, familja jetonte në një shtëpi trekatëshe dhe pak para se të uleshin në tavolinë, diçka shkoi keq.
Karabinierët, pasi mbërritën në vendngjarje, trokitën disa herë në derë, por pa marrë përgjigje. Ata u detyruan të hapnin derën me forcë. Brenda banesës, forcat e rendit gjetën katër trupat e pajetë dhe sallën e ngrënies ende të shtruar për darkë. Një familjar i pestë, i pranishëm në vendngjarje, humbi ndjenjat për shkak të helmimit nga monoksidi i karbonit nën sytë e karabinierëve, të cilët arritën të dalin nga banesa në kohë, duke pësuar vetëm një intoksikim të lehtë. Dy prej tyre u trajtuan për helmim të lehtë, por nuk janë në rrezik për jetën.
I afërmi u transportua në spitalin Cisanello për trajtim mjekësor. Në vendin e ngjarjes mbërriti edhe kryebashkiaku i Porcari-t, Leonardo Fornaciari, i cili shprehu tronditje dhe dhimbje të thellë për tragjedinë që ka prekur të gjithë komunitetin e qytetit, i cili ndodhet pak kilometra larg Lucca-s
