Ish-drejtuesi i lartë i Policisë, Shemsi Prençi, është shprehur se ka dyshime të forta se Jeffrey Epstein ka ardhur dy herë në Shqipëri, njëherë në vitin 2009 dhe njëherë në vitin 2018.
Komentet Prençi i bëri në një emision televiziv, ku tha se Epstein dhe politikanë të tjerë që kishin rënë në ‘kthetrat‘ e tij, e pëlqenin Ballkanin për vajzat e bukura dhe për bregdetin që Shqipëria dhe Mali i Zi kanë.
Prençi shtoi gjithashtu se pas Epstein qëndronin shërbimet sekrete, që ishin të interesuara për të implikuar zyrtarë të lartë nga e gjithë bota në afera korruptive e seksuale.
Ai e cilësoi Epstein një figurë jo vetëm të kompromentuar, por edhe kriminel, pasi sipas Prençit, ai ka arritur deri në atë pikë sa të abuzonte edhe me fëmijë.
“Epstein nuk ka qenë vetëm. Pas tij fshiheshin shërbime sekrete, që kanë qenë të interesuar për të implikuar zyrtarë të lartë, qoftë të SHBA-ve, por edhe të shteteve të tjera thuajse në të gjithë globin. Vdekja e tij është misterioze dhe është dyshuar se nuk ka qenë vetë-vrasje, por vrasje. Normalisht kështu përfundojnë të tillë njerëz, sepse aventurat që ndërmarrin, jo vetëm që janë të investuara, por janë edhe me rrisk shumë të lartë. Fakti që në kthetrat e Epstein kanë përfunduar Presidentë, Princa, ministra, deputetë, zyrtarë të lartë të BE-së, etj, por edhe mënyra e sjelljes së tij nuk është e pangjashme me shumë histori të tjera më të hershme në botë. Sepse njihen njerëz të tillë që përdoren nga shërbimet sekrete.Normalisht neve na intereson fenomeni i Epstein në Shqipëri dhe për këtë duhet zyrtarisht të prononcohet shteti shqiptar, pasi ka dyshime që Epstein ka qenë 2 herë në Shqipëri. Flitet për vitin 2009-2010 dhe në vitin 2018. Këtë mund ta konfirmojë sistemi TIMS i hyrje daljeve në Shqipëri.
Mënyra sesi ai dhe politikanë të tjerë të Europës kanë folur për Shqipërinë, për vajzat shqiptare, për qytetin e Kotorrit dhe për ish-Presidentin e Malit të Zi, tregon që ai dhe disa politikanë që i kishte futur në kthetra lakmonin pjesën ballkanike për 2 arsye, e para se kishte femra shumë të bukura dhe e dyta për një zonë të paprekur që ishte bregdeti shqiptar dhe ai i Malit të Zi, konkretisht qyteti i Kotorrit.
Pastaj atje ekziston një rast i një vajze nga Elbasani që ka aplikuar për punë dhe…. Epstein ishte një figurë shumë e kompromentuar, i ndikuar edhe nga shërbimet sekrete. Një figurë jo vetëm kompromentuese, por edhe kriminale. Ka shkelur shumë rrugë që nuk duhet t’i shkelte dhe ka abuzuar edhe me fëmijë.
Kujtojmë se pak ditë më parë Departamenti Amerikan i Drejtësisë publikoi miliona faqe dokumenta nga Dosja e Epstein, ku dolën në pah emra të shumtë të politikën dhe biznesit, të cilët ishin të përfshirë deri diku në aferat e tij.
