Kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë së fundmi një lëvizje të papritur në strukturat drejtuese të Kryeministrisë. Burime ekskluzive për Newsbomb.al bëjnë me dije se ai i ka besuar Vilma Gurit postin e Drejtoreshës së Kabinetit.
Guri nuk është një emër i panjohur, për vite me radhë ajo ka qenë këshilltarja e kryeministrit Rama, një njeri i besuar i kreut të qeverisë.
Ndërkohë që jo më larg se disa muaj më parë, në nëntor të vitit të kaluar, ajo u emërua në krye të Departamentit të Administratës Publike, një pozicion kyç për përgatitjen e strukturave të reja të administratës që mbështesin bojkotimin e burokracisë dhe zbatimin e praktikave moderne të menaxhimit.
Vilma Guri ka një karrierë të gjatë, mbi 20-vjeçare në fushën e qeverisjes, sigurisë ndërkombëtare dhe ndërtimit të kapaciteteve institucionale, të konsoliduara përmes angazhimeve në programe kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ajo është instruktore e certefikuar nga Instituti i Shërbimit të Jashtëm i Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ka zhvilluar trajnime për forcimin e kapaciteteve drejtuese dhe menaxheriale për zyrtarë të mjediseve diplomatike dhe institucionale.
Eksperienca e saj në fushën e administratës dhe lidershipit konsiderohet një aset i rëndësishëm në funksionin e ri pranë Kryeministrit.
