Kostandin Nishku, 59 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar prej gati tre dekadash, është arrestuar në Greqi me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Nishku është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një fëmije 9-vjeçar, nipi i një personi me të cilin kishte një konflikt të rëndë familjar. Ai kishte arritur t’i shmangej drejtësisë që prej vitit 1997, duke jetuar për vite me radhë në Greqi me identitet të rremë, nën emrin Hariz Vjeri.Ngjarja e rëndë daton më 19 mars 1997. Sipas dosjes hetimore, Nishku, i njohur edhe me pseudonimin Baki Duzha, së bashku me shtetasin Roland Kotorri, u paraqit i armatosur në banesën e Kujtim Bregut. Objektivi i tyre ishte Veli Bregu, vëllai i Kujtimit, i cili në vitin 1993 kishte vrarë vëllain e Nishkut dhe gjatë trazirave të vitit 1997 ishte arratisur nga burgu.
Meqë Veli Bregu nuk ndodhej në banesë, në shtëpi ishin vetëm Kujtimi, bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët e mitur. Pas insistimit për të zbuluar vendndodhjen e Veli Bregut dhe mungesës së përgjigjes, Nishku urdhëroi shoqëruesin e tij të qëllonte djalin 9-vjeçar. Pas refuzimit të këtij të fundit, Nishku e qëlloi vetë fëmijën me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.Pas krimit, ai u largua drejt Greqisë, ku jetoi për vite me identitet të rremë. Identifikimi i tij u bë përmes krahasimit fotografik mes imazheve të vitit 1997 dhe pasaportës së marrë në mënyrë të paligjshme në vitin 2013.
Autoritetet bëjnë me dije se pas arrestimit, pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë, ku do të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm./Gazetashqip
