Organizatat e personave me aftësi të kufizuara reagojnë ashpër: gjuhë diskriminuese ndaj Stenaldo Mehillit në Big Brother VIP
Rrjeti i Organizatave të Personave me Aftësi të Kufizuara në Tiranë ka reaguar publikisht ndaj gjuhës së përdorur në programin Big Brother Albania VIP, e cila, sipas tyre, ka qenë fyese dhe diskriminuese ndaj gazetarit Stenaldo Mehilli, i cili është edhe person me aftësi të kufizuara në shikim.
Në deklaratën e publikuar më 3 shkurt 2026, rrjeti e cilëson gjuhën e përdorur në program si të papranueshme dhe si një shkelje të rëndë të parimeve të barazisë dhe dinjitetit njerëzor, duke theksuar se raste të tilla duhet të ndëshkohen nga autoritetet përkatëse.
Sipas organizatave, gjuha e përdorur përbën ableizëm, një formë diskriminimi që niset nga ideja se personat me aftësi të kufizuara janë më pak të vlefshëm se të tjerët. Ajo thekson se kjo lloj gjuhe është përdorur historikisht për të izoluar dhe përjashtuar këtë komunitet, duke ushqyer stigma dhe paragjykime që pengojnë pjesëmarrjen e barabartë në shoqëri.
Rrjeti nënvizon gjithashtu se bëhet fjalë për gjuhë urrejtjeje, pasi nuk cenon vetëm individin, por edhe gjithë komunitetin e personave me aftësi të kufizuara, sidomos duke marrë parasysh audiencën e gjerë që ka programi televiziv.
Në deklaratë përmendet fakti se Shqipëria, që prej vitit 2013, ka ratifikuar Konventa e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, e cila detyron shtetin dhe shoqërinë të garantojnë të drejta të barabarta dhe respektimin e dinjitetit njerëzor. Po ashtu, theksohet se procesi i integrimit evropian kërkon respekt të plotë për të drejtat e njeriut dhe diversitetin.
Kërkesat konkrete
Në këtë kuadër, Rrjeti i Organizatave të Personave me Aftësi të Kufizuara kërkon:
që produksioni i Big Brother Albania VIP të marrë masa konkrete, përfshirë përjashtimin e menjëhershëm të pjesëmarrësve që përdorin gjuhë urrejtjeje;
që Autoriteti i Mediave Audiovizive të ndërhyjë në zbatim të Kodit të Transmetimit dhe standardeve të mosdiskriminimit;
që Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda, të reagojë dhe të marrë masat përkatëse sipas ligjit, duke bërë me dije se rrjeti do të depozitojë zyrtarisht një ankesë pranë këtij institucioni.
Në përfundim, organizatat i bëjnë thirrje shoqërisë që të kuptojë se aftësia e kufizuar është pjesë e pandashme e diversitetit njerëzor, duke theksuar se personat me aftësi të kufizuara janë “të fortë, krenarë dhe të dukshëm” dhe se përpjekjet për barazi, dinjitet dhe përfshirje do të vazhdojnë pa u ndalur.
RRJETI I ORGANIZATAVE TË PERSONAVE ME AFTËSI TË KUFIZUARA
TIRANË
Data: 03.02.2026
Deklaratë publike
Rrjeti i Organizatave të Personave me Aftësi të Kufizuara në Tiranë e konsideron të domosdoshme të reagojë ndaj gjuhës së përdorur sot në programin Big Brother Albania VIP ndaj gazetarit Stenaldo Mehilli, i cili është gjithashtu person me aftësi të kufizuara në shikim.
Gjuha e përdorur është e papranueshme dhe përbën shkelje të rëndë të parimeve të barazisë dhe dinjitetit njerëzor. Ajo duhet të ndëshkohet nga autoritetet përkatëse për arsyet e mëposhtme:
1. Përbën ableizëm, një formë diskriminimi që buron nga premisa se personat me aftësi të kufizuara janë më pak të vlefshëm se personat pa aftësi të kufizuara.
2. Një gjuhë e tillë është përdorur historikisht për të izoluar dhe përjashtuar personat me aftësi të kufizuara, duke i penguar ata të marrin pjesë në shoqëri në baza të barabarta me të tjerët. Ajo ushqen stigma dhe paragjykime.
3. Përbën gjuhë urrejtjeje, sepse nuk prek vetëm individin, por edhe komunitetin e personave me aftësi të kufizuara, duke përcjellë mesazhin se jetët tona janë më pak të denja për t’u jetuar se ato të të tjerëve, veçanërisht duke marrë parasysh audiencën e gjerë të këtij programi.
Që në vitin 2013, Shqipëria ka ratifikuar Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, e cila kërkon përpjekje të përbashkëta nga e gjithë shoqëria për garantimin e të drejtave të barabarta dhe për respektimin e dinjitetit të lindur të çdo njeriu. Po ashtu, procesi i integrimit evropian kërkon respekt të plotë për të drejtat e njeriut dhe për diversitetin.
Në këtë kontekst, ne kërkojmë:
1. Që produksioni i Big Brother Albania VIP të marrë masa konkrete, përfshirë përjashtimin e menjëhershëm të pjesëmarrësve që përdorin gjuhë urrejtjeje, e cila është e papajtueshme me etikën e komunikimit në media dhe me vlerat që synojmë të ndërtojmë si shoqëri.
2. Që Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), në zbatim të Kodit të Transmetimit dhe standardeve për përfaqësimin e personave me aftësi të kufizuara, të ndërhyjë dhe të trajtojë këtë shkelje në përputhje me parimet e mosdiskriminimit.
3. Që Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, z. Robert Gajda, të reagojë dhe të marrë masat përkatëse, në përputhje me ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi. Rrjeti ynë do të depozitojë zyrtarisht një ankesë pranë këtij institucioni.
Së fundi, i bëjmë thirrje gjithë shoqërisë të kuptojë se aftësia e kufizuar është pjesë e pandashme e diversitetit njerëzor. Ne jemi të fortë, krenarë dhe të dukshëm. Do të vazhdojmë pa u ndalur përpjekjet tona për më shumë barazi, dinjitet dhe për një shoqëri që respekton dhe përfshin të gjithë anëtarët e saj.
