Skip to content

Prag lufte? Njoftimi i fundit nga SHBA-të është alarmant

Shtetet e Bashkuara kanë vënë në gjendje alarmi të shtuar qytetarët e tyre në Iran, me të ashtuquajturën “ambasadë virtuale të SHBA-së” që u bën thirrje amerikanëve të “largohen menjëherë nga Irani” dhe të hartojnë plane evakuimi që nuk do të mbështeten në ndihmën e Uashingtonit.

Paralajmërimi i sigurisë u lëshua në orët e para të së premtes, në prag të bisedimeve të planifikuara mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në Oman, ndonëse nuk ka ende shenja të qarta se palët kanë arritur dakordësi për axhendën e takimit.

Sipas zyrtarëve amerikanë dhe iranianë, në bisedime pritet të marrin pjesë i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, si dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Delegacioni iranian do të udhëhiqet nga ministri i Jashtëm i vendit, Abbas Araghchi.

Këto bisedime do të përbëjnë kontaktin e parë zyrtar mes Teheranit dhe Uashingtonit që nga qershori i vitit të kaluar, kur tensionet u përshkallëzuan në mënyrë të rrezikshme pas luftës 12-ditore me Izraelin. Konflikti çoi në sulme ajrore amerikane, të cilat shkaktuan dëme serioze në tre objektet kryesore bërthamore të Iranit.

Megjithatë, mosmarrëveshjet e thella lidhur me përmbajtjen e bisedimeve, si dhe me vendin e zhvillimit të tyre, kanë ngritur dyshime serioze nëse takimi mund të sjellë rezultate konkrete. Ndërkohë, mundësia e një ndërhyrjeje ushtarake amerikane mbetet e hapur.

Sipas informacioneve, Uashingtoni kërkon nga Teherani që të heqë dorë nga rezervat e uraniumit të pasuruar, të pranojë kufizime në programin e tij balistik dhe të ndalojë financimin dhe armatosjen e grupeve të armatosura në Lindjen e Mesme. Donald Trump ka kërcënuar hapur me sulme ushtarake kundër Iranit, nëse vendi nuk pranon kërkesat amerikane.

Nga ana e tij, Irani i hedh poshtë këto kërkesa, duke i cilësuar si shkelje të papranueshme të sovranitetit kombëtar, dhe paralajmëron se do të përgjigjet fuqishëm ndaj çdo sulmi, duke goditur objektiva ushtarake amerikane në rajon, si dhe Izraelin.

“75% mundësi për përplasje ushtarake mes SHBA-së dhe Iranit”

Lëvizjet diplomatike zhvillohen në një klimë tensioni të lartë në Lindjen e Mesme, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë forcuar praninë e tyre ushtarake në Gjirin Persik javët e fundit. Donald Trump ka dërguar atë që e ka quajtur një “armatë gjigante” në rajon, me aeroplanmbajtësen Abraham Lincoln në krye, përpara bisedimeve të pritshme.

Mundësitë për arritjen e një marrëveshjeje apo për uljen e tensioneve përmes negociatave konsiderohen të kufizuara, pasi kërkesat themelore të dy palëve mbeten “shumë larg njëra-tjetrës dhe nuk ekziston asnjë besim”, siç deklaroi për CNBC Bob McNally, president i Rapidan Energy Group.

Sipas vlerësimit të tij, ekziston një probabilitet prej 75% që SHBA dhe Irani të përfshihen në përplasje ushtarake në ditët ose javët në vijim. Skenarët e mundshëm përfshijnë një bllokadë të tipit venezuelian, sulme selektive ose të kufizuara, por edhe një konflikt ushtarak në shkallë të gjerë.

Fillimisht, bisedimet ishin planifikuar të zhvilloheshin në Stamboll, për shkak të rolit qendror të Turqisë si ndërmjetës, me pjesëmarrjen e ministrave të Jashtëm nga vende arabe të rajonit, si Egjipti, Katari, Arabia Saudite dhe Turqia.

Megjithatë, të martën, Teherani kërkoi në mënyrë të papritur ndryshimin e vendit dhe formatit të takimit, duke propozuar që ai të mbahej në Oman dhe të kufizohej vetëm mes përfaqësuesve të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Shefi i diplomacisë iraniane, Abbas Araghchi, bëri sot thirrje për “respekt të ndërsjellë” përpara bisedimeve që pritet të zhvillojë gjatë ditës në Oman me të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump.

“Barazia, respekti i ndërsjellë dhe interesi i përbashkët nuk janë thjesht fjalë boshe, ato janë parakushte thelbësore dhe shtylla mbi të cilat mund të ndërtohet një marrëveshje e qëndrueshme”, theksoi ministri në një postim në platformën X në gjuhën angleze, duke konfirmuar se ai do të përfaqësojë Republikën Islamike të Iranit në këto bisedime./Panorama.com.al

Published inNews