Skip to content

EMRI/ Tentoi të grabiste postën dhe një biznes nën kërcënimin e thikës, gjendet i fshehur në tavan 24-vjeçari në Shkodër

I riu nga Shkodra, i cili një ditë më parë nën kërcënimin e thikës tentoi të kryente dy grabitje, filialin e postës dhe një biznes është arrestuar nga policia. Në pranga u vu 24-vjeçari, Mikel Mhilli, banues në fshatin Guci e Re, i cili ishte fshehur në tavanin e banesës së tij për t’ju shmangur Policisë.

Njoftimi

Shkodër / Finalizohet operacioni policor “Reagimi”

Tentoi të merrte me dhunë, nën kërcënimin e thikës, shuma parash në filialin e Postës Shqiptare dhe në një subjekt tregtar, Policia identifikon brenda pak orësh dhe vë në pranga autorin e dyshuar.

Sekuestrohen 2 biçikleta të vjedhura dhe disa nga rrobat që ka përdorur gjatë kryerjes së kësaj vepre penale.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe ndjekjes pa ndërprerje, të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Sektorin për Krimet e Rënda, me mbështetjen e forcës së posaçme “Shqiponja” dhe nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër, në kuadër të operacionit policor të koduar “Reagimi”, u identifikua dhe u arrestua shtetasi:

Mikel Mhilli 24 vjeç, banues në fshatin Guci e Re, i cili ishte fshehur në tavanin e banesës së tij për t’ju shmangur Policisë.Ky shtetas dyshohet se mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Vasil Shanto”, duke kërcënuar me një mjet prerës (thikë), ka tentuar të vjedhë me dhunë në filialin e Postës Shqiptare.

Gjatë largimit, ka thyer xhamin e sportelit dhe është larguar me një biçikletë të vjedhur.

Gjithashtu, pak minuta më pas, dyshohet se ka tentuar sërish, po me kërcënimin e mjetit prerës (thikë), të vjedhë me dhunë një subjekt market në lagjen “Fahri Ramadani”.

Gjatë largimit, në lagjen “Skënderbeg”, dyshohet se ka vjedhur një biçikletë tjetër.

Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, rrobat që ka përdorur gjatë kryerjes së veprës penale, si dhe biçikletat e vjedhura.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, e mbetur në tentativë, “Vjedhja me dhunë”, “Vjedhja” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Published inNews