Një tragjedi e rëndë familjare ka tronditur kryeqytetin e Turqisë, Ankara, ku një 35-vjeçar ka kryer një zinxhir vrasjesh brenda familjes dhe më pas i ka dhënë fund jetës.
Sipas mediave lokale, 35-vjeçari Recep Cengiz ka qëlluar për vdekje me armë zjarri nënën e tij 57-vjeçare dhe vajzën e mitur 8-vjeçare në lagjen Keçiören. Pas krimit, ai dyshohet se i ka vendosur trupat e pajetë të tyre në bagazhin e automjetit.
Më pas, Cengiz është drejtuar drejt banesës ku jetonte bashkëshortja e tij, me të cilën ndodhej në proces divorci. Atje, sipas të njëjtave burime, ai e ka vrarë edhe gruan dhe më pas ka kryer vetëvrasje.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë në opinionin publik, ndërsa autoritetet turke kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e kësaj tragjedie familjare.
Ndërkohë, disa kanale lokale lajmesh në platformën “X” raportojnë se Recep Cengiz ishte liruar së fundmi nga burgu me leje, një detaj që ka hapur debate të forta mbi masat e sigurisë dhe monitorimin e personave me precedentë penalë.
