Sot i dha fund arratisë, duke u dorëzuar në polici, autori i dyshuar i vrasjes së 47-vjeçarit Arjan Gosa.
Advertisements
Habib Rexha, 31 vjeç, u vetëdorëzua, pas negociatave të vazhdueshme të policisë, gjatë dy ditëve të fundit me familjen e tij, por edhe në pamundësi për t’u larguar nga vendi.
Advertisements
31-vjeçari që ekzekutoi për hakmarrje me një plumb në kokë Arjan Gosën do të përballet me drejtësinë për krimin e kryer pasditen e vonë të së dielës në Kavajë. Viktima u vra ndërsa ndodhej në lokal së bashku me babain e tij të moshuar, dëshmia e të cilit është pjesë e dosjes hetimore për ngjarjen.
Babë e bir qenë ulur shkujdesur në pjesën e jashtme të lokalit dhe po ndiqnin një ndeshje futbolli. Të dy kanë qenë me kurriz nga rruga, ndaj nuk e kanë parë autorin kur ka hyrë në lokal.
Advertisements
“Ishim duke parë ndeshjen. Dëgjova vetëm një krismë dhe e pashë djalin që ra në tokë dhe dikë që iku me vrap.” Kaq ka mundur të dëshmojë, 78-vjeçari Osman Gosa i cili në më pak se dy muaj humbi dy djemtë e tij, Edmondin 43 vjeç dhe Arjanin 47.
I tronditur nga gjithçka përjetoi në moshë të thyer, Osman Gosa nuk e kishte menduar se do të humbiste dhe djalin tjetër si pasojë e krimit në të cilin u përfshi i biri Edmondi dhe që i mori jetën. Vëllai i Habibit, Altin Rexha u qëllua nga Edmond Gosa në prani të djalit të mitur, teksa po kthehej në shtëpi me të.
Meqë të dyja palët e përfshira në konfliktin e 29 marsit, Edmond Gosa dhe Altin Rexha vranë njëri-tjetrin, familja Gosa nga Kavaja nuk e kishte dyshuar hakmarrjen, që nuk vonoi. Pas dorëzimit, Habib Rexha pritet të dalë para gjykatës për caktimin e masës së sigurimit personal./Top Channel