Category: Lajme

  • Loredana dhe Jozi shijojnë puthje pasionante në orët e vona të mbrëmjes

    Loredana dhe Jozi shijojnë puthje pasionante në orët e vona të mbrëmjes

    Në orët e vona të natës, Loredana dhe Jozi kanë dhuruar një moment plot pasion në shtëpinë e Big Brother VIP Albania, duke shkëmbyer një puthje të zjarrtë në shtrat.

    Dyshja, që kanë pasur një histori të trazuar brenda reality show-t, duket se i janë rikthyer lidhjes së tyre.

    Pas daljes së Jozit nga shtëpia dhe disa deklaratave të tij që nuk i pëlqyen Loredanës, marrëdhënia e tyre ishte në një pikë të pasigurt. Megjithatë, me kthimin e tij, gjërat kanë ndryshuar dukshëm.

    Tashmë, ata shfaqen më të afërt se kurrë, duke kaluar momente të ëmbla dhe të ngrohta bashkë. Puthja e tyre e fundit duket se ka konfirmuar se lidhja mes tyre është ringjallur dhe se ndjenjat mes tyre janë më të forta se kurrë.

    Fansat e çiftit po e komentojnë gjerësisht këtë moment, duke u ndarë mes atyre që besojnë në ndjenjat e sinqerta të dyshes dhe atyre që mendojnë se kjo mund të jetë një strategji loje.

    Megjithatë, një gjë është e sigurt: Loredana dhe Jozi po e jetojnë romancën e tyre pa u fshehur më!

  • SKANDAL/ 15.000 kg mish pule me salmonelë u konsumua nga shqiptarët. AKU fsheh shkeljet

    SKANDAL/ 15.000 kg mish pule me salmonelë u konsumua nga shqiptarët. AKU fsheh shkeljet

    Pasiguria ushqimore është në nivele alarmante. Dështimi i AKU për të kontrolluar mishin që tregtohet, ka bëre që qytetarët në supermarkete, markete dhe restorante të konsumojnë mish pule të infektuar me bakterin e salmonelës.

    Burime për ‘Ora investigim’ bëjnë me dije se në 11.03.2025 është futur nga porti i Durrësit 19.000 kg mish pule i importuar nga Brazili. Sipas të dhënave në etiketë data e skadencës ishte 13.12.2026.

    Sipas procedurave standarde inspektorët e AKU në pikën doganore marrin mostrat e mishit të importuar dhe i dërgojnë për analizim. Deri në daljen e rezultatit të analizave mishi duhet të qëndrojë i bllokuar.

    Pa pritur rezultatin e analizave subjekti importues është lejuar ta hedhë të gjithë produktin ne treg për shitje.

    Këto janë rezultatet e analizave, ku 19.000 kg mish pule i importuar nga Brazili rezulton i infektuar me bakterin e salmonelës.

    Në këtë rast kemi të bëjmë me dy shkelje, fillimisht laboratori nën varësinë e Ministrisë së Bujqësisë ka nxjerrë përgjigjen e analizave me 5 ditë vonesë, ndërkohë që AKU e cila duhet të mbante mishin e bllokuar deri në pritje të rezultatit ka lejuar që të futej në treg, duke bërë që mishi i pulës me salmonelë të konsumohet nga fëmijë e të rritur.

    Të shqetësuar jo për shëndetin e qytetarëve, por për faktin se ky skandal mund të bëhej mediatik, AKU ka trokitur në derën e subjektit që ka importuar mishin, në mënyrë që të tërhiqet nga tregu.

    Burime për “Ora investigim” bëjnë me dije se nga 19.000 kg mish pule me salmonelë është bllokuar vetëm 4000 kg, ndërsa 15.000 kg rezulton të jetë shitur.

    Inspektorët e AKU i kanë kërkuar subjektit importues faturat e shpërndarjes, por përfaqësuesi i subjektit i ka “treguar muskujt” inspektorëve duke refuzuar t’i vendosë në dispozicion faturat.

    Papërgjegjshmëria e institucionit që drejtohet nga Manush Kullolli vijon të rrezikojë jetën e qytetarëve, ndërsa “flirtimet” e biznesmenëve me inspektorët e AKU, bëjnë që këto të fundit të mbyllin sytë para shkeljeve flagrante./OraNews

  • Agron Llakaj bën urimin më emocionues për djalin e tij: Ditëlindja e parë pa mamin, do ta kalosh në heshtje, por gëzo

    Agron Llakaj bën urimin më emocionues për djalin e tij: Ditëlindja e parë pa mamin, do ta kalosh në heshtje, por gëzo

    Sot, Agron Llakaj, aktori i mirënjohur shqiptar dhe autor i Papare Najt, ka ndarë një postim mjaft prekës në rrjetet sociale, duke i dedikuar një mesazh të veçantë djalit të tij, Eno, në ditëlindjen e tij të 38-të.

    Ky është viti i parë që Eno e feston ditëlindjen pa nënën e tij, Kostandina, e cila humbi jetën rreth një vit më parë.

    Agroni, i mbushur me emocione, shkruan:

    I dashur biri im Eno!

    Eshte ditelindja e pare e jotja qe ka nje shije tjeter, mungon Ajo qe te solli ne jete e te mekoi dashuri per 37 vite…,mami yt dhe e shtrenjta jone Kostandina.

    E di qe do ta kalosh ne heshtje por gezo, gezo dhe festo bir, mami nga atje lart te dergon lum urimi dhe dashurie per ty, dy birushat e embel Teos & Brus, dhe familjen tende!

    Degjoje kete kenge dhe zere se te kendon zeri dhe shpirti i Saj.

    Gezuar 38-te vjetorin biri im!🙏❤️🥰🥂

    Te perqafoj plot dashuri!🤗
    babi dhe shoku yt i ngushte, Goni.

  • “Më vjen keq që hoqa unazën…”/ Loredana dhe Jozi flasin për lidhjen e tyre!

    “Më vjen keq që hoqa unazën…”/ Loredana dhe Jozi flasin për lidhjen e tyre!

    Teksa po qëndronin me njëri tjetrin Loredana i ka kërkuar falje Jozit.

    Të kërkoj falje për keqinterpretimet, më vjen keq që hoqa unazën. Më vjen mirë për sjelljen që pate me mamin tim atë ditë prandaj edhe të kërkoj falje.

    Jozi:

    Je e falur. Psë më bën kështu gjestesh? Pse nuk reagon direkt në moment? A je duke folur me mua apo me njerëz të panjohur? Kur kam pasur unë diçka të kam marrë më vetë.

    Loredana:

    Jo nuk e ke bërë. Unë vërtet dua që kjo e jona të zgjas edhe jashtë.

  • “Mora një goditje shumë të madhe…”/ Valbona Mhilli: Nuk e di se ç’pati Gjesti, na bëri dy në një dhe ja ku jemi sot!

    “Mora një goditje shumë të madhe…”/ Valbona Mhilli: Nuk e di se ç’pati Gjesti, na bëri dy në një dhe ja ku jemi sot!

    E ftuar në emisionin “Pardon My French” ka qenë Valbona Mhilli. Ish-banorja e e “Big Brother VIP” e cila përfundoi rrugëtimin e saj të martën pas një nominimi shumë të fortë ‘kokë më kokë’ me Laert Vasilin. Në fillim të intervistës Valbona u shpreh se ka qenë mjaft e ngarkuar dhe që pas daljes së saj nuk ka arritur që të pushojë. Jonida e pyeti nëse kjo ishte një ngarkesë e të gjithë asaj që ndodhi apo fakti që po dilte dhe po linte pas të tjerë që meritonin të dilnin para saj?

    Nuk e kam menduar pjesën e atyre banorëve sepse të them të drejtën disa prej tyre nuk i shikoja si konkurrentë përballë vetes sime. Ishin 3 ditët më të vështira që kam kaluar në “Big Brother”.

    E kishte menduar Valbona që do të vinte një moment dhe ata do të ndaheshin si një banor i vetëm dhe secili të bënte lojën e tij?

    Ne donim të ndaheshim sepse unë nuk kisha nevojë që të kisha një mbështetje një lojtar. Unë nuk kam pasur asnjëherë nevojë që të kisha një aleat apo dikë që më mbronte sepse vetëm me zërin brilant mund t’ia dilja që të mbrohesha.

    Nuk e di se ç’pati Gjesti që na bëri dy në një dhe ja ku jemi sot. Mirë them që ka bërë sepse i dha mundësinë Laertit dhe mua që të merrnim një vendim shumë të rëndësishëm.

    A është ende e mërzitur me Laertin ajo dhe si u ndje në atë moment kur mori vesh se çfarë kishte vendosur banori?

    Padiskutim që po. Nuk ka asgjë që e ndryshon. Vendimi i tij shkatërroi çdo gjë. Mora një goditje shumë të madhe dhe u ndjeva e tradhtuar

    Ajo shtoi gjithashtu se:

    Atë që e ka, e ka ai dhe unë nuk mund t’ia hedh dot poshtë. Është shumë karizmatik dhe anët e tij pozitive nuk mund t’ia hedh unë poshtë. Këtë anën që u tregua besëprerë nuk e kisha menduar ndonjëherë që mund ta bënte tek unë. Ai zgjodhi që vajzën që dashuronte dhe donte në atë shtëpi ta largonte sepse nuk donte ta njihte më.

  • “Bufi është simboli i Athinasë, perëndeshës së mençurisë”, Berisha: Rama do të mërzitet kur ta marrë vesh

    “Bufi është simboli i Athinasë, perëndeshës së mençurisë”, Berisha: Rama do të mërzitet kur ta marrë vesh

    Kryeministri Edi Rama e quan çdo ditë ‘buf kënete’, por ky epitet për Sali Berishën nuk është aspak ofendim, përkundrazi.

    I ftuar mbrëmjen e kaluar në “Top Story”, Berisha kujtoi se bufi ka qenë simbol i Perëndeshës së luftës dhe mençurisë, Athinasë.

    “Ky njeri ka vetëm batuta me realizmin socialist. Ky njeri nuk e di se çfarë nderi i bën Sali Berishës me bufin. Bufi është simboli i Athinasë, perëndeshës së urtësisë dhe mençurisë. Bufi konsiderohej kaq simbol ia arrijë. Athinaja nuk zgjodhi shqiponjën, zgjodhi bufin.

    Edhe romakët, pas grekëve, nuk i thoshin dot Athina perëndeshës së mençurisë, por e quajtën Minerva. As Minerva nuk e ndërroi simbolin. Do të mërzitet ai (Rama) sonte kur ta marrë vesh. Minerva përsëri ruajti bufin si simbol. Simbol i mençurisë, i zotësisë, i vendimit”.

    Më pas, kryedemokrati përdori teorinë frojdiane.

    “Njëra anë është ajo frojdiane, ato me Noc Rrokun i ka probleme të vetat. Është punë kompleksesh. Nuk do bëj psikoanalizën e tij (Ramës) tani”.

  • Vlora mbulohet shpesh nga tymi kancerogjen -Krim mjedisor që vret qytetarët dhe shpresën

    Vlora mbulohet shpesh nga tymi kancerogjen -Krim mjedisor që vret qytetarët dhe shpresën

    NGA PROF. DR. ARBEN MALAJ

    “Bota nuk është e rrezikuar nga njerëzit e këqij, por nga ata që lejojnë të keqen”, – thoshte Albert Einstein. Në rastin e Vlorës, e keqja po lejohet të lulëzojë në formën e tymit kancerogjen që mbulon qytetin, duke helmuar banorët dhe turistët. Pamjet e tmerrshme të publikuara nga media janë një dëshmi e gjallë e një tragjedie të paralajmëruar, që po përsëritet prej vitesh, pa asnjë zgjidhje të qëndrueshme. Tymi i mbetjeve të djegura, një përzierje koktej vdekjeprurës, po shkatërron shëndetin e vlonjatëve dhe po dëmton imazhin e qytetit si destinacion turistik. Zjarret, të cilat dyshohet se ndizen qëllimisht, janë një formë e shëmtuar sabotimi ndaj zhvillimit të Vlorës.

    Disa nga aktorët dhe faktorët e kësaj situate ambientaliste kërcënuese për shëndetin tonë janë: (i) Papërgjegjshmëria e autoriteteve: Pavarësisht premtimeve elektorale, autoritetet lokale dhe qendrore kanë dështuar të marrin masa konkrete. Prioriteti i tyre duket se është i lidhur ngushtësisht me interesat e investitorëve strategjikë, duke lënë pas dore shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve; (ii) Mungesa e veprimit: Vlonjatët nuk duhet të presin nisjen e projekteve të investitorëve strategjikë për të kërkuar zgjidhjen e problemit. Qeveria ka detyrimin të ndërhyjë menjëherë, sipas parimit të subsidiaritetit të BEsë, cili përcakton se si duhet të ndahen kompetencat midis niveleve të ndryshme të qeverisjes, veçanërisht midis BE-së dhe shteteve anëtare.

    Parimi i subsidiaritetit qartëson se vendimet duhet të merren në nivelin më të ulët të mundshëm të qeverisjes. BE-ja duhet të ndërhyjë vetëm kur veprimet e shteteve anëtare nuk janë të mjaftueshme për të arritur objektivat e dëshiruara. Në rastin e krizës së tymrave kancerogjenë në Vlorë, parimi i subsidiaritetit mund të jetë i zbatueshëm në disa mënyra: Dështimi i nivelit lokal: Nëse autoritetet lokale të Vlorës dështojnë të adresojnë në mënyrë efektive problemin e ndotjes, atëherë qeveria qendrore ka të drejtë të ndërhyjë. BE-ja ka standarde të rrepta mjedisore që shtetet anëtare dhe ato që aspirojnë anëtarësimin duhet të respektojnë. Nëse situata në Vlorë shkel këto standarde, BE-ja mund të ushtrojë presion ose të ofrojë ndihmë për të siguruar zbatimin e tyre.

    Në këtë kontekst, parimi i subsidiaritetit mund të justifikojë ndërhyrjen e qeverisë qendrore ose edhe të BE-së, nëse dështojnë veprimet e autoriteteve lokale për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin. (iii) Paralelizmi me Napolin: Ashtu siç u veprua në Napoli, kur qeveria e Berluskonit solli ushtrinë për të ndaluar krizën e plehrave, edhe në Vlorë nevojitet një ndërhyrje e fortë dhe e menjëhershme. (iv) Mungesa e llogaridhënies: Ku janë autoritetet ligjore përgjegjëse për ndotjen? A kanë kryer kontrolle dhe a kanë penalizuar personat përgjegjës? Pse mungon guximi për të ngritur problemet kritike reale në takimet me kryeministrin, por thjesht e paraqisni gjithçka mavi?. (v) Mungesa e protestave qytetare: Qytetarët grekë, serbë dhe maqedonas po protestojnë për tragjedi të ndryshme. Pse vlonjatët heshtin? Është e pashpjegueshme që qytetarët e Vlorës të mos protestojnë paqësisht, por me forcë, për të mos vonuar më zgjidhjen e përhershme për ndalimin e tymrave kancerogjene.

    Në një diskutim para disa ditëve me një koleg që është kandidat për deputet i Vlorës nga PS, ndava disa mendime për parandalimin dhe ndalimin e plotë të djegieve të plehrave të Vlorës. Aty përfshija: Shpallja e emergjencës mjedisore: Për të mundësuar ndërhyrjen e menjëhershme dhe alokimin e fondeve të nevojshme. Kontrolli ushtarak i fushave të mbetjeve: Për të parandaluar djegien e mbetjeve dhe për të siguruar zbatimin e standardeve mjedisore. Duke theksuar edhe riskun e lartë që djegiet në prag dhe gjatë sezoneve turistike mund të bëhen edhe si pjesë e luftës për konkurrencën në rritje të Vlorës dhe Shqipërisë për flukset turistike në rritje në rajonin tonë. Pas vitit 1998, pas trazirave sociale deri në konflikte sociale nga rënia e piramidave, mediat greke në Korfuz, të frikësuara nga konkurrenca potenciale e Sarandës, Gjirokastrës, Beratit dhe Përmetit u kushtuan emisione lajmesh dhe emisione speciale bazuar në risqet e mëdha, sipas tyre, nga ngjarje të dhunshme ku mbizotëronin hapjet e depove ushtarake, përplasjet mes bandave apo skenave të rrëmbimit të armëve dhe përdorimit të armëve si lodra të rrezikshme nga fëmijët.

    Parandaluese janë edhe masat si: (i) Hetim i autoriteteve përgjegjëse: Duhet të hetohen autoritetet ligjore përgjegjëse për ndotjen dhe të ndëshkohen ata që kanë shkelur ligjin. (ii) Transparencë dhe llogaridhënie: Qeveria duhet të sigurojë transparencë të plotë në lidhje me masat e marra dhe të mbajë përgjegjësi për veprimet e saj;(iii) Digjitalizimi i kontrollit të infrastrukturës kritike: Qeveria duhet të digjitalizojë kontrollin e rreptë të infrastrukturës kritike si ujësjellësit, qendrat e grumbullimit të plehrave, rrjeti elektrik dhe informatik. Qeveria duhet të mësojë nga mësimi i madh në lidership nga Aleksandri i Madh. Historia e nyjës Gordiane është një nga anekdotat më të famshme që lidhen me Aleksandrin e Madh dhe ofron një mësim të rëndësishëm mbi lidershipin dhe zgjidhjen e problemeve shumë të vështira. Sipas legjendës, në qytetin e Gordionit (në Turqinë e sotme) ndodhej një karrocë, e lidhur me një nyjë jashtëzakonisht të ndërlikuar.

    Profecia thoshte se kushdo që do të zgjidhte këtë nyjë, do të bëhej sundimtari i Azisë. Kur Aleksandri i Madh mbërriti në Gordion, ai nxori shpatën dhe e preu nyjën me një goditje të vetme. Mësimi kryesor nga kjo histori është se ndonjëherë, problemet komplekse kërkojnë zgjidhje të thjeshta dhe të drejtpërdrejta. Ai tregon rëndësinë e të qenit i guximshëm dhe i gatshëm për të marrë rreziqe, si dhe për të mos u kufizuar nga metodat tradicionale. Në kontekstin e artikullit, kjo histori përdoret për të theksuar nevojën për veprim të vendosur dhe të menjëhershëm në zgjidhjen e problemit të tymrave kancerogjenë në Vlorë. Vlora nuk mund të presë më! Jeta dhe shëndeti i qytetarëve janë në rrezik. Është koha për të vepruar, për të ndaluar këtë krim mjedisor dhe për t’i dhënë Vlorës frymëmarrjen që meriton. Duhet të mos lejohet më që indiferenca dhe papërgjegjshmëria të vrasin jetën e qytetarëve, të vrasin shpresën dhe t’u rrëmbejnë vlonjatëve dhe shqiptarëve të ardhmen.

    /Gazeta Panorama

  • Tërmet i frikshëm në Tailandë! Ndërtesat e larta rrëzohen brenda sekondave, nuk dihet numri i viktimave (VIDEO)

    Tërmet i frikshëm në Tailandë! Ndërtesat e larta rrëzohen brenda sekondave, nuk dihet numri i viktimave (VIDEO)

    Një tërmet i fortë me magnitudë 7.7 ballë ka goditur Tajlandën, duke shkaktuar kaos në Bangkok, ku tronditi ndërtesat e larta dhe shkatërroi një bllok apartamentesh.

    Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së dhe qendra e Gjeoshkencave GFZ e Gjermanisë thanë se incidenti e kishte epiqendrën në Mianmarin fqinj.

    Një tërmet i dytë, me magnitudë 6.4 ballë, tronditi zonën 12 minuta më vonë, me forcën e lëkundjeve që shkundën mbeturinat nga ndërtesat dhe plasaritën rrugët në kryeqytetin e Mianmarit, Naypyitaw.

    Në Bangkok jetojnë më shumë se 17 milionë njerëzve, shumë prej të cilëve jetojnë në apartamente shumëkatëshe, shkruan Daily Mail.

    Video tronditëse ka treguar momentin kur punëtorët ia mbathën teksa një ndërtesë në ndërtim e sipër u shemb kur u trondit nga forca e tërmetit.

    Policia e Bangkok tha se numri i viktimave të mundshme nuk dihet ende, ndërsa mediat lokale kanë raportuar se rreth 43 punëtorë janë zhdukur pas shembjes.

  • Gjesti i jashtëzakonshëm i çiftit irlandez në Durrës, gjejnë mbi 40 mijë euro dhe i dorëzojnë në polici

    Gjesti i jashtëzakonshëm i çiftit irlandez në Durrës, gjejnë mbi 40 mijë euro dhe i dorëzojnë në polici

    Mbrëmjen e djeshme, në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, janë paraqitur një çift irlandez, i cili ka dorëzuar një shumë vlerash monetare prej 41 400 eurosh.

    Shtetasi K. S., 42 vjeç, dhe bashkëshortja e tij, shtetasja K. K., kanë deklaruar se shumën prej 41 400 eurosh e kanë gjetur më datë 26.03.2025, rreth orës 15:30, në afërsi të një supermarketi, në lagjen nr 13, Durrës.

    Me veprimet e metejshme do të merret Drejtoria Vendore e Policië Durrës.

  • Këshilltarët bashkiakë të opozitës letër KE: Rama ka uzurpuar Bashkinë e Tiranës

    Këshilltarët bashkiakë të opozitës letër KE: Rama ka uzurpuar Bashkinë e Tiranës

    Grupi i Këshilltarëve Bashkiakë të Opozitës në Bashkinë Tiranë kundërshton metodat autoritariste dhe të paligjshme të të Edi Ramës, siç ishte rasti i zëvendësimit të kryetarit të arrestuar të Bashkisë, Erion Veliaj, me nënkryetaren, Anuela Ristani.

    Me anë të një letre drejtuar Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, këshilltarët e Opozitës bëjnë të ditur se është cënuar autonomia e pushtetit vendor, si dhe u margjinalizua roli i Këshillit Bashkiak, duke u shmangur nga vendimarrja.

    Në letrën e tyre Këshilltarët e Opozitës bëjnë me dije se përpos kësaj, ka shenja të qarta se administrata e Bashkisë Tiranë po manipulohet dhe kërcënohet për t’u përdorur në zgjedhjet e datës 11 maj.

    Duke dënuar fuqimisht ndërhyrjet e paligjshme të Ramës në këtë proçes, Grupi i Këshilltarëve të Opozitës në Bashkinë Tiranë i bën thirrje institucioneve ligjzbatuese të vijojnë hetimet për çdo rast korrupsioni dhe intimidimi të administratës. Gjithashtu, ata kërkojnë nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale në Këshillin e Evropës të marrë në shqyrtim situatën e krijuar dhe të ndërhyjë për të mbrojtur standardet demokratike në pushtetin vendor në Shqipëri.

    Letra e PD drejtuar KE:
    Drejtuar Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës

    Në dijeni të Sekretarit të Përgjithshëm, z. Mathieu Mori

    Të nderuar anëtarë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës,

    Ne, grupi i këshilltarëve bashkiakë të opozitës në Bashkinë Tiranë, dëshirojmë t’ju informojmë mbi një situatë tejet shqetësuese që po ndodh në qeverisjen vendore në Tiranë dhe që bie në kundërshtim me parimet themelore të Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore.

    Pas vendimit të gjykatës për arrestimin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, kemi vërejtur një ndërhyrje të paprecedentë dhe të paligjshme nga ana e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, në punët administrative dhe vendimmarrjen e Bashkisë Tiranë. Në vend që Këshilli Bashkiak dhe institucionet e qeverisjes vendore të ushtrojnë funksionet e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, bashkia është vënë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të ekzekutivit qendror.

    Në këtë kontekst, vërejmë:

    1. Cenimin e autonomisë vendore – Neni 3 i Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore përcakton qartë se autoritetet vendore duhet të jenë të lira nga ndërhyrjet e paligjshme të qeverisë qendrore. Megjithatë, veprimet e Kryeministrit tregojnë një kapje politike të institucioneve vendore.

    2. Margjinalizimin e Këshillit Bashkiak – Pavarësisht se Këshilli Bashkiak është organi më i lartë përfaqësues në nivel vendor, ai është anashkaluar dhe nuk po ushtrohet roli i tij kushtetues dhe ligjor.

    3. Manipulimin politik të administratës dhe burimeve publike – Ka shenja të qarta se ky kontroll i paligjshëm mbi Bashkinë Tiranë po përdoret për përfitime politike dhe ekonomike, duke përfshirë dhënien e lejeve të ndërtimit në mënyrë të dyshimtë dhe instrumentalizimin e administratës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2024.

    Për këto arsye, ne:

    • Dënojmë fuqimisht ndërhyrjet e Kryeministrit në administrimin e Bashkisë Tiranë, të cilat janë në kundërshtim me standardet demokratike dhe parimet e qeverisjes së mirë.

    • Inkurajojmë institucionet e drejtësisë që të vijojnë hetimet mbi çdo rast të korrupsionit dhe shkeljes ligjore të lidhur me administratën e bashkisë.

    • Kërkojmë një distancim të menjëhershëm të qeverisë qendrore nga vendimmarrja në Bashkinë Tiranë dhe kthimin e autonomisë së saj tek organet legjitime të qeverisjes vendore.

    • Bëjmë thirrje këshilltarëve bashkiakë të të gjitha forcave politike të mbajnë qëndrime të pavarura dhe të ushtrojnë funksionet e tyre në interes të qytetarëve të Tiranës.

    Autonomia vendore dhe sundimi i ligjit janë themeli i një demokracie funksionale. Ndaj, kërkojmë nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i Këshillit të Evropës që të shqyrtojë këtë situatë dhe të ndërmarrë hapa për mbrojtjen e standardeve demokratike në nivel vendor në Shqipëri.

    Me respekt,

    Grupi i Këshilltarëve Bashkiakë të Opozitës në Bashkinë Tiranë