Category: Lajme

  • Fabrikë për prodhimin e armëve në Shkozë me firmën e Ballukut! Pronësia e ish-Uzinës i kalon MM, shmanget Këshilli Bashkiak

    Fabrikë për prodhimin e armëve në Shkozë me firmën e Ballukut! Pronësia e ish-Uzinës i kalon MM, shmanget Këshilli Bashkiak

    Në një akt të dyshimtë, me firmën e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, qeveria miratoi më 12 mars 2025 një vendim që i kalon shoqërisë shtetërore KAYO, pronësinë e godinave të ish-Uzinës së Autotraktorëve, të cilat ndodhen në zonën e Shkozës.

    Qeveria ka revokuar të drejtën e pronësisë, të cilën vetë e kishte dhënë më parë me një vendim të mëparshëm për Bashkinë e Tiranës. Deri më tani, godinat ishin në pronësi të Bashkisë Tiranë dhe ishin caktuar për ndërtimin e banesave sociale. Por tani, pa pëlqimin e pronarit, ato kalojnë në duar të tjera, konkretisht në pronësinë e shoqërisë KAYO, nën juridiksionin e Ministrisë së Mbrojtjes.

    Sipas këtij vendimi, godinat do të përdoren për ndërtimin e një fabrike që do të prodhojë armë dhe municione. Vendimi i qeverisë për kalimin e pronësisë shtetërore të godinave të ishUzinës së Autotraktorëve është marrë pa miratimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Sipas nenit 58 të rregullores së Këshillit Bashkiak dhe nenit 54 të ligjit për qeverisjen vendore, çështja duhej të kalonte me jo më pak se 3/ 5 e votave të anëtarëve të Këshillit, por kjo as që është diskutuar në mbledhje. Kalimi i pronësisë ka shkelur gjithashtu ligjin për pasuritë shtetërore, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për trajtimin e pronave shtetërore në të ardhmen.

    Përveç kalimit të pronësisë në shkelje të ligjit, një tjetër shqetësim i madh është ndërtimi i kësaj fabrike në një zonë të banuar me densitet të lartë popullsie, duke rrezikuar seriozisht sigurinë dhe jetën e qytetarëve, shkollave, kopshteve dhe bizneseve që operojnë në zonë. Ky vendim ka ngritur alarmin për mundësinë e një “Gërdeci” të dytë, ku një aksident apo shpërthim i mundshëm mund të shkaktojë tragjedi të tmerrshme. Për realizimin e projektit është miratuar një buxhet fillestar prej 3 milionë eurosh për shoqërinë KAYO dhe ajo do të ketë mundësinë të bashkëpunojë me biznese private për prodhimin e armëve dhe municioneve, një hap që thellon dyshimet për transparencën dhe qëllimet reale të këtij projekti.

    Nëse ky vendim zbatohet pa u ndaluar, do të kemi një tjetër provë të dhunimit të ligjit dhe të interesave të qytetarëve, që po injorohen nga ata që duhet të mbrojnë ligjin dhe sigurinë publike. Pas këtij vendimi, çdo qytetar që jeton në zonën e Shkozës dhe afër saj ka arsye të shqetësohet për të ardhmen e tij. Kjo është një shkelje flagrante e të drejtave të qytetarëve dhe një goditje tjetër për transparencën dhe përgjegjshmërinë e administratës qeveritare.

    /Gazeta Panorama

  • “Të flirtosh me të gjitha vajzat e bukura të shtëpisë…”/ Çfarë mesazhi i dha ish-bashkëshortja Aldos gjatë telefonatës?

    “Të flirtosh me të gjitha vajzat e bukura të shtëpisë…”/ Çfarë mesazhi i dha ish-bashkëshortja Aldos gjatë telefonatës?

    Gerta Gixhari theu ditën e sotme kutinë e emergjences që kishte një telefonatë. Ajo kishte shumë dëshirë që të fliste me dy djemtë e saj, por u përball me një të papritur kur lexoi se çfarë shkruhej në zarf.

    Gerta nuk mund t’a përfitonte vetë telefonatën, por do zgjidhte një tjetër banor për t’ia dhënë.
    E përlotur që nuk mund të fliste me fëmijët e saj, ajo ia dha telefonatën Aldos. Ky i fundit u shpreh se do të fliste me ish-bashkëshorten dhe do e pyeste për vajzën e tyre.
    Telefonata ndodhi pasditen e sotme dhe ish-gruaja i tha Aldos:

    “Akira është rritur shumë, i kam prerë flokët por jo aq shkurt deri te qafa, ato kaçurrelat e vogla i rrinë super. E ka marrë malli shumë për ty. Çdo natë kur shtrihet për gjumë thotë ‘nesër do ketë mbaruar punë babi dhe do vijë të takojë Akirën në shtëpi’”, tha ajo.

    Ndërkohë Aldo iu përgjigj duke i thënë se çdo natë mendon për to.
    Por jo vetëm kaq, pasi ish-bashkëshortja i dha edhe disa këshilla për lojën:
    “Vazhdo kështu siç je, çdo ditë do të doja të shikoja duke flirtuar me vajzat e bukura të shtëpisë se sa të shikoja shembuj që i ofendojnë dhe ulin femrat. Kështu që duhet ti japësh forca. Kur Rozana të thotë ke flirtuar me 3, thuaj do flirtoj me 6”, i tha ish-bashkëshortja Aldos.

  • Tërmeti me magnitudë 7.7 në Mianmar, pamje të shtëpive dhe ndërtesave të shkatërruara

    Tërmeti me magnitudë 7.7 në Mianmar, pamje të shtëpive dhe ndërtesave të shkatërruara

    Tërmeti i fuqishëm në Mianmar me magnitudë 7.7 goditi disa vende në Azinë Juglindore: Bangladesh, Indi, Laos, Tajlandë.

    Ndërkohë, Qendra e Rrjeteve të Tërmeteve të Kinës (CENC) tha se tronditja ishte me magnitudë 7.9, sipas agjencisë së lajmeve Xinhua, me një postim në mediat sociale nga CENC duke thënë se “dridhjet u ndjenë në Yunnan”.

    Agjencia e lajmeve AFP raportoi nga kryeqyteti i Myamar, Naypyidaë, se rrugët u çanë nga forca e lëkundjeve dhe copa tavanesh ranë nga ndërtesat.

    Në kryeqytetin fqinj të Tajlandës, Bangkok, banorë të befasuar dolën nga ndërtesat e larta. Dëshmitarët thanë se lëkundjet ishin mjaft të forta.

    “E dëgjova dhe isha duke fjetur në shtëpi, vrapova sa më shumë me pizhame nga ndërtesa,” i tha AFP Duangjai, një banor i qytetit turistik të njohur verior Chiang Mai.

    Disa shërbime të metrosë dhe hekurudhave të lehta u pezulluan në Bangkok.

    Kryeministrja tajlandeze Paetongtarn Shinawatra tha të premten se kishte ndërprerë një vizitë zyrtare në ishullin jugor të Phuket për të mbajtur një “takim urgjent” pas një tërmeti të fuqishëm, sipas një postimi në X.

  • Habit Kryemadhi: Ata që e mësuan Ilirin të ndahej nga unë, le ta komandojnë tani

    Habit Kryemadhi: Ata që e mësuan Ilirin të ndahej nga unë, le ta komandojnë tani

    Deputetja Monika Kryemadhi ndodhet në një intervistë në emisionin “Opinion” në Tv Klan, nga ku ndër të tjera ka folur edhe për procesin e divorcit të saj me ish-Presidentin Ilir Meta. Kryemadhi gjatë intervistës shprehet se nuk do të marrë pjesë as në seancën tjetër të divorcit pasi sipas saj ajo e ka të qartë pozicionin e saj, teksa shton se procesin le ta komandojnë ato persona që e kanë iniciuar.

    Monika Kryemadhi ndër të tjera ka treguar detaje se kur është thyer raporti i tyre. Kryemadhi thekson se lajmin për divorcin e ka marrë nga mediat ku përmend një telefonatë të një gazetari që e pyeste lidhur me këtë gjë.

    Pjesë nga intervista:

    Blendi Fevziu: Ka dalur lajmi publik që edhe në rrugë zyrtare divorci juaj me Metën po zyrtarizohet. Çafrë ndodhi në raportin tuaj me Ilir Metën, pasi dikur thoshit se jeni gati të bëni krim pasioni.

    Monika Kryemadhi: Po dhe ashtu ka qenë gjithmonë dhe sot e kësaj ditë unë… Unë kur e kam njohur Ilir Metën kam qenë 17 vjeç dhe kur jemi lidhur bashkë kam qenë pa bërë 20 vjeç. Jemi lidhur në Janar të vitit ‘94 dhe përtej kësaj ne në 11 Prill kemi sencën tjetër dhe unë përsëri nuk do të paraqitem në gjyq se jam shumë e qartë në gjithë pozicionin tim qoftë personal apo politik që personat që e iniciuan divorcin le ta komandojnë. Kush e inicioi le ta komandojë.

    Blendi Fevziu: Kush e inicioi, zoti Meta? Zoti Meta është në qeli sot.

    Monika Kryemadhi: Nuk e di. Ai që e ka iniciuar le ta komandojë si proces. Pastaj pjesa tjetër e momentit të marrëdhënies personale është një gjë që sa i përket familjes time marrëdhënieve tona personale. Kështu që çështja e divorcit nuk jam as e para dhe as e fundit që i ndodh kjo gjë.

    Blendi Fevziu: Raporti juaj ishte sa një raport familjar, bashkëshortor aq edhe politik. Çështja juaj ishte më e komplikuar.

    Monika Kryemadhi: Zoti Fevziu unë çështjen po e quajmë politiko-personale nuk dua t’i diskutoj më në aspektin emocional apo personal.

    Blendi Fevziu: Prej sa kohës ishte thyer raporti juaj zonja Kryemadhi?

    Monika Kryemadhi: Raporti është thyer me 1 Prill të vitit të kaluar dhe unë pastaj kam qenë edhe në studion tuaj ku kam thënë që raporti jonë është i ngrirë dhe pastaj nuk kam pas më asnjë dalje tjetër televizive.

    Blendi Fevziu: Cili ka qenë shkaku kryesor i divorcit?

    Monika Kryemadhi: Nuk e kam kuptuar asnjëherë zoti Fevziu.

    Blendi Fevziu: Si nuk e keni kuptuar nuk e keni biseduar me zotin Meta këtë gjë?

    Monika Kryemadhi: Jo. Unë edhe informacionin e divorcit e kam parë në media dhe ka qenë një gazetar i Zërit të Amerikës që më ka marrë në telefon dhe më ka thënë këtë gjë. Madje kam qenë duke parë ndeshjen Itali-Francë dhe sigurisht nuk më erdhi mirë.

    Blendi Fevziu: A patët ndonjë moment ju që u ulët me bashkëshortin për një shpjegim?

    Monika Kryemadhi: Mendoj që nuk është ndonjë risi në emisioni tuaj për të diskutuar për këtë gjë. Mendoj që zotit Meta i mbaroi marrëdhënia emocionale shpirtërore me mua. I drejtohet padisë civile në gjykatëdhe sigurisht kjo është. Unë uroj që të gjithëve koha të na bëjë të kuptojmë problemet që kemi. Sepse mos harrojmë një gjë që jo nuk është koha shëruesi më i mirë, por ne mësohemi me problemin dhe mendoj se në aspektin njerëzor zoti Meta morri një vendim personal dhe mendoj që në aspektin politik sigurisht…

    Blendi Fevziu: Ku ishte thyer raporti juaj?

    Monika Kryemadhi: Unë nuk mendoja që ishte thyer, por mesa kam dëgjuar nga intervistat ka qenë djegia e mandateve.

  • Bovilla pa monitorim, KKMD kërkon ndërhyrje pas çarjes dhe mungesës së alarmit

    Bovilla pa monitorim, KKMD kërkon ndërhyrje pas çarjes dhe mungesës së alarmit

    Një inspektim i kryer në Digën e Liqenit të Bovillës, një nga veprat e rëndësisë së veçantë ne vend sidomos për kryeqytetin ka nxjerrë në pah një sërë problematikash që nga mungesa e monitorimit e deri tek ndërhyrjet e paautorizuara.

    Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha në një mbledhje të mbajtur në muajt e parë të këtij viti nënvizon se është konstatuar që monitorimi i kësaj dige të madhe mjaft të rëndësishme nuk kryhet në përputhje me kërkesat e legjislacionit.

    “Prej shumë vitesh, në digë nuk është kryer ndonjë monitorim gjeodezik, sizmik, hidrogjeologjik dhe gjeologjik me instrumente. Instrumentet e Sistemeve të monitorimit të digës janë jashtë funksionit. Ekipi i UKT që administron këtë digë nuk disponon të dhëna të monitorimit me instrumente të digës që prej më se 10 vitesh.

    Në digë dhe në zonën poshtë saj nuk ka asnjë sistem alarmi për rastet e emergjencave civile megjithëse, bazuar në legjislacionin në fuqi, kjo digë me lartësi 91 m dhe me rezervuar me volum uji prej më se 78 milion m3 konsiderohet vepër e rëndësisë së veçantë.

    Duke patur parasysh edhe faktin se poshtë kësaj dige banojnë më se 100 000 banorë që përfshihen në hartën e përmbytjeve për shkak të shfrytëzimit të kësaj dige si dhe legjislacionin për sigurinë e digave është emergjente instalimi i një sistemi alarmi bashkëkohor për sinjalizim në kohë reale të emergjencave civile” thuhet në dokument.

    I njëjti nënvizon se gjatë kontrollit në terren u vu re se në anën e djathtë të digës, afro 500 m larg saj vërehet një çarje e madhe e një masivi shkëmbor, problematika e të cilit është identifikuar prej vitesh nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar dhe UKT por deri me sot nuk është ndërmarre asnjë masë për identifikimin dhe monitorimin e madhësisë së kësaj çarje ndër vite dhe eliminimin e rrezikshmerinë që mund të ketë për shfrytëzimin dhe sigurinë e digës.

    Një tjetër konstatim gjatë vizitës në terren ishte edhe ajo për disa punime mbushje dhe betoni për një rrugë këmbësore turistike në zonën e shkarkuesit katastrofik të digës të cilat krijojnë probleme për funksionimin e shkarkuesit gjatë shfrytëzimit të digës si dhe për sigurinë e lëvizjes së njerëzve që nuk janë personel i UKT.

    Lidhur me këto Komiteti ka kërkuar ndërhyrje si dhe ndalimin e punimeve dhe kthimin e terrenit në gjendjen fillestare në pjesën e shkarkuesit katastrofik./ Monitor

  • Reshje shiu në pjesën më të madhe të territorit, parashikimi i motit për ditën e sotme

    Reshje shiu në pjesën më të madhe të territorit, parashikimi i motit për ditën e sotme

    Vendi ynë do të mbetet nën mbizotërimin e vranësirave dhe shirave në pjesën më të madhe të territorit, por rrebeshe shiu priten sërish në zonat veriore dhe veriperëndimore.

    Pjesa e dytë e ditës, do të sjellë dobësim të intensitetit të shirave në pothuajse të gjithë vendit; përjashtuar skajin Jugor ku priten rrebeshe shiu.

    Në majat e maleve do të ketë reshje të pakta dëbore.

    Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të lehtë si në mëngjes edhe në mesditë; duke luhatur vlerat ditore nga 3°C vlera minimale në Bulqizë deri në 20°C vlera maksimale në Durrës dhe Sarandë.

    Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 40 km/h nga drejtimi Juglindor; për pasojë në brigjet detare do të krijohet dallgëzim 2-3 ballë

  • “Disa në petkun e statusit profesionist japin diagnoza…”/Çfarë mendimi ka shoqja e ngushtë e Eglit për Gjestin?!

    “Disa në petkun e statusit profesionist japin diagnoza…”/Çfarë mendimi ka shoqja e ngushtë e Eglit për Gjestin?!

    E ftuar sonte në emisionin “Big Brother Radio” nëpërmjet një lidhje Skype nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qenë shoqja e ngushtë e Eglit, Paola. Ajo ka treguar më shumë rreth situatës së Eglit, arysen pse ajo vendosi të rihynte sërish në Big Brother dhe gjithashtu është ndalur edhe tek raporti me Gjestin.

    Çfarë mendimi ka shoqja e ngushtë e Eglit në lidhje me marrëdhënien aktuale që banorja ka me Gjestin pas rikthimit?

    E pritshme, mendoj se pas rikthimit Egli është më e ftohtë, jo emocionalisht por po vepron me logjikë më shumë sesa me zemër. Më pëlqen ky raporti banor dhe lojtar që kanë krijuar tani është i lezetshëm shpresoj që të jenë të aftë që ta mbajnë.

    Elona e pyeti nëse i pëlqen asaj Gjesti për mikeshën e ngushtë, Eglin?

    Përderisa asaj i pëlqen Gjesti unë nuk kam asnjë koment negativ për Gjestin.

    Në fund të intervistës ajo dha edhe një mesazh:

    Duke marrë parasysh të gjithë komentet negative aty jashtë, doja të thoja se ne si njerëz e humbasim busullën tonë diku dhe e rëndësishme është që duhet të gjejmë edhe rrugën tonë në errësirë. Egli është një vajzë që me karakterin e saj i ka dhënë shumë ngjyra këtij edicioni të Big Brother VIP. Më vjen keq kur dëgjoj disa njerëz aty jashtë që në petkun e statusit profesionist japin diagnoza për një vajzë e cila është në kushte jo normale e izoluar dhe kjo është diçka që e lëndoi edhe Eglin kur doli jashtë. Mesazhi im është që duhet të jemi më racional me fjalët, komentet dhe me mënyrën se si në shprehemi. Shoqëria jonë ka nevojë për shumë dashuri dhe të jemi pak më empatikë.

  • “Gjeni një ministër timin që ka kapur SKAP-i me korrupsion?”/ Kryetari i PD: Le të rrëmojnë edhe 40 vite! Sali Berisha u ndaloi….

    “Gjeni një ministër timin që ka kapur SKAP-i me korrupsion?”/ Kryetari i PD: Le të rrëmojnë edhe 40 vite! Sali Berisha u ndaloi….

    Gjatë intervistës për në “Top Story”, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ndal te reforma ë drejtësi gjatë kohës kur ai ishte në pushtet.

    Në lidhje me korrupsionin, ai tha se “gjeni një ministër timin që ka kapur SKAP-i me korrupsion”, ndërsa shtoi se ai vetë u kishte ndalur atyre që të ishin pjesë e Autoritetet Kontraktues.

    Ndër të tjera ish-kryeministri lavdëroi punën e bërë nga drejtësia gjatë viteve 2006-2013, para se PS të vinte në pushtet.

    “Së pari mendoj se shqiptarët kanë parë një drejtësi si rrallë në ndonjë vend tjetër, në vitet 2006-2013, ku bandat më të rrezikshme u vendosën para ligjit, u arrestuan kudo ku ishin dhe u sollën para ligjit. Kurrë ndonjëherë drejtësia shqiptare nuk ka bërë atë që bëri Prokuroria e Krimeve të Rënda për mbrojtjen e jetës dhe veprimtarisë së qytetarëve shqiptarë. Drejtësia që u bë kundër krimit të organizuar gesoj se ajo ka qenë një nga faktorët kryesor i të gjitha akteve madhore.

    Së dyti, vetja kundër korrupsionit ka qenë 3 herë me shifra të skap-it dhe raporteve të DASH,. Nëse në vitet 2007-2008, task forca dërgon në gjykatë 1400 veta, gjykata ka dënuar 630 zyrtarë. Në një kohë kur në dy vite 2023-2023, sipas raporteve të prokurorisë speciale janë dënuar gjithsej 199 persona. Nuk kanë dënuar ministra. A kemi në 12 vjet opozitë? Cilët nga ministrat e Berishës u paralizuan nga SKAP-i, cili?

    Fatmir Mediu? Jo është tjetër ajo. S’është e vërtetë që është për korrupsion. Cili ministër? A po flisni për korrupsionin? Një gjë dini ju. Që të vërtetën s’mund të fshehë njeri. Ja ku është SPAK, s’ka asnjë pengesë. Asnjë ministër, le të rrëmojnë, jo 12 vjet por edhe 40 vjet dhe se gjejnë. Pse? Sepse ligji nuk i lejonte ministrat të ishin nga pjesë e Autoritetit Kontraktues, ua kishte ndaluar Sali Berisha.”, u shpreh Berisha

  • “Një mik në SHBA më sulmoi si armik, por më gjetën në pozicion”/ Berisha: Blinken, zyrtar i padenjë! Uroj që drejtësia amerikane t’i tregojë vendin

    “Një mik në SHBA më sulmoi si armik, por më gjetën në pozicion”/ Berisha: Blinken, zyrtar i padenjë! Uroj që drejtësia amerikane t’i tregojë vendin

    Kreu i PD, Sali Berisha është i ftuar në emisionin Top Story në Top Channel këtë të enjte.

    Berisha: Do të rrëfej një gjë se kam thënë kurrë, tek Sali Berisha ke një person jashtë kësaj pamje, person i cili është rritur, është formuar nga njerëz që kanë luftuar jo një, dy 10, por 40 vite, njerëz që me gjithë këto përpjekje nuk fituan asnjë luftën, por nuk pushuan kurrë së luftuari, ai mori pjesë në çdo përpjekje nga 1909 kishte për pushkë deri në 45, ai nuk kishte fitu asnjë betejë, ishte përlesh gjithnjë me armiq shumë të mëdhenj, por ajo që kishte specifikë ai njeri, nuk e kishte lënë armën në një anë, kjo është e gjithë trashëgimia ime.

    Po qe se më kërkojnë në pozicion unë aty jam, nuk mund të jem ndryshe, se kam rrëfyer kurrë këtë, po e rrëfej sonte, ai më sulmoi në një mënyrë shumë të padrejtë, të pandershme, më sulmoi si një armik në një kohë kur ne si shqiptarët kemi kultin e mikut dhe e kemi shumë mirë, një mik del dhe të gjuan si armik, por ai më gjeti në pozicion, këtë e them..nuk e kam thënë kurrë, se kjo është e vërteta më e madhe e Sali Berishës, ai nga i cili unë isha frymëzuar kishte humb çdo betejë, por s’ngurroi të merrte pjesë në betejë.

    Unë kisha bërë miqësi, isha etiketuar në Evropë si tepër proamerikan, jo me pavetëdije dhe ky tani dilte për lobimin korruptiv, Antony Blinken, një zyrtar i padenjë dhe uroj që drejtësia amerikane t’i tregojë vendin për mashtrimin që i ka bërë popullit amerikan.

  • SPAK heton kompanitë e Arbër Veliajt, Ola Xama: Xhiro 30 mln euro, arriti sukses të madh pasi u bë i vëllai kryebashkiak

    SPAK heton kompanitë e Arbër Veliajt, Ola Xama: Xhiro 30 mln euro, arriti sukses të madh pasi u bë i vëllai kryebashkiak

    Gazetarja Ola Xama, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për kompaninë e vëllait të Erion Veliajt, Arbër Veliaj, e cila është duke u verifikuar dhe hetuar nga SPAK.

    Xama shpjegoi rritjen e menjëhershme të kompanisë, e cila ka realizuar rreth 30 milionë euro xhiro dhe 4.5 milionë euro fitim, ndërkohë që një prej klientëve të saj kryesor është kompania ONE.

    “Kompania ONE është nga klientët kryesorë të Gogel, në pronësi të Arbër Veliajt.

    SPAK në dosjen hetimore që ka ndaj Erion Veliajt, po heton edhe konfliktin e interesit që mund të ketë mes ONE dhe Gogel dhe dy kontratave publike që ka marrë ONE nga Bashkia e Tiranës, njëra për monitorimin online të trafikut dhe tjetra për fibrat optike. ONE është kompani e regjistruar në Bullgari me pronarë përfitues hungarezë.

    Na bën përshtypje gjithmonë që historitë e suksesit janë ato të njerëzve që lidhen me politikanët dhe rrethin e tyre të afërt.

    Gogel në vitin 2011 kishte xhiro modeste vjetore 100 mijë euro me fitim 10 mijë euro. Më pas, shitet te vëllai i Veliaj, Arbër Veliaj dhe në 2014 shohim rritje të menjëhershme, xhiro mesatare 3 milionë euro. Në vitin e fundit, 2023, xhiro ka shkuar 8 milionë euro.

    Në vitin 2022 Arbër Veliaj ka themeluar tjetër kompani Gogel Holding që ofron shërbime për Gogel shpk. Nëse llogarisim xhiron vjetore, arrijnë të ardhura 30 milionë euro dhe fitim 4.5 milionë euro”, tha ndër të tjera Xama.

    Ndërkohë gazetarja Klodiana Lala, deklaroi se kompania e Arbër Veliajt është nën hetim nga SPAK dhe po vijojnë të kryhen verifikime.

    “Kompania ONE ka fituar disa tendera në Bashkinë e Tiranës. Janë dy procedura tenderuese, që janë duke u parë për shkak të lidhjes së dyshuar klienteliste. Pra një ka të bëjë me monitorimin e trafikut dhe tjetra me fibrat optike. Është marrëdhënie direkte me Bashkinë e Tiranës.

    Kompanitë e Arbër Veliajt janë të gjitha nën hetim. Është dhënë urdhri për marrjen e celularit. Po shihen të gjitha transaksionet që ka patur me të gjithë kompanitë, jo vetëm me ONE, përfshirë me kompanitë e kunatës së tij, Ajola Xoxa, sepse ka patur transaksione dhe marrëdhënie financiare. Po zhvillohet ky hetim dhe duhet parë ecuria. Arbër Veliaj u është nënshtruar të gjithë procedurave ligjore, kontrolli, sekuestrimi e me rradhë, lë të kuptohet se po kontrollohet aktiviteti financiar i tij”, tha ndër të tjera Lala.