Category: Lajme

  • Të premten mitingjet përmbyllëse! PS zbret te fusha e Parkut Olimpik, PD spostohet te Bulevardi i Ri

    Të premten mitingjet përmbyllëse! PS zbret te fusha e Parkut Olimpik, PD spostohet te Bulevardi i Ri

    Fushata elektorale e partive politike në Tiranë mbyllet këtë të premte me një risi të pazakontë: sheshet kryesore të kryeqytetit, zakonisht të mbushura me mbështetës dhe flamuj partiakë, nuk do të jenë të disponueshme. Shkak për këtë janë dy ngjarje madhore që zhvillohen paralelisht në zemër të qytetit: gara ndërkombëtare e çiklizmit Giro d’Italia dhe Samiti i Komitetit Politik Europian, që do të mbahet më 15-16 maj.

    Sheshi Skënderbej, zakonisht një nga skenat kryesore të mitingjeve përmbyllëse, është tashmë në përgatitje për pritjen e çiklistëve nga e gjithë bota. Ndërkohë, edhe Sheshi Nënë Tereza është i zënë për organizimin e samitit politik që pritet të mbledhë liderë europianë në Tiranë.

    Për pasojë, partitë kanë zgjedhur vendet alternative për mitingjet përmbyllëse. Partia Demokratike, e drejtuar nga Sali Berisha, do të mbyllë fushatën më 9 maj në Bulevardin e Ri, pranë ish-Stacionit të Trenit. Nga ana tjetër, Partia Socialiste, me në krye kryeministrin Edi Rama, ka planifikuar takimin përfundimtar të premten në fushën pranë Parkut Olimpik, në zonën e Komunës së Parisit.

    Këto zgjedhje vendndodhjeje vijnë pas një fushate që u hap në mënyrë simbolike: demokratët nisën garën elektorale nga Sheshi Nënë Tereza, ndërsa socialistët e nisën më 12 prill nga Sheshi Skënderbej me një aktivitet festiv.

    Pas përfundimit të mitingjeve të së premtes, dita e shtunë do t’i përkushtohet heshtjes zgjedhore, një hapësirë reflektimi për qytetarët, përpara se më 11 maj të votojnë për të zgjedhur përfaqësuesit e rinj dhe për të përcaktuar drejtimin e vendit në vitet që vijnë.

  • “Po manipulohet procesi zgjedhor”/ Topalli: Njerëz të paidentifikuar marrin zarfet në lokalet e lojërave të fatit

    “Po manipulohet procesi zgjedhor”/ Topalli: Njerëz të paidentifikuar marrin zarfet në lokalet e lojërave të fatit

    Drejtuesja politike për Diasporën nga radhët e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ka ngritur sot akuza mbi procesin e votimit të shqiptarëve emigrantë në Greqi, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga KQZ, SPAK dhe misioni i OSBE-ODIHR.

    Gjatë një konference për shtyp nga selia blu, Topalli deklaroi se persona të paidentifikuar kanë arritur të marrin në dorëzim fletë votimi në pikat e shpërndarjes në Greqi, duke shkelur rëndë parimet e identifikimit dhe ligjshmërisë.

    “Kërkojmë një hetim penal nga SPAK për të zbuluar se kush po i merr fletët e votimit pa identifikim dhe pa firmë. KQZ duhet të auditojë çdo kuti votimi, mënyrën e transportit dhe personat që kanë ndërhyrë në këtë proces,” – u shpreh Topalli.

    Ajo shtoi se Partia Demokratike i kërkon OSBE-së dhe ODIHR-it të vendosin monitorim ndërkombëtar në Greqi, për të garantuar integritetin e votës së emigrantëve shqiptarë.

  • Stili i Berishës në fushatë! Çfarë nuk ndryshoi kurrë te veshja?

    Stili i Berishës në fushatë! Çfarë nuk ndryshoi kurrë te veshja?

    Fushata elektorale në Shqipëri është drejt fundit! Nga liderët e dy partive, Edi Rama dhe Sali Berisha, kandidatët e tyre dhe emrat e rinj në politikë, dolën përpara popullit me stilin e tyre dhe me kombinime jo të paqëllimshme.

    Një ditë më parë në emisionin “Ftesë në 5”, në Top Channel, u ngritën pyetjet “si janë veshur përgjatë fushatës, qoftë burrat apo gratë që garojnë?”. “Çfarë mesazhesh përçuan me veshjen që zgjodhën përgjatë ditëve të fushatës elektorale?”.

    Ish-kryeministri, Sali Berisha, nuk e tradhtoi stilin e një jete, me kostum dhe këmishë, por kësaj radhe shtoi edhe një kapele blu me numrin 1, numri rendor në fletën e votimit.

    Detaji te cepi i dorës te Rama që askush nuk e di! Çfarë mesazhi jep kryeministri me veshjen e tij në fushatë?

    Stilistja e njohur, Rezarta Skifteri, u shpreh se kreu i Partisë Demokratike ka ardhur më sport kësaj radhe, por që akoma mbetet nën kornizat e klasikes së tij.

    “Mua në këtë fushatë më ka pëlqyer goxha. Sali Berisha është sigurisht më ndryshe, më sport, po ngelet nën kornizat e klasikes së tij. Gjë që unë edhe kur kam qenë në moshë të vogël kur ka dalë Sala, mbaj gjithmonë mend kollare dhe papion. Është gjithmonë e njëjtë, figura që nuk gabonte asnjëherë, në çdo dalje të tij ka qenë me këtë element”, tha Skifteri.

    Ndërkohë ekspertja e çështjeve të komunikimit, Anisa Bahiti, u ndal te mesazhi që ish-kryeministri ka dashur që të japë me paraqitjen e tij me kapelën e minatorit.

    “Me kapelën e minatorit ka një kod shumë të thjeshtë në gjuhën e politikës dhe ndërmjet atij që del përpara popullit. Është për të treguar se shiko ‘unë jam këtu me ju, për ju, me hallet tuaja’. Çfarë bëri Barack Obama në fushatën e tij? Një nga gjërat më interesante dhe koduese si të themi, ishte se sa herë bënte fjalimet bënte një intervistë, merrte këmishën e tij dhe e përthyente lart. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë ‘unë jam njëjtë si ju, unë jam me popullin tim’. Zelensky ça ngjyre përdor? Jeshile të errët, ushtarake, që do të thotë ‘shumë afër popullit tim dhe me popullin tim’ dhe nuk e ndërron atë”, tha Bahiti.

    Ndërsa sipas gazetarit të njohur, Milaim Zeka, politikanët janë duke iu përshtatur elektoratit.

    “Ti mund të kesh një hotel me 5 yje, në qoftë se klientelën e ke me 1 yll, është krejt muhabet koti. Këta po i përshtaten elektoratit. Berisha në këtë rast iu ka përshtatur minatorëve, askujt tjetër. Edi Rama e sheh që pjesa dërrmuese e këtij populli janë tallava, domethënë muzika tallava, mendimi tallava, fjalimet tallava, veshjet tallava. Veshja ka shumë rëndësi sidomos në fushata”, tha Zeka.

    Këshilluesja e imazhit, Esmeralda Zoto, u shpreh se Sali Berisha është për t’u përgëzuar në këtë fushatë elektorale.

    “Për t’u përgëzuar është lideri Sali Berisha që mua më ka surprizuar këtë fushatë. Një moment fantastik ishte hyrja e tij me syze aviatori”, tha Zoto.

  • Aksident në aksin Elbasan–Librazhd, plagoset një person

    Aksident në aksin Elbasan–Librazhd, plagoset një person

    Një aksident rrugor me pasojë plagosjen e një personi ka ndodhur mesditën e së enjtes në aksin kombëtar Elbasan–Librazhd.

    Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:25 në vendin e quajtur Labinot Fushë. Sipas burimeve nga vendngjarja, dyshohet se drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe për pasojë ka dalë jashtë rruge.

    Si rezultat, një person ka mbetur i plagosur dhe është transportuar për ndihmë mjekësore. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Gjendja shëndetësore e të plagosurit ende nuk është bërë e ditur.

  • G-Bani thirrje shqiptarëve: Data 11 Maj tani afër, janë zgjedhjet! Kam qenë qysh i vogël i ndjeshëm … Votoni për…

    G-Bani thirrje shqiptarëve: Data 11 Maj tani afër, janë zgjedhjet! Kam qenë qysh i vogël i ndjeshëm … Votoni për…

    Këngëtari i njohur G-Bani, nëpërmjet një video, u ka bërë thirrje gjithë qytetarëve shqiptarë për të votuar numrin 1, PD-ASHM.

    G-Bani thotë se tashmë të gjithë kanë mundësinë të ndryshojnë qeverisjen në vend, ndërsa e cilëson qeverinë Rama si diktaturë, njëlloj me kohën e Enver Hoxhës.

    “Data 11 Maj tani afër, janë zgjedhjet. Sigurisht dhe unë përfshihem në biseda. Kam qenë qysh i vogël i ndjeshëm ndaj këtyre çështjeve, sepse kam qenë viktimë e tranzicionit ekonomik, politik.

    Këtë radhë duhet t’ja japim opozitës. Harrojeni këtë përrallën që na shesin partia në pushtet.

    Jo po Sala… Lëre se nuk ka Sala. Ai është lider historik, nuk ja jep Salës, duhet t’ja japësh opozitës se nuk ju jepet më këtyre që thonë ‘të kisha vite jetë ja jap liderit’, si dikur në kohën e Enverit.

    Sepse gjithë dashurinë që i kemi dhënë Edi Ramës, ato vite, ja dhamë sepse menduam se do ishte diçka ndryshe, por jo se do të bëhej një Enver në vend të Enverit.

    Menduam se nuk do lejonte asnjëherë dita për të thënë: Marrsh nga vitet tona, nga jeta jonë… siç i thoshin atëherë Enverit.

    Tani, ky u bë tiran, diktator komplet. Nuk guxon njeri të flasë, të thotë një fjalë”, është shprehur këngëtari G-Bani.

  • “Nuk e kam ditë çfarë po ndodh…”/ Këngëtarja shqiptare zbulon betejën me tumorin në tru

    “Nuk e kam ditë çfarë po ndodh…”/ Këngëtarja shqiptare zbulon betejën me tumorin në tru

    Këngëtarja shqiptare me karrierë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rinesa, e njohur për publikun si Rinesance, ka prekur ndjekësit me një rrëfim në rrjetet e saj sociale. Ajo ka ndarë për herë të parë luftën e saj me një tumor në tru.

    Në një postim në profilin e “Instagram”-it, artistja tregoi se prej dy muajsh po përballet me probleme serioze shëndetësore, që kulmuan me një shtrimin urgjent në spital më 18 prill 2025.

    Pas ekzaminimeve, ajo u diagnostikua me tumor në tru dhe iu nënshtrua dy operacioneve delikate.

    Aktualisht, Rinesa ndodhet në një qendër rehabilitimi, ku pritet të fillojë terapinë radiologjike.

    “Deri para do jave s’e kom ditë çka po ndodh… Mënyra se qysh ka rrjedhë gjithçka osht bekim n’vete për mu… Muzika është motivi për me e kalu edhe këtë sfidë”, shkroi ajo, duke shprehur mirënjohjen për familjen, ekipin dhe bashkëpunëtorët që i kanë qëndruar pranë në këtë periudhë të vështirë.

    Ky rrëfim emocional vjen pak javë pas publikimit të projektit të saj më të fundit, “Dy telefona”, një bashkëpunim me reperin Buta, i cili tashmë është i disponueshëm në të gjitha platformat muzikore.

    Pavarësisht sfidës shëndetësore, Rinesance tregon vendosmërinë për të mos u ndalur dhe për të vazhduar rrugën e saj artistike.

    Historia e saj është një dëshmi frymëzuese se forca e shpirtit dhe dashuria për artin mund të sjellin dritë edhe në ditët më të errëta.

  • Ndodh në Korçë – Gjuan me gurë xhamin e një bankomati dhe ia fut vrapit, arrestohet 50-vjeçari

    Ndodh në Korçë – Gjuan me gurë xhamin e një bankomati dhe ia fut vrapit, arrestohet 50-vjeçari

    Goditi me gur, xhamin e një bankomati, identifikohet, kapet dhe arrestohet 50-vjeçari.

    50-vjeçari, i proceduar penalisht disa herë, për shkatërrim prone.

    Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr. 9 Korçë, një shtetas kishte goditur me gur, bankomatin e një banke të nivelit të dytë, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e tij.

    Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë identifikuan dhe arrestuan në flagrancë shtetasin V. N. alias P. N., 50 vjeç, banues në Pukë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”.

    Nga verifikimet rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Lezhë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës” dhe ishte proceduar penalisht disa herë, për këtë vepër penale.

    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

  • EMRI-FOTO/ Zhduket në Irlandë i riu shqiptar, policia apel për ndihmë

    EMRI-FOTO/ Zhduket në Irlandë i riu shqiptar, policia apel për ndihmë

    Një adoleshent shqiptar 16-vjeçar, Marvin Gjuzi, është shpallur i zhdukur në Irlandë dhe autoritetet lokale janë në kërkim të tij prej disa ditësh.

    Policia irlandeze ka publikuar një njoftim zyrtar ku jepen të dhënat e Marvin Gjuzit dhe është shpërndarë gjithashtu edhe fotografia e tij.

    Sipas informacionit të publikuar, ai është parë për herë të fundit më 1 maj, rreth orës 13:00, duke lëvizur në drejtim të Monagh Bypass.

    Në njoftim theksohet shqetësimi për sigurinë e të riut dhe u bëhet thirrje qytetarëve që, nëse kanë ndonjë informacion mbi vendndodhjen e tij, të kontaktojnë policinë në numrin 101 dhe të përmendin referencën 1569 – 01/05/25.

  • Zhduket adoleshenti në Elbasan! E ëma kërkon ndihmë nga policia, 15-vjeçari ka humbur gjurmët që prej 3 javësh!

    Zhduket adoleshenti në Elbasan! E ëma kërkon ndihmë nga policia, 15-vjeçari ka humbur gjurmët që prej 3 javësh!

    Një 15-vjeçar në Elbasan rezulton i zhdukur që prej 3 javësh. Uniformat blu bëjnë me dije se e ëma e adoleshentit denoncoi dje në polici zhdukjen e të birit.

    Ajo tha se djali i saj është larguar nga banesa më datë 16.04.2025 dhe që prej asaj dite nuk është kthyer më në banesë.

    Njoftimi i policisë

    Më datë 06.05.2025, ka kallëzuar shtetasja V. Z., 36 vjeçe, se më datë 16.04.2025, është larguar nga banesa, djali i saj 15 vjeç. Po punohet për gjetjen e tij.

    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

  • E RËNDË në Mirditë! U vetëmbyt në rezervuar, gjendet trupi i pajetë i 56-vjeçarit

    E RËNDË në Mirditë! U vetëmbyt në rezervuar, gjendet trupi i pajetë i 56-vjeçarit

    Trupi i pajetë i 56-vjeçarit, i cili humbi jetën në mënyrë tragjike në një rezervuar në Mirditë, është gjetur mesditën e sotme nga polumbarët e RENEAS.

    Sipas njoftimit, bëhet me dije se nga këqyrja paraprake e trupi nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime të reja, ndërsa do të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për ekzaminime të mëtejshme.

    Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e kësaj të mërkure, ku sipas njoftimit të bluve, rreth orës 05:55 në fshatin Gëziq, shtetasi N. N., është vetëmbytur në rezervuarin e fshatit.

    Ndërkohë, nga informacionet paraprake, dyshohet se 56-vjeçari vuante nga shëndeti mendor, ndërsa grupi hetimor po punon pë zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.

    Njoftim:

    Mirditë/Informacion shtesë

    Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mëngjesin e sotëm, për shtetasin N. N., 56 vjeç, banues në fshatin Gëziq, që dyshohej se ishte vetëmbytur në rezervuar, bëjmë me dije se:

    Polumbarët e Repartit Special “RENEA” kanë bërë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen nga uji, të trupit të pajetë të shtetasit N. N.

    Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime të tjera.

    Trupi do të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për ekzaminime të mëtejshme.

    Sipas deklarimeve të familjarëve, shtetasi N. N. vuante nga probleme të shëndetit mendor.

    Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e rrethanave të rastit.