Category: Lajme

  • Dhunimi i policit në Kukës, blutë japin detaje të reja: U përfshi në …

    Dhunimi i policit në Kukës, blutë japin detaje të reja: U përfshi në …

    Një efektiv i Policisë Rrugore në Kukës është dhunuar fizikisht nga disa persona ditën e sotme, për shkak të detyrës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00 në rrugën që të çon në fshatin Pobreg, ku inspektori me inicialet Q.D është konfliktuar me disa shtetas.

    Sipas njoftimit zyrtar të policisë, efektivi kishte pasur një debat disa ditë më parë me njërin prej personave të përfshirë në incident, i cili tashmë është shpallur në kërkim.

    Punonjësi i policisë ndodhet aktualisht pranë Oficerit të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë, ku po jep kallëzim për ngjarjen. Grupi hetimor, në bashkëpunim me strukturat e Policisë, po punon për identifikimin dhe ndalimin e personave të tjerë të përfshirë, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit.

    Ndërkohë, shërbimet policore po kryejnë kontrolle intensive në terren për të bërë të mundur kapjen e personit tashmë të identifikuar.

    ‘Kukës/Informacion paraprak/ Rreth orës 17:00, Inspektor Q.D, punonjësi i Policisë Rrugore në DVP Kukës, ka njoftuar se në rrugën për në fshatin Pobreg, është konfliktuar fizikisht me disa persona për shkak të detyrës.

    Punonjësi i Policisë aktualisht është duke dhënë kallëzim pranë Oficerit të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë. Nga veprimet e para është identifikuar njëri prej personave që punonjësi i Policisë ka debatuar për shkak të detyrës ditë më parë’, njoftoi sot policia.

  • Vrasja e Renato Hoxhës u porosit nga Dubai? Detaje nga atentati mafioz në Vlorë, pse u zgjodh e dita e diel për të ekzekutuar 58-vjeçarin?

    Vrasja e Renato Hoxhës u porosit nga Dubai? Detaje nga atentati mafioz në Vlorë, pse u zgjodh e dita e diel për të ekzekutuar 58-vjeçarin?

    Ngjarja tronditëse u regjistrua në lagjen ‘Hajro Çakërri’ teksa Hoxhaj ishte nisur për në punë si roje objekti.

    Një vrasje që, sipas burimeve hetimore, mban të gjitha elementet e një atentati të mirëorganizuar mafioz dhe që ende lë shumë pyetje pa përgjigje.

    58-vjeçari, i njohur për përpikmërinë dhe qetësinë në punën që bënte prej gati pesë vitesh, u qëllua me dy plumba në kokë dhe një në trup, një goditje e saktë dhe pa mëdyshje, që sipas hetuesve, tregon për një qëllim të qartë: eliminim total.

    “Në Shënjestër”, referuar dosjes hetimore ka publikuar detaje nga jeta e Renato Hoxhajt, i cili jetonte me bashkëjetuesen e tij Klodiana Rakipaj.

    Ai ishte ndarë ligjërisht nga bashkëshortja e parë dhe kishte dy fëmijë të rritur që jetojnë jashtë Shqipërisë. Sipas deklarimeve të partneres së tij, Hoxhaj nuk kishte ndonjë konflikt të njohur apo ndonjë shqetësim të shprehur publikisht.

    Megjithatë, ditët e fundit ai kishte ndryshuar sjellje, ishte më i heshtur, më i tërhequr dhe dukshëm i shqetësuar për diçka. Ndryshim që, sipas të afërmve, nuk kishte ndodhur më parë.

    Nga hetimet paraprake, rezulton se autorët kishin informacion të saktë mbi lëvizjet e Hoxhajt – dinin që punonte edhe të dielave dhe dilte herët në mëngjes. Pikërisht kjo përpikmëri duket se u kthye në fatkeqësi për të.

    Ekspertët e kriminalistikës theksojnë se goditja në pikat nevralgjike tregon qartë që nuk bëhej fjalë për një konflikt spontan, por për një atentat të studiuar deri në detaj. Burime pranë hetimeve flasin për një porosi që vjen nga jashtë vendit, konkretisht nga një grup kriminal me bazë në Dubai, i cili dyshohet se ka porositur vrasjen.

    Një nga pistat e para të hetimit ishte konflikti për pronë, por ajo u përjashtua shpejt. Sipas burimeve të policisë, atentati duket të jetë i lidhur me botën e krimit të organizuar. Dyshohet se Hoxhaj mund të ketë pasur njohuri apo kontakte që e bënin të rrezikshëm për dikë.

    Ndërkohë, është arrestuar një person i parë, djali i një ish-deputeti për përfshirje të mundshme në atentat, ndërsa disa të tjerë janë shpallur në kërkim.

    Hetuesit po punojnë për të zbardhur fijet e ndërthurura të një rrjeti që lidh grupe të krimit nga veriu në jug të vendit, të cilat komunikojnë dhe bashkëpunojnë me urdhra të ardhur nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

    E diela si ditë e zgjedhur për atentatin nuk ishte rastësore. Përveç rutinës së viktimës, ajo u shfrytëzua për shkak të uljes së vigjilencës dhe mungesës së patrullave të zakonshme të policisë.

    Por pyetja më e madhe që mbetet ende pa përgjigje është: Çfarë dinte Renato Hoxhaj? A mund të ketë qenë dëshmitar i diçkaje që s’duhej parë apo ka patur dijeni për lëvizje të rëndësishme që duhej të mbeteshin të fshehta?

    Nëse Renato Hoxhaj do të kishte ndarë shqetësimin e tij me autoritetet, ndoshta historia do të kishte përfunduar ndryshe. Por heshtja e tij e vërejtur edhe nga partnerja u kthye në fatale.

    Sot, ai është një viktimë tjetër e një realiteti të errët që përfshin grupe të fuqishme kriminale, me lidhje ndërkombëtare dhe urdhra që jepen në distancë.

    Dhe ndërsa Vlora përgatitet për sezonin turistik, një vrasje e pastër mafioze prish qetësinë dhe rikthen frikën se asgjë nuk harrohet në botën e nëndheshme të krimit.

  • U rrëzua me parashutë në Himarë, Policia merr masa ndaj Xhonatan Islamit!

    U rrëzua me parashutë në Himarë, Policia merr masa ndaj Xhonatan Islamit!

    Një incident i pazakontë ndodhi mbrëmjen e djeshme në Himarë, ku Xhonatan Islami, i njohur si partneri i moderatores Roza Lati dhe i apasionuar pas sporteve ekstreme, u rrëzua gjatë një hedhjeje me parashutë.

    Ngjarja ndodhi vetëm pak minuta para se të niste një spektakël fishekzjarresh në qytet, duke shkaktuar shqetësim te të pranishmit. Fatmirësisht, Islami ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe ka pësuar vetëm lëndime të lehta.

    Ai po trajtohet dhe gjendja e tij shëndetësore paraqitet e mirë.

    Roza Lati reagoi menjëherë pas lajmit me një mesazh qetësues në rrjetet sociale, duke shkruar: “Shëndosh e mirë. No panic. Nuk vritet Shqiponja kollaj.”

    Megjithatë, pas vlerësimit të ngjarjes, Policia e Himarës ka nisur procedim penal ndaj Xhonatan Islamit për “ulje të rrezikshme dhe të papërgjegjshme në një zonë publike”. Materialet i janë referuar Prokurorisë, e cila pritet të vendosë për hapat e mëtejshëm ligjorë.

  • Çfarë ndodhi? SPAK kërkon shkarkimin e gjyqtarit të njohur (Emri)

    Çfarë ndodhi? SPAK kërkon shkarkimin e gjyqtarit të njohur (Emri)

    Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të martën më 6 maj me konkluzionet në çështjen e vetingut të gjyqtarit të Lezhës, Artan Hajredinaj. Ashtu si gjatë parashtrimeve, edhe në fillim të seancës për bisedimet përfundimtare, prokurori Klodian Braho, i cili përfaqëson në këtë proces drejtuesin e SPAK, Altin Dumani, deklaroi se subjekti me shpjegimet dhe provat e dorëzuara nuk arrin të vërtetojë të kundërtën e shkaqeve të ankimit.

    Sipas Brahos, gjyqtari Hajredinaj gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë. Ai kërkoi gjithashtu, konsiderimin e disa gjetjeve për pasurinë dhe profesionalizmin në vlerësimin tërësor, në drejtim të cënimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.

    Qëndrimet e Brahos u kundërshtuan nga Hajredinaj nëpërmjet përfaqësues së tij ligjore, avokates Romina Zano. Ajo konstatoi se shkaqet e ankimit në kriterin e pasurisë lidhen me aspekte formale të deklarimit dhe me të ardhura të krijuara përpara fillimit të ushtrimit të detyrës nga subjekti.

    Sipas Zanos, këto elemente nuk mund të cenojnë besueshmërinë e subjektit. Ajo theksoi se verifikimi i pasurive duhej të ishte interpretuar prej Komisionerit nën dritën e ligjit dhe praktikës së Kolegjit, duke konsideruar dhe parimet e proporcionalitetit dhe drejtësisë materiale, prej nga arihet në përfundimin se Hajredinat arrin nivel të besueshëm.

    Gjyqtari Artan Hajredinaj u konfirmua në detyrë më 19 mars 2024, pasi Komisioni i gjeti bindëse shpjegimet dhe provat e tij për konstatimet e hetimit paraprak lidhur me pamundësi financiare në krijimin e pasurive e mbulimin e shpenzimeve, si dhe dyshimet e ngritura për fshehjen e një apartamenti.

    Komisioneri Publik, Florian Ballhysa e ankimoi vendimin e KPK për Hajredinajn duke ngritur shkaqe në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit dhe vlerësoi se ky subjekt rivlerësimi nuk arrin nivel të besueshëm.

    Para se të emërohej si gjyqtar në vitin 2007, Hajredinaj ka punuar si noter dhe përmbarues. Ai e ka ushtruar funksionin në Gjykatën e Tropojës në vitet 2007-2016, ndërsa gjatë nëntë viteve të fundit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë.

    Hajredinaj ka deklaruar një apartament me sipërfaqe 113.1 m2 në Tiranë, të fituar me kontratë sipërmarrje të vitit 2006 për çmimin 45 mijë euro dhe 30 mijë euro të shpenzuara për punime e mobilim. Si burim krijimi ka deklaruar të ardhurat si noter, nga shitja e një toke-vreshtë dhe një kredi.
    Sipas prokurorit Braho, subjekti nuk arriti të provojë të kundërtën e konstatimeve për deklarimet kontradiktore të vlerës së kësaj pasurie, si dhe për pamundësinë e burimeve financiare. Ai theksoi se subjekti ka bërë deklarime kontradiktore dhe për destinacionin e kredisë. Kjo, pasi vlera e kredisë ka kaluar në llogarinë e administratorit të shoqërisë për pagesën pe apartamentit të Hajredinajt, ndërsa ky i fundit ka deklaruar se shuma e përfituar nga kredia bankare është tërhequr dhe poseduar në cash nga ai vetë, duke e përdorur për rikonstruksion e mobilim.

    Braho u shpreh se subjekti ka paraqitur situata të ndryshme lidhur me këtë pasuri dhe kërkoi që ky element të konsiderohet në vlerësimin tërësor, në drejtim të cënimit të besimit të publikut. Ai shtoi se nuk mund të konsiderohen të ardhurat nga shitja e vreshtave, pasi subjekti nuk ka arritur të provojë mundësinë e blerësit. Avokatja Romina Zano konstatoi se subjekti e ka lidhur kontratën sipërmarrjes në vitin 2006, në një kohë kur ushtronte funksionin e noterit dhe ende nuk ishte emëruar gjyqtar. Sipas saj, Hajredinaj e ka deklaruar në mënyrë të plotë dhe të saktë këtë pasuri në deklaratën veting, ku është pasqyruar vlera totale e investimit prej 75 mijë euro si dhe zërat përkatës. Për shkakun e ngritur nga Komisioneri për mospërputhje mes deklarimit të parë të subjektit, atij të vitit 2008 dhe në atë veting, Zano shpjegoi para Kolegjit se në 2008-ën është shënuar vlera totale e investimit prej 65 mijë euro, pa veçuar çmimin me shpenzimet e mëvonshme. Ajo nënvizoi se është deklarata venting që përmbush qëllimin e procesit të rivlerësimit, për të qartësuar pasuritë e krijuara në vite, si edhe formën e deklarimeve të mëparshme. Avokatja theksoi se sqarimet e detajuara të subjektit në deklaratën veting janë bërë me vullnet të mirë prej tij.

    Lidhur me pretendimin e Komisionerit për moskonsiderimin si burim për apartamentin të të ardhurave të fituara nga shitja e vreshtave, Zano vërejti se ky pretendim është ngritur pa u mbështetur në analizë të plotë të provave të depozituara.

    Duke ju referuar jurispudencës së Kolegjit, Zano argumentoi se pasuritë e krijuara para detyrës duhet të vlerësohen në mënyrë objektive dhe se ato nuk mund të konsiderohen a priori të dyshimta. Sipas saj, të ardhurat nga shitja e tokës janë të ligjshme dhe duhen konsideruar si burim për krijimin e pasurive të mëvonshme.

    Prokurori Klodian Braho deklaroi se subjekti nuk arriti të provojë të kundërtën e shkaqeve të ankimit as për disa njësi në Bajram Curri.

    Hajredinaj ka deklaruar të ardhura nga shitja e ktyre njësive. Gjatë hetimit administrativ në shkallën e parë të vetingut, subjektit iu kalua barrë prove për pamundësi për investimet e kryera në këto pasuri, për mosdeklarimin e tyre në vitin 2009, si dhe për deklarime të pasakta e të paplota në vite e gjatë procesit lidhur me sipërfaqet e tyre dhe burimin e krijimit. Po ashtu, u konsiderua e paqartë arsyeja e dhurimit të dy njësive një shtetasi tjetër në vitin 2016, rreth 7 vjet pas regjistrimit të tyre.

    Subjekti i kundërshtoi gjetjet e KPK duke shpjeguar se veprimet ishin kryer në kohën kur ishte noter. Sipas tij, njësitë egzistonin dhe se kishte kryer vetëm një shtesë. Po ashtu, sqaroi se personi të cilit i kishte dhuruar njësitë në vitin 2016, kishte hequr dorë nga pasuritë me qëllim që të realizohej leja ndërtimore, por se ai kishte qenë gjithmonë pronari de facto i dy njësive që i kishte dhuruar. Pretendimet e Hajredinajt për këtë pasuri që u gjetën të besueshme nga Komisioni, u ankimuan me argumentin se subjekti kishte kryer deklarime kontradiktore dhe nuk ka arritur të provojë të kundërtën e barrës së provës për vlerën dhe kohën e investimit.

    Braho argumentoi të martën se vlera e shpenzimeve për investimet në këto pasuri, të deklaruara nga subjekti, janë ndjeshëm më të ulta se kostoja reale. Sipas tij, deklarimet e Hajredinajt, në mungesë të akteve, mbeten të paprovuara.

    Po ashtu, Braho tha se mbeten të paprovuara me dokumente ligjorë të kohës edhe dhurimi i dy njësive nga subjekti në favor të një personi tjetër. Në përfundim të parashtrimeve për njësitë, Braho tha se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm.

    Avokatja Zano theksoi se subjekti e ka blerë njësinë tregtare në vitin 2005, kur ushtronte funksionin e noterit. Ajo u shpreh se Hajredinaj për investimet e kryera në këto njësi, ka ndjekur të gjitha procedurat e parashikuara nga legjislacioni urbanistik në fuqi. Sipas Zanos, subjekti ka paraqitur në institucionet e vetingut dokumentacion të plotë, si preventivin e punimeve, kontratën me shoqërinë ndërtuese, vendimin e KRRT-së, aktin e kolaudimit, si dhe akt ekspertimi.

    Zano deklaroi se Komisioneri nuk kishte analizuar provat e dorëzuara, por ka përllogaritur kostot sipas reverencave të Entit Kombëtar të Banesave, prej nga ka arritur në një vlerë më të lartë të investimit. Ajo solli në vëmendje se nuk bëhej fjalë për ndërtim të ri, por për shtesë që nuk mund të ketë të njëjtën kosto.

    Sipas avokates Zano, subjekti ka argumentuar në mënyrë të qëndrueshme se investimi është kryer me fonde të ligjshme të siguruara nga kursime, kredi të shlyera dhe të ardhura nga shitja e pasurive të tjera. Ajo theksoi se analiza e paraqitur prej Hajredinajt tregon aftësinë paguese për investimin e kryer.

    Për pjesën e dhuruar, Zano argumentoi se janë paraqitur një sërë dokumentesh që provojnë se marrëdhënia ka qenë reale dhe transparente, që është motivuar nga nevoja për marrjen e lejes së ndërtimit.

    Komisioni ka konstatuar mosdeklarimin nga subjekti të përdorimit të një apartamenti në Bajram Curri, pasuri në emër të motrës së tij. Hajredinaj ka shpjeguar se, në kushtet kur nuk kishte të drejta mbi këtë pasuri, si dhe nuk gjendej përpara aktit të shitjes, dhurimit apo marrëdhënies së huasë, ka konsideruar se e kishte ezauruar deklarimin e përdorimit të kësaj pasurie duke përcaktuar vetëm adresën e deklarimit në gjendje civile.

    Prokurori Braho deklaroi se subjekti nuk e provoi të kundërtën e gjetjeve për këtë apartament. Sipas tij, subjekti nuk ka përmbushur detyrimin ligjor për deklarimin e kësaj pasurie. Ai shtoi se deklarimet e Hajredinajt janë kontradiktore dhe se edhe në këtë rats gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm.

    Për mosdeklarimin në deklaratën veting të këtij apartamenti, subjekti sqaroi se nuk gjendej në posedim apo përdorim, pasi në atë periudhë ishte zhvendosur në Tiranë. Sipas Zanos, adresa e deklaruar në deklaratën veting përkon me adresën e regjistruar në gjendjen civile, si edhe me të dhënat e deklaruara në pyetësorin standard. Ajo shtoi se është shënuar qartë periudha e qëndrimit në apartamentin në Bajram Curri, nga marsi i vitit 2007 deri në mars të 2017-ës. Zano argumentoi se përdorimi kishte marrë fund para datës së deklarimit dhe nuk ekzistonte një marrëdhënie e vazhdueshme posedimi që të detyronte deklarimin. Ajo nënvizoi se nuk rezulton asnjë përfitim i karakterit pasuror prej subjektit në lidhje me këtë pasuri, si dhe rezulton që të jetë tjetërsuar në vitin 2018.

    Prokurori Braho paraqiti konkluzionet dhe për një apartament tjetër në Shëngjin, pasuri për të cilën subjekti ka deklaruar se e ka prenotuar për vëllain në vitin 2007. Kontrata e shitblerjes është nënshkruar nga i vëllai. Hajredinaj ka shpjeguar se e ka përdorur këtë banesë gjatë pushimeve verore.

    Braho vërejti se subjekti e ka nënshkruar kontratën e pasurisë si zotërues i këtij apartamenti dhe së paku ka bërë deklarim të pasaktë. Sipas prokurorit të SPAK, konfuzioni i KPK lidhur me këtë pasuri nuk është në frymën e ligjit për vetingun e magjistratëve dhe kërkoi që shkaku i ngritur të konsiderohet në vlerësimin tërësor.

    Avokatja Zano konstatoi se subjekti e ka nënshkruar kontratën e sipërmarrjes në vitin 2007, për shkak të mungesës fizike të vëllait të tij në Shqipëri. Sipas saj, ky veprim është kryer me dijeni e miratim të vëllait, ndërkohë që nuk ka rezultuar asnjë e drejtë juridike ose përfitim pasuror në favor të subjektit.

    Zano solli si argument faktin se megjithëse subjekti ka parapaguar një pjesë të shumës tek ndërtuesi, është rimbursuar pas 10 ditësh përmes një transferte bankare nga ana e bashkëshortes së vëllait, e cila është shtetase angleze. Ajo konstatoi se kjo transfertë është e dokumentuar dhe përmban shënimin se është për blerje shtëpie për pushime. Në vijim, Zano sqaroi se subjekti e ka përdorur këtë apartament vetëm në disa periudha pushimi. Sipas saj, vëllai i Hajredinajt nuk është person i lidhur e për rrjedhojë subjekti nuk ka detyrim ligjor për të justifikuar pasurinë e tij. Megjithatë, avokatja Zano tha se vlera e pasurisë është e justifikuar me të ardhurat e dokumentuara të vëllait dhe të bashkëshortes së tij, nga puna në Mbretërinë e Bashkuar.

    Komisioneri ka ngritur si shkak mosdeklarimin në deklaratën e parë të pasurisë të një kredie në vlerën 3 milionë lekë, të marrë në vitin 2005. Zano sqaroi se kjo kredi është marrë për rikonstruksionin e një njësie tregtare dhe është shlyer plotësisht para datës së dorëzimit të deklaratës para fillimit të detyrës në mars të vitit 2008. Ajo u shpreh se kredia nuk përbënte detyrim në momentin që duhej të plotësonte deklaratën para fillimit të detyrës dhe për rrjedhojë nuk përbënte detyrim ligjor për ta deklaruar. Zano shtoi, se subjekti për të qenë transparent dhe bashkëpunues e ka deklaruar këtë kredi në mënyrë të vullnetshme në vitin 2014, duke paraqitur burimin, vlerën, si dhe qëllimin e përdorimit të saj.

    Sipas prokurorit Braho, subjekti ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm dhe për gjendjen cash. Në ankim, u pretendua se Hajredinaj ka mospërputhje në pasqyrimin e gjendjes cash, duke ngritur dyshime mbi ekzistencën dhe burimin e kësaj gjendjeje monetare. Braho tha se dhe në përfundim të shqyrtimit të këtij shkaku në Kolegj, subjekti nuk ka aritur të provojë të kundërtën.

    Zano deklaroi se subjekti ka sqaruar se kursimet cash janë deklaruar në mënyrë të vazhdueshme ndër vite, si dhe në deklaratën veting. Sipas saj, pretendimi për mospërputhje të gjendjes cash mbetet në nivel formalisht teknik dhe nuk përmbush standardin e ngritjes së një dyshimi të arsyeshëm.

    Prokurori Braho tha se subjekti ka marrë vendime për ulje dënimi të të dënuarve, në kundërshtim me ligjin. Ai vlerëson se subjekti nuk arriti të provojë të kundërtën e gjetjeve për këto vendime, si dhe për çështje të tjera ku janë konstatuar mangësi në drejtim të njohurive ligjore dhe arsyetimit ligjor. Sipas Brahos, gjetjet afektojnë indikatorët e aspektit profesional.

    Përfundimisht, prokurori Klodian Braho kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Artan Hajredinaj.

    Sipas avokates Zano, vendimarrjet e subjektit janë marrë në kushte të një ngarkese të lartë pune, si dhe janë të mbështetura në ligj e në prova. Ajo vërejti se vendimarrjet e ndryshuara nga Gjykata e Apelit nuk janë përsëritëse. Zano theksoi se mospërputhjet e qëndrimeve në shkallët e ndryshme të gjyqësorit, nuk mund të tregojnë paaftësi. Ajo solli në vëmendje se vendimarrjet e subjektit janë prishur nga Apeli për shkak të marrjes së provave të reja.

    Gjyqtari Artan Hajredinaj deklaroi në fund të seancës se ka qenë gjithmonë i përgjegjshëm në ushtrimin e detyrës dhe se ka zbatuar vetëm ligjin. Ai tha se edhe nëse mund të ketë gabuar ndonjëherë, nuk kanë qenë asnjëherë të qëllimshme apo përsëritëse. Në përfundim ai kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit.

    Kolegji njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 14 maj, në orën 15:00./ BIRN

  • Dhun’ohet një efektiv policie i qarkullimit rrugor, përfundon në spital me plagë të shumta

    Dhun’ohet një efektiv policie i qarkullimit rrugor, përfundon në spital me plagë të shumta

    Dhunohet një efektiv policie i qarkullimit në Kukës nga disa persona.

    Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për shkak të detyrës sepse efektivi i ka ndaluar ditë më parë dhe sot i kanë shkuar pranë banesës dhe e kanë dhunuar.

    Efektivi ka marrë mjekim në spital për shkak të plagëve të shumta.

  • Kush do të jetë “Shën Françesku” i radhës? Kodi që fshihet pas emrit të Papës së ri

    Kush do të jetë “Shën Françesku” i radhës? Kodi që fshihet pas emrit të Papës së ri

    Edhe para se Papa i ardhshëm t’u flasë besimtarëve për herë të parë, emri i tij i zgjedhur mund të japë një të dhënë për drejtimin e papatit të tij.

    Kur Jorge Mario Bergoglio zgjodhi emrin Françesku në vitin 2013, ai u bashkua me Françeskun e Asizit, një shenjtor i shekullit të 13-të i njohur për përulësinë e tij. Në frymën e këtij emri, papati i tij u shënua nga një shqetësim për të margjinalizuarit.

    “Edhe tani, ndërsa presim Papën e ri, emri me të cilin ai do të prezantohet do të na ndihmojë të kuptojmë horizontin drejt të cilit ai dëshiron të ecë përpara”, tha Reverendi Roberto Regoli, një historian në Universitetin Papnor Gregorian të Romës.

    Emri papnor i udhëheqësit të ri të Kishës Katolike do të zbulohet menjëherë pasi ai të zgjidhet nga kolegët e tij kardinalë në konklav, procesi i votimit i cili fillon të mërkurën.

    «Në skutat më të thella të mendjes së tyre, kur fillojnë konklavin, të gjithë do të hyjnë atje me një emër në kokë», tha Natalia Imperatori-Lee, kryetare e studimeve fetare në Universitetin e Manhattanit.

    Edhe pse tani është zakon të zgjidhet një emër papnor, kjo nuk ka qenë gjithmonë kështu. Në vitet e para të Kishës Katolike, papët i ruanin emrat e tyre të lindjes.

    Përjashtimi i parë erdhi në shekullin e 6-të, kur Merkuri zgjodhi të quhej Gjon II, duke hequr dorë nga emri i tij origjinal, i cili rrjedh nga ai i perëndisë romake Merkur.

    Praktika e adoptimit të një emri të ri nuk u normalizua deri në shekullin e 11-të, kur një sërë papësh gjermanë zgjodhën emrat e peshkopëve të hershëm të kishës, nga “një dëshirë për të treguar vazhdimësi”, sipas Regoli-t.

    Për shumë shekuj, papët e rinj zakonisht përdornin emrin e papës që i kishte ngritur në rangun e kardinalit.

    Emri më i njohur është Gjon, i cili është zgjedhur nga 23 papë. Benedikti dhe Gregori janë zgjedhur secili nga 16 herë.

    Çfarë fshihet në një emër?

    Nëse një kardinal konservator do të ngrihej në papë, ai mund të zgjidhte një emër që nënkupton një qasje më tradicionale.

    «Nëse kemi një Benedikt, atëherë do të dimë se kardinalët zgjodhën ta shihnin Françeskun si një anomali», tha Imperatori-Lee.

    Një tjetër emër që një papë konservator mund të favorizonte është Piu, i cili ishte më i zgjedhuri në shekullin e 20-të.

    Megjithatë, kjo mendohet të jetë e pamundur, duke pasur parasysh se papa i fundit me atë emër, Piu XII, akuzohet se ka mbyllur sytë ndaj Holokaustit.

    Nëse Papa i ardhshëm dëshiron ta drejtojë kishën në një drejtim të ngjashëm me paraardhësin e tij, ai mund ta quajë veten Papa Françesku II – ose Gjoni XXIV, të cilin vetë Papa Françesku e quajti me shaka se do të ishte emri i pasardhësit të tij, duke iu referuar papës progresiv që mbante të njëjtin emër për herë të fundit.

    Kreu i ri i Kishës Katolike mund të zgjedhë gjithashtu, siç bëri Papa Françesku, një emër që nuk është përdorur kurrë më parë.

    “Kjo do të hapte një sezon të ri dhe mund të nënkuptojë që programi i tij nuk është në përputhje me asnjë nga paraardhësit e tij, kështu që është një program edhe më i personalizuar”, tha Regoli.

    Imperatori-Lee sugjeroi që një papë që kërkon të vazhdojë trashëgiminë e Papa Françeskut mund ta quante veten Ignatius, sipas emrit të themeluesit të Jezuitëve, urdhrit fetar të cilit i përkiste i ndjeri Papa.

    «Do të ishte interesante», tha ajo. «Nuk kemi pasur kurrë një të tillë»

  • Del parashikimi i Motit për 5 ditët në vijim, ja si pritet të ndryshojë nga e mërkura deri të dielën

    Del parashikimi i Motit për 5 ditët në vijim, ja si pritet të ndryshojë nga e mërkura deri të dielën

    Sipas sinoptikanes Tanja Porja, mbetemi në kushtet e motit të paqëndrueshem edhe për 5 ditët në vijim, nga e mërkura deri të shtunën ku pritet te kemi, te merkuren dhe të shtunen rrebeshe herë pashere si dhe reshje krejt te pakta te enjten dhe te premten.

    Diten e diel prtet qe dita te nise me reshje te pakta dhe ne zona te izoluara por kresisht pritet mot stabël me kthjellime dhe vranesira kalimtare.

    Termometri pritet te ndryshoje si në tabelën më poshtë. Mengjeset mbeten relativisht të lartë.

  • Grabitën 24 shtëpi në gjashtë muaj, çmontohet banda e ‘skifterëve’ shqiptarë, 2 të arrestuar!

    Grabitën 24 shtëpi në gjashtë muaj, çmontohet banda e ‘skifterëve’ shqiptarë, 2 të arrestuar!

    Karabinierët italianë kanë goditur një grup skifterësh shqiptarë, që ishin kthyer në tmerrin e banorëve të zonës në Trentino me serinë e grabitjeve. Dy persona janë arrestuar, teksapo hetohet dhe kërkohet për të implikuarit e tjerë.

    Banda akuzohet për të paktën 24 vjedhje dhe tentativa plaçkitjesh në shtëpi, si dhe një vjedhje makine, të gjitha të ndodhura në Val di Non, midis majit dhe fundit të tetorit 2023.Por po hetohen edhe ngjarje të tjera të kryera më pas. Operacioni është koduar “Insolent”, duke dokumentuar aktivitetin kriminal të gati një viti të këtij grupi kriminal. Policia tha se shënjestra dhe harta e aktivitetit të paligjshëm të shqiptarëve shtrihet në të paktën 11 komuna të rajonit.

    Shënjestrat ishin kryesisht shtëpi të izoluara: 15 shtëpi u bastisën nga banda, nga të cilat kriminelët vodhën para, bizhuteri ari dhe në një rast obligacione kursimi, për një vlerë totale 100 mijë euro, por që mund të jetë edhe më e madhe.

    Në 8 ngjarje të tjera ata nuk patën kohë të largonin asgjë, sepse u detyruan të iknin nga prania e njerëzve në shtëpi, ose nga mbërritja e papritur e karabinierëve apo pronarëve, informoi media italiane. Komunat më të prekura nga grabitqarët ishin Ville d’Anaunia me 6 sulme, Predaia me 4, pastaj Amblar Don, Romeno, Borgo d’Anaunia dhe Novella me nga 2 raste. Midis episodeve të kontestuara është edhe vjedhja e një fuoristrade në Vigo di Ton, që e përdornin edhe për transport apopër tëshkuar në objektivat që do sulmoheshin.

    Si prova materiale janë marrëpamje filmike, por edhe gjurmë gishtrinjsh në vendngjarje.

  • Zgjedhjet godasin monedhën europiane, prek minimum të ri historik, euro bie në ‘greminë’

    Zgjedhjet godasin monedhën europiane, prek minimum të ri historik, euro bie në ‘greminë’

    Euro ka rënë përsëri në kursin e këmbimit me Lekun ditën e sotme, duke zbritur njëkohësisht në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave, që kur doli si monedhë fizike në vitin 2022.

    Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye me 97.99 lekë, në rënie të mëtejshme me 0.21 lekë krahasuar me ditën e djeshme. Në harkun e 30 ditëve të fundit, Euro ka humbur afërsisht 1.3 lekë ose rreth 1.3% në kursin e këmbimit me Lekun.

    Nëse shohim të dhënat e katër viteve të fundit për të njëjtin horizont kohor, zhvlerësimi i Euros në kursin e këmbimit me Lekun duket në linjë me tendencat historike. Vitin e kaluar, në të njëjtin interval 30 ditor, Euro u zhvlerësua me afërsisht 1.9%, në 2023 me 1.7% dhe në 2022 me 0.9%.

    Afrimi i sezonit veror sjell një shtim të vizitave turistike në vend, me një përqendrim në rritje veçanërisht gjatë fundjavave, duke rritur rrjedhimisht edhe flukset valutore hyrëse. Megjithatë, agjentët nuk përjashtojnë që ditët e fundit të fushatës zgjedhore të kenë ndikuar edhe në një rritje të ofertës dhe këmbimeve valutore.

    Tregu valutor duket se edhe këtë vit po shfaq tendenca të mbiçmimit të monedhës vendase, që janë më të forta me afrimin e sezonit veror. Agjentët vënë në dukje se tashmë sezoni turistik është më i shtrirë në kohë dhe efektet e tij në kursin e këmbimit janë shumë më pak të përqendruara në periudhën korrik-gusht.

    Një tjetër burim i rëndësishëm i valutës në vitet e fundit janë bërë investimet e huaja në pasuritë e paluajtshme. Këto investime kanë kryesuar strukturën e investimeve të huaja direkte në tre vitet e fundit.

    Të dhënat nga tregu dëshmojnë se tregu i pasurive të paluajtshme vazhdon të shfaqë kërkesë të kënaqshme, ku blerësit jorezidentë luajnë një rol të rëndësishëm veçanërisht në zonat bregdetare. Sipas vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë, në gjysmën e dytë të vitit 2024 çmimet e banesave u rritën me 44.5% me bazë vjetore.

    Nga ana tjetër, politika fiskale shtrënguese, me suficite të mëdha, e viteve të fundit tenton të shtrëngojë ofertën e Lekut me kalimin e muajve, duke shtuar presionin për mbiçmimin e monedhës vendase. Deri në në fund të 3-mujorit, buxheti ishte përsëri në suficit të dukshëm, në vlerën e pothuajse 34 miliardë lekëve, me një rritje të mëtejshme me 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

    Ecuria e javëve të fundit tregon se, me shumë të ngjarë, presionet rënëse mbi kursin e Euros do të vazhdojnë edhe gjatë muajve të ardhshëm. Vitin e kaluar, këto presione u përthithën nëpërmjet blerjeve të mëdha dhe të paprecedente të Bankës së Shqipërisë.

    Banka Qendrore bleu afërsisht 933 milionë euro në tregun e brendshëm valutor në 2024, në vlerën më të lartë historike. Sasia e valutës së blerë është rritur me 249% krahasuar me një vit më parë.

  • Ende asnjë gjurmë nga 29-vjeçari, reagon Ministra e Mbrojtjes: Nuk po mundemi t’i gjejmë trupin!

    Ende asnjë gjurmë nga 29-vjeçari, reagon Ministra e Mbrojtjes: Nuk po mundemi t’i gjejmë trupin!

    Vijojnë kërkimet për Ardit Beshirin, punëtorin e ekskavatorit në fabrikën e përpunimit të kromit në Burrel, të cilin e zuri poshtë masivi i dheut që u shemb të shtunën.

    Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se pas këtij incidenti, ka nisur një operacion për shpëtimin e punonjësit të zhdukur dhe se forca të shumta janë angazhuar për të lokalizuar dhe nxjerrë trupin e tij.

    Në operacionin kompleks po marrin pjesë:

    -Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi i bashkisë Klos

    -Forcat e Policisë;

    -Punonjës të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera (AKSEM);

    -Ekip mjekësor me autoambulancë;

    -Forca vullnetarizmi nga komuniteti;

    -Efektivë të Forcave të Armatosura me pajisje për detektimin e metaleve;

    -Punonjës të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore;

    Ministria njofton se me gjithë përpjekjet, deri më tani nuk është bërë e mundur të lokalizohet apo nxirret trupi i punonjësit të ekskavatorit.