Category: Lajme

  • Suedia nuk jep informata për të kaluarën e Naim Murselit, hetimet për vrasjen plot “mister” ia lë Kosovës

    Suedia nuk jep informata për të kaluarën e Naim Murselit, hetimet për vrasjen plot “mister” ia lë Kosovës

    Policia suedeze thotë se s’mund të ndajnë informacione nëse Naim Murseli ka ndonjë precedent kriminal

    Shteti suedez po i vëzhgon hetimet që po zhvillojnë autoritetet e Kosovës lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt dhe arrestimin e bashkëshortit të saj, i cili dyshohet se porositi vrasjen. Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Suedisë s’kanë pranuar të tregojnë nëse janë përfshirë direkt në hetime, por vetëm kanë thënë se me rastin po merret ambasada e tyre në Prishtinë. Policia suedeze thotë se s’mund të ndajnë informacione nëse Naim Murseli ka ndonjë precedent kriminal atje, për shkak të ligjeve të privatësisë.

    Dy javë më parë, Kosova u trondit nga një krim i rëndë që u krye në fshatin Bërrnicë të Prishtinës, ku para dy fëmijëve të saj, u vra 30-vjeçarja me shtetësi suedeze, Liridona Ademaj.

    Rasti fillimisht u cilësua si grabitje me pasoja vrasjeje, por më pas, Policia e Kosovës arrestoi tre të dyshuar lidhur me rastin, përfshirë edhe bashkëshortin e Liridonës, Naim Murselin.

    Murseli dyshohet se porositi vrasjen e gruas së tij, duke i premtuar 30 mijë euro Granit Plavës për ta kryer krimin e rëndë. Ndërsa, i arrestuari tjetër për këtë rast, Kushtrim Kokalla, dyshohet për marrëveshje për të kryer veprën penale vrasja e rëndë.

    Hetimet lidhur me këtë rast janë duke u kryer nga autoritetet e Kosovës, e deri tash nuk ka ndonjë shenjë të përfshirjes direkte të Suedisë në hetimin e rastit.

    Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Suedisë kanë deklaruar për Gazetën Express se mund të konfirmojnë arrestimin e një burri rreth të 30’ve në Kosovë, duke aluduar për Murselin dhe se me rastin po merret ambasada suedeze në Prishtinë.

    Informacione të tjera kanë thënë se s’mund të ndajnë, për shkak të konfidencialitetit.

    “Ministria suedeze e Punëve të Jashtme mund të konfirmojë se një burrë rreth të 30-ave është arrestuar në Kosovë. Ambasada e Suedisë në Prishtinë po merret me këtë çështje. Dispozitat e fshehtësisë në çështjet konsullore parandalojnë zbulimin e çdo informacioni të mëtejshëm. Të gjitha pyetjet në lidhje me ndonjë hetim policor ia referojmë policisë në Kosovë”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për Media të MPJ’së së Suedisë.

    Informacione s’kanë pranuar të ndajnë as Policia e Suedisë. Në pyetjet që i ka drejtuar Gazeta Express tek ky institucion, përfshirë edhe një nëse Murseli ka të kaluar kriminale atje, Policia suedeze ka thënë se ligjet e privatësisë s’ua lejojnë të përgjigjen në të tilla pyetje.

    “Policia suedeze nuk është në gjendje të ndihmojë me përgjigjet e pyetjeve që ju i keni bërë autoritetit policor në emailin tuaj. Kjo në lidhje me legjislacionin suedez të privatësisë”, thuhet në përgjigjen e policisë suedeze për Express.

    Lidhur me këtë rast, para një jave, është deklaruar edhe Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Ëesterlund.

    Ai tha se shteti suedez po punon ngushtë me autoritetet e Kosovës për hetimin e këtij rasti, të cilin cilësoi “mister”.

    “Ne jemi duke punuar pandërprerë rreth këtij rasti së bashku me autoritetet lokale të Kosovës. Ky është një rast shumë i ndjeshëm dhe ka shumë mister rreth këtij rasti, nuk mund të them më shumë, jemi duke punuar në këtë rast bashkë me autoritetet”, ka thënë ambasadori.

    Murseli s’mund të ekstradohet në Suedi – s’e lejon Ligji

    Pas arrestimit të Murselit, janë ngritur dyshime nëse Suedia do të bëjë kërkesë për ekstradimin e tij dhe nëse një gjë e tillë do të lejohet nga Kosova.

    Këtyre dyshimeve, u ka dhënë fund Ministria e Drejtësisë e Kosovës.

    Duke iu referuar ligjit në fuqi, Ministria e Drejtësisë ka thënë qartazi se ekstradimi nuk lejohet për veprat penale që kryhen në tërësi në territorin e Republikës së Kosovës.

    “Sa i përket pyetjes së parë ligji në fuqi në Republikën e Kosovës e përcakton se ekstradimi nuk do të lejohet për veprat penale të kryera në tërësi në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigje.

    Sipas Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në çështjet penale, Nenit 6, “Ekstradimi nuk do të lejohet për veprat penale të kryera në tërësi në territorin e Republikës së Kosovës dhe mund të mos lejohet për vepra penale të kryera pjesërisht në territorin e Republikës së Kosovës”.

    Si ndodhi rasti – çka tha Gjykata kur u caktoi nga një muaj paraburgim?

    Tre të dyshuarit për krimin e rëndë, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, ndodhen në paraburgim. Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Murseli dyshohet për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe vepën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, derisa Kokalla për veprën penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.”.

    Caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji për secilin veç e veç, Gjykata e ka arsyetuar “ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale, të njëjtit mund të ndikojnë në të bashkëpandehur, në të dëmtuar dhe në dëshmitarët si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale, në veçanti pesha e rëndë e veprës penale”.

    Në këtë njoftim, Gjykata kishte treguar edhe dyshimet se si kishte ndodhur rasti.

    “Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi I ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, thuhet në njoftim.

    Si u tentua të fshehej rasti?

    Ky rast fillimisht ishte kualifikuar si “Grabitje me pasoja të vrasjes”, duke u bazuar në rrëfimin e Naim Murselit.

    Në raportin 24 orësh të Policisë u tha se viktima ka qenë në veturë me bashkëshortin dhe dy fëmijët, kur një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe pastaj ka qëlluar me armë zjarri.

    “GRABITJE ME PASOJA TË VRASJES – Rr. Dlip Alshiq, Prishtinë 29.11.2023 –20:26. Raportohet se viktima femër kosovare, derisa ka qenë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre me veturë, një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe është qëlluar me armë zjarri për vdekje. Lidhur me rastin është intervistuar bashkëshorti i saj, dëshmitari mashkull kosovar i cili kishte arritur të largohet nga vetura me dy fëmijët e tyre. Njësit relevante policore, prokurori dhe ndihma e shpejtë urgjente kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga mjeku është konstatuar vdekja e viktimës. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

    Marrë nga Gazeta Express.

  • Bie çmimi i naftës/ Kap vlerën më të ulët që prej qershorit të këtij viti, ja si paraqiten shifrat në tregun ndërkombëtar

    Bie çmimi i naftës/ Kap vlerën më të ulët që prej qershorit të këtij viti, ja si paraqiten shifrat në tregun ndërkombëtar

    Çmimi i naftës në bursën ndërkombëtare ka zbritur në nivelin më të ulët që prej qershorit të këtij viti.

    Sot një fuçi naftë po tregtohet me 72-73 dollarë, ndërkohë që ka rënë me afërsisht 7 dollar që prej fillimit të këtij muaji.

    Ndërsa në raport me vitin e kaluar çmimi i naftës në bursë është rreth 10 dollarë më lirë.

    Edhe tregu vendas ka reflektuar në shifra të vogla uljen e çmimit në bursë, pasi nga 199 lekë që ishte javën e kaluar një litër naftë, ka zbritur në mesatarisht 193-195 lekë litri.

    Bursa e naftës ka qenë e luhatshme në javët e fundit, për shkak të luftës që vijon në Ukrainë dhe tensioneve Palestinë-Izrael, që vënën në pikëpyetje mjaftueshmërinë e naftës në treg.

  • ‘Kushtetuesja’ pezullon vendimin e marrëveshjes për emigrantët, vjen reagimi i menjëhershëm i kryetares së Gjykatës

    ‘Kushtetuesja’ pezullon vendimin e marrëveshjes për emigrantët, vjen reagimi i menjëhershëm i kryetares së Gjykatës

    Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se ka marrë në shqyrtim padinë e bërë nga deputetët e opozitës kundër marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët.

    Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese vjen në një kohë kur mazhoranca socialiste kishte parashikuar për ta miratuar marrëveshjen në seancën e kësaj të enjteje.

    Kryetarja e Gjykatës Kushtetueses Holta Zaçaj pas vendimit, në një komunikim me gazetarët bëri me dije se ky vendim do t’i njoftohet menjëherë kuvendit i cili është i detyruar të ndërpresë procedurat parlamentare për ratifikimin në seancë plenare.

    Zaçaj bëri me dije se seanca për shqyrtimin e padisë së opozitës do të mbahet në 18 janar, në orën 10:00.

    Kushtetuesja ka vendosur vetëm për ankimin e bërë nga 30 deputet e PD, ku janë edhe Bardhi e Berisha.

    Ndonëse në Kushtetuese është paraqitur edhe një ankim i firmosur nga Lulëzim Basha, Kushtetuesja ende nuk e ka marrë në shqyrtim.

  • LAJM I FUNDIT/ Marrëveshja me Italinë për emigrantët, Gjykata Kushtetuese merr vendimin

    LAJM I FUNDIT/ Marrëveshja me Italinë për emigrantët, Gjykata Kushtetuese merr vendimin

    Gjykata Kushtuese ka marrë vendimin për të shqyrtuar padinë e bërë nga deputetët e opozitës për marrëveshjen me Italinë për emigrantët.

    Në këtë mënyrë, pezullohet automatikisht procedura e ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes me Italinë.

    Padia do të shqyrtohet më 18 janar, në orën 10:00.

    Kujtojmë që Partia Socialiste kishte planifikuar që marrëveshja të votohej në Kuvend më 14 dhjetor dhe pas këtij vendimi, ishte Gazmend Bardhi ai që me një reagim i bëri Apel anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që t’i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe jo interesave apo porosive politike të Edi Ramës.

    REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE, GAZMENT BARDHI

    Në një akt të paprecedent, me heshtje dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë vendimin për kalimin në seancë gjyqësore të kërkesës së deputetëve të opozitës lidhur me Marrëveshjen me Italinë për emigrantët, akt që shoqërohet me pezullimin e procedurës parlamentare të ratifikimit të saj nga Kuvendi. Shqyrtimi paraprak i kërkesës është një proces formal, që nuk kërkon shqyrtimin në themel dhe as kohë për analizë të thelluar.

    Duke shfrytëzuar mosveprimin në kohë të Gjykatës Kushtetuese, nën dyshimin serioz të një koordinimi mes tyre, Edi Rama urdhëroi Kuvendin që të afrojë me një javë procedurën e miratimit nga Parlamenti, duke e përfshirë në Rendin e Ditës të seancës së nesërme, datë 14 Dhjetor 2023.

    Edhe pse është njoftuar zyrtarisht për përshpejtimin e procedurave në Kuvend, mosveprimi në kohë i Gjykatës Kushtetuese për një çështje me natyrë urgjente, praktikisht asgjeson mundësinë e kontrollit kushtetuese mbi përmbajtjen e marëveshjes, që detyrimisht shqyrtohet përpara ratifikimit.

    Ky përbën aktin më të shëmtuar të dhunimit flagrant të Kushtetutës nga vetë Gjykata Kushtetuese, si një tjetër provë e kontrollit të plotë të saj nga Edi Rama. Asgjesimi i mundësisë së kontrollit kushtetuese, si një e drejtë kushtetuese e deputetëve të opozitës, është atentat ndaj shtetit ligjor dhe rrënon besimin e publikut tek paanësia dhe pavarësia e Gjykatës Kushtetuese.

    Duke shprehur mospajtimin me mosveprimin në kohë të Gjykatës Kushtetuese dhe dhunimin flagrant të Kushtetutës prej saj, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike apelon anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që ti përmbahen betimit për t’ju nënshtruar vetëm Kushtetutes dhe jo interesave apo porosive politike të Edi Ramës. Ata duhet të heqin dorë mënjeherë nga bllokimi i shqyrtimit paraprak në kohë të kërkesës së deputetëve të opozitës, duke urdhëruar përpara ratifikimit të nesërm pezullimin e procedurës parlamentare.

    Zbatimi i Kushtetutës duhet të jetë i vetmi udhërrëfyes i veprimtarisë së anëtarëve të Gjyaktës Kushtetuese, dhe jo pengmarrja me projektligj apo premtimi korruptiv i Edi Ramës për rritje të shfrenuara të pagave të tyre, në këmbim të dhunimit flagrant të Kushtetutës dhe rolit që Gjykata Kushtetuese luan në një shoqëri demokratike.

  • “Femrat i kam dobësi”, çfarë deklaronte Remzi Azemi për shqiptarin e vrarë në Ekuador: Pi kokainë 24 orë!

    “Femrat i kam dobësi”, çfarë deklaronte Remzi Azemi për shqiptarin e vrarë në Ekuador: Pi kokainë 24 orë!

    Pak ditë më parë, policia në Maqedoninë e Veriut arrestoi Remzi Azemin, shqiptarin nga Kosova të akuzuar për vrasjen e Ilir Hidrit në Ekuador.

    Por përveç vrasjes së shqiptarit, Azemi ishte në kërkim nga INTERPOL edhe për një ekzekutim të dyfishtë në të cilin viktima ishin malazezi Fadil Kacanic dhe gruaja e tij nga Ekuadori, Elsa María de Fatima Gallegos Chacón. Krimi i dyfishtë ndodhi kur autorët të veshur si policë rrëmbyen çiftin dhe i çuan në vendin e ekzekutimit, në autostradën Guayaquil-Salinas.

    Azemi është akuzuar dhe marrë në pyetje edhe për vrasjen e shqiptarit Ilir Hidri më 30 maj 2017 në periferi të Guayaquil.

    Asokohe, shqiptari në dëshminë e dhënë kishte deklaruar se kishte dobësi për femrat, i përshkruante ato si të gjitha të bukura dhe i gjente në vende të ndryshme, si qendra tregtare, kafene apo në vendbanimin e tij për t’i takuar.

    Azemi flet pesë gjuhë (shqip, serbisht, anglisht, gjermanisht dhe spanjisht) dhe spanjishten e ka mësuar nga gratë me të cilat është shoqëruar që kur ka mbërritur në Ekuador.

    Duke folur për një partnere në Milagro, Guayas, me të cilën kishte një djalë, Azemi e përshkruante atë si “të dobët, latine, me flokë të gjatë dhe bjonde”.

    Ai ka deklaruar se tre ditë para vrasjes së Ilir Hidrit, më 30 Maj 2017, është goditur me thikë dhe ka qenë i shtruar në spital pa ndjenja.

  • Një buton larg! Njihuni me truprojën e Vladimir Putin, i cili mban valixhen që mund të ndezë Luftën e Tretë Botërore në çdo moment

    Një buton larg! Njihuni me truprojën e Vladimir Putin, i cili mban valixhen që mund të ndezë Luftën e Tretë Botërore në çdo moment

    Truproja e kreut të Kremlinit, Vladimir Putin, i quajtur edhe si zotëria “Button”, mund të jetë duke mbajtur në duar fatin e botës, në kuptimin e parë të fjalës, ndërsa zotëron simbolin e fundit të pushtetit të presidentit rus.

    I njohur për miqtë e Kremlinit si Dima Button, kapiteni i marinës, krahu i djathtë i Putinit, i është besuar një nga zotimet më të frikshme të tiranëve, valixhja bërthamore që mund të ndezë Luftën e Tretë Botërore në çdo moment, shkruan britanikja The Sun.

    Emri i përshtatshëm i truprojës vjen nga identiteti i tij i vërtetë i Dmitry Shumeiko ose shkurt Dima.

    Button është një referencë jo aq delikate për faktin që brenda rastit mendohet të jetë butoni i nisjes për armët bërthamore të Kremlinit.

    Thuhet se valixhja mban kontrollin mbi arsenalin bërthamor të Moskës dhe shpesh përmendet si shenjë paralajmëruese e Putinit për pjesën tjetër të botës, se sa pushtet ka ai.

    Kjo çantë e ka ndjekur Putinin pothuajse në çdo udhëtim.

    I quajtur Cheget në Rusisht, rasti u zhvillua në fillim të viteve 1980 dhe u shfaq në botë për herë të parë në vitin 2019, me përmbajtjen e tij duke u parë nga afër në TV.

    Brenda kasës është një buton i bardhë, jo i kuq, dhe ka vend për një kartë që do të duhet të futet nga Putin për të filluar fazën tjetër të sulmit.

    Mësohet se janë tre prej rasteve, të gjitha të lidhura me një rrjet komunikimi të njohur si “Kavkaz”.

    Putin gjithashtu shihet rregullisht me një çantë të dytë të zezë kërcënuese, e cila është përfolur se përmban një mburojë të palosur që e mbron atë, në rast se ai ndonjëherë përballet me një zemërim plumbash nga një prej armiqve të tij të shumtë.

    Të dyja çantat mendohet se kanë një kod çelësi të personalizuar që vetëm një pjesë e vogël e njerëzve e dinë dhe vendosen nën mbikëqyrjen nga siguria 24/7.

    Një kapiten i dytë detar i cili më parë ishte përgjegjës për mbajtjen e çantës speciale të Putinit ishte kapiteni 71-vjeçar Vladimir Poleshchuk, sipas një raporti nga Proekt.

    Një tjetër shkelje e sigurisë zbuloi më vonë identitetin e disa prej truprojave të diktatorit.

    Vladimir Timofeev, 40 vjeç, u fotografua në një festë sauna në një banjë të çuditshme pranë qilimave gjigantë me fytyrën e Putinit në të, si dhe Alexander Kupriyanov, i cili u pa si në detyrë ashtu edhe jashtë saj. Raporti tronditës shpjegoi gjithashtu se si një teori e çmendur që përhapet si zjarr në të gjithë botën për Putinin mund të jetë thjesht e vërtetë.

    Disa gazetarë të Kremlinit që janë pranë Putinit, çdo ditë, thanë se besojnë se lideri përdor një trup të dyfishtë, klon.

    Raporti thoshte: “Disa gazetarë nga pishina e Kremlinit filluan të thonë në një moment se ata besonin në ekzistencën e një kloni, pasi ishin kaq të çuditshme mënyrat se si presidenti iu përmbahej masave të karantinës.

    “Ata nuk mund ta shpjegojnë në asnjë mënyrë tjetër sjelljen e çuditshme të Putinit së fundmi, ai ose i respekton të ashtuquajturat ‘kufizime sanitare’ të lidhura me epideminë e Covid ose i shkel ato në mënyrë sfiduese.”

    Kjo i referohet mënyrës se si ai përqafonte me gëzim njerëzit disa ditë, por më pas i urdhëroi që të qëndronin të paktën 16 metra larg tij ditën tjetër.

    Gazeta gjithashtu nxiti pretendimet se Putini është i rrethuar nga mjekët më të mirë në Rusi gjatë udhëtimeve të tij jashtë vendit, ndërsa shtohen më shumë spekulime për shëndetin e tij në rënie

    Këta mjekë të parë pranë Putinit dyshohet se përfshijnë Dr Igor Esakov, një specialist i veshit, hundës dhe fytit, Dr Yevgeny Selivanov, një specialist i kancerit të tiroides dhe neurolog Dr Roman Rotankov.

  • Vrasja e Liridona Ademajt, Gjykata merr vendimin për Naim Murselin dhe dy të dyshuarit e tjerë

    Vrasja e Liridona Ademajt, Gjykata merr vendimin për Naim Murselin dhe dy të dyshuarit e tjerë

    Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të dyshuarit Naim Murseli, avokatit Ahmet Ahmeti, ndërsa ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të 3 dhjetorit 2023, me të cilin Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, nën dyshimin për vrasjen e 30-vjeçares, Liridona Ademaj.

    “Me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PPRKR.nr.309/2023 të datës 12.12.2023, të pandehurve N.M, G.P dhe K.K, i ’u ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri N.M, ka kryer veprën penale në bashkëkryerje vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1, nën paragrafi 1.3 dhe 1.4, lidhur me nenin 31 të KPRK, i pandehurit G.P, për shkak të veprës penale vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1, nën paragrafi 1.4 dhe 1.6 të KPRK dhe veprës penale secili veç e veç mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK, si dhe i pandehuri K.K për shkak të veprës penale marrëveshja për të kryer veprën penale vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.6 lidhur me nenin 35 të KPRK”, thuhet në njoftimin e Apelit.

    Edhe të dyshuarit të katërt në këtë rast, T.D., më 11 dhjetor i është caktuar masa e paraburgimit.

  • Konfirmohen dy banorët e tjerë të Big Brother Vip Albania

    Konfirmohen dy banorët e tjerë të Big Brother Vip Albania

    Edicioni i tretë i spektaklit të ‘Big Brother Vip Albania’ pritet të nis më 13 janar të vitit që po vjen.

    Deri më tani janë zbuluar disa nga banorët të cilët thuhet se do të jenë pjesë e këtij spektakli.

    Burime të “Kryefjala” kanë zbuluar edhe dy banorë të tjerë të cilët janë ish-konkurrenti i emisionit të dashurisë “Për’puthen” dhe moderatorja e “Top Albania Radio” Ksenja Shoshaj.

    Ndërkohë banorë të tjerë që janë konfirmuar janë Olsi Bylyku, Graciano Tagani, Alfio Rrotani, Cubi Metkaj, Bardhi, Endrik Beba, La Fazani.

    Emra të pakonfirmuar ende që pritet të jenë pjesë e show-t janë Jul Deda, Egli Tako.

    Ndërkohë emisionin flitet se do ta drejtojë Ledio Liço dhe jo më Arbana Osmani.

    Ledioni ka prezantuar vetëm një nga edicionet e “Big Brother”, ndërkohë edhe Graciano futjen në spektakël e ka për herë të dytë pasi ka marrë pjesë edhe tek “Big Brother 5”.

  • Babai iu arrestua për përdhunimin e 23-vjeçares nga Tirana, reagon ish-deputeti Veton Berisha

    Babai iu arrestua për përdhunimin e 23-vjeçares nga Tirana, reagon ish-deputeti Veton Berisha

    Shaban Berisha është një nga dy emrat e personave të arrestuar sot për rastin e dhunimit seksual të një 23-vjeçare, shtetase e Shqipërisë, me probleme mendore.

    Shaban Berisha është babai ish-deputetit të komunitetit egjiptian Veton Berisha.

    Lidhur me arrestimin e babai të tij, ka folur edhe vetë ish-deputeti Berisha, i cili tha se nuk ka ende informacione se çfarë ka ndodhur dhe s’ka pasur kontakt me babanë e tij sot.

    “Jam duke ardhë rrugës, për qatë rastin që po flitet. Nuk kam qasje kontakt te baba hala, jam rrugës t’u shku. Nuk e di. Jam t’u shku, edhe pa shku me vërtetu nuk e di. Ju betohem që asnjë informacion nuk e kam. Kam qenë në Zvicër në udhëtim zyrtar, parmbrëmë jam kthy, mbrëmë kam fol me to [babanë], ka qenë gjithçka në rregull. Jam t’u u ni tepër keq, iu lus për mirëkuptim se nuk e di çka ka ndodhë”, tha Berisha për Sinjalin.

    Një vajzë 23-vjeçare, shtetase e Shqipërisë me probleme mendore dyshohet se u dhunua seksualisht dje në Pejë. Për këtë, janë arrestuar deri tani dy persona.

  • Përdhunohet sek*ualisht 23-vjeçarja shqiptare, e pëson keq babai i ish-deputetit të njohur

    Përdhunohet sek*ualisht 23-vjeçarja shqiptare, e pëson keq babai i ish-deputetit të njohur

    Dy ditë më parë u raportua se një vajzë 23-vjeçare, me probleme të shëndetit mendor, me nënshtetësi të Shqipërisë, u dhunua seksualisht në komunën e Pejës. E sot, janë zbardhur të tjera detaje për zhvillimin e rastit janë bërë të ditura.

    Shtetasja shqiptare, siç kishte njoftuar Policia e Kosovës ishte raportuar si e zhdukur në Policinë e Shtetit të Shqipërisë. Pasi ishte gjetur, 23-vjeçarja ishte dërguar në Emergjencë për kontroll mjekësor, nën dyshimin se ajo ishte dhunuar. E reja nga Shqipëria ishte dërguar më pas për ekzaminim edhe në IML, Institutin mjeko-ligjor.

    Sot nga Prokuroria e Pejës, na kanë konfirmuar se për këtë rast janë arrestuar dy persona. “Pas një pune intensive operative nga Policia e Kosovës, me autorizimet e Prokurorit të Shtetit sot janë arrestuar dy persona. Të njëjtit janë ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit për veprën penale “Dhunimi”.

    Gjithashtu Prokurori ka urdhëruar që të sekuestrohet vetura me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale dhe të sigurohet vendi i ngjarjes, ku dyshohet se është kryer kjo vepër penale” – ka zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë Shkodran Nikçi.

    Sipas informacioneve jo zyrtare, njëri nga të arrestuarit dyshohet të jetë babai i ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Veton Berishës. Ne kemi kontaktuar me ish-deputetin që vjen nga radhët e komunitetit egjiptian. Ai e ka kofirmuar se është njoftuar nga fqinjtë për arrestimin e prindit, por nuk kishte dijeni për diçka më shumë.

    “Pasha besën qetash janë duke më thirrë kojshitë, unë jam në Prishtinë. Jam kanë në Zvicër, unë nuk kam asnjë infomacion” “Nuk po muj me marrë në telefon… se kam askënd une atje. Nanën e kam këtu, baba është në Pejë. Kojshitë më thirrën, nuk është Shabani ksajde e tash po nisna për Pejë ta shoh se çka është puna…Baba i ka 65-66 vjet” – i ka thënë ish-deputeti Berisha, Nacionales

    Normalisht, për të bëmat e familjarëve nuk janë përgjegjës persona të tjerë, megjithatë z.Berisha ka qenë deputet për kohë të gjatë, dhe përbën interes publik një raport i tillë. Personat e përmendur janë të pafajshëm deri në vendimin e gjykatës. Aktualisht këta janë vetëm të dyshuar dhe Prokuroria pritet të zhvillojë hetime.