Në emisionin “Zonë e Lirë”, eksperti i sigurisë Ilir Kulla foli për vizitën e shefit të NATO-s Jens Stoltenberg në Ballkan.
Gjatë bisedës në studio, Kulla u shpreh se presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç tregoi në prani të shefit të NATO-s, se nuk i japin askujt llogari.
Gjithashtu Kulla shtoi se tensioni është rritur dhe pritet që në javët e ardhshme të vazhdojë të jetë në rritje.
“Në Beograd, Vuçiç në prani të shefit të NATO-s, tha nuk i japim llogari askujt. Kjo është hera e parë që Serbia është trimëruar kaq shumë. Duhet lexuar fakti që Serbia është në zgjedhje, pra në 17 dhjetor. Kjo Serbi në zgjedhje është një Serbi që asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq agresive sa tani. Ajo ka projektin e saj për botën serbe, por tani ka edhe një element politik që është ashpërsuar më shumë nga lufta në Ukrainë, nga ngjarja ku u vra një polic i Kosovës. Në të njëjtën kohë ju kujtoj që amerikanët kanë vënë një seri faktorësh serb në listë të zezë. Tensioni është rritur, në javët e ardhshme do të vazhdojnë të jenë në rritje. Rusët nuk kanë ikur kurrë nga Serbia. Kërcënimi nuk vjen nga Wagner, por nga shërbimi sekret rus që është shumë i fortë. Duhet të kemi parasysh që edhe mendimi i organizimit të ushtrisë së botës serbe ka pasur gjithmonë orientim Rusinë”, tha ndër të tjera Kulla.
Gazetari Poli Hoxha tha në një emision televiziv se Ilir Metës i është ushtruar një hetim pasuror. I ftuar në emisionin ‘Pa Protokoll’, Hoxha u shpreh se edhe Metës do t’i vendoset masë sigurie, ndërsa si ‘afat’ vendosi muajin nëntor. Sipas tij, Meta është në pozitë më të vështirë se Berisha.
“Meta e ka punën edhe më vështirë se zoti Berisha. Është shumë më e fortë, më e kositur. Është jashtëzakonisht e kopsitur. Shumë e rëndë si dosje. Ka bashkëpunëtorë të dorës së parë që nuk i mohon dot. 28 nëntori do jetë si kështu…, nëntori i tretë, deri atëherë…Meta është i parapërgatitur, është edhe çështja e lobimit. Zoti Meta i është bërë një hetim i thellë pasuror, jo vetëm këtu, por edhe jashtë vendit. Do ketë masë deri në këtë afat që vendosët? Patjetër që do ketë masë”, tha Poli Hoxha.
Afera CEZ/DIA
Skandali i ka fillesat në vitin 2009, kur OSSH shiti 75% të aksioneve tek CEZ-DIA, gjatë qeverisjes së Sali Berishës, ndërsa në vitin 2013, kur socialistët morën pushtetin, u bë ndërprerja e kontratës abuzive. Prishja e kësaj marrëveshje që i shkaktoi buxhetit një dëm mbi 414 mln euro, u bë me argumentin se CEZ nuk kishte bërë asnjë prokurim për të importuar energji elektrike në vjeshtën e 2012, dhe në këto kushte e gjithë kërkesa për energji elektrike përballohej nga rezerva e kaskadës se Drinit.
Për këtë aferë u dënua vetëm Ismailaj, i cili ka kryer dënimin, për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të parave”, ku me falsifikim të dokumenteve arriti të përvetësojë nga kompania CEZ, rreth 5 milionë euro për një shërbim të cilin s’e kishte kryer. Kjo dosje e nxehtë për dyshen Berisha-Meta është rikthyer në SPAK. Afera CEZ-DIA për mbledhjen e rreme të borxheve me faturat e papaguara nga abonentët, nisi të zbatohej pas finalizimit të mega aferës së shitjes së OSSH tek CEZ nga qeveria Berisha. Nuel Kalaj ishte sekseri mes CEZ dhe qeverisë Berisha për privatizimin e 75 % të aksioneve të OSSH nga çekët. Negociatat rezultuan të përfshirë edhe djalin e ish kryeministrit, Shkëlzen Berisha.
Implikimi i Metës në aferën CEZ-DIA
Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ, ka dëshmuar se Ilir Meta ka rekomanduar Kastriot Ismailajn me kompaninë DIA si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ. Dritan Prifti, një nga njerëzit më të afërt të Ilir Metës, ka rrëfyer se Meta pati udhëtuar në Çeki për të negociuar kontratën për Kastriot Ismailajn, të cilin e konsideronte si një person me dosje. Hetuesit mund të konfirmojnë udhëtimet e Metës në Çeki, por edhe çështjet e diskutuara. Ndërkaq, vetëm në një rast, 1 ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit 2019, Meta i kërkon Kastriot Ismailajt, 200 mijë (besohet euro) me urgjencë. Gruaja e Kastriot Ismailajt, Vojsava, ka rrëfyer lidhjet e forta mes Ilir Metës dhe bashkëshortit të saj. Ajo ka treguar për vizitat familje dhe SMS-të që Meta i niste Kastriot Ismailajt duke i kërkuar para.
Në shtator të vitit 2015, Sali Berisha deklaronte në Parlament se Ilir Meta nuk kishte pasur asnjë tagër për të negociuar kontratën CEZ-DIA në Pragë. Në dosjen e dënimit të Kastriot Ismailaj me 11 vite burg, dënim i konfirmuar nga të gjitha shkallët e gjykatave, prokuroria ka konstatuar se qëllimi i Kastriot Ismailaj nuk ka qen mbledhja e borxhit të për llogari të CEZ dhe as kryerja e ndonjë pune reale, por vjedhja e parave t? CEZ, sigurisht në bashkëpunim me CEZ, pasi CEZ nuk humbiste asgjë, por xhepat e shqiptarëve. Ismailaj paraqiste fatura fiktive, merrte paratë nga CEZ dhe më pas CEZ favorizohej nga qeveria Berisha-Meta. Pasi Ilir Meta u bashkua me PS, në vitin 2015, Sali Berisha e ktheu në kauzë implikimin e Metës në çështjen CEZ-DIA, kërkoi dorëheqjen dhe hetimin e tij.
Profesori i kriminalistikës Ervin Karamuço ishte këtë të premte i ftuar në emisionin “Barometri” në Euronews Albania ku ka thënë se njerëzit do kenë edhe më shumë besim te SPAK nëse hetimet shtrihen në 360 gradë.
Sipas tij SPAK ende nuk ka filluar të merret me peshqit e mëdhenj, ai tha se ka dalë ndonjë emër por njerëzit ende nuk e dinë se deri ku do shkojë SPAK-u.
“Njerëzit akoma druhen të besojnë se deri ku do shkoj SPAK-u. Deri sa do godasë dhe a do godasë 360 gradë të plota apo jo. Dhe a do i godasë peshqit e mëdhenj? S’kanë filluar akoma peshqit e mëdhenj.
Ne tek tuk kemi ndonjë emër të selektuar, por ne kemi harruar bizneset. Ata i pastrojnë paratë e politikanëve. Të merremi me ata njëherë”,-tha Karamuço.
Një qytetar denoncon një rast në emisionin “Stop” në Tv Klan mashtrimin për një vizë gjermane. Qytetari ka dhënë 1500 euro ndaj Dashi Jeskut, Zamirës dhe një vajze tjetër, Kristina Bodit në transferta bankare si edhe të dërguara përmes taksive. Këta persona kanë shërbyer si ndërmjetësit e Verjana Gegës.
Qytetari ka kontaktuar përmes mesazheve zanore me një grua që mendonte se ishte Kristina Bodi, por rezulton të ketë qenë vetë Verjana Gega e cila merrte paratë. Ajo i premton se do të marrë overdraft për t’ia kthyer 1500 eurot, por ditët kaluan e ende asgjë.
Gazetarja komunikon me Kristina Bodin, e cila thotë, se edhe ajo vetë është pjesë e mashtrimit të Verjanës, por nuk ka mashtruar njeri.
Kristina Bodi: Unë në të vërtetë, jam Kristina Bodi! Transfertat vërtet kanë ardhur në emrin tim, por loja është e gjithë e Verjana Gegës, që ka çështje të hapura tek Sto…, te SPAK-u.
Gazetarja: Si ta kuptoj këtë pjesë kur loja e gjithë është e Verjana Gegës kur unë këtu kam një depozitë bankare nga një X bankë që i keni tërhequr ju.
Kristina Bodi: Po! Ok, jam shumë dakord! Po unë i kam tërhequr. Verjana është shoqja ime.
Gazetarja: Ke bashkëpunuar me Verjanën?
Kristina Bodi: Jo, Verjanën e kam njohur nëpërmjet një shoqeje. Kam dhënë edhe deklaratën në SPAK. Ajo punonte në agjenci punësimi dhe më tha mua, që unë kam probleme me emrin, kam probleme me burrin. Do më ndihmosh? Edhe unë, ngaqë jam e drejtë vetë, nuk bëj nga këto budallallëqet fare! Edhe unë i thashë, po do të ndihmoj! Por jo me mendimin, që do të jetë…. kush është Verjana në të vërtetë me 100 fytyra.
Gazetarja: Si i tërhiqje këto në bankë, ishe vetëm, bashkë me Verjanën?
Kristina Bodi: Unë vetë.
Gazetarja: Punoje te agjencia e Verjanës?
Kristina Bodi: Jo, nuk punoja fare! S’kisha lidhje fare me agjencinë. S’kisha lidhje fare me vizën.
Gazetarja: Punoje në ambasadën gjermane?
Kristina Bodi: Jo, nuk punoj në ambasadën gjermane! Nuk kam punuar kurrë në ambasadën gjermane. Thjesht e ndihmoja Verjanën, ngaqë më qau hallin.
Gazetarja: Sa kohë kishe që e njihje?
Kristina Bodi: Një vit, një vit e pak… Unë jam Kristina, nuk jam mashtruese si Verjana.
Gazetarja: Pse e ke bërë këtë gjë pra?
Kristina Bodi: Unë e kam bërë, sepse e kam ndihmuar Verjanën, gjithmonë se ka hall!
Gazetarja: Po sa herë e ke bërë këtë gjë?
Kristina Bodi: Disa transferta, jo vetëm një.
Gazetarja: Disa transferta.
Kristina Bodi: Po!
Gazetarja: Po mirë nuk dyshove ti Kristina, më fal, se ti çfarë moshe ke?
Kristina Bodi: 28!
Gazetarja: Je e shkolluar?
Kristina Bodi: Po patjetër! Po, edhe me master.
Gazetarja: Edhe me master mbi të gjitha?
Kristina Bodi: Po!
Gazetarja: Tani nuk dyshove që…
Kristina Bodi: Unë, kur dyshova unë…
Gazetarja: Si nuk ishe në dijeni ti, të lutem se nuk jemi aq naivë sa ta besojmë këtë pjesë.
Kristina Bodi: Kur dyshova unë, ajo normalisht e ndala si punë se me qenë e kisha filluar prapë.
Gazetarja: Ti ke komunikuar me qytetarët?
Kristina Bodi: S’ka shanse! Jo, jo, jo është zëri i asaj. (Verjana Gegës)
Gazetarja: Djali do lekët, 1500 euro, kokërr më kokërr.
Kristina Bodi: Dëgjo pak! S’i kam marrë ato lekët unë! I ka marrë Verjana.
Gazetarja: Jo, jo me letra i ke marrë ti.
Kristina Bodi: Me letra. Jam dakord që me letra e transferta, nuk gënjej dot, por lekët i ka Verjana. Le të shkojmë nesër tek Verjana, ia marrim! Kush është ai që do dalë?
Gazetarja: Ogerti Xheko.
Kristina Bodi: Po jepi numrin tim atij Ogertit, ta takojmë nga afër Ogertin dhe i shkojmë Verjanës tek shtëpia.
Pas takimit të parë, qytetari ritakohet me Kristinën për të shkuar në shtëpinë e Verjana Gegës. Përpjekjet për të gjetur shtëpinë shkojnë dëm.
Kristina Bodi: Domethënë, unë, kur i kam dhënë lekët, i kam dhënë këtu dhe i kam thënë, ku e ke shtëpinë? Këtu tha e kam, te kjo lagjje dhe unë s’kam qenë tek shtëpia e saj, tek hyrja. Në qoftë se pyesim administratorin, siç thamë ne atë ditë…
Shoqëruesi i Kristinës: Puna është, pyet njëherë tek lokali, pyet tek lokali, Ana. I kemi sjellë një porosi Anës! S’ka ardhur sot? Ose merre në telefon!
Kristina Bodi: T’i biem njëherë rreth e rrotull? T’i biem rreth e rrotull!
Shoqëruesi i Kristinës: Si t’i biem rreth e rrotull kot? Pse e dimë ne, që është aty?
Qytetari: Po ku gjendet? Shiko sa pallate janë aty…
Pas tre përpjekjesh, nga emisioni “Stop”, qytetari dhe Kristina Bodi vjen një përgjigje nga Verjana Gega.
Verjana Gega: Unë kam detyrimin të enjten mbasdite, të marr në telefon, të marrësh detyrimin!
Pas komunikimeve të vazhdueshme, qytetarit i kthehen paratë e tij.
SPAK-u dhe puna e tij në përgjithësi, apo në raste të çështjeve konkrete, kanë qenë dhe janë kryefjala e liderëve të politikës në vend. Jo rrallë herë, krerët më të lartë të dy kampeve politike kanë mbajtur qëndrime dhe deklarata për vetë SPAK-un dhe çështje apo përgjegjësi konkrete politike.
Nisur nga efekti që këto deklarata mund të kenë pasur tek qytetarët, Barometri, i ka pyetur ata nëse janë dakord apo besojnë disa prej tyre, ato përbëjnë qëndrimet më të spikatura të politikës për SPAK-un.
Barometri i është referuar deklaratave dhe qëndrimeve konkrete të dy aktorëve kryesorë në vend, kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.
Barometri në Euronws Albania ka pyetur qytetarët së sa dakord janë për deklaratat e kryeministrit Edi Rama ndaj konceptit të përgjegjësisë personale kur shkelet ligji.
Për shprehjen:“Kryeministri nuk mban përgjegjësi për ata që shkelin ligjin, por për mënyrën se si reagon ndaj shkelësve”, 49.3% e të anketuarve nuk janë dakord.
Ndërsa 31.4% e të anketuarve janë dakord me këtë shprehje të kryeministrit.
17.4% e qytetarëve janë neutral ndaj dakordësisë ose jo të kësaj deklarate ndërkohë që vetëm 1.8% e të anketuarve nuk kanë dhënë një përgjigje.
Aktori i njohur shkodran Besnik Çinari, ishte këtë të premte i ftuar në Euroneës Albania për të folur për ndarjen nga jeta të artistit të mjeshtrit të madh të humorit Zef Deda.
Miku i tij Çinari rrëfeu momentin e takimit të fundit me aktorin, ai tha se e kishte takuar vetëm 10 ditë më parë e ishin munduar t’i jepnin kurajë.
“Një kurajë mashtruese”, tha Çinari, pasi sipas tij Zefi, tashmë e kishte pranuar vdekjen dhe ai takim i fundit me të “i kishte këputur shpirtin”, pasi aktori që me plastikën dhe humorin kishte bërë gjithkënd të qeshte, tashmë mezi fliste.
“Takimi i fundit ka qenë para 10 ditësh. Se mua më pas më vdiq edhe nëna. Më ka marrë në telefon, mezi e kam dëgjuar kur më ka vdekur nëna. Shkuam e takuam atje në shtëpi bashkë me një shok të vjetër, na këputi shpirtin. Po i jepnim kurajë, por kurajë kuptohej që ishte false. Ai e kishte pranuar vdekjen. Ai e ka ditur se dinte edhe gjuhë të huaja dhe i ka lexuar ilaçet. Ai e dinte se nuk ishte mirë dhe e ka pranuar vdekjen me burrni, nuk u ligështua. Ishte i jashtëzakonshëm. Nuk ishte shumë në gjendje të komunikonte, por pyeste për shfaqjet, se profesioni është sëmundje, ai ka punuar që fëmijë në teatër”,-tha aktori Besnik Çinari.
Eksperti i Kriminalistikës, Ervin Karamuço, është shprehur se SPAK ndodhet në krye të listës së institucioneve më të besueshme për shqiptarët, edhe për shkak të efektit “Dumani”, pra për shkak të drejtuesit të këtij institucioni, Altin Dumani.
Komentet Karamuço i bëri në emisionin “Barometri”, ku tha se janë edhe shumë faktorë të tjerë që e favorizojnë SPAK që të jetë në krye të institucioneve të besueshëm.
Ai shtoi se kur përmendet SPAK, qytetarët kanë parasysh përfaqësitë ndërkombëtare, duke menduar se çdo arrestim që bëhet, realizohet me shtysën e këtij faktori.
“Te ky blloku i parë, po ta shikoni SPAK e përfshin blloku i përfaqësive të huaja. Edhe në perceptimin public sa herë flitet për një arrestim të bujshëm, te qytetarët pretendohet se ka një shtysë ndërkombëtare.
Pastaj shumë qytetarë kur u thua SPAK kanë parasysh vetëm prokurorinë, por sipas ligjit që është ndërtuar përfshin edhe GJKKO. Te besueshmëria është edhe efekti Dumani, i cili vërtet e gjeti të kompletuar deri diku, 17 prokurorë të posaçëm, janë 7 laboratore aktualisht, po bëhet godina e re e BKH aktualisht, njëkohësisht po konsolidohet. SPAK ka në vit rreth 700 dosje.
Pra rreth 40-41 çështje për prokuror. Por Prokurori i Juridiksionit të përgjithshëm ka 600 dosje në vit”, u shpreh Karamuço.
Për të kuptuar pak më thellë besimin e qytetarëve te SPAK, Barometri , ka bërë nje profilizim nëpërmjet shifrave dhe të dhënave të grumbulluara në terren, për profilin e atyre që kanë vlerësuar me notat më të larta SPAK-un si institucionin më të besueshëm në vend.
Nga analiza e këtyre të dhënave rezulton se më të rinjtë, shqiptarët e arsimuar, ata me të ardhura më të larta dhe ata qe kanë votuar Partinë Socialiste, janë shumica e shqiptarëve që vlerësojnë SPAK-un si të besueshëm.
Kështu grupmosha 18 -24 vjeç ka më shumë besim tek ky institucion, krahasuar me grupmoshat e tjera duke arritur vlerat e 36 përqind, ndërsa nga 65-75 vjeçarët besojnë vetëm 22.57 përqind.
Nga shqiptarët me arsim të lartë 29.6 përqind kanë besim tek SPAK, krahasuar me ata me arsim të ulët nga të cilët vetëm 19.7 përqind kanë besim te SPAK-u.
Nëse i analizojmë në bazë të të ardhurave, rezulton se ata me të ardhura më të larta kanë përqindjen më të lartë të besimit 30.8 përqind e tyre krahasuar me ata me të ardhura të ulëta 20.3 përqind e të cilëve kanë besim tek SPAK-u.
Nëse i analizon qytetarët e pyetur në bazë të partisë politike që kanë votuar në vitin 2021, rezulton se ata që kanë votuar Partinë Socialiste kanë përqindjen më të lartë të besimit 44.4 përqind, krahasuar me ata që kanë votuar opozitën, nga të cilët vetëm 8.7 përqind kanë shprehur besim te SPAK.
Moti parashikohet të sjellë temperatura të ftohta nga Arktiku drejt Evropës Lindore dhe Qendrore deri të shtunën dhe të dielën, duke u përhapur më në jug në të gjithë Gadishullin Ballkanik në fillim të javës së ardhshme.
Raportohet se një stuhi e fortë dimri do të prekë Greqinë, pas së cilës do të forcohet dhe do të shndërrohet në një stuhi të madhe në Bullgari, Rumani, Moldavi dhe Ukrainë.
Meteorologët parashikojnë që moti i tillë do të jetë edhe ditën e shtunë dhe të diele. Pak borë parashikohet të mbulojë zona nga Sofja në Bukuresht në Odessa dhe Kiev në Ukrainë.
Me rreth 50 centimetra reshje intensive bore të kombinuara me erëra të forta.
Ndërsa temperaturat në perëndim do të mbeten afër normales, një front i ftohtë arktik do të forcohet të dielën dhe të hënën në të gjithë Evropën Lindore, veçanërisht në Gadishullin Ballkanik. Për shkak të frontit Arktik, stuhi dimërore do të formohet mbi Greqinë dhe detin Jon të shtunën.
Pra, fundjava e ftohtë do të sjellë temperatura dukshëm më të ulëta se sa janë regjistruar së fundmi, madje shumë nën normalen e fundit të nëntorit.
Një stuhi dimri po vjen në Ballkan
Stuhia e dimrit do të fillojë të forcohet të shtunën në vendet jugore të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Greqinë dhe Bullgarinë, me reshje të dendura shiu dhe bore. Gjithashtu do të sjellë një masë ajrore dukshëm më të ftohtë në Ballkan.
Dëbora do të jetë e dendur gjatë mbrëmjes së ditës së shtune, ku me reshje më intensive të borës do të ketë në Bullgari. Moti i tillë gradualisht do të përhapet në verilindje të Detit të Zi dhe do të bëhet më intensiv deri në mëngjesin e së dielës.
Presioni qendror parashikohet të arrijë nivelin e ulët të viteve 1960, duke rënë më shumë se 20 mbar në më pak se 24 orë midis Greqisë dhe Moldavisë, përkatësisht Ukrainës jugore. Kjo do të sjellë kushte intensive stuhie në Rumaninë juglindore, në pjesën më të madhe të Moldavisë dhe në Ukrainën jugore.
Kjo stuhi dimërore parashikon një sasi të madhe bore të dendur dhe do të shtrihet nga Bosnja jugore në Maqedoninë veriore, Bullgari, Rumaninë jugore dhe Moldavi deri në gjysmën lindore të Ukrainës.
Një stuhi e re dimërore ka të ngjarë të zhvillohet mbi Beneluks dhe të udhëtojë drejt rajonit alpin nga e hëna në mbrëmje në të martën. Sipas këtyre informacioneve do të ketë më shumë borë dhe do të përfshijë pjesë të Evropës Perëndimore dhe Qendrore dhe Gadishullit Ballkanik.
Me përhapjen e të ftohtit drejt Evropës Perëndimore, ka shumë të ngjarë të vijë bora. Bora pritet të bjerë mbi Francën lindore, Beneluksin dhe Gjermaninë të hënën në mbrëmje, pastaj më tej në lindje-juglindje mbi Alpe drejt Ballkanit të martën, thuhet në njoftim.
Sipas parashikimit, mëngjeset e së mërkurës dhe të enjtes do të jenë mjaft të ftohtë. Mund të ketë edhe temperatura nën -10 gradë Celsius.
Megjithatë, i ftohti më domethënës do të mbetet mbi Skandinavi dhe rajonin e Balltikut. Me temperatura -20 gradë Celsius ose më të ulëta.
Fronti i parë arktik është qartë i dukshëm gjatë fundjavës (25-27 nëntor), i ndjekur nga një ngrohje e përkohshme, por një ri-ftohje e menjëhershme pasi fronti i ftohtë forcohet sërish në mes të javës së ardhshme, pra pas 29 nëntorit.
Kjo periudhë e motit dukshëm më të freskët se normalja do të ulë ndjeshëm temperaturën mesatare mujore të nëntorit për pjesë të Evropës.
Gazetari Ferdinand Dervishi ishte këtë të premte në emisionin “Barometri” për të folur për besueshmërinë e SPAK-ut.
Dervishi tha se SPAK po reflekton shumë besueshmëri dhe kjo vihet re në shoqëri e në opinionin publik.
Madje sipas tij kjo rritje e popullaritetit të SPAK ka bërë xheloz edhe vetë kryeministrin Rama.
“Lexohet në opinion, lexohet në shoqërinë tonë aty ku kemi kontakte, rritje e popullaritetit. Ajo që lexohet ka një rritje mbase të shumëfishtë të popullaritetit, mbase në një kohë të shumë të shkurtër, sa kjo rritje ka bërë xheloz edhe kryeministrin e Shqipërisë duke thënë që SPAK-u është arritja jonë, jo e Amerikës”,-tha Ferdinand Dervishi.