Category: Lajme

  • 3 persona dhunojnë efektivin e policisë në Laprakë

    3 persona dhunojnë efektivin e policisë në Laprakë

    Një efektiv i forcave “Shqiponja” është dhunuar në zonën e Laprakës në Tiranë këtë të diel. Mësohet se patrulla e policisë ka ndaluar një mjet për kontroll dhe identifikim, në brendësi të së cilit kanë qenë 3 persona. Drejtuesi i tij, por edhe 2 pasagjerët nuk i janë bindur urdhrit dhe kanë nisur të debatojnë fillimisht me fjalë duke kundërshtuar.

    Mësohet se mes tyre ka pasur edhe përleshje fizike. Drejtuesi i mjetit që është ndaluar rezulton të jetë punonjës policie në Vlorë, edhe ai i “Shqiponjave”.

    Për shkak të situatës së krijuar dhe kundërshtimit që u ka bërë kolegëve të Tiranës, bashkë me 2 miqtë vlonjatë që e shoqëronin, në ndihmë kanë shkuar edhe 7 patrulla policie, të cilat kanë neutralizuar situatën.

    Efektivi nga Vlora është shoqëruar në Komisariatin nr. 3, i është sekuestruar arma e shërbimit që e kishte me vete në makinë dhe një thikë. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur verifikimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.

  • Kosova në prag luftë, vritet një nga agresoret serb

    Kosova në prag luftë, vritet një nga agresoret serb

    Situata në Veri të vendit, konkretisht në zonën e fshatit Banjska vazhdon të jetë e tensionuar, grupet kriminale kohë pas kohe po sulmojnë me armë zjarri njësitet policore në teren, të cilat edhe përkundër sulmeve ndaj tyre po vazhdojnë angazhimin duke krijuar perimetër të sigurisë, në interes të qetësimit të situatës, ofrimit të sigurisë dhe sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë.

    Sulmuesit profesional në numër të konsiderueshëm, të maskuar e të uniformuar me uniforma të ndryshme, të armatosur me armë të rënda, granata, mjete ushtarake (zolla), disa mjete të blinduara, po shfrytëzojnë hapësira dhe objekte të ndryshme, private, përfshirë në dhe përreth manastirit në Banjska, për të kryer lëvizje, strehim dhe pozicionim për gjuajtje me armë zjarri ndaj njësiteve policore të PK-së.Njësitet policore konform situatës dhe rrezikut të shfaqur nga sulmet sporadike të grupeve kriminale, në vetëmbrojtje të tyre dhe të qytetarëve të asaj zone, janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen grupeve kriminale, ku referuar informacioneve të deritanishme, një nga sulmuesit është vrarë.

    Referuar situatës dhe rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës për shkaqe sigurie ka mbyllur për qarkullim kufitar dy vendkalimet kufitare në veri (Jarinje dhe Bërnjak), andaj fton të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim si dhe të shmangun daljet dhe lëvizjet e tyre në atë rajon/zonë.

    Bashkëpunimi dhe koordinimi i Policisë së Kosovës me institucionet kompetente vendore dhe ndërkombëtare po vazhdon, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së kryerësve të sulmeve të vazhdueshme ndaj zyrtarëve policorë dhe njëherit fton ata që të dorëzohen para organeve të rendit.

    KOMUNIKATË PËR MEDIA

    Në Mitrovicë Veri sulmohen me armë zjarri njësitet policore, ku si pasojë e gjuajtjeve është vrarë një zyrtarë policorë

    Prishtinë, më 24 shtator 2023

    Policia e Kosovës (PK) në vazhdën e realizmit të detyrave dhe autorizimeve të saja kushtetuese dhe ligjore, sipas detyrës zyrtare ka të angazhuara njësi patrulluese në nivel vendi, me qëllim të kryerjes së detyrave policore në interes të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim.

    Gjatë realizimit të detyrave policore, sot rreth orës 02:34 në Mitrovicë Veri, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhet, pasi e njëjta është bllokuar.

    Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveqan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë.

    Njësitet policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.

    Zyrtarët policorë të plagosur janë tërhequr nga lokacioni dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Jugu, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar, sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë dhe të njëjtit janë transportuar në SHSKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

    Të gjitha njësitë policore relevante sipas profileve janë aktivizuar në teren, të njëjtat kohë pas kohe janë duke u sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupe të organizuara dhe të armatosura.

    Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente dhe organet e drejtësisë, po ndërmerr veprimet e saja me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së kryerësve të sulmeve ndaj zyrtarëve policor.

  • Rrëqeth kolegu i policit të vrarë në Veri: Nuk mund ta besoj se sot do të ishte ndarja dhe bisedat e fundit

    Rrëqeth kolegu i policit të vrarë në Veri: Nuk mund ta besoj se sot do të ishte ndarja dhe bisedat e fundit

    Fahri Shala, pjesëtar i Policisë së Kosovës ka treguar se si kanë ndodhur sulmi i sotshëm në veri të Kosovës, ku ishte bashkë me policin që u vra, Afrim Bunjaku.

    Shala përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka reaguar për ngjarjen e tmerrshme. Ai shkruan se ata janë sulmuar në mënyrë tinzare nga kriminelët ndërkohë që ishin duke kryer detyrat zyrtare dhe ligjore.

    Sot në oret e para të mengjesit derisa ishim duke i kryer detyrat zyrtare dhe ligjore së bashku me Rreshterin tim Afrim Bunjaku, nga kriminelet në mënyrë tinzare u sulmuam dhe në këtë rast u vra Rreshteri Afrim Bunjaku.
    Me trishtim të madh dhe zemër të thyer dëshirojmë të përshkruajmë ndjenjat e mia të thella të dhimbjes dhe humbjes për kolegun tonë të nderuar Rreshter Afrim Bunjaku. Ai la pas një ndikim të thellë jo vetëm në jetën tonë profesionale, por edhe në jetën tonë personale.
    Kolegu ynë Rreshter Afrim Bunjaku ishte një njeri i jashtëzakonshëm, me një karakter të fortë dhe një përkushtim të paepur ndaj detyrës së tij. Ai punoi me përkushtim në detyrën zyrtare dhe solli një ndryshim të vërtetë në komunitetin tonë dhe në jetën e të tjerëve.
    Kujtimet me të janë të pafund, nga momentet e gëzueshme të bashkëpunimit profesional deri te kujtimet personale të ndarë me të gjatë rrugës sonë të përbashkët. Ai ishte një mik i vërtetë dhe një koleg i shkëlqyeshëm.
    Vrasja e tij është një humbje e madhe për familjen, kolegët dhe komunitetin në përgjithësi. Ne shprehim solidaritetin tonë me familjen e tij dhe ndjenjat tona më të ngrohta të ngushëllimeve.
    Ne besojmë në drejtësi dhe shpresojmë që ata përgjegjës për këtë akt të tmerrshëm do të gjenden dhe do të përballojnë ligjin. Kujtimi i kolegut tim Rreshter Afrim Bunjaku do të vazhdojë të jetë burim inspirimi për të gjithë ne që ndjejmë përgjegjësinë për të vazhduar detyrën tonë zyrtare me integritet dhe përkushtim.
    Le të kujtojmë dhe të nderojmë gjithmonë kontributin e tij të jashtëzakonshëm në jetën tonë dhe në detyrën tonë zyrtare. Ai do të mungojë shumë dhe kujtimi i tij do të mbetet gjallë përjetësisht në zemrat tona.
    Nuk mund te besoj se sot do te ishte ndarja dhe bisedat e fundit!
    Me respekt dhe dhimbje të thella!

  • Një ditë pas zjarrit! Pamje nga fabrika e djegur e bojërave, ende nuk dihet shkaku

    Një ditë pas zjarrit! Pamje nga fabrika e djegur e bojërave, ende nuk dihet shkaku

    Kjo është pamja e fabrikës së bojërave që u përfshi nga flakët mbrëmjen e djeshme, në autostradën Tiranë-Durrës pranë Maminasit, duke marrë përmasa të mëdha.

    Siç shihet nga pamjet, dëmet janë të mëdha, me pjesë të fabrikës plotësisht të shkrumbuara.

    Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit që ka përfshirë Deutsch Color-in. Sipas prefektit të qarkut Emilian Jani, mbajtja nën monitorim e situatës do të vazhdojë dhe paralelisht me të pritet që hetimet të zbardhin shkaqet e zjarrit që ngriti në këmbë strukturat më të larta të vendit për shkak të rrezikut që paraqiste përhapja e flakëve në një tjetër biznes aty pranë ku ndodheshin sasi të konsiderueshme gazi.

    Dy ekipe zjarrfikësish vazhdojnë të jenë të pranishëm në zonë pasi herë pas here riaktivizohen mbetjet e fabrikës. Gjithashtu në vendngjarje ndodhet edhe policia.

    Natën e kaluar deri në orët e para të mëngjesit 17 mjete zjarrfikëse, mbi 65 efektivë të shërbimit zjarrfikës nga Durrësi, Tirana dhe rrethet e afërta, efektivë të policisë vendore dhe FNSH-së u përfshinë në operacionin për izolimin e flakëve dhe shuarjen e tyre në një terren të vështirë për shkak të materialeve të djegshme të fabrikës e që shoqëroheshin dhe me shpërthime të herëpashershme.

    Top Channel/ Një ditë pas zjarrit! Pamje nga fabrika e djegur e bojërave, ende nuk dihet shkaku

  • Çfarë është “sfida e rrezikshme e deodorantit”, trendi më i fundit i të rinjve në internet!

    Çfarë është “sfida e rrezikshme e deodorantit”, trendi më i fundit i të rinjve në internet!

    Mediat gjermane kanë raportuar për vdekje të adoleshentëve të lidhur me këtë konkurs

    Sfida e rrezikshme e deodorantit” po bën bujë në internet në Gjermani. Ekzistojnë dy versione të sfidës. E para konsiston në thithjen dhe mbajtjen e deodorantit në gojë për sa më gjatë që të jetë e mundur, ndërsa e dyta konsiston në aplikimin e sprejit në lëkurë derisa të digjet plotësisht. Mediat gjermane kanë raportuar për vdekje të adoleshentëve të lidhur me këtë konkurs.

    Versioni i parë

    Thithja e deodorantit është një sfidë veçanërisht e rrezikshme . Në varësi të përbërjes kimike të sprejit, disa përbërës mund të hyjnë në trup në sasi masive dhe të dëmtojnë seriozisht zemrën dhe mushkëritë. Ndër rreziqet më të larta ishin rastet e humbjes së vetëdijes, dështimit të zemrës dhe paralizës së frymëmarrjes.

    Kontakti

    Versioni i dytë i garës është më i dhimbshmi. Të rinjtë lëndohen duke spërkatur deodorant në një zonë të lëkurës derisa dhimbja të mos jetë më e durueshme. Në raste ekstreme temperatura mund të bjerë në minus 30 gradë në pak sekonda, paralajmëroi Bfr (Instituti Federal për Vlerësimin e Riskut).

    Mund të rezultojnë dhimbje dhe dëmtime masive në lëkurë. Për më tepër, spërkatja afatgjatë mund të shkaktojë djegie të ftohta që rezultojnë në nekrozë të lëkurës dhe në rrethana të caktuara mund të jetë i nevojshëm transplantimi i lëkurës.

    Ankesa

    “Dua që asnjë prind tjetër të mos duhet të varrosë fëmijën e tij për të njëjtën arsye”, deklaron nëna e një 15-vjeçari, i cili me gjasë ka ndërruar jetë për shkak të kësaj sfide. Sakaq në janar një tjetër vajzë gjermane kishte vdekur dhe babai i saj kishte bërë një apel për mediat. /Top Albania Radio/

  • Vrasja e policit të Kosovës/ Kryeministri Rama: Këmbana më e madhe e alarmit, të thirret konferencë e jashtëzakonshme paqeje

    Vrasja e policit të Kosovës/ Kryeministri Rama: Këmbana më e madhe e alarmit, të thirret konferencë e jashtëzakonshme paqeje

    Edi Rama: Tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është këmbana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur. Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën shtetëtore të forcave të rendit të Republikës së Kosovës, duhet të dalin përpara drejtësisë.

    Komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit. Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikqyrjen e garancinë e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin.

  • Humbi jetën tragjikisht në krye të detyrës, vjen reagimi nga familja e efektivit të vrarë në Veri të Kosovës

    Humbi jetën tragjikisht në krye të detyrës, vjen reagimi nga familja e efektivit të vrarë në Veri të Kosovës

    Familjarët e policit të vrarë kanë thënë se Afrim Bunjaku është zyrtari policor që është vrarë të dielën në veri të Kosovës.

    Familjarët kanë thënë se Bunjaku ka qenë toger në Policinë e Kosovës. Ai ka qenë nga Samadrexha e Vushtrrisë.

    Reagimi i plotë:

    TË VDESËSH PËR ATDHE ËSHTË SIKUR TË RILINDËSH PËRSËRI.*

    Të nderuar miq, të dashur familjarë,

    Sot, në orët e hershme të mëngjesit erdhi një lajm i kobshëm për familjen tonë Bunjaku nga Samdrexha e Vushtrrisë.

    Familjari jonë *AFRIM BUNJAKU* , Rreshter në policinë e Kosovës është vrarë derisa ndodhej në detyrë, në veriun e Kosovës, në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të venditit gjë të cilën e bëri me nder e krenari deri në frymën e fundit.

    E pikëlluar familja Bunjaku nga Samadrexha e Vushtrrisë.

  • VIDEO/ Vazhdojnë të shtënat në veri të Kosovës

    VIDEO/ Vazhdojnë të shtënat në veri të Kosovës

    Të shtëna me armë po vazhdojnë të dëgjohen në veri të vendit.

    Në një video të siguruar nga Klankosova dëgjohen të shtëna të cilat dyshohet se nuk janë e një kalibri të vogël.

    Kujtojmë se një polic ka mbetur i vrarë në orët e para të mëngjesit në veri të vendit, ku policia tha se janë sulmuar me armë, granata dore e zollë.

  • E pushtuar nga flakët, kush është pronari i “Deutsch Color”: 5 fabrika në 3 kontinente

    E pushtuar nga flakët, kush është pronari i “Deutsch Color”: 5 fabrika në 3 kontinente

    Zjarri i përmasave të mëdha pushtoi mbrëmjen e djeshme fabrikën e bojërave ‘Deutsch Color’ në autostradën Tiranë-Durrës, në Maminas. Fabrika është në pronësi të biznesmenit Luan Muça.

    Fabrika “Deutsch Color” është cilèsuar si më e madhja në Ballkan përsa i përket prodhimit të produkteve kimike të industrisë së ndërtimit.

    Muça e nisi si kompani lokale, kurse sot kompanitë e tij eksportojnë në shumë vende të botes duke faturuar mbi 70 milionë euro në vit. Ai është një nga industrialistët dhe CEO shqiptar i cili ka arritur të realizojë 5 fabrika në 3 kontinente; Europë, Afrikë, Azi.

    Prej 4 vitesh vepron dhe në SHBA, ku është kthyer në një nga distributorët më të mëdhenj për zonën e New York, New Jersey dhe Philadelphia. Në 2012 themeloi fabrikën “Deutsch Color” në Shqipëri e cilësuar si më e madhja në Ballkan përsa i përket prodhimit të produkteve kimike të industrisë së ndërtimit.

  • Vrasja e policit në veri të Kosovës, Kurti viziton efektivin e plagosur në spital, mbledh Këshillin e Sigurisë

    Vrasja e policit në veri të Kosovës, Kurti viziton efektivin e plagosur në spital, mbledh Këshillin e Sigurisë

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka vizituar njërin nga policët që mbeti i plagosur në orët e para të mëngjesit në veri të Kosovës.

    Kurti shprehet se Alban Rashiti, i cili u plagos bashkë me një tjetër ndodhet në Klinikën Kirurgjike të QKUK-së në gjendje të mirë shëndetësore.

    Kreu i qeverisë bëri me dije gjithashtu se nga ora 10:00, do të mblidhet Këshilli i Sigurisë, shkaku i zhvillimeve në veri ku edhe u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

    “Operacioni i heqjes së predhës nga krahërori i majtë i policit Alban Rashiti është kryer me sukses sot në mëngjes. Predha ishte e një granate dore që e hodhën kriminelët e orkestruar nga Serbia në drejtim të policisë së Kosovës gjatë sulmit të tyre terrorist afër urës në Banjskë të Zveçanit.

    Gjatë vizitës në Klinikën Kirurgjike të QKUK-së takova edhe familjen e Albanit e cila erdhi nga Velekinca e Gjilanit. Polici i plagosur Alban Rashiti do të lirohet sot nga spitali.Tani në ora 10:00 kemi mbledhje të Këshillit të Sigurisë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kurti.