Category: Lajme

  • Temperaturat e larta “pushtojnë” botën, ky është vendi që termometri shënon 50 gradë Celsius, ekspertët dalin me paralajmërimin: Vala e të nxehtit në Mesdhe do vazhdojë deri në vitin 2040

    Temperaturat e larta “pushtojnë” botën, ky është vendi që termometri shënon 50 gradë Celsius, ekspertët dalin me paralajmërimin: Vala e të nxehtit në Mesdhe do vazhdojë deri në vitin 2040

    Turqia ka regjistruar temperaturë rekorde prej 49.5 gradësh Celsius, teksa ekspertët kanë paralajmëruar se trendi i valës së të nxehtit në Mesdhe do të vazhdojë deri në vitet 2040. Temperatura rekorde është regjistruar të martën në provincën Eskishehër, ka thënë ministri turk i Ambientit, Mehmet Ozhaseki në rrjetin social X, të njohur më parë si Twitter.

    Sipas tij, rekordi paraprak është regjistruar më 2021, 49.1 gradë Celsius. Shërbimi Kombëtar i Motit ka paralajmëruar të mërkurën se vala e të nxehtit do të vazhdojë t’i rrisë temperaturat normale të sezonit për 11 gradë.

    Arsyeja kryesore mbrapa kësaj vale besohet se qëndron te ndryshimet klimatike, ka thënë Baris Onol, profesor i meteorologjisë në Universitetin Teknik të Stambollit.

    Ndonëse fenomeni El Nino, që aktualisht është aktiv, ndikon në rritje të temperaturave, valët e të nxehtit janë bërë viteve të fundit më të shpeshta dhe më të gjata, ka thënë Onol për agjencinë e lajmeve DPA.

    “Turqia do të jetë më e ekspozuar ndaj temperaturave të larta në 30 deri në 40 vjetët e ardhshëm, sikurse gjithë rajoni i Mesdheut”, ka thënë Onol.

    Ai ka parashikuar që piku i sezonit turistik në të ardhmen do të bartet në shtator dhe tetor. /REL

  • Euro pëson rritje të lehtë, çfarë e ndikoi forcimin e monedhës europiane, ja ç’po ndodh me valutat e tjera

    Euro pëson rritje të lehtë, çfarë e ndikoi forcimin e monedhës europiane, ja ç’po ndodh me valutat e tjera

    Euro po fiton terren në kursin e këmbimit me Lekun gjatë kësaj jave dhe është kthyer sipër nivelit të 105 lekëve për herë të parë që nga fundi i muajit korrik.

    Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye të mërkurën me 105.09 lekë, në rritje me 1.26 lekë që nga fundi i javës së kaluar.

    Forcimi i Euros ka shtyrë në rritje edhe kursin e valutave të tjera. Dollari Amerikan u këmbye sot me 96.2 lekë, në rritje me 1.65 lekë që nga fundi i javës së kaluar.

    Paundi Britanik u këmbye me 122.72 lekë, në rritje me 2.7 lekë që nga fundi i javës së kaluar. Edhe për Paundin, njëlloj si për Euron, bëhet fjalë për vlerën më të lartë që nga data 28 korrik.

    Pas mesazheve të dhëna nga Banka e Shqipërisë në fillim të këtij muaji, kursi i Euros u duk lehtësisht më i stabilizuar, duke qëndruar për disa ditë në nivelet e 103-104 lekëve.

    Ringritja e lehtë e Euros në kursin e këmbimit mund të shpjegohet pjesërisht me zbutjen e elementit sezonal. Të dhënat historike tregojnë se gjatë sezonit veror kursi i Euros e arrin nivelin më të ulët në fillimin e muajit gusht, ndërsa në vazhdim ka një tendencë të lehtë të korrektimit në rritje.

    Në fund të kësaj jave, Banka e Shqipërisë do të zhvillojë ankandin e dytë të blerjes së valutës për muajin gusht. Shuma e parashikuar për tu blerë në raundin e parë është 5 deri në 9 milionë euro, por duke marrë në konsideratë ankandet e mëparshme pritet që, duke përfshirë edhe raundin e dytë të ankandit, blerjet të arrijnë deri në 17-18 milionë euro.

    Përgjithësisht, efekti i ankandeve të Bankës së Shqipërisë është më i ndjeshëm në ditët pararendëse, kur subjektet që marrin pjesë në ankand mund të dalin në pozicion blerjeje.

    Banka e Shqipërisë vendosi këtë muaj që të rrisë blerjet e planifikuara të Euros në tregun e brendshëm valutor në një interval midis 220 milionë euro dhe 300 milionë euro, nga intervali i mëparshëm 160 milionë -220 milionë euro. Ky vendim erdhi si një formë për të tërhequr sasinë e madhe të valutës nga tregu dhe për të frenuar forcimin e mëtejshëm të Lekut.

    Një faktor tjetër që mund të fillojë të ndikojë tregun valutor në vazhdim është edhe importi i energjisë elektrike. Në pjesën e parë të vitit, prodhimi i bollshëm i energjisë në vend nuk krijoi nevojë për të importuar energji elektrike.

    Por, në dy muajt e fundit, rënia e prodhimit ka bërë që Korporata Elektroenergjetike Shqiptare të rifillojë importet e energjisë. Duke marrë në konsideratë se importet prekin vlera të konsiderueshme, ky faktor mund të ketë ndikuar në rritjen e kërkesës për valutë.

  • Foto me barkun zbuluar në xhami, Turqia nis hetim për modelen

    Foto me barkun zbuluar në xhami, Turqia nis hetim për modelen

    Reagime të forta shkaktoi në Turqi seti fotografik i një modeleje, realizuar nën instruksionet e regjisorit Bilal Kisa në xhaminë më të madhe dhe më të rëndësishme të Ankarasë.Ajo që zemëroi turqit ishte veshja e modeles së re, e cila u konsiderua e papërshtatshme për një grua në një xhami.

    Siç shihet në fotot e postuara në Instagram – por më vonë “të hequra” pas reagimit të ashpër – modelja ka veshur një bluzë me mëngë të shkurtër dhe që i ekspozon barkun, një shall të bardhë, teksa pozon në xhaminë e Kocatepe.

    “Këto foto kapin magjinë e të kundërtave në formën e tyre më të pastër”, shkruan regjisori në tekstin që shoqëron fotot.

    Pas publikimit të fotove dhe reagimeve të shkaktuara nga zyra e guvernatorit të Ankarasë, u njoftua një hetim: “Për fotot që duket se janë bërë në xhaminë e Kocatepe në qytetin tonë dhe kanë qarkulluar në rrjetet sociale, ka nisur një hetim gjyqësor dhe administrativ, duke fyer adhurimin për xhaminë”.

    Në një postim të ri në Instagram, regjisori shkruan: Më vjen keq kur shoh që puna që bëra ishte aq larg qëllimit dhe hyri në rrugë të tjera. Edhe pse qëllimi im ishte të thyeja paragjykimet e atyre që nuk e duan xhaminë për të treguar se xhamia është një vend ku të gjithë gjejnë qetësi, jam i shqetësuar që edhe unë dhe familja ime akuzohemi për tradhti. I kërkoj falje kujtdo që kam lënduar apo keqkuptuar”, shkruan regjisori.

  • Aksident i rëndë në Greqi, humbin jetën prindërit, në gjendje të rëndë dy fëmijët

    Aksident i rëndë në Greqi, humbin jetën prindërit, në gjendje të rëndë dy fëmijët

    Një aksident i rëndë ka ndodhur mesditën e kësaj të mërkure në autostradën Selanik-Serron, në Athinë ku burrë e grua kanë humbur jetën.

    Ata po udhëtonin bashkë me dy fëmijët e tyre, të cilët janë plagosur rëndë dhe ndodhen në spital.

    Sipas raportimeve të para, mjeti me targa rumune, është përplasur me një kamion në kilometrin e 18- të të autostradës.

    Si pasojë humbën jetën drejtuesi i makinës dhe bashkëshortja e tij, përkatësisht 45 dhe 48 vjeçe, ndërsa kanë mbetur të plagosur rëndë fëmijët e tyre shtatë dhe dhjetë vjeç .

    Në vendngjarje është bllokuar trafiku, deri në nxjerrjen e viktimave dhe pastrimin e rrugës

  • EMRI/ Qëlloi me armë dhe tentoi ta arratisej, arrestohet 23 vjeçari në Sarandë, çfarë iu gjet në shtëpi

    EMRI/ Qëlloi me armë dhe tentoi ta arratisej, arrestohet 23 vjeçari në Sarandë, çfarë iu gjet në shtëpi

    Një 23-vjeçar është arrestuar në Sarandë, pasi ditën e djeshme ka qëlluar me armën e zjarrit që mbante në makinë.

    Ai tentoi të largohej me shpejtësi pasi braktisi automjetin, teksa pas disa orësh kërkime u gjet arma e zjarrit.

    Gjatë kontrolleve në banesë policia i gjeti atij sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis, një shumë parash dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

    Njoftimi i policisë:

    Sarandë

    Në vijim të veprimeve të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në lagjen nr. 1, Sarandë, ku një 23-vjeçar kreu qitje të pavullnetshme me një armë zjarri pistoletë që e mbante pa leje, ndërkohë që qarkullonte me automjet, ju informojmë se:

    Gjatë kontrollit në zonën në të cilën tentoi të largohej me shpejtësi 23-vjeçari pasi braktisi automjetin, shërbimet e Policisë, pas disa orësh kërkime, bënë të mundur gjetjen e armës së zjarrit pistoletë, të cilën ky shtetas e kishte hedhur mbrapa një pallati, ndëkohë që po ndiqej nga shërbimet e Policisë.

    Ditën e djeshme, 23-vjeçari, Klaudio Qendro shkaktoi panik në publik pasi kreu qitje të pavullnetshme me këtë armë zjarri ndërkohë që po qarkullonte me automjet. Pas ngjarjes, ai braktisi automjetin dhe tentoi të largohej, por u kap pas disa minutash ndjekjeje nga shërbimet e Policisë.

    Në vijim të veprimeve, Policia ushtroi kontroll edhe në banesën e këtij shtetasi, ku u gjetën sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis, një shumë parash dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

    Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin K. Q., 23 vjeç, banues në lagjen nr. 1, Sarandë.

    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Sarandës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

  • Video/ Lumi në Itali shpërthen argjinaturën, mbulon qytetin me ujë e baltë

    Video/ Lumi në Itali shpërthen argjinaturën, mbulon qytetin me ujë e baltë

    BBC ka publikuar një video ku shihet se lumi në një qytet të Italisë ka shpërthyer argjinaturën dhe ka mbuluar vendin me ujë dhe baltë. Në video shfaqen momentet e tmerrit dhe njerëzit që vrapojnë të panikosur pa kuptuar se çfarë po ndodhte.

    Sipas BBC, më shumë se 100 njerëz janë evokuar pasi lumi Merdovine shpërtheu duke mbuluar qytetin e Bardonecchia në baltë të dendur. Përmbytja ka të ngjarë të jetë shkaktuar kur shiu i dendur shkaktoi vërshimin e një përroi malor, duke çuar në një rrëshqitje dheu.

    Nuk kishte të vdekur apo të zhdukur, megjithatë dëmet në qytet ishin të konsiderueshme. Dhe 120 familje kanë mbetur të pastreha.

  • Nëna në Divjakë jep alarmin në polici: Më është zhdukur vajza

    Nëna në Divjakë jep alarmin në polici: Më është zhdukur vajza

    Një grua në Divjakë ka denoncuar në polici zhdukjen e vajzës së saj.

    Mësohet se vajza e sa 18-vjeçare ishte larguar nga banesa më 14 gusht.

    “Në Komisariatin e Policisë Divjakë, ka bërë kallëzim shtetasja S. K., 45 vjeçe, se më datë 14.08.2023, i është larguar nga banesa, vajza e saj 18 vjeçe, dhe nuk është kthyer më. Po punohet për gjetjen e 18-vjeçares.

    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • DETAJE/ Operacioni anti-drogë në Kurbin, droga do të shkëmbehej në detin Adriatik, gomonet u nisën nga Patoku

    DETAJE/ Operacioni anti-drogë në Kurbin, droga do të shkëmbehej në detin Adriatik, gomonet u nisën nga Patoku

    Detaje të reja kanë dalë në dritë nga operacioni ndërkombëtar antidrogë i zhvilluar ditën e djeshme. Operacioni u zhvillua nga policia shqiptare në bashkëpunim me Guardia di Finanza italiane dhe DEA-n amerikane.

    Mësohet se gomonet me drogë ishin nisur rreth orës 19:00 të ditës së djeshme nga Patoku.

    Ndërsa veliera me flamur ukrainas ishte nisur nga Mali i Zi. Droga do të shkëmbehej në detin Adriatik 18 milje nga laguna e Patokut.

    Janë arrestuar 5 persona, 4 prej të cilëve janë shqiptarë ndërsa 2 ukrainas.

    Mes të arrestuarve është edhe ish-shefi i policisë, Arlind Ismailuka.

    Forcat RENEA kanë zbarkuar në disa banesa në Laç për kontrolle. Gjatë operacionit janë sekuestruar sasi droge dhe një shumë parash.

    Sakaq, është ende e papërcaktuar se sa ka qenë sasia e gjetur në velierë pasi kur drejtuesit e këtij mjeti kanë vënë re prezencën e policisë, i kanë vënë flakën. /Albeu.com/

  • Studente që “ARRATlSEN” nga lokalet e natës në Tiranë me babushat me lekë

    Studente që “ARRATlSEN” nga lokalet e natës në Tiranë me babushat me lekë

    Sot, do të shkruaj për jetën e natës në metropolin tonë, Tiranë. Nuk mbahem nga ata persona, të cilët e frekuentojnë shpesh këtë të fundit, por vetëm një natë më mjaftoi për të mësuar se “ç’gatuhet” aty…

    E shtunë, ditëlindja ime… Asnjëherë nuk më ka pëlqyer të festoj ditëlindjet e mia, e aq më tepër të flas për to. Madje, përherë kam pasur bezdi edhe t’i “reklamoj” ato përpara të tjerëve. Më duket një zhurmë e kotë, e panevojshme, por sot rrjetet sociale të nxjerrin zbuluar.

    Edhe po ta harrosh, të rikujtojnë ata një javë më para, jo vetëm ty, por edhe qindra miqve të tu interaktivë dhe ti nuk ke se ç’bën… Atëherë do të duhet t’i mbledhësh diku, do të mundohesh t’i argëtosh, t’i qerasësh me më të mirat… Ashtu bëra…

    Bashkë me dy miqtë e mi më të mirë, u mblodhëm në një bar–lounge të qytetit, menduam të kalonim disa orë të mira me njëri-tjetrin. Rroftë sebepi që na mblodhi! U rehatuam në një tavolinë atypari… Secili prej nesh i kishte sistemuar mirë punët e ditës dhe tanimë ishim të tre të lirë të argëtoheshim dhe të rrëkëllenim ndonjë gotë alk ool.

    Bar-i është i thjeshtë në dukje…, jo shumë modern, por i këndshëm… Po afronte mesnata… ambienti është mbushur plot, dritat e kanë humbur shkëlqimin e fortë dhe vezullues dhe atmosfera është bërë më e ngrohtë!

    Ne jemi aty, tre miqtë e përhershëm e të kudondodhur bashkë. Tavolinës tonë i bashkohet edhe PR-i i bar-it në fjalë. Ai ishte mik i njërit prej miqve të mi. Një djalë i ri, shtatgjatë dhe gazmor. Vjen drejt nesh… afrohet, më uron me përzemërsi dhe bëhet pjesë e bisedave dhe diskutimeve tona pikante.

    Tashmë ka kaluar mesnata… pasi i kemi kthyer gotat e para të alkoolit, bisedat sa po vijnë e po bëhen pa “dorashka”, të paturpëta… Djaloshi i ri miqësohet mirë me ne, siç duket i kish ngjitur biseda dhe ato orë po i shijonte… Na tregon pak për mbarëvajtjen e bar-it, si funksiononin gjërat aty… Ne, të tre veshëngritur dëgjonim me kureshtje…

    Të katërt ne kishim ardhur në qejf, pija kish bërë të sajën… ora 02:00 pas mesnate…

    “Tani është orari tipik i qerosave me kapele dhe me BMW”- më thotë me një ngërdheshje nën dhëmbë djaloshi. Nuk e kuptova, ku do të dilte, por me të kthyer sytë nga pjesa e jashtme e bar-it, shoh disa makina të mira, luksoze që ta bënin me sy. Nga ato mjete moderne zbresin disa burra rreth moshës 30-40 vjeç. Të veshur mirë, të krekosur, të palestruar ata zënë vendin në lokal. Është një vend i tillë, që lehtësisht bie në sy… Pasi lënë aromën e tyre të fortë të parfumit të shtrenjtë.

    “Këta janë të përhershmit”- na tregon djali i ri, tanimë me një pamje serioze në fytyrë. Iu hedh një vështrim të përciptë… sipërfaqësor… nuk më ngjallin ndonjë kuriozitet të veçantë… Fill pas disa minutash hyjnë edhe ca djem të rinj, të cilët i bashkohen tavolinës.

    Porosisin pije të shtrenjta, vendin përherë e kanë të rezervuar… Ata janë VIP-at e mbrëmjes. Pas pak pjesë e bar-it do të bëhen edhe disa zonjusha… Përpëlis sytë me habi… diçka po kuptoj, ose ashtu mendoj… Muzika sapo vjen po bëhet edhe më e lartë, ajo po ma vështirëson shumë punën e “dekriptimit” të bisedës…

    Përpiqem të lexoj me mundim mimikën e buzëve të bashkëbiseduesit përpara meje. Një skenë e paturp po zhvillohej aty, përpara syve të mi. Ishte kaq mirë e qëndisur, e kamufluar deri në detajin më të vogël. Dhe të mendoje që këto veprime po bëheshin në një mënyrë aq të thjeshtë… E harrova fare arsyen pse kisha ardhur në atë bar-club–lounge, quajeni si të doni… Doja të shihja, të mësoja më shumë…

    Tre femra të bukura, që binin shumë lehtë në sy i bashkohen atij ambjenti. Dukeshin të ishin mike me njëra-tjetrën. Mund të ishin tek të njëzetat apo më shumë. Afrohen drejt nesh, përshëndesin djaloshin, na përshëndesin edhe ne, ulen në një tavolinë më poshtë dhe fillojnë të flasin, të bisedojnë, të ngacmohen, të qeshin me njëra-tjetrën…

    Dy miqtë e mi iu ngulin sytë ngultazi, pak gotat që kishin kthyer, pak këto zonjusha të ëmbla ua kishin turbulluar arsyetimin edhe gjykimin… Unë shihja me imtësi çdo lëvizje… Nuk ishin të rëndomta, ashtu siç i percepton ndonjëherë mendja e ftohtë maskiliste e jona. Jo, përkundrazi, ishin shumë tërheqëse… të bukura…

    Këmbehen disa vështrime me tavolinën e meshkujve përballë, diçka flasin, diçka shohin… ata iu ofrojnë pije, i qerasin… ato pranojnë… diçka po kurdiset… ata kuptohen me njëri-tjetrin edhe pa folur… Çuditem! Shkëmbejnë një komunikim të shkurtër, qëndrojnë me njëri-tjetrin dhe duket sikur kanë kimi mes tyre… qeshin, hargalisen…

    Kaq mjafton dhe ikin… zhduken, “avullojnë brenda minutit” nga lokali.

    Ai e merr me makinën luksoze dhe e shpie s’di se ku… Kaq ishte njohja… këto janë njohjet, lidhjet e kohëve moderne brenda një bari aq të zakonshëm. Kjo rutinë përsëritët përherë, po të jesh një frekuentues i rregullt, por për mua që vija për herë të parë kjo më tro nditi.

    Sa naiv që isha, i shkreti unë… po mos të ishte ai djalosh që na shpjegoi çdo gjë, unë s’do kisha kuptuar një hiç. Unë një djalë ende me kokën mes reve, i mësuar me rutinën shtëpi-punë, punë-shtëpi, papritur aty po zbuloja një realitet të ri… po, po një realitet që po ndodhte aty, përpara meje. Nuk po e besoja dot, ose më mirë nuk doja ta besoja, sesi këto gjëra ndodhin në një mënyrë sa të hapur aq edhe të fshehur, sa legjitimë, aq edhe të ndaluar në atë bar natë për natë.

    Djaloshi më sqaronte se kjo punë bëhej në çdo club të njohur të qytetit. Ky ishte kthyer në një stil jetese, në një stil nate. Mbeta i shtangur!

    E mora kaq shumë neveri këtë vend, që po më rrethonte. Një inat i brendshëm më rrëmbeu aty për aty. Po e shihja me nervozizëm gjithë atë falsitet, argëtim, nën maskat e kamufluara të mbijetesës. Ato vajza të bukura ishin studente, të ardhura nga rrethinat e Shqipërisë, jetonin në një shtëpi me qera dhe studionin këtu në Tiranë.

    Ky ishte stili i tyre i jetesës. Nuk doja të paragjykoja, por kur i mendoja me ata burra 40-vjeçarë, kokërruar, një inat më kaplonte rrëmbimthi. Një inat me gjithë njerëzit që ishin aty… mora inat qytetin, këtë katrahurë të madhe marrëdhëniesh kontraktuale, i cili na ka tjetërsuar. E përçmova këtë sistem, i cili na ka mësuar çmimin e çdo gjëje, por vlerën e asgjëje. Nuk arrija dot ta imagjinoja, sesi këto çupëza të njoma ditën ishin ëngjëj dhe pas orës 12 të mesnatës shndërroheshin në dj aj.

    Të gjithë e pësonin këtë transformim aty… Vendi ua diktonte… normat e pashkruara, të patreguara, qartas të dakordësuara. Marrëdhënie kontraktuale në punë, marrëdhënie kontraktuale në dashuri, marrëdhënie kontraktuakle në sek.s, marrëdhënie kontraktuale në miqësi.

    Fillova të u.rreja këtë shoqëri, e cila me pafytyrësinë e një “ç’më duhet mua”, e një “nuk është puna ime” apo e një “le të bëjnë ç’të duan”, legjitimon në heshtje çdo veprim, madje e miraton atë, nuk flet për të dhe vjen një ditë, padashje e harron atë… Nesër një ditë e re do agoi dhe mbase gjërat do të vazhdojnë sërisht të njëjtën rrjedhë. Edhe unë nuk bëra ndonjë gjë të madhe: vetëm pashë, vrojtova dhe u “hëngra veten me dhëmbë nga inati”, por të paktën sot vendosa të shkruaja për të.

    Bëra atë çka di të bëj më mirë… të dëftej, të rrëfej për gjërat që mbase nuk kam fuqi dot t’i ndryshoj…

    Nga Kujtim Xhaja

  • Mbolli kanabis në mes të pyllit , arrestohet i riu (EMRI)

    Mbolli kanabis në mes të pyllit , arrestohet i riu (EMRI)

    Policia e Matit ka finalizuar fazën e 4 të operacionit të koduar “Kreshta të pastra”. U asgjësuan 260 bimë narkotike kanabis sativa që u gjetën të kultivuara në një zonë të pyllëzuar në fshatin Madhesh.

    Gjithashtu u arrestua në flagrancë shtetasi Besar Simoni, i cili u kap duke ruajtur parcelën dhe dyshohet si kultivues i lëndës narkotike.

    Ndërkohë operacioni vijon dhe materialet procedueriale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridikisionit të Përgjithshëm Dibër.

    Policia vendore informon se ‘shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, bazuar në inteligjencë informative dhe si rezultat i zbatimit të planit operacional të koduar “Kreshta të pastra”, për kontrollin e imtësishëm dhe të pandërprerë të territorit me qëllim parandalimin dhe goditjen e tentativave për të kultivuar bimë narkotike, kanë konstatuar të kultivuara në një zonë të pyllëzuar të fshatit Madhesh, njësia administrative Ulëz, 260 bimë narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.

    Si rezultat i monitorimit të zonës me dron dhe rrethimit të parcelës me punonjës policie u kap duke ruajtur parcelën shtetasi B.S., 26 vjeç, banues në Mirditë, autori i dyshuar i kultivimit të këtyre bimëve, i cili u arrestuar në flagrancë për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”.

    Operacioni policor antikanabis i koduar “Kreshta të pastra”, vijon.

    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.’