Category: Lajme

  • E rëndë në Himarë, polici 28 vjeç ndërhyn të ndajë sherrin, goditet me thikë! FNSH vihet në ndjekje të autorit

    E rëndë në Himarë, polici 28 vjeç ndërhyn të ndajë sherrin, goditet me thikë! FNSH vihet në ndjekje të autorit

    Një punonjës policie është goditur me thikë pasi ka ndërhyrë për të ndaluar një konflikt fizik mes disa personave në fshatin Pilur të Himarës.

    Ngjarja është shënuar rreth orës 23:00 të 15 gushtit 2023, tek kthesa e fshatit.

    Në momentin që po ndodhte konflikti, punonjësi i policisë Redin Caushaj, 28 vjeç, me detyrë inspektor i Policisë së zonës Lukovë, jashtë orarit të shërbimit ishte duke kaluar në rrugë dhe kur ka parë personat që po konfliktoheshin ka ndërhyrë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.

    Gjatë përpjekjes për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, njëri prej tyre, shtetasi Thodhori Mërkuri 60 vjeç, nga fshati Pilur, e ka goditur me mjet prerës thikë dhe për pasojë punonjësi i policisë ka mbetur i plagosur rëndë. Gjendja e tij shëndetësore raportohet se është stabilizuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por me dëmtime.

    Shtetasi Thodhori Mërkuri pasi ka goditur punonjësin e policisë është larguar menjëherë duke përfituar nga errësira. Në ndjekje të tij janë vënë shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, grupe të FNSH dhe të forcave operacionale të DVP Vlorë.

    Ndërkohë është ngritur grupi hetimor dhe vijon punën për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.

  • U përplas me Jet Ski në plazhin e Llamanit, ndërron jetë te Trauma 16-vjeçari

    U përplas me Jet Ski në plazhin e Llamanit, ndërron jetë te Trauma 16-vjeçari

    Ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës 16-vjeçari i cili u përplas me Jet ski në plazhin e Llamanit ditën e djeshme.

    I mituri me inicialet K.XH., u soll me helikopter në Tiranë, por nuk mundi t’i mbijetojë plagëve, dhe ndërroi jetë rreth mesnate.

    Si ndodhi ngjarja

    Fillimisht policia njoftoi se dy të mitur, 16 dhe 17 vjeç ishin plagosur pasi ishin hedhur nga një shkëmb në det.

    Por disa orë më vonë u mësua se dy Jet Ski ishin përplasur me njëri-tjetrin në det të hapur.

    Njëri prej Jet Ski-ve drejtohej nga 16-vjeçari K.Xh, i cili ndërroi jetë në spitalin e Traumës.

    Sipas policisë, 16-vjeçari nga Tirana dhe shoku i tij, 17 vjeç po nga tirana, së bashku me dy shokë të tjerë janë futur në det me dy mjete lundruese Jet Ski.

    Gjatë manovrave, dyshohet se aksidentalisht dy mjetet lundruese janë përplasur me njëra – tjetrën dhe për pasojë u dëmtua rëndë K.Xh që ishte drejtuesi i njërit mjet Jet Ski dhe pasagjeri, shtetasi D. K.

    Policia ka nisur procedimin penal për shtetasin R. P., 56 vjeç, pronari i mjeteve lundruese Jet Ski, për veprën penale “Shkelja e rregullave teknike në punë”.

    Gjithashtu, operatorit turistik me administrator shtetasin R. P., nga ana e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë i janë bllokuar menjëherë të gjitha mjetet lundruese Jet Ski.

    Për arsye sigurie i është bërë pezullimi i aktivitetit me mjetet lundruese.

  • Përplasja e të miturve me shkëmbin, Klodiana Lala zbardh detaje nga ngjarja tragjike: Morën goditje të rënda, njëri prej të lënduarve dërgohet drejt…

    Përplasja e të miturve me shkëmbin, Klodiana Lala zbardh detaje nga ngjarja tragjike: Morën goditje të rënda, njëri prej të lënduarve dërgohet drejt…

    Detaje të reja nga plagosja e dy adoleshentëve në Himarë, njëri prej të cilëve ndodhet në gjendje të rëndë.

    Gazetarja Klodiana Lala raportoi se dy adoleshentët kanë pësuar plagë të rënda nga përplasja e dy jet skive.

    Policia ka marrë dëshmitë e personave të pranishëm pranë vendit ku ndodhi ngjarja që kanë zbardhur edhe detaje.
    Njëri prej të lënduarëve është transferuar me helikopter drejt Tiranës.

    Ndërkohë kujtojmë se policia në njoftimin zyrtar deklaroi se 2 pushuesit ishin dëmtuar pasi ishin hedhur nga një shkëmb në det.

    “Në Llaman, shtetasit D. K. dhe K. Xh., janë afruar te disa shkëmbinj dhe pasi kanë zbritur nga mjeti lundrues Jet Ski, kanë hipur në shkëmbinj, për t’u hedhur në det.
    Shtetasi K. Xh., 16 vjeç, banues në Tiranë, kur është hedhur në det, ka pësuar dëmtime të rënda në fytyrë dhe në kokë, për shkak se ka rënë afër shkëmbit. Në këtë moment është hedhur në det edhe shoku i tij, shtetasi D. K., 17 vjeç, banues në Tiranë, për ta ndihmuar, por nuk ka mundur dot sepse është dëmtuar edhe ai vetë.
    Shtetasi D. K. ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa shtetasi K. Xh. po transportohet me helikopter në drejtim të Tiranës, për ndihmë mjekësore më të specializuar.
    Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë vendore dhe ato të Policisë Kufitare, si dhe grupi hetimor, me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia.

    Ndërkohë, është shoqëruar në Komisariat dhe po merret në pyetje pronari i mjeteve lundruese, shtetasi R. P.

  • Shpërthen bidoni me benzinë brenda skafit në Himarë, plagosen 4 turistë nga Kosova! Mes tyre edhe drejtuesi i mjetit

    Shpërthen bidoni me benzinë brenda skafit në Himarë, plagosen 4 turistë nga Kosova! Mes tyre edhe drejtuesi i mjetit

    Katër pushues nga Kosova janë plagosur si pasojë e një shpërthimi me benzinë që ka ndodhur në mjetin lundrues në Himarë.

    Mësohet se mjeti lundrues ‘Skaf’ si pasojë e vakumit dhe nxehtësisë ka shpërthyer një bidon me 28 litra benzinë, ku për pasojë janë lënduar lehta shtetasit A. K., 24 vjeç, A. H., 24 vjeç, L. S. 24 vjeç dhe M. K., 21 vjeçe, të katërt nga Kosova, si dhe drejtuesi i skafit, shtetasi N. L., 32 vjeç.

    Të plagosurit kanë marrë dëmtime të lehta dhe pas mjekimit në spital janë larguar.

    Njoftimi i policisë:

    Dhërmi, Himarë/Informacion paraprak

    Rreth orës 17:30, në zonën e Drimadhës, Himarë, në një mjet lundrues skaf në pronësi të një kompanie turistike, që sapo kishte dalë në det nga korridori ujor i miratuar, dyshohet se si pasojë e vakumit dhe nxehtësisë, ka shpërthyer një bidon me 28 litra benzinë.

    Nga sprucimi i benzinës kanë pësuar djegie të lehta shtetasit A. K., 24 vjeç, A. H., 24 vjeç, L. S. 24 vjeç dhe M. K., 21 vjeçe, të katërt nga Kosova, si dhe drejtuesi i skafit, shtetasi N. L., 32 vjeç, banues në Vlorë.

    Të pestë këta shtetas kanë marrë ndihmën e parë mjekësore dhe më pas janë larguar pasi dëmtimet ishin të lehta.

    Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të shkakut të përfshirjes nga zjarri, të mjetit turistik.

  • Plagosja e të miturve në Himarë: U përplasën me JetSki në mes të detit

    Plagosja e të miturve në Himarë: U përplasën me JetSki në mes të detit

    Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me plagosjen e dy të miturve pasditen e sotme në plazhin e Llamanit, në Himarë.

    Mësohet se të miturit me iniciale K. Xh., 16 vjeç dhe D. K., 17 vjeç janë plagosur nga përplasja e JetSki-ve me të cilat ishin duke shëtitur në det.

    Njëri prej tyre është plagosur rëndë dhe është nisur me helikopter drejt spitalit të Traumës.

    Ndërkohë rikujtojmë se policia në njoftimin e saj tha se të miturit ishin plagosur si pasojë e hedhjes me kokë nga shkëmbinjtë e plazhit.

    Njoftimi i policisë:

    Në Llaman, shtetasit D. K. dhe K. Xh., janë afruar te disa shkëmbinj dhe pasi kanë zbritur nga mjeti lundrues Jet Ski, kanë hipur në shkëmbinj, për t’u hedhur në det.

    Shtetasi K. Xh., 16 vjeç, banues në Tiranë, kur është hedhur në det, ka pësuar dëmtime të rënda në fytyrë dhe në kokë, për shkak se ka rënë afër shkëmbit. Në këtë moment është hedhur në det edhe shoku i tij, shtetasi D. K., 17 vjeç, banues në Tiranë, për ta ndihmuar, por nuk ka mundur dot sepse është dëmtuar edhe ai vetë.

    Shtetasi D. K. ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa shtetasi K. Xh. po transportohet me helikopter në drejtim të Tiranës, për ndihmë mjekësore më të specializuar.

  • Stuhi dhe rebeshe të papara shiu në Bulqizë. Përmbyten disa nga rrugët e qytetit (FOTO)

    Stuhi dhe rebeshe të papara shiu në Bulqizë. Përmbyten disa nga rrugët e qytetit (FOTO)

    Reshje të dendura shiu dhe breshëri kanë përfshirë qytetin e Bulqizës pasditen e sotme, duke shkaktuar bllokim dhe përmbytje të rrugëve.

    Shiu i rrëmbyeshëm i shoqëruar me erë të fortë krijoi probleme në lëvizjen e qytetarëve, të cilët u gjendën të papërgatitur. Shkak i vërshimit të ujit mësohet se është bërë bllokimi i pusetave të shkarkimit të ujërave të bardha. Ndërkohë problematike ka qenë dhe rruga e Arbrit mes dy lagjeve të Bulqizës, e cila u përmbyt nga sasia e madhe e ujit që mblidhej që nga Qafa e Buallit.

    Bllokomi i rragës shkaktoi vështirësi në qarkullimin e automjeteve drejt Peshkopisë dhe lagjes së vjetër të qytetit të Bulqizës.

  • Si lidhet pesha e trupit me dhimbjet e gjurit

    Si lidhet pesha e trupit me dhimbjet e gjurit

    Gjunjët janë nyjet më të mëdha, më të forta të trupit. Ato mbajnë 80% të peshës trupore kur qëndroni në këmbë dhe 150% ose më shumë kur ecni. Për çdo kg peshë trupore më pak, stresi në gju reduktohet me 2.2 kg.

    Si ndikon pesha në gjunjë?

    Më shumë peshë ngarkon më shumë nyjet dhe kërcin që mbron skajet e kockave tuaja. Yndyra e tepërt trupore gjithashtu ndonjëherë rrit kimikatet në gjak duke inflamuar nyjet.

    Të dyja këto mund të çojnë në osteoartrit (OA). Në këtë gjendje kërci i lëmuar dhe i rrëshqitshëm që mbulon skajet e kockave në një nyje zhduket ngadalë. Në vend që të rrëshqasin mbi njëra-tjetrën, kockat tuaja fërkohen me njëra-tjetrën.

    Simptomat si dhimbja, ënjtja, ngurtësimi dhe humbja e lëvizjes shpesh përkeqësohen me kalimin e kohës.

    Çfarë ndihmon?

    – Mbajtja e një peshe të shëndetshme

    Humbja e peshës mund të ndihmojë vërtet gjunjët tuaj. Hiqni 10 kg peshë nga trupi juaj dhe do të hiqni deri në 40 kg forcë të ushtruar mbi ta.

    Nuk është vetëm pesha. Më pak qeliza yndyrore mund të nënkuptojnë më pak hormone për të inflamuar gjunjët dhe nyjet e tjera. Bisedoni me mjekun tuaj për indeksin tuaj ideal të masës trupore, një masë e yndyrës trupore bazuar në gjatësinë dhe peshën.

    – Dieta

    Ushqimi i shëndetshëm zvogëlon inflamacionin që ndonjëherë shkakton dhimbje të kyçeve. Në veçanti rekomandohen ushqimet e pasura me acide yndyrore omega-3 (peshqit yndyrorë si salmoni, toni, skumbri, dhe harenga) së bashku me arrat, domatet, vajin e ullirit, perimet me gjethe jeshile, mishi i pulës pa lëkurë pa harruar frutat e freskëta dhe drithërat si bollgur, oriz kaf ose bukë me drithëra të plota.

    – Aktiviteti i rregullt fizik

    Është një ide e mirë të përpiqeni të përzieni llojet e ushtrimeve tuaja:

    – Ushtrimet aerobike, ecja, noti, mund të zvogëlojnë inflamacionin dhe të rrisin qëndrueshmërinë tuaj.

    – Ushtrimet rezistente forcojnë dhe stabilizojnë muskujt rreth nyjës së gjurit.

    – Shtrirja e muskujve dhe indit lidhës rreth gjurit ndihmon në rritjen e diapazonit tuaj të lëvizjes, ose distancën që mund të lëvizni një nyje.

  • U kap në Tiranë me 11 mijë pilula ekstazi, përjashtohet nga Vetëvendosje anëtari i Këshillit Bashkiak të Prishtinës

    U kap në Tiranë me 11 mijë pilula ekstazi, përjashtohet nga Vetëvendosje anëtari i Këshillit Bashkiak të Prishtinës

    Lëvizja Vetëvendosje, partia më e madhe në Kosovë, e ka përjashtuar të martën nga partia Besnik Mujecin, i cili është arrestuar në Shqipëri nën dyshimet për shpërndarje droge.

    Mujeci, 40-vjeçar është asamblist i Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

    Të martën, autoritetet shqiptare kanë thënë se Mujeci është në mesin e pesë të arrestuarve, të cilët dyshohen se kanë shpërndarë drogë të llojit ekstazi në lokalet e e natës në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, pasi kanë trafikuar lëndë narkotike nga Kosova në Shqipëri.

    Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka thënë pas përjashtimit të Mujecit se njerëz të tillë “nuk kanë vend në Lëvizje”.

    “Komisioni Disiplinor mori vendim për përjashtimin e Besnik Mujecit nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Veprimet për të cilat është arrestuar Besnik Mujeci janë krime të rënda dhe institucionet e drejtësisë duhet ta marrin dënimin e merituar!”, ka thënë ajo përmes një postimi në Facebook.

    Sipas autoriteteve të Shqipërisë, vlera e drogës me të cilën janë kapur të dyshuarit shkon në 400 mijë euro.

    Të arrestuarit e tjerë janë Mithat Ramadani 30 vjeç, banor i Prishtinës, si dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe dhe Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banorë të Tiranës.

    Të dyshuarit janë kapur me një dërgesë me lëndë të dyshuar narkotike prej 11.300 tabletave ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kilogramë. /REL

  • Trondit gazetarja: Vajza politikanësh e biznesmenësh janë abuzuar seksualisht pas konsumit të ekstazisë

    Trondit gazetarja: Vajza politikanësh e biznesmenësh janë abuzuar seksualisht pas konsumit të ekstazisë

    Shkruan Aida Topalli

    Cannabis sattiva, apo siç njihet tradicionalisht, hashashi, kokaina, heroina dhe çdo drogë tjetër, tashmë po shndërrohen në një mit.
    Herë pas here jemi përpjekur të paralajmërojmë shpërthimin e një lloji të ri droge, ajo sintetike. Ndër të parët që folëm publikisht, kur sapo kishte nisur të kthehej në trend.

    Treguam efektet dhe pasojat. Dhe më e rënda, se si grupmoshat e reja u nisën me vrull ta provonin, e më pas të ktheheshin në përdorues të rregullt.
    Janë të vështira për t’u dalluar. Ngjajnë me produkte farmaceutike. Por janë të dëmshme shumë herë më shumë sesa drogërat e tjera, të njohura botërisht, si tradicionale.

    Qindra vajza të reja, kanë rënë pre e kësaj droge, duke humbur vetëdijen e duke u kthyer kështu në objekt seksi për grabitqarët seksualë. Mes tyre edhe vajza politikanësh, biznesmenësh e njerëzish të drjtesisë. Histori që flenë në familjet e gjithësecilit, por asnjëherë nuk kanë përfunduar në dyert e policisë. Për një arsye të thjeshtë, ruajtja e nderit dhe moralit.

    Por kjo mbajtje në fshehtësi, ka bërë që shumë vajza të tjera të mos kenë dijeni dhe të bien pre e këtyre sulmeve, që mund të konsiderohen nga më të frikshmet, për shkak se nuk mban mend asgjë çfarë ka ndodhur.

    Janë me dhjetëra video që qarkullojnë, filmuar nga grabitqarët seksualë, të vajzave të reja, nën efektin e drogërave sintetike, të cilat kanë përfunduar në inbox-et e baballarëve dhe vëllezërve, si forma shantazhi, herë për të marrë para në këmbim, e herë për të përfituar të tjera gjëra.

    Madje, një nga videot e bëra, në të cilën abuzohet me vajzën e një punonjësi të drejtësisë, gjithçka është bërë vetëm për ego.

    Operacioni i finalizuar një ditë më parë nga seksioni kundër Narkotikëve në DVP Tiranë, nuk duhet parë kaq cekët.

    Në gamën e gjerë të analizës, kemi të bëjmë me shpërbërjen e një grupi që më duart e tyre, furnizonin të rinjtë me një substancë që të humbet vetëdijen dhe kontrollin. Pas konsumimit je i aftë të bësh gjithçka, dhe në fund nuk mund të mbash mend asgjë. Duke rënduaar kështu psikozën rinore.

    Duke ngritur skuta të errëta, që nuk ndriçohen kurrë në memorie.

    Pa shtuar këtu edhe varësinë që krijojnë. Njëmbëdhjetë mijë kokrra ekstazi, është njëlloj si të shpëtosh të paktën 5 mijë të rinj nga përdorimi.

    Ndoshta nuk është folur mjaftueshëm për efektet kaq negative dhe pasojat kaq të rënda të kësaj droge, dominuese e shekullit të ri. Kjo sepse herë-herë është si një thikë me dy presa, ti jep inforacion për pasojat, por kureshtarët tentojnë të shuajnë kureshtjen dhe të provojnë këto efekte në trupin e tyre.

    Asnjë instancë nuk është e aftë që ta ndalojë njëherë e mirë shpërndarjen dhe konsumimin. Për një arsye të thjeshtë, sepse gjithçka nis nga personalja. Jemi ne ata që vensdosim nëse do ta konsumojmë apo jo.

    Dhe nëse vendoset të konsumohet, atëherë do të përdoret çdo mënyrë për ta gjetur. Sado grupe të shkatërrohen, të tjerë do të ngrihen e përhapen. Andaj, në kësisoj rastesh, lufta është me veten… mes të rinjve…

  • Difekt në avion, rrezikohet ministrja e jashtme! Ndërpret me urgjencë udhëtimi

    Difekt në avion, rrezikohet ministrja e jashtme! Ndërpret me urgjencë udhëtimi

    Disa avari të njëpasnjëshme në avion detyruan ministren e jashtme gjermane, Annalena Baernock të ndërpriste udhëtimin për në Australi, Zelandën e Re dhe ishujt Fitxhi.

    Pas një ndalese në Abi Dhabi dështoi edhe tentativa e dytë e vazhdimit të udhëtimit.

    “Ne verifikuam, dhe planifikuam të vazhdonim turin por në fund, për fat të keq, nuk qe e mundur të avanconim me opsionet në dispozicion për udhëtimin në Indo-Paqësor pas daljes nga funksioni të avionit qeveritar”, u shpreh një zëdhënës i ministrisë.

    Politikania e gjelbër mendoi se mund ta vazhdonte rrugëtimin me avion linje normale drejt Sidneit nga Abu Dhabi ku po qëndronte për shkak të defektit, por një zgjidhje e tillë nuk u konsiderua praktike, thanë pjesëtarë të delegacionit.

    Avioni qeveritar ka mbetur për momentin në tokë në Abu Dhabi. Ka pasur edhe më parë raste të përsëritura të avarive me këta avionë, të cilat kanë shkaktuar reagime të forta në Gjermani.

    Në një udhëtim po të kryediplomates, Baerbock në vendet e Gjirit Persik në maj, për shkak të problemeve teknike, avioni Airbus nuk mundi të ngrihej në ajër dhe asaj iu desh ta zgjaste udhëtimin në Katar me një ditë.