Category: Lajme

  • Këmbimi valutor, 3 prill/ Me sa blihen e shiten dollari dhe euro, çfarë ndodh me monedhat e tjera

    Këmbimi valutor, 3 prill/ Me sa blihen e shiten dollari dhe euro, çfarë ndodh me monedhat e tjera

    Në tregun e këmbimit valutor shqiptar të ditës së sotme, një dollar do të blihet me 90.4 lekë dhe do shitet me 91.7 lekë.

    Ndërkohë monedha evropiane euro do blihet me 98.7 lekë dhe do shitet me 99.5 lekë.

    Franga zvicerane sot në tregun shqiptar do blihet me 102.8 lekë dhe do shitet me 103.8 lekë.

    Ndërsa paundi britanik do blihet me 117.6 lekë dhe do shitet me 118.7 lekë.

  • “Katër muaj të tmerrshme”, i biri iu vra nga bashkëmoshatari, nëna e Martin Canit: Nuk ishte aksidentale, por me plan

    “Katër muaj të tmerrshme”, i biri iu vra nga bashkëmoshatari, nëna e Martin Canit: Nuk ishte aksidentale, por me plan

    Nëna e të ndjerit Martin Cani ishte e ftuar sot në emisionin “Top Story” ku foli për katër muajt e tmerrshëm që ka kaluar që nga humbja e djalit të saj.

    Mamaje e Martinit, Florinda tha se atë e vret akoma fakti që djali i saj u vra me plan dhe nuk ishte diçka aksidentale. Nëna e Martinit insistoi duke thënë se djalin nuk ja vrau TikToku apo mediat e tjera sociale, por kontrolli i dobët mbi fëmijët. Ajo gjithashtu tha se i bën përshtypje që Luisit, djali tjetër që u plagos gjatë ngjarjes, nuk i merren parasysh fjalët.

    Pjesë nga intervista

    Jemi në kohë të trazuara për fëmijët. Martini im ka shkuar vetëm me duart e veta atje ndërsa ata kanë shkuar me plan aty sepse ishin me thika dhe kjo më vret dy herë mua. Po të ishte një aksident fëmijësh siç mendova në fillim do më zbutej pak zemra, po fakti që Martini im u vra me planifikim më vret shumë . Mua nuk ma vrau TikToku Martinin sepse është rrjet social si Instagrami dhe shumë rrjete të tjera, djalin ma vranë me plan.

    Po bëhen 4 muaj që nga ngjarja dhe shteti nuk bën pothuajse asgjë për ne, 4 muaj tmerr. Çështja ka kaluar në gjykim. Kemi një avokat familjar dhe marr pjesë në çdo seancë deri sa të fitoj drejtësi për Martinin i cili iku i pafajshëm. Unë kam dhe Luisin që e kam rritur bashkë me Martinin, ne një tryezë. Ai u plagos gjatë ngjarjes dhe ai e ka thënë qartë që kanë qenë dy veta. Tani mua më bën përshtypje mua se pse nuk e besojnë Luisin sepse edhe ai aty ishte.

  • Trump shpall tarifa të reja globale! Shqipëria dhe Kosova përfshihet me vlerën bazë prej 10%, Serbia dhe Bosnja mbi 30 %

    Trump shpall tarifa të reja globale! Shqipëria dhe Kosova përfshihet me vlerën bazë prej 10%, Serbia dhe Bosnja mbi 30 %

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi të mërkurën se SHBA-ja do të vendosë një tarifë bazë prej 10 për qind për importet nga të gjitha vendet e botës, përfshirë nga Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

    Ai njoftoi gjithashtu për tarifa më të larta për dhjetëra vende që kanë suficit tregtar me Shtetet e Bashkuara, duke rritur rrezikun për një luftë tregtare dhe rritje të inflacionit.

    Ndaj mallrave të importuara nga Kosova është vendosur tarifë prej 10 për qind, ndaj atyre nga Shqipëria 10 për qind, Serbia 37 për qind, Bosnia e Hercegovina 35 për qind, dhe Maqedonia e Veriut 33 për qind.

    Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se ndaj importeve nga Kina do vendoset tarifë prej 34 për qind, ndaj atyre nga Bashkimi Evropian 20 për qind, Korea e Jugut 25 për qind dhe Japonia 24 për qind.

    Zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë u thanë gazetarëve se tarifa bazë prej 10% do të hyjë në fuqi më 5 prill, ndërsa tarifat reciproke do të hyjnë në fuqi pas një jave, më 9 prill.

    Trumpi shpalli emergjencë ekonomike kombëtare për t’i zbatuar tarifat, të cilat pritet të prodhojnë qindra miliarda dollarë të ardhura vjetore.

    Ai ka premtuar se vendet e punës në fabrika do të kthehen në Shtetet e Bashkuara si rrjedhojë e këtyre tarifave, por politikat e tij rrezikojnë ngadalësim të papritur ekonomik pasi konsumatorët dhe bizneset mund të përballen me rritje të mëdha të çmimeve për automjetet, rrobat dhe mallra të tjera.

    “Taksapaguesit janë grabitur për më shumë se 50 vjet”, tha Trump gjatë fjalimit në Shtëpinë e Bardhë.

    “Por, kjo nuk do të ndodhë më”.

    Çka janë tarifat që i paralajmëron Trump?
    Tarifat janë taksa që u ngarkohen mallrave të importuara nga vende të tjera.

    Ato shihen si një mjet për të mbrojtur industrinë vendase nga konkurrenca e huaj.

    Rritja e çmimit të mallrave të importuara synon t’i inkurajojë konsumatorët që të blejnë produkte më të lira vendase dhe në këtë mënyrë të ndihmojnë në rritjen e ekonomisë së tyre.

    Sipas agjencisë së statistikave të BE-së, Eurostat, rreth 20 vende anëtare të BE-së kanë eksportuar më shumë se importuar nga SHBA-ja në vitin 2023.

    Organizatat ekonomike në Kosovë thonë se nga viti 2019, ka nisur rritja e eksporteve të përgjithshme të Kosovës në SHBA.

    Këtë e tregojnë edhe të dhënat e Doganës së Kosovës, sipas të cilave, vlera e tyre në vitin 2019 ishte tre milionë euro, ndërsa tre vjet më vonë arriti në mbi 131 milionë (2022).

    Produktet që i eksporton Kosova në SHBA, përfshijnë: ushqime, lëngje, tekstil, dyshekë, por dhe prodhime nga druri dhe plastika.

    Vendosja e tarifave ishte një nga premtimet kryesore të Trumpit gjatë fushatës së tij.

    Më herët, Trumpi vendosi tarifa të ngjashme prej 25% mbi importet e automjeteve; tarifa kundër Kinës, Kanadasë dhe Meksikës; si dhe zgjerimin e penaliteteve tregtare mbi çelikun dhe aluminin.

    Trump gjithashtu ka vendosur tarifa ndaj vendeve që importojnë naftë nga Venezuela dhe planifikon taksa të veçanta mbi importet e barnave farmaceutike, drurit, bakrit dhe çipave kompjuterikë.

    A do ta përshkallëzojnë tarifat e Trumpit luftën tregtare globale?
    Tarifat e Trumpit tashmë janë përballur me masa hakmarrëse, dhe njoftimi së mërkurës mund ta ndezë më tej një luftë tregtare globale.

    Si Kanadaja, ashtu edhe Kina kanë vendosur tarifa hakmarrëse mbi një sërë produktesh amerikane, ndërsa BE-ja ka deklaruar se do të vendosë një tarifë prej 50% mbi uiskin amerikan dhe mallra të tjera.

    Blloku prej 27 vendesh ka kërcënuar gjithashtu, por ende nuk ka zbatuar, një tarifë prej 25% mbi të gjitha importet nga SHBA-ja.

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha të martën se Brukseli ka një “plan të fuqishëm” për t’iu kundërpërgjigjur tarifave të reja amerikane.

    Tensionet tregtare midis Pekinit dhe Uashingtonit, të cilat kanë shkëmbyer tarifa që nga shkurti, pritet të përshkallëzohen edhe më tej pas njoftimit të Trumpit të mërkurën.

    Megjithatë, presidenti amerikan ka lënë të hapur mundësinë e uljes së tarifave mbi mallrat kineze për të arritur një marrëveshje me kompaninë kineze të TikTok, ByteDance, ndërsa afrohet afati i 5 prillit për shitjen e aplikacionit.

    Sipas ligjit amerikan, ByteDance duhej të shiste pronësinë e TikTok deri më 19 janar ose të përballej me ndalimin e tij. Megjithatë, Trump i dha një afat shtesë prej 75 ditësh./REL

  • Loredana publikon momentet e veçanta të bashkëshortit me vajzën e saj dhe të Mozzik! Karim Adeyemi shfaqet me Hanën

    Loredana publikon momentet e veçanta të bashkëshortit me vajzën e saj dhe të Mozzik! Karim Adeyemi shfaqet me Hanën

    Reperja shqiptare, Loredana, ka ndarë me ndjekësit e saj një moment të ëmbël familjar të partnerit dhe vajzës së saj.

    Ajo ka publikuar një foto ku ka kapur një çast të veçantë mes bashkëshortit të saj, futbollistit të njohur Karim Adeyemi, dhe vajzës së saj, Hanës, e cila erdhi në jetë nga romanca e saj me reperin Mozzik.

    Loredana gjithmonë është treguar e kujdesshme për të ruajtur harmoni mes partnerit dhe vajzës së saj, për të siguruar që ata të kenë një raport të ngushtë.

  • Nëna e Martin Canit: Jemi takuar me familjen e autorit, por nuk na kanë kërkuar falje

    Nëna e Martin Canit: Jemi takuar me familjen e autorit, por nuk na kanë kërkuar falje

    Nëna e Martin Canit që u vra nga bashkëmoshatari i tij në afërsi të shkollës, ka rrëfyer për Top Story sesi po e përballojnë këtë humbje që fjalë për t’u përshkruar nuk ka.

    Ajo tha se kërkon drejtësi dhe nuk kërkon hakmarrje. Florinda u shpreh se me familjen e djalit të akuzuarit për vrasjen e Martinit janë takuar në sallën e gjyqit, por as aty nuk e kanë pasur një kërkim falje.

    “Ka shkuar deri këtu sepse ata nuk u treguan njerëzor dhe të thonin vetëm një falje. Ne jemi takuar në sallën e gjyqit, dhe as aty nuk kanë kërkuar falje. Kjo më bën edhe mua të tregohem e ashpër, nëse ata do tregoheshin njerëzor edhe unë mund ta zbusja zemrën. Unë kërkoj drejtësi”, tha ajo.

    “Edhe Luisin e ka lënë për të vdekur, se ka katër thika në trup se ia kam parë…”, tha ajo.

    “Të fortë nuk më mban hakmarrja, do t’ia le drejtësisë, ai ta marrë ndëshkimin. Jo vetëm për fëmijën tim, por të vihet një ligj se nuk e dimë ku po shkojmë”, shtoi Florina.

    “Henri e ka kuptuar çfarë ka ndodhur, ka filluar të jetë pak më mirë. Unë dhe bashkëshorti mbështesim njeri-tjetrin”, u shpreh nëna e Martinit.

  • Çadrat me vete! Ulen temperaturat, parashikimi i motit për sot

    Çadrat me vete! Ulen temperaturat, parashikimi i motit për sot

    Territori Shqiptar do të mbetet nën ndikimin e masave ajrore të paqëndrueshme duke sjellë alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta në pjesën më të madhe të vendit, më të theksuara në skajin Jugor.

    Parashikohet që orët e pasdites dhe në vijim; të shtojnë vranësirat duke gjeneruar shira në pothuajse të gjithë territorin e vendit KU në zonat Juglindore priten edhe rrebeshe ndërsa vja bregdetare do të paraqitet me alternime kthjellimesh dhe vranësirash, por pa reshje.

    Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje në vlerat minimale, por ulen lehtë maksimumet duke u luhatur nga 4°C vlera minimale e shënuar në qytetin e Ersekës deri në 22°C vlera më e lartë e cila pritet në qarkun e Durrësit dhe Fierit.

  • Gruaja e djeg burrin me ujë të nxehtë pasi e rrahu bashkë me djalin e tyre

    Gruaja e djeg burrin me ujë të nxehtë pasi e rrahu bashkë me djalin e tyre

    Një rast i rëndë i dhunës në familje ka ndodhur të martën në fshatin Drejë të Istogut, ku dy persona, babë e bir, kanë sulmuar fizikisht bashkëshorten/nënën dhe vajzën/motrën e tyre. Sherri dyshohet se plasi pas një konflikti verbal dhe eskaloi në orët e mbrëmjes.

    Rasti u denoncua nga gruaja, e cila e raportoi burrin dhe djalin e tyre dhe kërkoi ndihmën e Policisë.

    Siç merr vesh Sinjali, dy të dyshuarit fillimisht e kanë rrahur gruan/nënën, duke e goditur me grushte dhe për pasojë i kanë shkaktuar lëndime trupore. E më pas, vajza ka ndërhyrë për t’i ndalur, por e pësoi edhe ajo.

    Bazuar në informacionet e para, në vetëmbrojtje, gruaja e ka marrë një ibrik me ujë të nxehtë dhe ia ka hedhur burrit të saj, duke i shkaktuar djegie trupore.

    Posa Policia intervenoi, personat e lënduar fillimisht morën trajtim mjekësor në Emergjencë, e më pas u intervistuan nga hetuesit policorë.

    Me rastin e kontrollit policor, është gjetur një armë ilegale gjuetie, që i përkiste burrit të dyshuar dhe që është konfiskuar.

    Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti, ndërsa burri i dyshuar është ndaluar për 48 orë, kurse djali i tij është liruar.

  • Kush i “mori” dosjet e SPAK? Habit Lala: Hakerimi vinte nga një zyrë në kullat kryesore të …

    Kush i “mori” dosjet e SPAK? Habit Lala: Hakerimi vinte nga një zyrë në kullat kryesore të …

    Teksa e cilësoi situatën më mafioze të ndodhur në këtë institucion, gazetarja Klodiana Lala dha ca detaje më shumë sa i takon publikimit të disa dosjeve të SPAK.

    Në studion e “Opinion”, ajo tha se ka dyshime të forta për hakerim, duke shtuar se është ndërhyrë në kompjuterët e 3 prokurorëve.

    “Është ndërhyrë në kompjuterin e prokurores Enkeleda Millonai, e cila kohët e fundit për arsye shëndetësore ka pasur momente që nuk është paraqitur në punë, në këtë moment është dhënë sinjali.

    Ka dyshime të forta për hakerim. Është ndërhyrë! Është parë që është ndërhyrë në 3 kompjutera, të Millonait, prokurores Elida Kaçkini dhe prokurorit Behar Dibra.”

    Sipas Lalës, është tentuar të hakerohej edhe kompjuteri i drejtuesit të Strukturës së Posaçme AntiKorrupsion Altin Dumani.
    “Është tentuar të hakerohet kompjuteri i kreut të Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani. Nuk është hakeruar dot, është vendosur të fiket gjithë sistemi, që të mos merreshin të dhëna të tjera.“

    Gazetarja shtoi se përmes gjurmimit të celularëve është zbuluar se në kryeqytet ekziston një zyrë hakerimi.

    “Prokurorët përmes gjurmimit të celularëve kanë arrestuar në Kamzë Zambak Gjonin dhe më pas Arnold Rrokajn. Përmes gjurmimi të celularëve, ata kanë arritur të kuptojnë që hakerimi vinte nga një zyrë që ishtë në një nga kullat kryesore të Tiranës. Zyrë hakerimi! Ka dyshime që ka pasur edhe bashkëpunëtorë nga brenda. Kanë arritur përmes gjurmimit të celularëve, se kanë ndodhur brenda 24 orëve, kanë arritur të arrestojnë 2 personat. Janë ndaluar në flagrancë, u janë kapur celularët dhe u janë gjetur pajisje që përdoren për përgjim e hakerim. Dy janë sfidat kryesore, së pari kanë dalë të dhënat e një politikani, biznesmeni dhe një gruaje në administratë”, tha ajo.

    “SPAK ka bërë një inventar, ka pasur mbledhje urgjente me prokurorët. Ka një dyshim tjetër, që përveçse do përdoreshin për shantazh në prag fushate, po shihet mos ka pasur edhe ndërhyrje se janë PDF”, përfundoi Lala.

  • Vaksinat COVID-19 kanë shkaktuar probleme biologjike në trupin e njeriut, çfarë zbuluan shkencëtarët e Yale

    Vaksinat COVID-19 kanë shkaktuar probleme biologjike në trupin e njeriut, çfarë zbuluan shkencëtarët e Yale

    Ekspertët e Universitetit Yale kanë identifikuar një gjendje shqetësuese të lidhur me vaksinat mRNA kundër COVID-19 – e cila, sipas tyre, është treguar se ndikon në biologjinë e trupit tuaj.

    “Sindroma pas vaksinimit” është një sëmundje e mëparshme e paidentifikuar, që duket se shkakton intolerancë ndaj ushtrimeve fizike ose lodhje, tringëllimë në veshë (tinnitus), marramendje dhe mjegullim të trurit, ndër simptoma të tjera.

    Vite pas marrjes së injeksionit fillestar dhe dozave përforcuese, pacientët mund të shfaqin gjithashtu ndryshime të dukshme biologjike – si ndryshime në qelizat imune dhe prania e proteinave të koronavirusit në gjakun e tyre.

    “Nga mostrat e gjakut të pjesëmarrësve, studiuesit kërkuan veçori imune që ndryshonin midis dy grupeve. Ata zbuluan disa dallime në popullatat e qelizave imune; ata me PVS kishin nivele më të ulëta të qelizave efektore CD4+ T dhe nivele më të larta të TNF-alpha+ CD8 T, të dyja lloje të qelizave të bardha të gjakut – ndër dallime të tjera,” sipas platformës së lajmeve të Yale.

    “Kjo ishte befasuese, të gjenim proteinën spike në qarkullim në një pikë kaq të vonë,” shtoi Dr. Akiko Iwasaki. “Nuk e dimë nëse niveli i proteinës spike po shkakton simptomat kronike, sepse kishte pjesëmarrës të tjerë me PVS që nuk kishin asnjë nivel të matshëm të kësaj proteine. Por mund të jetë një mekanizëm që qëndron pas kësaj sindrome.”

    Për më tepër, kjo gjendje duket se riaktivizon virusin Epstein-Barr, i cili mund të shkaktojë simptoma të ngjashme me gripin, probleme nervore dhe ënjtje të nyjeve limfatike.

    Megjithatë, shkencëtarët e Yale janë përpjekur të qetësojnë shqetësimet e publikut, duke theksuar se gjetjet “janë ende në zhvillim” dhe rezultatet përfundimtare të studimit nuk janë publikuar ende. Sipas ekspertëve të pavarur, rezultatet e universitetit të njohur tregojnë se kërkimet mbi sindromën pas vaksinimit janë të nevojshme.

    Hapi tjetër i studimit do të jetë identifikimi i atyre që janë më të rrezikuar dhe përcaktimi i përhapjes së kësaj sëmundjeje.

    Që nga futja e vaksinave mRNA kundër COVID-19, mijëra njerëz kanë raportuar se kanë pësuar dëmtime serioze nga injeksionet.

    “Kjo punë është ende në fazat e saj të hershme dhe kemi nevojë të verifikojmë këto gjetje,” tha imunologia e Universitetit Yale dhe autore e studimit, Dr. Akiko Iwasaki.

    “Por kjo na jep shpresë se mund të gjejmë diçka që mund të përdorim për diagnostikimin dhe trajtimin e PVS në të ardhmen.”

    Ndërmjet dhjetorit 2022 dhe nëntorit 2023, ekipi i Iwasakit mori mostra gjaku nga të paktën 42 individë me sindromën pas vaksinimit (PVS) dhe 22 individë pa të, në kuadër të këtij studimi të ri, i cili ende nuk është shqyrtuar nga kolegë shkencorë.

    “Sipas analizave të sistemeve imune të pacientëve, ata me PVS kishin përqindje të ndryshme të disa qelizave imune. Nuk është e qartë se çfarë kuptimi kanë këto ndryshime, pasi studiuesit nuk mund t’i lidhnin ato me simptoma të veçanta,” raportoi Daily Mail.

    Shkencëtarët analizuan gjithashtu 134 persona “të shëndetshëm” të vaksinuar dhe 134 individë me “long COVID”, pasi simptomat e PVS ngjasojnë me këtë gjendje.

    Megjithatë, në mars të vitit të kaluar, studiuesit mjekësorë në Queensland Health të Australisë pohuan se termi “long COVID” duhej të hidhej poshtë dhe të mos merrej seriozisht. Ata argumentuan se simptomat e atyre që kanë raportuar se janë prekur për të paktën një vit nuk ndryshonin nga simptomat e një virusi të zakonshëm, si gripi.

    Ndërkohë, në lidhje me studimin e fundit të Yale për vaksinat kundër COVID-19, virusi Epstein-Barr u riaktivizua si tek pacientët me PVS ashtu edhe tek ata që kishin simptoma të “long COVID”.

    Epstein-Barr është një infeksion që transmetohet përmes lëngjeve trupore si pështyma apo sperma, dhe më shumë se 90% e të rriturve mendohet se e kanë kaluar atë në një moment të jetës së tyre. Virusi qëndron në trup edhe pas zhdukjes së simptomave si ethet, skuqjet dhe lodhja – por mund të riaktivizohet kur sistemi imunitar dobësohet.

    Për më tepër, nivelet e proteinës spike të COVID-19 ishin shumë më të larta tek pacientët me PVS. Disa nga simptomat afatgjata mendohet se shkaktohen nga këto proteina që vazhdojnë të qarkullojnë në trup, duke e mbajtur atë në një gjendje inflamatore.

    “Kjo ishte befasuese, të gjenim proteinën spike në qarkullim në një fazë kaq të vonshme… Nuk e dimë nëse niveli i saj po shkakton simptomat kronike, sepse kishte edhe pacientë me PVS që nuk kishin fare proteinë spike të matshme… Por mund të jetë një nga mekanizmat që fshihet pas kësaj sindrome.”

    Për më tepër, Dr. Harlan Krumholz, një nga autorët kryesorë të studimit, dhe Harold H. Hines, profesor i mjekësisë në Yale, komentuan mbi këtë zbulim shqetësues në një deklaratë të përbashkët:

    “Përgjegjësia jonë si shkencëtarë dhe mjekë është të dëgjojmë përvojat e pacientëve, të hetojmë në mënyrë rigoroze shkaqet dhe të kërkojmë mënyra për t’i ndihmuar ata,” thanë ata.

    Përveç kësaj, Faqja Kombëtare e Bibliotekës së Mjekësisë, e cila drejtohet nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë (NIH), ka raportuar disa të dhëna shqetësuese mbi miokarditin – një inflamacion i muskulit të zemrës – dhe lidhjen e tij me vaksinat mRNA kundër COVID-19.

    “Sipas të dhënave të raportuara në VAERS (Sistemi i Raportimit të Ngjarjeve të Dëmshme të Vaksinave), numri i rasteve të miokarditit pas vaksinimit kundër COVID-19 në vitin 2021 ishte 223 herë më i lartë se mesatarja e të gjitha vaksinave të kombinuara gjatë 30 viteve të fundit.

    Kjo përfaqëson një rritje prej 2500% të numrit absolut të raporteve në vitin e parë të fushatës së vaksinimit, krahasuar me vlerat historike para vitit 2021.

    Të dhënat demografike treguan se miokarditi ndodhte më shpesh tek të rinjtë (50%) dhe meshkujt (69%).

    Në total, 76% e rasteve përfunduan në kujdes urgjent ose shtrimin në spital. Nga të gjitha rastet e raportuara të miokarditit, 92 individë humbën jetën (3%).

    Miokarditi ishte më i zakonshëm pas dozës së dytë të vaksinës (p < 0.00001), dhe personat nën moshën 30 vjeç kishin më shumë gjasa ta zhvillonin atë në krahasim me ata mbi 30 vjeç (p < 0.00001).”/Daily Mail

  • Si u hakeruan kompjuterat e tre prokurorëve të SPAK: Ja kush kush i vodhi dosjet e bujshme

    Si u hakeruan kompjuterat e tre prokurorëve të SPAK: Ja kush kush i vodhi dosjet e bujshme

    Portali WebLajm raporton se disa javë më parë, pas mesnate, sistemi i alarmit në SPAK u aktivizua. Oficerët e BKH-së morën një sinjal telefonik që tregonte se dikush kishte hyrë në mënyrë të paautorizuar në rrjetin e tyre.

    Sipas WebLajm.com, ndër kompjuterët ku Arnold Rrokaj – i arrestuar për këtë ngjarje – kishte akses, ishin edhe ato të prokurorëve Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini.

    Këta tre hetues po punojnë mbi dosje të rëndësishme që përfshijnë raste nga krimi i organizuar deri te zyrtarët e dyshuar për korrupsion.

    Menjëherë pas sinjalit të alarmit, agjentët e BKH-së dhe stafi i Teknologjisë së Informacionit u paraqitën në punë atë mesnatë. Nga hetimet rezultoi se autor i këtij veprimi ishte Arnold Rrokaj, i cili i kishte shpërndarë materialet e marra te Zambak Gjonaj ish zyrtar i burgut Vlorë dhe më pas te shokët dhe të njohurit e tij.

    Portali WebLajm raporton më tej se disa nga këto materiale kanë përfunduar në celularin e ish-kreut të burgjeve, Agim Ismaili, si dhe te Dritan Palnikaj, aktualisht sekretar në Ministrinë e Arsimit.

    Palnikaj u pyet disa ditë më parë nga SPAK, ndërsa telefoni i tij u kontrollua nga hetuesit.

    Ndër materialet e vjedhura nga email-et e prokurorëve ndodhen edhe ato që lidhen me zyrtarë të hetuar, çështjen e inceneratorëve dhe krimin e organizuar. Falë ndërhyrjes në kohë, u parandalua aksesimi nga Rrokaj i rrjetit të laboratorit sekret dhe kompjuterëve të drejtuesve të SPAK.

    Ky skandal dhe ndërhyrje e paautorizuar është ende duke u hetuar. Ndërsa disa materiale rezultojnë të kenë përfunduar edhe tek telefona politikanësh./WebLajm