Në vend ka më shumë se 3-4 javë që kemi një tendencë në rritje të rasteve
Virusi Covid-19 është rikthyer në vendin tonë, teksa rastet sa vinë e shtohen.
Ekspertët e ISHP deklarojnë se deri më tani predominojnë moshat e mëdha, të cilët po infektohen më lehtë. Në gjykimin e tyre situata është normale, pasi covid konsiderohet një virus me qarkullim gjithëvjetor.
Drejtoresha e ISHP, Eugena Tomini thotë se në vend ka më shumë se 3-4 javë që kemi një tendencë në rritje, duke arritur në 290 raste në javë Laboratori i sëmundjeve emergjente Virale, pranë ISHP në mostrat e marra përgjatë 2 muajve të fundit ka mundur të izolojë dhe nënvariantet e reja në qarkullim.
“ISHP në kuadër të diagnozave për nivelin e lartë të sekuensimit, ka evidentuar brenda familjes së omicron, nën variante të tij, kp3, kp2, kp1 dhe jn1. Këto nënvariante kanë influencuar në rritjen e numrit të rasteve dhe shfaqjen e kësaj vale verore të Covid-19.” –thotë drejtoresha e ISHP.
Përgjatë kësaj periudhe nuk kanë munguar as shtrimet në spital si pasojë e prekjes nga Covid-19. Shumica e tyre janë të moshuar apo persona që kanë sëmundje të tjera bashkëshoqëruese.