Category: Politikë

  • Sali Berisha në arrest shtëpie, Basha reagon për herë të parë: S’më vjen mirë që të përfundojë këtu, por duhet ta lëmë të shkuarën! Drejtësia të bëjë punën

    Sali Berisha në arrest shtëpie, Basha reagon për herë të parë: S’më vjen mirë që të përfundojë këtu, por duhet ta lëmë të shkuarën! Drejtësia të bëjë punën

    Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për herë të parë në lidhjen me arrestimin e Sali Berishës, i cili prej 30 dhjetorit ndodhet në arrest shtëpie.

    Basha tha se në aspektin personal i vjen shumë keq që një njeri me të cilin ka bashkëpunuar të përfundojë këtu, por nga ana tjetër tha se PD dhe opozita duhet të ecin përpara duke lënë pas të shkuarën.

    Kreu i PD inkurajoi drejtësinë që të bëjë punën e vet pa u penguar politikisht. Ai theksoi se të gjithë politikanët duhet të jenë në dispozicion të drejtësisë.

    “Kam dy reagime, njëri është në rrafshin personal tjetri në rrafshin politik. Në rrafshin personal nuk më vjen mirë, më vjen keq që një njeri që kam bashkëpunuar, një njëri që ka dhënë kontributet e veta të përfundojë këtu. Çfarë kam pasur për ti thënë ja kam thënë. Por në fund secili bën zgjedhjen e vet në jetë dhe duhet të marrë përgjegjësinë për zgjedhjen që ka bërë.

    Kjo është njëra anë e kostos, që sjellja e tij i solli të gjithëve. Kjo është kosto që i ka dhënë familjes së tij, por edhe një kosto PD dhe vendit.

    Nga ana tjetër është e domosdoshme që PD të ecë përpara, ta lënë të shkuarën pas dhe të ecin përpara. Jo të shkelin mbi të shkuarën, as të mohojnë, por të ecin përpara dhe përgjigja zyrtare është që në çdo rast qëndrimi i PD është që drejtësia të bëjë punën e saj të papenguar dhe çdo politikan, duke filluar nga unë i parë duhet të jemi në dispozicion të drejtësisë pa asnjë kufizim. Për këtë kam çuar në Parlament heqjen e imunitetit”, tha Basha.

  • “Tornado” ndryshimesh në qeveri/ Rama krijon një tjetër Ministri

    “Tornado” ndryshimesh në qeveri/ Rama krijon një tjetër Ministri

    Kryeministri Edi Rama ka njoftuar përmes një postimi në rrjetin social X krjimin e një ministrie të re të qeverisë, e cila do të mbikëqyrë çështjet për Administratën dhe Antikorrupsionin.

    Rama i ka propozuar Presidentit Bajram Begaj emrin e Adea Pirdeni, e cila ka shërbyer si zëvendës ministre e Drejtësisë deri më sot.

    “Në këtë fazë të re zhvillimi të vendit dhe në kushtet kur Shqipëria po punon për kapitujt e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian, pasi sapo ka hedhur me sukses hapin e parë të tyre, kërkohet një qasje e re ndaj administratës publike, për të rritur krahas pagave konkuruese dhe cilësinë e burimeve tona njerëzore, duke adresuar të gjitha hallkat e procesit të funksionimit të saj, nga rekrutimi deri tek promovimi i nëpunësve; duke rishikuar me një sy më kërkues e me ekspertizë më të konsoliduar organizimin e institucioneve, strukturat e funksionet e tyre, proceset e punës e të ndërveprimit mes tyre; duke krijuar kushte më të mira e mekanizma të qëndrueshëm për motivimin e për trainimin e trupës sonë të Shërbimit Civil dhe me radhë…

    Po ashtu është e udhës që politikat antikorrupsion të qeverisë të harmonizohen më mirë mes institucioneve të ekzekutivit, me ekzigjencat e procesit sfidues të negociatave me BE për të gjitha institucionet e vendit, si edhe me vetë shoqërinë civile e sipërmarrjen.

    Për ta nxitur këtë qasje të re dhe adresuar sfidat e mësipërme, do t’i dërgoj Presidentit të Republikës propozimin për miratimin e një tjetër anëtari të ri të kabinetit qeveritar, si Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Këtë detyrë do ta kryejë zonja Adea Pirdeni, e cila ka kryer tre vjetët e fundit rolin e zv.ministres së drejtësisë dhe ka spikatur me lidershipin e me profesionalizmin e saj në rolin e zv.kryenegociatores me Bashkimin Europian, si edhe në mbulimin e kapitullit madhor të Gjyqësorit e të Drejtave Themelore,” shkruan Rama.

  • ‘Ushqehemi shumë shtrenjtë, shuuumë shtrenjtë’ Erion Brace tregon arsyet

    ‘Ushqehemi shumë shtrenjtë, shuuumë shtrenjtë’ Erion Brace tregon arsyet

    Deputeti socialit, Erion Braçe ka reaguar pas raportit të INSTAT të publikuar ditën e djeshme, në të cilën thuhej se çmimet e ushqimeve mbetën sërish të larta edhe për muajin dhjetor 2023.

    Ndërkohë që në tregjet ndërkombëtare çmimet e ushqimeve kanë rënë, këtu nuk janë reflektuar në masën e duhur. Ushqimi po na kushton më shtrenjtë se çdo gjë tjetër, duke përmendur zarzavatet, frutat, bulmetin, mishin e peshkun.

    E reflekton dhe raporti i fundit të INSTAT për inflacionin, ku evidentohet se çmimet gjatë vitit të kaluar janë rritur me 4.7% krahasuar me vitin 2022. Ndikimin më të madh në rritjen e çmimeve edhe në muajin dhjetor e kanë dhënë ushqimet, të cilat janë shtrenjtuar me 9.4% përgjatë vitit 2023.

    “Ushqehemi shume shtrenjtë, shuuuumë shtrenjtë” ngre zërin deputeti socialit, Erion Braçe përmes një video postimi në facebook.Në një analizë të tij Braçe vë theksin tek domosdoshmëria e lirisë së tregut i cili tani ndodhet i monopolizuar në disa duar dhe subvencionimi i prodhimit të bujqërve.

    “Patjetër ne kemi problem me prodhimin e brendshëm. Veçanërisht në degën e blegtorisë aty ku është bulmeti dhe mishi i cili gjithashtu është shtrenjtuar, për shkak të ndryshimeve klimatike kemi marrë goditje tek prodhimi i patates, por edhe të një pjese të frutave. Kjo është evidente, duhet të ndërhyjmë, duhet të përshtatemi dhe natyrisht të paguajmë, të subvencionojmë prodhimin e bujqërve.

    Edhe ajo që po na vjen nga importi si ushqime, siç vura re qartë, gjatë dhjetorit po vjen e shtrenjtë dhe e bën ushqimin tonë edhe më të shtrenjtë. Ndërkohë ka një problem.

    Ndërkohë që në tregjet ndërkombëtare çmimet e ushqimeve kanë rënë, këtu nuk janë reflektuar në masën e duhur, duhet të keni parasysh faktin se importet vijnë edhe më të lira duke goditur edhe prodhimin tonë sepse vijnë në kushte mizerabël cilësie dhe natyrisht edhe në prag të skadencës.Ajo që e bën diferencën është mosfunsionimi i tregut dhe mungesa e konkurencës në të.

    Dy vite më parë kur u ngritën ato bordet e famshme, kjo u bë evidente gjithçka që kisha thënë dhe e kishim thënë doli në dritë të diellit që vetë struktura shtetërore i bën tregjet të produkteve ushqimore. Po sot?! Asgjë nuk ka ndryshuar, përveç faktit që nuk ka më borde që bëjnë analizën e çmimeve. Na duhet liri në treg përndryshe do të vazhdojmë të ushqehemi shumë shumë shtrenjtë” thotë Braçe

    Ndërsa videon e shoqëron dhe me mesazhin ku argumenton pse ushqimi na kushton më shumë se çdo gjë tjetër?

    “Ushqehemi shume shtrenjtë, shuuuumë shtrenjtë INSTAT tha dje se ne dhjetor, çmimet e ushqimeve u rriten me 2.38%; por ne krahasim me një vit me pare-2022, çmimet e ushqimeve u rriten me 6.7%,

    Zarzavatet më shtrenjtë, frutat me shtrenjtë, bulmeti më shtrenjtë, mishi e peshku me shtrenjtë! Ushqimi na kushton më shumë se çdo gjë tjetër! Pse?”

    Së pari, kemi problem evident me prodhimin e brendshëm, si oferte, si prodhim-ndikuar nga kushtet klimatike dhe rendimentet e cenuara, si kosto doemos; por edhe si përjashtim nga tregu për shkak të marrëzisë fiskale, TVSH-se se famshme por qe e fsheh informaliteti; Të gjitha bashkë i bëjnë perimet e frutat, bulmetin e mishin të shtrenjtë!

    Se dyti, kemi problem me IMPORTIN, TREGTARET dmth, Dy faktorë, rënia e çmimeve ne tregjet ndërkombëtare dhe rënia e forte e euros dhe dollarit, duhet te kishin pasjellë çmime më të lira;

    Në fakt-kane sjelle te njëjtat çmime dhe fitime më të mëdha për tregtarët, informaliteti masiv ne zinxhirin tregtar ua fsheh paranë e madhe.

    Pra po ndodh qe, ushqimet e importit po tregtohen me te shtrenjta se jashtë, por me te lira se prodhimi vendas-shkak cilësia ne prag skadence, duke e zhytur edhe me prodhimin vendas ne padobishmeri, stoqe te pashitura, veçanërisht në bulmet!

    Praaaaaaa, tregjet miserable e të përqendruara në disa duar-dominuar nga importi, po vrasin prodhimin vendas; po mbajnë të shtrenjtë ushqimin e çdo shqiptari, veçanërisht te moshuarve”, shkruan deputeti socialist.

    Në muajin e Krishtlindjeve dhe të ndërrimit të viteve, ushqimet u shtrenjtuan me 6.7%, ku brenda këtij grupi “zarzavate përfshirë patatet” u shtrenjtuan me 20,8 %, pasuar nga “fruta” me 10,9 %, “qumësht dhe vezë” me 6,7 %, “mish” me 5,5 %, “sheqer, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 2,7 %, apo “peshku” me 2,4 %.

  • “Ti e di ça kërkohet pse ia fut kot?”- Zbardhen përgjimet mes Ilir Beqajt dhe Ermal Kurtulajt! Si hetuesit e SPAK ranë në gjurmët e bizneseve! Gjoba e parkingut që “fundosi” ish-ministrin

    “Ti e di ça kërkohet pse ia fut kot?”- Zbardhen përgjimet mes Ilir Beqajt dhe Ermal Kurtulajt! Si hetuesit e SPAK ranë në gjurmët e bizneseve! Gjoba e parkingut që “fundosi” ish-ministrin

    Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj i cili është nën hetim nga SPAK ka pasur njohje me Ermal Kurtulajn, koordinator i një projekti me fondet e BE-së.

    Emisioni “Në Shënjestër” ka zbardhur dosjen hetimore, ku tregohet me detaje sesi hetuesit e SPAK ranë në gjurmët e bizneseve, ndërsa theksohet se ka qenë një gjobë makinë që ka “fundosur” ish ministrin e Shëndetësisë.

    Por cila është lidhja e Ermal Kurtulaj me Ilir Beqajn? Dhe pse SPAK, ka krijuar dyshimin e arsyeshëm se Kurtulaj është një prestanome i Beqaj në aktivitetet që ky i fundit ka në fushën e biznesit. Por, për të shkuar te kjo lidhje midis të dyve, pra drejtuesit të SASPAC, Ilir Beqaj dhe vartësit të tij brenda kësaj agjencie, në këtë rast Kurtulajt, SPAK i është dashur fillimisht të ndjekë makinën me të cilën ish-ministri i Shëndetësisë lëvizte së fundmi.

    Automjet me të cilin Beqaj ishte paraqitur edhe në SPAK, edhe gjatë thirrjeve të tij, për t’u marrë në pyetje në lidhje me dy aferat ku mendohet se është përfshirë, atë të Sterilizimit dhe të Check Up-it. Nuhatje që mesa duket nuk doli edhe aq gabuar për hetuesit e SPAK. Të cilët shpejt kuptuan se pas makinës me të cilën Beqaj lëvizte, rrotulloheshin shumë interesa, të cilat ai vetë ishte përpjekur t’i mbante jashtë vëmendjes së ligjit. Siç ishte edhe fakti që makina në të vërtetë ishte në pronësi të Ermal Kurtulaj, njeriut të besuar të Ilir Beqaj, të cilin ky i fundit e përdorte si koperturë në aktivitetet e tij, më qëllim për të fshehur burimet e paligjshme të të ardhurave, që më pas ishin investuar në biznese të ndryshme.

    “Gjatë hetimeve ka rezultuar se Ermal Kurtulaj ka njohje të hershme me ish-drejtuesin e Agjencisë (SASPAC) Ilir Beqaj, të cilat datojnë që në kohën kur ky i fundit ka qenë ortak i shoqërisë Intech+. Duke vazhduar më pas në vitin 2015 në FSDKSH, ku drejtues i Këshillit Mbikqyrës ka qenë vetë Ilir Beqaj dhe më pas me krijimin e kësaj agjencie, si i punësuar në projektin Eusair Facility Point. Po ashtu rezulton se Ilir Beqaj përdor në mënyrë të vazhdueshme si brenda dhe jashtë vendit një automjet, i cili rezulton të jetë në pronësi të Ermal Kurtulaj, duke ngritur dyshime se ky automjet mund të jetë pasuri e fshehur e ish-ministrit”, thuhet në dosje.

    Sipas hetimeve të kryera nga SPAK, automjeti me të cilin Beqaj është parë të lëvizë së fundmi, është blerë në shtator të vitit 2019, në kohën që ai vetë ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Automjet me të cilin Beqaj është parë shpesh të lëvizë edhe përgjatë vitit 2020, jashtë territorit të Shqipërisë, që në vazhdim ka ndryshuar targë, konkretisht më qershor të vitit 2022. Por ajo që do ta çonte SPAK drejt një investigimi më të hollësishëm, drejt këtij automjeti, që do të zbulonte më pas edhe marrëdhënien klienteliste që Ilir Beqaj kishte me Ermal Kurtulaj dhe do të nxirrte zbuluar bizneset që fshiheshin në emrin e të dyve, do të ishte pikërisht një gjobë. Këtë gjobë të cilën drejtuesi i automjetit me të cilin Beqaj lëvizte, e mori pikërisht për parkim të gabuar, në kohën që ish-ministri i Shëndetësisë ishte thirrur për t’u pyetur në SPAK, dhe pikërisht përpara kësaj godine dhe syve të vetë hetuesve, por edhe të medias së pranishme në atë moment, që dokumentuan ngjarjen. Pikërisht kjo makinë ‘Wolkswagen’ që shikoni edhe në foto. Që u bë pikënisja e një hetimi të ri, që dyshohet se mund të jetë një prej pasurive të shumta të fshehura nga ish-ministri Beqaj, që mund ta fundosë edhe njëherë atë vetë.

    “Nga kqyrja në sistemin E-Gjoba rezulton se ky mjet ka marrë 3 gjoba ku i pranishëm ka qenë Arben Dani. Gjoba e fundit është vendosur më datë 12 Dhjetor 2023, në momentin kur automjetin e ka patur në përdorim Ilir Beqaj, dhe ishte parkuar para SPAK”, thuhet në dosje.

    Pikërisht ndjekja e makinës dhe e aktivitetit të shoferit personal të Beqaj, çuan hetuesit edhe te disa nga bizneset, kryesisht në fushën e gastronomisë, të cilët më pas rezultuan se kishin krijuar fatura fiktive për llogari të SASPAC.

    Një nga këto emra ishte edhe Gazmend Haxhia, në dukje administrator i shoqërisë ‘Landways International’, i cili del se ka lëshuar një faturë fiktive prej 149 mijë euro kundrejt Eusair, ku koordinator ishte Ermal Kurtulaj. Por që SPAK beson se në të vërtetë administrator i kësaj shoqërie është Ermal Kurtulaj dhe Ilir Beqaj.

    “Më datë 16 Gusht 2023, kundrejt EUSAIR është lëshuar për shoqërinë tregtare, ‘Landways International’, me përshkrimin “Service contract-organization of the’ fatura 149 809 21 Euro. Kjo shoqëri ka administrator shtetasin Gazmend Haxhia”, sqaron dosja.

    Një tjetër shoqëri që del se ka lëshuar fatura fiktive është edhe ‘Albanian Food and Hospitality Lab’ që ka në pronësinë e saj edhe restorantin ‘Gzona’ dhe që ndodhet në ambientet e brendshme të Kalasë së Tiranës. “Lidhur mbi faturën e datës 16 Gusht 2023, rezulton të jetë lëshuar disa minuta para se të lëshohet fatura tjetër kundrejt Eusair-it. Duke u krijuar dyshimi i arsyeshëm që paraprakisht palët kanë biseduar me njëri tjetrin dhe që shuma përbën përfitim material, korrupsion që shoqëria tregtare ‘Landways’ ka paguar ndaj ‘Gzonës’, për shërbimin që ajo ka përfituar për të kryer nga Eusair-i”, thuhet më tej në dosje.

    Por pavarësisht se Ermal Kurtulaj del se është personi ndërlidhës midis këtyre bizneseve apo shoqatave dhe faturave fiktive të krijuara prej tyre, të lëshuara kundrejt Eusair, ku ai është koordinator, SPAK beson se pas emrit të Kurtulaj, fshihet shefi i tij në SASPAC, Ilir Beqaj. Dhe kjo bindje forcohet gjithmonë e më shumë pas vënies në përgjim të Kurtulaj dhe njerëzve që e rrethojnë. Ku Kurtulaj edhe pse nuk është administrator i restorantit ‘Gzona’, sillet porsi të ishte i tillë.

    “Nga bisedat e përgjuara del se Ermal Kurtulaj është i përfshirë në punët e restorantit. Ai interesohet vazhdimisht për mbarëvajtjen e këtij restoranti, duke vepruar si epror ndaj administratorit, Gazmend Prenga. Në ditët e fundit midis tyre ka disa komunikime, kohë që përkon dhe me mbylljen e bilancit vjetor, me rakordimet ndërmjet investimeve të kryera mbi këtë restorant përgjatë vitit si dhe me faturat e lëshuara për këtë restorant. Përfshi edhe ato të lëshuara në kuadër të veprimtarisë së projektit që Kurtulaj drejton. Po ashtu nga komunikimet e kryera dyshohet se Ermal Kurtulaj vepron në këtë restorant për llogari të shtetasit Ilir Beqaj”, thotë dosja.

    SPAK ngre dyshime se njerëzit e Beqajt, bëjnë çdo përpjekje për të shmangur përfshirjen e drejtuesit te SASPAC…

    “Këto dyshime ngrihen nga mënyra se si komunikohet dhe veprohet nga ana e këtyre subjekteve, duke shmangur çdo përfshirje të këtij shtetasi Ilir Beqaj si me administratorin ashtu me ortakët dhe duke i mbajtur komunikimet dhe rakordimet e takimeve nëpërmjet shtetasit Ermal Kurtalaj. Nga deklarimet vjetore rezulton se pas vitit 2020 shtetasi Ilir Beqaj nuk ka deklaruar interesa mbi këtë aktivitet”, vijon dosja.

    Por skema e impilikimit të dyshuar të ish-ministrit Ilir Beqaj dhe njerëzve të tij të afërt, qoftë edhe familjarë të ngushtë, të përfodur për fshehjen e pasurive të përfituara në mënyra të paligjshme, duke shfrytëzuar postin e tij si zyrtar publik, duket të jetë edhe më e zhdërvjellët. Edhe pse shoqëritë e krijuara nga njerëzit pranë Beqaj, janë përpjekur kohë pas kohe të ndryshojnë ortakët, gjurmët e lëna në ekstraktet e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesve, të çojnë te vetë familja e Beqaj. Siç është edhe rasti i shoqërisë ‘Albanian Food and Hospitality’. Shoqëri e krijuar nga Adriana Beqaj, bashkëshortja e Ilir Beqaj, e cila del se ka lëshuar fatura fiktive kundrejt SASPAC, të drejtuar po nga nga Beqaj.

    “Nga ekstrakti historik del se shoqëria tregtare ‘Albanian Food and Hospitality’ është themeluar në vitin 2019, ku më pas ortake ka qenë shtetasja Adriana Beqaj, bashkëshortja e shtetasit Ilir Beqaj, e cila ka patur 50 % të kuotave të shoqërisë. Më datë 1 Mars 2019, Adriana Beqaj ia ka dhuruar 35 % të kuotave të saj ortakut tjetër, Arti Malaj, i cili ka shkuar në 85 % të kuotave, ndërsa Adriana Beqaj në 15 %. Më datë 26 Shkurt 2020, Adriana Beqaj i ka shitur ortakut Arti Malaj edhe pjesën e mbetur prej 15 % të kuotës. Disa muaj më pas, më 12 Gusht 2021, Arti Malaj, ia ka shitur të gjitha kuotat shtetasit, Eduard Curraj”, sqaron dosja.

    Por kërkimet e SPAK rreth këtyre personazheve nuk duket se u ndalën këtu. Pasi nga hulumtimet në Qendrën Kombëtare të Biznesit, doli se Eduard Curraj, ishte edhe ortak pranë shoqërisë ‘Delta Holding’, që merret me shpërndarjen e prodhimeve farmaceutike.

    “Nga kërkimi në QKB, rezulton se Eduard Curraj është ortak edhe pranë shoqërive: ‘Curri Group’ Sh.p.k, ‘Curri’ Sh.p.k; dhe ‘Delta Holding’. Ku administrator i kësaj shoqërie rezulton të jetë Gazmend Prenga, i cili ka komunikime të shpeshta me Ermal Kurtulaj”.

    Pra siç shikohet edhe në këtë kompani, dy njerëzit te të cilët rrotullohen punët janë Ermal Kurtulaj dhe Gazmend Prenga. Të njëjtët të cilët merren edhe me administrimin e restorantit ‘Gzona’ që del se ka lëshuar fatura fiktive për llogari të Eusair, të drejtuar nga Ermal Kurtulaj, në varësi të SASPAC, agjencisë me ekzekutues, Ilir Beqaj. Biseda që konkretizohen edhe nga përgjimet e kryera nga SPAK, midis Kurtulajt nga njëra anë dhe Prengës nga ana tjetër.

    Si kjo më poshtë, ku të dy flasin për një tjetër faturë fiktive.

    Përgjimet:

    Kurtulaj: Gazi?

    Prenga: Hë shok?

    Kurtulaj: Sa është fatura e darkës së maqedonasve?
    Prenga: Nuk e kam printu.

    Kurtulaj: Po shkruje i çik pra, të më thuash vlerën, se nuk do e presësh ti, do e presim diku tjetër. Po thjesht sa është si vlerë?

    Sa është totali që duhet të shkruaj unë te ata, kupton..

    Prenga: Në rregull.

    Nga verifikimet e kryera nga SPAK, rezulton se kjo bisedë dyshohet se lidhet me faturën e datës 15 Nëntor 2023 që shoqëria ‘Me’Nam’ Sh.p.k, ka lëshuar kundrejt subjektit që është pjesë e SASPAC-Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, në vlerën 115 500 lekë. Ndërkohë që nga komunikimet e datave 20 Shtator 2023 deri më 10 Nëntor 2023 dhe në vazhdim kuptohet që faturat për organizimet e eventeve tek ‘Gzona’ i faturon shtetasi Fisnik Fili.

    “Në të paktën dy raste Ermal Kurtulaj i referon Fisnikut që për efekt tvsh-je, do të lëshohen fatura të tjera për të: ‘Po pra, që të mos kesh probleme po i them që të të bëjnë një faturë ty, që të zbritet edhe kjo tvsh-ja. Që të jesh në rregull për të gjitha faturat, vendosi ndonjë emër konsulence.’ Nga kqyrja e faturave rezulton se: Më datë 19 Korrik 2023 shoqëria Me’Nam Sh.p.k, ka lëshuar faturë kundrejt Projektit ‘Asistenca Teknike IP II CBC’. 4 ditë më vonë, shoqëria Me’Nam sh.p.k ka lëshuar faturë, në vlerën 93 600 lek. Ndërsa në nëntor o kjo shoqëri ka lëshuar faturën e radhës”, thotë dosja.

    SPAK arsyeton se faturat janë firmosur me qëllim që të fshihet lidhja mes restorant Gzonës dhe ish-ministrit Beqaj.

    “Rezulton se këto fatura në fakt i përkasin restorantit ‘Gzona’ dhe këto veprime janë kryer me qëllim që të fshihet lidhja mes ‘Gzonës’ dhe shtetasit Ilir Beqaj, që është dhe vetë Drejtori i SASPAC që monitoron këto projekte”, vijon.

    Por interesante është edhe një bisedë e përgjuar, ku tashmë një nga folësit sipas SPAK është vetë Ilir Beqaj. Komunikim i mesit të muajit dhjetor 2023. Vetëm pak kohë pasi Beqajt i ishte komunikuar nga SPAK, urdhëri për ndalimin e udhëtimit jashtë vendit. Ku Beqaj kapet në përgjim këtë herë jo duke folur me telefonin e tij, por me atë të shoferit të tij, Arben Dani.

    “Gjatë hetimeve kanë rezultuar dhe biseda të shtetasit Ilir Beqaj me Ermal Kurtulaj. Komunikime të kryera nëpërmjet telefonit të shtetasit Arben Dani, shofer pranë SASPAC. Ku Beqaj i kërkon Kurtulaj që të lidhet me Gazin nëse është në Tiranë, me qëllim për t’u takuar. Më datë 6 Dhjetor 2023 rreth orës 23.21 Ermali flet me Gazin ku i kërkon nëse e ka me vete bllokun që mban shënimet dhe ai i thotë: ‘Po është tek puna’. Ku nga biseda kuptohet që bëjnë llogari në lidhje me paratë që janë investuar nga ana e Ermalit dhe jo vetëm. Fakti që referimi bëhet në numrin shumës ngrihen dyshime dhe për interesa të shtetasit Ilir Beqaj në atë restorant”, sqarojnë hetuesit.

    Dyshimet shtohen edhe me shumë, pas përgjimit të një bisede mes Ilir Beqajt dhe Ermal Kurtulaj, ku Beqaj ka përdorur telefonin e shoferit të tij.

    Përgjimet:

    Beqaj: Ti e di ça kërkohet pse ia fut kot?

    Ermali: Po mir okej.

    Beqaj: Tabelën e kemi likuidim, si quhet aneksi 8, ku e di unë tashi. I thuj nëqoftëse mundet nga ora 4 e mbrapa kur të dojë. Gazin, pra Gazin po të them.

    Ermali: Mirë atëherë, okej në rregull pra.

    Por SPAK ka dyshime të forta se Ilir Beqaj, duke shfytëzuar pozicionin e tij të dikurshëm si ministër i Shëndetësisë, ka lidhje dhe kontroll edhe në kompaninë farmaceutike ‘Delta Pharma’. Dyshime që lidhen edhe me vetë personazhet që rrotullohen rreth tij. Arsye për të cilën kjo kompani u bë pjesë e një kontrolli të imtësishëm të Prokurorisë së Posaçme.

    “Nga të dhënat dyshohet se Ermal Kurtulaj, i referohet ‘Dori’, shtetasit Dorian Sadiku, i cili është bashkëortak me shtetasin Eduard Curraj në shoqërinë ‘Delta Holding’ Sh.p.k, e cila në vetvete është ortake e vetme e ‘Delta Pharma- Al’ sh.p.k. Gjithashtu janë bashkë ortakë në shoqërinë ‘Curri’ Shpk. Po kështu Eduard Curraj është ortaku i vetëm që zotëron kuotat pranë ‘Gzona Restorant’ (Albanian Food and Hospitality Lab Sh.p.k). Nga kqyrja e deritanishme e pamjeve filmike rezulton se më datë 14 Dhjetor 2023 tek ‘Gzona’ shkojnë Ermal Kurtulaj dhe Dorian Sadiku. Ky i fundit vjen me një mjet ‘Mercedez Benz’ që sipas të dhënave nga DRSSHT-ja është mjeti me të cilin shtetasi Ilir Beqaj ka dalje jashtë vendit në vitin 2022, po ashtu, nga kqyrja e sistemit C@ts të Tatimeve, rezulton se subjekti ‘Gzona’, ka deklaruar shitje për periudhën 2019-2023 ndaj subjekteve ‘Delta Pharma.al’, me një vlerë totale 10 509 308 lekë. Këto fakte japin të dhëna për ndërveprim mes këtyre dy subjekteve i cili ka lidhje me faktet objekt procedimi”, thotë dosja.

    Janë të gjithë këto prova dhe dyshime që kanë krijuar bindjen gjithmonë sipas SPAK, se pas këtyre bizneseve mund të fshihet Ilir Beqaj, i cili duke shfrytëzuar pozitat e tij shtetërore kohë pas kohe, ka bërë të mundur të krijojë dhe ti fshehë këto pasuri në emër të personave të ndryshëm, të cilët më pas drejtohen po prej tij.

    “Nga komunikimet e muajit dhjetor krijohen dyshime se subjektet janë takuar për t’u marrë me rregullimet e dokumentacioneve përkatëse, bilanceve e të tjera për shkak të fundit të vitit, pasi në këtë muaj mbyllet lëshimi i faturave përkatëse dhe bëhen llogaritë në lidhje jo vetëm me biznesin ‘Gzona’, e cila ka për ortak të vetëm shtetasin Eduart Curri. Por nisur edhe nga fakti që takimi është kryer me shtetasin Dorian Sadiku, bashkëpronar me shtetasin Eduart Curri në shumë subjekte të tjera, që kanë ushtruar aktivitetin e tyre dhe në kohën kur shtetasi Ilir Beqaj ka qenë Ministër i Shëndetësisë dhe më pas deputet”.

    SPAK është duke hetuar lidhjen mes Ilir Beqajt me pronarët e kompanisë farmaceutike Delta Pharma, ndërsa po kalon në sitë të gjitha kontratat që janë nënshkruar mes palëve në kohë kur Ilir Beqaj ishte ministër Shëndetësie. Po ashtu, ka dyshime të forta se Ilir Beqajt, ka favorizuar kompaninë Delta Pharma gjatë kohës që drejtonte Shëndetësinë. Por a do jetë ky hetim që do të krijojë edhe njëherë një tjetër ciklon rreth ish-ministrit Ilir Beqaj. Apo edhe ky hetim do të zvarritet ashtu si në rastin e dosjeve ende të pambyllura të Sterilizimit dhe Check Up-it. A do të mundet SPAK, që me provat e mbledhura, të vendosë me shpatulla pas muri, ish-ministrin, që vazhdon të jetë i lirë.

  • “Shshshhh, se në këtë orë…”/ Rama u tall sërish, reagon Basha: Për atë, kush nuk vjedh, fle gjumë

    “Shshshhh, se në këtë orë…”/ Rama u tall sërish, reagon Basha: Për atë, kush nuk vjedh, fle gjumë

    “Shshshhh, se në këtë orë…”/ Rama u tall sërish, reagon Basha: Për atë, kush nuk vjedh, fle gjumëGjatë konferencës së sotme me gazetarët nga Shëngjini, kryeministri Edi Rama sërish nuk i ndali ironitë ndaj Lulzim Bashës. Teksa u pyet për ish-kryedemokratin, Rama nuk u përgjigj, por ironizoi sikur Basha ishte në gjumë në atë orë.

    Gazetarja: Kryeministër ndjesë shumë. A mos dikujt tjetër i ngel hatri që nuk e përmendem atë konferencën e sotme. E kam fjalën për Lulzim Bashën. Mendoni ose besoni që ai mund t’ju ndihmojë në fund fare ne seancë plenare 84 votat që ju duhen?

    Rama: Sa është ora?

    Gazetarja: I ka kaluar ora e gjumit.

    Rama: Shhh shhh shhh, nc nc nc. Në këtë orë kurrë mos pyesni për atë njeri. (qesh dhe ngrihet nga karrigia).

    Pas këtij episodi, ka ardhur një reagim nga Lulzim Basha përmes zëdhënëses së tij Mirela Karabina, e cila shprehet se për kreun e qeverisë kush nuk vjedh, fle gjumë.

    “Njerëzit presin zgjidhje për hallet dhe problemet e tyre nga kryeministri, por ai nga njëri resort në tjetrin u ofron vetëm shfaqe bajate. Sillet si pronar i Shqipërisë, ndërsa çdo ditë shqiptarët marrin rrugët e emigrimit. Edi Rama do të hyjë në historinë e shtetit shqiptar si kryeministri që më shumë ministra dhe bashkëpunëtorë i ka brenda në burg se sa jashtë tij, prandaj për Edi Ramën kush nuk vjedh fle gjumë.

    Nuk mund të ketë një qeveri të korruptuar dhe një kryeministër të ndershëm, prandaj për Edi Ramën, kush nuk bëhet mburojë e korrupsionit është i paaftë. Edi Rama ka hyrë në historinë e Shqipërisë si njeriu që kriminalizoi shtetin, prandaj për të, kush nuk është aleat me krimin në vjedhjen e zgjedhjeve, nuk bën për politikë.” – shkruan ajo.

  • Mbledhja e qeverisë në Shëngjin/ Zbardhen porositë e Ramës

    Mbledhja e qeverisë në Shëngjin/ Zbardhen porositë e Ramës

    Detaje të reja janë mësuar nga mbledhja informale e qeverisë në Shëngjin.

    Sipas asaj që raportohet nga mediat, kryeministri ka kërkuar përmirësimin e punës së komisioneve parlamentare si dhe forcimin e më tejshëm të partisë.

    Po ashtu kreu i grupit parlamentar të PS-së, Blendi Çuçi ka bërë një bilnac të të gjithë seancave të shkuara parlamentare duke evidentuar sa mocione me debat ka patur, sa projektligje janë diskutuara e miratuar, sa deputetë kanë qenë të pranishëm në seanca plenare apo mbledhje të grupit e të tjera.

    Gjithashtu gjatë mbledhjes është diksutuar dhe vijimësia e seancave parlamentare, pasi gjatë vitit 2023 për javë me radhë, opozita ka bllokuar Kuvendin, teksa kërkon që të mos shkelen të drejtat dhe të pranohen kërkesat e tyre për ngritjen e Komisioneve Hetimore.

    Po ashtu në fokus të diskutimeve ishin dhe projektligje të tjera që kanë mbetur pa u votuar në Kuvend.

  • Berisha: 2023-shi, viti i përpjekjeve antiligjore, antikushtetuese të Edi Ramës, për të shkatërruar opozitën

    Berisha: 2023-shi, viti i përpjekjeve antiligjore, antikushtetuese të Edi Ramës, për të shkatërruar opozitën

    Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka quajtur vitin që lam pas, 2023-shin, si viti i përpjekjeve antiligjore, antikushtetuese, banditeske të Edi Ramës për të shkatërruar opozitën shqiptare.

    Në ditën e tetë të protestës së mbështetësve të kryedomokratit poshtë banesës së tij, Berisha theksoi se opozita ja doli të konfirmohet e pamposhtur.

    Berisha: Të dashur demokrate e demokratë, vëllezër e motra, zonja e zotërinj.

    Përshëndetjet e mia më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme, për praninë tuaj këtu, vazhdimin e një beteje e cila ndoshta është ndër më të rëndësishmet në historinë dhe faktet e këtij vendi, një beteje që synon çlirimin e Shqipërisë nga diktatura e bandave, krimit dhe drogës.

    Miqtë e mi, në emër tuaj do të ftoj sonte çdo qytetar shqiptar, që banon në Shqipëri, jashtë Shqipërisë, të ndalet për një moment të shkurtër dhe të analizojmë vitin që lamë pas.

    Çfarë ishte për Shqipërinë dhe shqiptarët viti 2023.

    Viti 2023 për çdo shqiptar ishte viti i përpjekjeve antiligjore, antikushtetuese, banditeske të Edi Ramës për të shkatërruar opozitën shqiptare.

    Ishte viti në të cilin Edi Rama me lakejtë e tij në gjykata, pasi i mori logon dhe vulën PD-së, vazhdoi skenarin e tij për të lenë vendin pa opozitë.

    Në përpjekjen për të përqendruar të gjitha pushtetet në duart e tij, Edi Rama aktivizoi me 14 maj, vrasës serial, liroi nga burgjet elementët më të rrezikshëm të krimit të organizuar.

    I solli ata nga jashtë, vendosi qytetet në terrorin e tyre.

    Përjashtoi nga listat e votimit në qendrat e tyre mbi 1.3 milionë shqiptarë.

    Hoqi nga fletëvotimi emrin e PD-së, logon e saj dhe kryetarin e saj, Sali Berisha.

    Përjashtoi të drejtën e opozitës për komisionerë në gjysmën e qendrave të votimit.

    Përdori dhjetëra e qindra milionë fonde publike për të blerë fonde dhe influenca.

    Megjithë këtë, opozita ja doli të konfirmohet e pamposhtur. Në revanshin e tij kundër demokracisë, Edi Rama vazhdoi i pandalshëm, i mohoi opozitës deputetëve të saj, të drejtat themelore kushtetuese. E nxori veten mbi kushtetutën, mbi ligjin.

    Ai nuk pranoi të hetohet për aktet e shëmtuara kriminale, ai nuk pranoi të hetohet për krimet që ka kryer me organizatën e tij kriminale që quhet qeveri.

    Ai nuk pranoi të hetohet për vjedhjet e mëdha të pasurive publike, për shndërrimin e Durrësit në parajsën e tij dhe të trafikantëve të tij, duke i plaçkitur shqiptarëve në port rreth 4 mln euro tokë dhe pronë publike.

    Ai nuk pranoi të hetohet për skandalin më të madh të kohërave, ndërkombëtar, Rama-McGoninal, në të cilin Edi Rama, Charles McGonigal, Agron Neza dhe Dorian Duçka, funksionuan si një grup kriminal i vërtetë.

    Në këtë skandal Edi Rama mobilizoi McGonigalin kundër Sali Berishës dhe opozitës shqiptare.

    Në këtë skandal Edi Rama vendosi sistemin e gjobave shumëmilionëshe mbi biznesmenët shqiptarë.

    Në këtë skandal Edi Rama hoqi e vendosi sikur të ishin të familjes së tij, licencat e naftës pronë publike e shqiptarëve.

  • Berisha: Të shkërmoqim ëndrrën e Edi Ramës të Shqipërisë pa opozitë. Të rinjtë do të marrin në dorë fatin e Shqipërisë

    Berisha: Të shkërmoqim ëndrrën e Edi Ramës të Shqipërisë pa opozitë. Të rinjtë do të marrin në dorë fatin e Shqipërisë

    Nga ballkoni i shtëpisë së tij, ku është në arrest shtëpie, Berisha përshëndeti qindra të pranishmit që ishin mbledhur në shi për të protestuar.

    Berisha: Ju dëgjoj shpesh me të drejtë të flisni për të huajt që na përkrahin, nuk na përkrahin.Do të ju tregoj një gjë shumë të veçantë dhe mos e harroni kurrë.

    Në 2 korrik të vitit 1990, të rinjtë, më të varfrit e kryeqytetit, në tërësi punëtorë, u vërsulën si luanë mbi muret e ambasadave, hynë në oborr të tyre, pra defakto shemb murin e Berlinit në Tiranë.

    Një diplomat gjerman që bëri gjithçka për suksesin e tyre, që bëri gjithçka që shqiptarët të ndiqnin shembullin e tyre, dhe diktatura të kishte menjëherë fatin e diktaturave të tjera komuniste, shkruan se; unë nuk kisha mbështetje as te kolegët e mi në Tiranë dhe as te qeveritarët e mi në Bon. Dhe mbeta pothuajse i vetmuar.

    Pra ju tregova këtë shembull se ne për tu mbështetur, duhet të sakrifikojmë shumë, duhet të tregojmë se jemi ne që vendosim për liritë tona.

    Se jemi ne që nuk lejojmë kurrë një Shqipëri pa opozitë.

    Se jemi ne që nuk pranojmë kurrë një diktaturë bande.

    Se jemi ne që do të votojmë me çdo çmim të lirë dhe do të shikoni ju miqtë e mi, se si prozhektorët nga të katër anët do të vërshojnë mbi ne.

    Ndaj dhe ne të bëhemi kështu, shpresa e vërtetë e shqiptarëve, drita e vërtetë e shqiptarëve, por të bëhemi gjithashtu një frymëzim për të gjithë ata që vuajnë në diktaturat të cilat duan gjithnjë një vend pa opozitë.

    Të shkërmoqim, të rrënojmë ëndrrën e Edi Ramës të Shqipërisë pa opozitë.

    Edi Rama nuk e toleron opozitën, Edi Rama nuk e toleron kritikat, Edi Rama nuk e toleron mendimin ndryshe.

    Sot ai e ka katandisur partinë e krimit në një parti identike, mos më keq, se dikur Partia e Punës së Shqipërisë.

    Miqtë e mi, ato seli mbjellin, krim, drogë, vjedhje, janë selitë e krimit.

    Ndaj dhe thirrja ime për të rinjtë e këtij vendi, shkëputuni nga orbita e indiferencës sepse ajo orbitë po ju largon ju çdo ditë nga Shqipëria dhe Shqipëria çdo ditë vajton, lëngon, përlotet për të rinjtë e saj që nuk i ka më.

    Le të themi ne tani; mjaft më, të rinjtë do të marrin në dorë fatin e shoqërisë shqiptare, fatin e Shqipërisë.

    Të përballemi në një betejë, në të cilën ju garantoj se përballë nesh kemi kalbësira, dhe vetëm kalbësira.

  • Rama ndan Podkastin ‘Po ku ka si ty o Shqipëria ime’! Fragmente ‘pikante’ nga intervistat me të ftuarit

    Rama ndan Podkastin ‘Po ku ka si ty o Shqipëria ime’! Fragmente ‘pikante’ nga intervistat me të ftuarit

    Rama ndan Podkastin ‘Po ku ka si ty o Shqipëria ime’! Fragmente ‘pikante’ nga intervistat me të ftuaritKëtë të shtunë kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të risjellë në Podcastin e tij, disa nga zërat më të fuqishëm që ai ka intervistuar. Nga Ermonela Jaho, tek Silvinjo, tregohet ndjenja dhe dashuria për Shqipërinë e ndryshuar



    Në podkastin pa numër, “Po ku ka si ty Shqipëria ime”, kryeministri Edi Rama ndau fragmente nga intervistat me të ftuarit e tij.

    Këtë video e nis fillimisht sopranoja me famë botërore Ermonela Jaho. “Të huajt pyesin për Shqipërinë. Gjithmonë fillojnë me atë, si ka qenë Shqipëria. I them, shikoni këtë vit është bërë një atraksion turistik”.

    Pas Jahos, ndau intervistën me futbollistin e Kombëtares, Elseid Hysaj.

    “Njerëzit, trajnerët, duhet të besojnë edhe tek ne, se dikur e kanë pasur shumë të vështirë të futej një shqiptar në Itali”

    Modelja dhe filantropistja, Emina Cunmulaj e nis me kujtimet e saj kur ishte 15 vjeçe.

    “Unë e kujtoj si vajzë 15 vjeçare herën e parë kur ika në Itali, fillimi i karrierës time dhe kur mbërrita më thonin “ke ardhur me varkë”. Sot pak janë qytetet si Tirana, zhvillimi Tiranës nga vjet në sivjet është drastik”.

    “Në Evropian duhet t’i tregojmë edhe të tjerëve se me të vërtetë jemi të fortë si skuadër, si popull”, tha futbollisti Frederik Veseli.

    “Unë kisha përvojën e kombëtares braziliane. Pas kësaj, nisja të shija lojtarët shqiptarë që qarkullonin. Pashë që flisnin anglisht, italisht, spanjisht”, tha trajneri i Kombëtares Silvinjo.

    “Dua të rris vajzën, dua të plakem këtu. Nëse mendoj për Anglinë, mendoj ngjyrën gri. Kur mendoj për Shqipërinë mendoj ngjyrën e kuqe, të verdhën, të gjelbrën, blunë”, tha gazetarja britanike Alice Taylor.

    Në këtë video ishte bashkangjitur edhe një copëz nga intervista me kryetarin e bashkisë së Shkodrës, Benet Beci.

    “Kurrë s’e kam menduar me një fitore, por që gjithë kohën të gjejë mekanizmin, sesi duhet të jetë mekanizmi që Shkodra të bëhet si të tjerat”

    Artisti Luiz Ejlli shprehet “është hera e parë që ndoshta Shkodra ka zgjedhur me tru, me mend, jo me zemër. Pra ka parë Benetin, ka pa Shkodrën, ecurinë e saj 30 e ca vjet dhe ka thënë ore po mirë, pse jo”.

  • Dhunohen 3 shqiptarë në Mal të Zi, Balla kërkon informacion nga autoritetet malazeze

    Dhunohen 3 shqiptarë në Mal të Zi, Balla kërkon informacion nga autoritetet malazeze

    Edhe pse ende nuk ka një njoftim zyrtar nga Policia të detajuar, sipas gazetarit të Klan News Besar Bajraktaraj, ministri i Brendshëm Taulant Balla bën me dije se 3 shqiptarë janë dhunuar në Mal të Zi.

    Për ngjarjen, mësohet se ai ka kontaktuar me ministrat e Malit të Zi dhe ka kërkuar informacion për rastin të ndodhur në Herceg Novi.

    Aktualisht policia e këtij qyteti po merr deklarimet dhe po kryen ndalimin e personave të dyshuar. Pritet që në orët në vijim të ketë informacion të plotë lidhur me rastin./tvklan.al