Category: Politikë

  • ‘Do ketë ndëshkime drastike ligjore’! Paralajmërimi i prerë i Ramës

    ‘Do ketë ndëshkime drastike ligjore’! Paralajmërimi i prerë i Ramës

    Kryeministi Edi Rama ka bërë një paralajmërim të fortë për të gjithë ata që ndosin ambientin.

    “Rrugët e reja janë për të shkurtuar distancat, jo për t’u kthyer në vend-hedhje plehrash.

    Faleminderit Bashkisë Gjirokastër dhe ARRSH që u angazhuan në pastrimin e aksit Kardhiq-Delvinë që çdo ditë frekuentohet nga mijëra turistë.

    Dhe në këtë kthesë të madhe historike për turizmin e për ekonominë shqiptare, NE S’DO TË LEJOJMË QË SJELLJA E EGËR E NJË PAKICE INDIVIDËSH TË PACIPË, TË DËMTOJË SHQIPËRINË E RILINDUR TURISTIKE! NJË PAKETË E RE NDËSHKIMESH DRASTIKE LIGJORE PËR HEDHËSIT E PLEHRAVE RRUGËVE, DO TË HYJË NË FUQI MAKSIMUMI FILLIMVITIN E ARDHSHËM”, shkroi Rama.

  • “Të paprekshmit u tradhtuan nga aplikacioni SKY”, Gazetarja: Vetëm fillimi, janë 8 mijë përdorues e dhjetëra fajde

    “Të paprekshmit u tradhtuan nga aplikacioni SKY”, Gazetarja: Vetëm fillimi, janë 8 mijë përdorues e dhjetëra fajde

    Gazetarja Klodiana Lala në rubrikën “Opinion” në News24 foli për aplikacionin SKY dhe zbardhjen e bisedave apo përgjimeve që janë bërë nga ky aplikacion.

    Gjatë bisedës në studio gazetarja u shpreh se ky është vetëm fillimi dhe se me vijimin e hetimeve mund të ketë të tjera ngjarje të mëdha.

    “Operacioni Metamorfoza na tregoi se si krimi i organizuar ishte bërë një me Policinë e Shtetit, me zyrtarë të drejtësisë, por edhe investitorë strategjikë ishin përfshirë në krime të rënda. Aplikacioni SKY është një telefon i posaçëm dhe jo të gjithë mund ta përdorin dhe ka një linjë të dedikuar që pretendohej nga përdoruesit që nuk do të gjurmohej asnjëherë nga autoritetet.

    Në mos gaboj janë rreth 8 mijë përdorues nga Shqipëria që janë njerëz të krimit të organizuar, të biznesit, politikës pra njerëz që kanë mundësi ekonomike. Pra janë njerëz që kanë pushtet financiar për ta pasur. Por patjetër që është vetëm fillimi nga ajo çfarë do të nxjerrë ky aplikacion. Prokuroria e Posaçme është duke zbardhur dhjetëra fajde, që kanë ardhur nga autoritetet e huaja, ato belge, franceze dhe holandeze. Ishin belgët që e zbërthyen për herë të parë.

    Në këto 8 mijë përdorues a janë të gjithë kriminelë? Këtë nuk mund ta them sepse aty është duke u hetuar. Prokuroria e Posaçme është duke u përpjekur të lidhë bisedat me faktet konkrete. Në rastin e Gjin Boriçit ishte vrarë personi dhe vendi përkonte me përshkrimin që bëhej në aplikacion, pra aty është folur për shumë gjëra. Operacioni Metamorfoza kishte përdorim të emrave të tretë për faktin se mesa duket deri tani nuk janë gjetur elementë të veprës penale. Por ata që menduan se ishin të paprekshme u tradhtuan nga ajo platforma që e konsideronin shumë mbrojtëse. Por një avokat më ka thënë se nëse vazhdohet më këtë mënyrë gjysma e politikës shkon në burg”, ka thënë ndër të tjera gazetarja Lala./bw

  • Të kombinuar në veshje, Rama poston foto me Melonin: Motra e Shqipërisë me vëllain e Italisë

    Të kombinuar në veshje, Rama poston foto me Melonin: Motra e Shqipërisë me vëllain e Italisë

    Kryeministri Edi Rama ka postuar një foto me homologen italiane, Giorgia Meloni, e cila ka kaluar disa ditë pushimi në vilën qeveritare në Vlorë.

    “Motra e Shqipërisë me vëllain e Italisë, shkruan Rama, ndërsa i shpreh mirënjohje për vizitën Melonit.

    Ajo që bie në sy është veshja e kombinuar me dy kryeministrave, të cilët kanë treguar se kanë një raport të mirë shoqëror mes tyre.

  • Koncesioni 100 milionë € i sterilizimit, arrestohet biznesmeni Ilir Rrapaj

    Koncesioni 100 milionë € i sterilizimit, arrestohet biznesmeni Ilir Rrapaj

    Është arrestuar Ilir Rrapaj. Biznesmeni është prangosur për llogari të hetimit të SPAK për koncesionin e sterilizimit.

    Tenderi me vlerë 100 milionë Euro me afat 10-vjeçar, u fitua nga një grup kompanish italiane, ku Ilir Rrapaj posedonte 40% të aksioneve.

    Koncesioni po hetohet prej vitesh, teksa SPAK kishte kërkuar nga policia që biznesmeni të shoqërohej dhe të dërgohet në Prokurorinë Speciale për t’u pyetur nga prokurorët anti-korrupsion.

    Kujtojmë se lidhur me çështjen, janë pyetur nga SPAK ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja dhe zv/ministri Klodian Rrjepaj.

  • Letër-porositë nga SHBA mbërrijnë në SPAK, çifti Meta-Kryemadhi në telashe, pritet lëshimi i fletë arresteve, akuza për pastrim parash

    Letër-porositë nga SHBA mbërrijnë në SPAK, çifti Meta-Kryemadhi në telashe, pritet lëshimi i fletë arresteve, akuza për pastrim parash

    Çifti Meta-Kryemadhi duket se janë në telashe të mëdha me drejtësinë shqiptare dhe atë amerikane. Në kuadër të hetimeve në dosjen e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SPAK kërkoi një vit më parë informacione nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri për llogaritë e LSI-së në përpjekje për të gjetur burimin e parave të lobimit në SHBA, që kjo parti nuk i ka deklaruar në KQZ. Burime të sigurta për gazetën “SOT” bëjnë me dije se letër-porositë me informacione përvëluese nga Uashingtoni kanë mbërritur në SPAK. Mësohet se paratë burojnë nga korrupsioni dhe marrja zyrtarisht si i pandehur i Ilir Metës, Monika Kryemadhit, ndoshta edhe i Petrit Vasilit, Vangjel Tavos dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të kreut të Partisë së Lirisë është e pashmangshme. Pra SPAK në vijim pritet të lëshojë fletë arrestet për akuzën e pastrimit të parave për personat e përfshirë në këtë megaaferë, ku të rrezikuar kryesorë padyshim që janë Meta dhe Kryemadhi. Më pas pritet të fillojnë procedurat e tjera. Meta po hetohet nga SPAK për korrupsion pasiv parashikuar në nenin 259 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim nga 3 deri në 8 vjet. Gjithashtu, Meta po hetohet edhe për falsifikimin e vulave, stampave ose formularëve, parashikuar në nenin 190/3 të Kodit Penal, vepër për të cilën parashikohet nga 3 deri në 7 vite burg. Bashkangjitur kallëzimit penal janë kontrata e lobimit, raporti financiar i LSI në vitin 2017 si dhe deklaratat e pasurisë së Metës, Kryemadhit dhe Vasilit për vitin 2017 dhe dosjes i bashkëngjiten edhe formulari i dekriminalizimit të Ilir Metës, certifikata në gjendjen civile dhe aktet e dekretet ligjore që ka firmosur në Presidencë, apo detyra të tjera që ka mbajtur në institucionet shtetërore.

    Meta dhe Kryemadhi drejt arrestimit

    Kjo do të thotë se nëse hetimet do të vijojnë pa u ndikuar nga klithmat e politikës dhe sulmet e orkestruara prej saj në adresë të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, shumë shpejt do të shohim në bankën e të akuzuarve, disa prej politikanëve shqiptarë që deri më dje e konsideronin veten si të “Pa prekshëm”, sikundër është Meta dhe Kryemadhi. Po kush është Sotir Kllapi, njeriu që ka në dorë mundësinë historike për t’i dhënë goditjen e parë serioze korrupsionit në nivelet e larta dhe kulturës së pandëshkueshmërisë në Shqipëri?! Sotir Kllapi ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009. Fillimisht ka nisur punën si prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Më pas ka ushtruar funksionin e prokurorit në Fier dhe Durrës deri në vitin 2014. Nga viti 2014 deri në vitin 2020, Sotir Kllapi ka drejtuar Prokurorinë e Pogradecit. Ndaj Kllapit nuk është regjistruar asnjë masë disiplinore. Gjatë karrierës, prokurori është vlerësuar shumë mirë prej Prokurorisë Durrës për vitet 2012-2013, është vlerësuar shumë mirë nga prokuroria Pogradec për vitet 2014, 2015 dhe 2016. Në maj të vitit 2020, Kllapi u emërua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në SPAK, duke u vlerësuar me 174 pikë, në krye të të gjithë kandidatëve, duke lënë pas Dritan Prençin, Vladimir Marën dhe Dorina Bejkon.

    Trajnimet në SHBA dhe BE

    Procesi i vlerësimit të kandidaturave kanë marrë pjesë përfaqësues të SHBA-BE. Pas emërimit në SPAK, Kllapi ka marrë pjesë në disa trajnime me ekspertë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian. Prokurori Kllapi kaloi me sukses dhe me lehtësi procesin e vetingut në maj të vitit 2019. Kllapi u konfirmua në detyrë më 13 maj të vitit 2019, duke u vlerësuar pozitivisht në kriterin e pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale. Edhe pse është pjesë e organit të akuzës prej 13 vitesh, Sotir Kllapi nuk ka asnjë pasuri të paluajtshme, të paktën deri në vitin 2018. Prokurori rezulton se ka jetuar me qira në Qytetin Studenti, duke lidhur një kontratë qiraje me Rezidencën Studentore Universitare Tiranë. Megjithatë mbetet për t’u parë se çfarë zgjidhje do t’i japë dosjes së Ilir Metës, e cila mund të jetë edhe dosja që do të shënjojë karrierën e tij.

  • Kryeministrja e Italisë vjen me pushime në Vlorë

    Kryeministrja e Italisë vjen me pushime në Vlorë

    Vendin tonë e ka zgjedhur për të kaluar pushimet edhe kryeministrja e Italisë. Giorgia Meloni mbërriti në Vlorë pasditen e së hënës me tragetin e linjës të nisur nga Brindisi së bashku me familjen e saj, për të pushuar disa ditë në bregdetin shqiptar.

    Ajo është pritur në portin e Vlorës nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili më herët e kishte ftuar atë për të vizituar Shqipërinë këtë verë. Meloni ishte shprehur se do të bënte të pamundurën dhe e mbajti premtimin.

  • Ylli Manjani paralajmëron Ramën nga Himara: E ke gabim që luan me nervin e himarjotit, do e pësosh si gjermani

    Ylli Manjani paralajmëron Ramën nga Himara: E ke gabim që luan me nervin e himarjotit, do e pësosh si gjermani

    Nga protesta që po mbahet në Himarë në mbështetje të kryebashkiakut të zgjedhur, Fredi Belerit, avokati Ylli Manjani u ‘kanos’ drejt kryeministrit Edi Rama, duke i bërë thirrje që të mos bëjë shaka me nervin e himarjotëve.

    Më tej ai u shpreh se nuk bëhet fjalë vetëm për Belerin, por për demokracinë dhe vullnetin e lirë të shqiptarëve.

    “Nuk bëhet shaka me nervin e himarjotit. Rama e ka gabim që luan me nervin e himarjotit se do e ketë me keq se ai i gjermanit. Nuk është çështja vetëm për Belerin, por është fjala për demokracinë, për ju, për vullnetin e lirë. Si është e mundur që në vitin 2023 gjunjëzojnë vullnetin e lirë? Edhe mua s’më pëlqen Rama, por është kryeministër. Pse me të pëlqyer është kjo punë? Kjo është një ngjarje e rëndë juridike për shtetin shqiptar. E arrestuan me pretendimin se u kap në flagrancë dhe unë e kam parë atë letër dhe nuk është e tillë.

    E dini kush ehte kapur në flagrancë? Policia e Shtetit, që gjet dëshmitarë fals. Gjetën hallexhiun fals, por e mëshirojmë atë se nga halli e ka bërë”, u shpreh Manjani në protestë

  • Vangjel Dule kërcënon Edi Ramën: Kjo është vijë e kuqe, pasoja të rënda nëse nuk tërhiqesh

    Vangjel Dule kërcënon Edi Ramën: Kjo është vijë e kuqe, pasoja të rënda nëse nuk tërhiqesh

    Vangjel Dule një nga pjesëmarrësit dhe organizatorët e protestës në Himarë kundër vendimit politik për të penguar betimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Bleri është shprehur se kjo është vizë e kuqe dhe se nëse Rama nuk tërhiqet do të ketë pasoja të rënda.

    Dule ka theksuar se qytetarët e Himarës janë qytetarë që e duan lirinë dhe se nuk mundet ti pengojnë në të drejtat e tyre kushtetuese.

    “Protesta ishte një kërkesë nga qytetarët e Himarës për të organizuar një tubim të tillë dhe të shprehim mesazhin se vendi i Belerit nuk është në qelitë e Edi Ramës si burgosuri i tij politik por në krye të punëve të bashkisë së Himarës.

    Pjesëmarrja mesazhi dhe vetë tempi i dhënë nga qytetarët është një dëshmi e qartë e ndjenjës së revoltës që ka shkaktuar çështja e sajuar e Ramës dhe personave në radhët e policisë dhe drejtësisë. Ky është momenti i një reflektimi përfundimtar dhe nuk do të tolerohet më nga qytetarët të cilët e kanë lirinë dhe barazinë si pjesë themeltare e tyre.

    Himara ishte nja nga trevat e pakta që nuk ju nënshtrua perandorisë osmane, ruante marrëdhënie me Venedikun dhe Himara në vitin 1945 që i dha votë negative kundër komunistëve.

    Burgosja e Belerit është burgosje ndaj lirisë dhe votës së lirë të qytetarëve por kjo nuk do të ndodhë dhe nuk do të tolerohet më”, tha Dule ne nje interviste per Syri Tv.

  • Kush po e pengon hetimin për aferën e inceneratorëve? Sali Berisha del me deklaratën e fortë: Arben Ahmetaj dhe familja e tij po kërcënohen me jetë

    Kush po e pengon hetimin për aferën e inceneratorëve? Sali Berisha del me deklaratën e fortë: Arben Ahmetaj dhe familja e tij po kërcënohen me jetë

    Ish kryeministri Sali Berisha ka bërë sot një denoncim të fortë sa i takon hetimeve për aferën e inceneratorëve. Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se prej disa javësh Arben Ahmetaj dhe familja e tij janë në kërcënim.

    Sali Berisha: Sot sytë dhe mendjet e shqiptarëve janë të drejtuara në hetimin e vjedhjes së shekullit. Dua të shtoj këtu se afera e djegësave e vlerësuar nga shqiptarët si vjedhja e shekullit është hetimi ose dështimi i shekullit. Pra hetim i suksesshëm ose dështimi i tmerrshëm i këtij hetimi.

    Jam këtu sot për të denoncuar para shqiptarëve disa zhvillime me të cilat kupola e mafies së plehrave po bën gjithçka për të ndikuar dhe penguar hetimin.

    Së pari, unë ju informoj se prej tre javësh breshëri kërcënimesh me jetën e tij të prindërve dhe familjarëve të tjerë, vërishojnë nga të katër anë drejt Arben Ahmetajt.

    Këto dëshmojnë tmerrin dhe datën që Ahmetaj u ka kaluar Ramës dhe Veliajt si bosët e vjedhjes së shekullit.

  • Rama publikon mesazhet e turistëve të huaj: Të befasuar prej mikpritjes e plazheve “sekrete” të Vlorës

    Rama publikon mesazhet e turistëve të huaj: Të befasuar prej mikpritjes e plazheve “sekrete” të Vlorës

    Vlora po pret këtë verë turistë nga e gjithë Europa të cilët zgjedhin të zbulojnë bukuritë e fshehura të bregdetit jonian edhe përmes udhëtimeve me anije.

    Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale përshtypjet e disa prej tyre, të cilët shprehen të befasuar prej mikpritjes, detit, por edhe plazheve “sekrete” të zbuluara gjatë udhëtimeve magjike me anije.

    Është hera e parë që vijmë në Vlorë. Erdhëm një natë më parë dhe është me të vërtetë një qytet i bukur, me plazhe të bukura dhe njerëz shumë të dashur. Gjatë mbrëmjes gjallërohet dhe na pëlqen shumë”, u shprehën dy turiste të huaja.

    “Këtu në Vlorë është shumë bukur. Bëmë një udhëtim me anije turistike dhe pamë plazhe shumë të bukura edhe pse sot është shumë vapë. Po, temperaturat janë shumë të larta sot dhe ia vlente të ishe këtu në anije. Njerëzit dhe stafi ishin shumë të këndshëm. Njerëzit gjatë gjithë kohës ishin duke kërcyer në anije, të gjithë po argëtoheshin, pra ishte vendi i duhur për t’u vizituar”, thanë një çift turistësh të huaj.

    Simon nga Austria tha se ndodhej në Vlorë prej dy ditësh dhe u kënaq shumë gjatë udhëtimit me varkë.

    Kemi ardhur këtu prej dy ditësh. Është shumë vapë tani, por shumë bukur dhe u kënaqëm shumë gjatë udhëtimit me varkë. Ishte shumë argëtues, ishim të sigurt. Pata një udhëtim të këndshëm dhe ishte një ditë e mrekullueshme”, tha ai.

    https://www.facebook.com/watch/?v=5883548015080725