Category: Sport

  • Ajeti në ‘sparkatë’ para nisjes së Europianit: Të tria ndeshjet e grupit i konsideroj si ‘finale’ (Video)

    Ajeti në ‘sparkatë’ para nisjes së Europianit: Të tria ndeshjet e grupit i konsideroj si ‘finale’ (Video)

    Numërimi mbrapsht ka nisur, emocionet sa vijnë e shtohen. 24 kombëtaret finaliste të “Euro 2024” janë gati për start. Mes tyre edhe Shqipëria jonë, e cila do të marrë pjesë për herë të dytë në Kampionatin Europian.

    Të shortuar në një grup “ferri”, përkrah Spanjës, Italisë dhe Kroacisë, kuqezinjtë e drejtuar nga Sylvinho janë tashmë të fokusuar totalisht te sfida debutuese në Gjermani, më 15 qershor, në Dortmund, kundër kampionëve të Europës në fuqi.

    Në konferencë për shtyp, ditën e sotme ka dalë mbrojtësi Arlind Ajeti, njëri nga lojtarët e paktë kuqezinj, që kanë shijuar edhe “Euro 2016”. Ajeti deklaroi se pjesëmarrja në Europian si për herë të parë, ashtu edhe të dytë prodhon shumë emocione:

    Si ndihesh që je grumbulluar për të dytën herë në Europian?

    Shumë mirë, besoj se çdo lojtar që është grumbulluar ndjehet mirë është diçka speciale.

    Çfarë do bësh ndryshe në këtë Europian dhe a do kesh më shumë minuta në dispozicion?

    Nuk e di çfarë do bëj ndryshe, unë mundohem gjithmonë të jem pranë ekipit. A do luajë apo jo e vendos trajneri, unë do e mbështes Kombëtaren si në fushë ashtu edhe jashtë saj.

    Gjatë sezonit keni pasur dëmtime, a je 100% gati?

    Po, dëmtimet janë pjesë e futbollit. Unë besoj se jam përgatitur mirë dhe miqësoret kanë qenë të rëndësishme për mua dhe besoj se jam gati.

    A shpresoni te rezultatet pozitive?

    Shpresat janë që për çdo ndeshje të jemi mirë, në futboll mund të ndodhë gjithçka. Ne do të japim maksimumin dhe si në ndeshjen e parë dhe të fundit.

    Si kanë rezultuar analizimet e kundërshtarëve, cilit i duhet kushtuar më shumë vëmendje?

    Kemi analizuar me detaje kombëtaren italiane, në ditët e ardhshme, sot dhe nesër, do t’i shohim edhe më specifikisht sulmuesit.

    Cili ju duket sulmuesi më i rrezikshëm i Italisë?

    Çdo sulmues duhet parë me kujdes, Italia ka lojtarë me cilësi të lartë. Besoj se Scamacca për momentin është shumë i rrezikshëm, por duhet parë çdo lojtar.

    Italia, kampionia në fuqi e Europës. Si po e përjetoni që do të ndesheni me të qysh në takimin e parë?

    Europiani është gjithmonë i veçantë dhe besoj se çdo lojtar e ka ëndërr që të jetë njëherë pjesë e tij. Është diçka shumë e veçantë, duhet të japim maksimumin.

    A besoni tek ecuria pozitive?

    Ne i besojmë vetes, ekipit dhe çdo lojtari që është i grumbulluar. Do të japim maksimumin, pastaj le të shohim.

    Jemi në të ashtuquajturin “grup ferri”…

    Kemi tri finale, çdo ndeshje është speciale për ne. Do të jetë e vështirë, shpresojmë të bëjmë diçka të veçantë.

    A është kjo kombëtare më e fortë se ajo e vitit 2016?

    Nuk di të them nëse skuadra është më e fortë, por kemi shumë cilësi. Mjaft lojtarë tanët aktivizohen me klube të mëdha. Kualiteti duket në kombëtare, kemi lojtarë shumë në formë.

    Këshilla që ju jepni lojtarëve, të cilët janë për herë të parë në Europian…

    Është e veçantë edhe për ne veteranët, pavarësisht se e kemi për herë të dytë Europianin. Do të jetë sërish e veçantë, pasi nuk përshkruhet me fjalë. Emocionet janë të ndryshme, ndonëse është e dyta herë. Ne mundohemi të mbështetim çdo lojtar të ri.

    A i keni bërë llogaritë këtë edicion, si ju dalin?

    Llogaritë nuk i kemi bërë, ne do të shohim ndeshje pas ndeshje. Kemi të parën me Italinë dhe më pas do të shohim më tutje.

    A keni presion për rezultate pozitive pas përkrahjes së shumë tifozëve që gjetët në Gjermani?

    Presioni është normal në futboll, si me klubet, edhe në kombëtare. Natyrisht, në kombëtare ndihesh më krenar, sepse përfaqëson kombin tënd. Jemi të emocionuar si na pritën tifozët kur mbërritëm këtu. Besoj se janë një motiv më shumë shtesë për të dhënë gjithçka në këtë Europian.

    Më cilin prej lojtarëve ke raport më të mirë?

    Me të gjithë kemi raport shumë të mirë, besoj se harmonia na ka ndihmuar edhe në kualifikuese. Me të gjithë kam marrëdhënie të mira, edhe pse duhet ta them se me Beratin kam më shumë kohë që luajmë në kombëtare.

    Cila kombëtare kuqezi të jep më shumë siguri ajo e vitit 2016 apo kjo e sotmja?

    Më 2016 isha mes më të rinjve, por kisha mbështetjen e Canës. Tani jam me më shumë eksperiencë, por ka të rinj të talentuar. Nuk di t’i ndaj.

  • Do shkoni në Gjermani për kombëtaren? Vjen njoftimi i rëndësishëm

    Do shkoni në Gjermani për kombëtaren? Vjen njoftimi i rëndësishëm

    Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton të gjithë shqiptarët se gjatë mbajtjes së kampionatit europian Euro 2024 dhe pjesëmarrjes së ekipit kombëtar shqiptar në këtë kompeticion, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Gjermani do të ofrojë shërbime konsullore në qytetet ku do të zhvillohen ndeshjet.

    “Në Dortmund – më 14-15-16 qershor 2024, në adresën: Märkische Straße 120 (Seminar Gebaüde), 44141 Dortmund (Dhoma e Tregtisë e Dortmundit – IHK)

    Në Hamburg – më 18-19-20 qershor 2024, në adresën: Rothenbaumchaussee 133, 20149 Hamburg (Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Hamburg)

    Në Dyseldorf – më 23-24-25 qershor 2024, në adresën: Bilker Str. 29, 40213 Düsseldorf (Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Dyseldorf)”, njoftoi MEPJ.

    “Në rast emergjencash shtetasit e interesuar janë të lutur të kontaktojnë në adresën e e-mailit: [email protected] dhe +49 1719259782”, njoftoi ministria.

    Ndeshjen e parë Shqipëria e ka ndaj Italisë më 16 Qershor në Dortmund. 3 ditë më vonë, më 19 Qershor luan në Hamburg ndaj Kroacisë dhe e përmbyll fazën e grupeve në Dyseldorf përballë Spanjës më 24 Qershor.

  • Berisha me dhimbje në shpinë, ja si mund të luajë Shqipëria kundër Italisë

    Berisha me dhimbje në shpinë, ja si mund të luajë Shqipëria kundër Italisë

    Kombëtarja ka zhvilluar ditën e djeshme dy seanca stërvitore, një paradite e cila nisi në orën 11:00, ku përveç portierit Etrit Berisha, i cili kishte dhimbje në shpinë, i gjithë grupi tjetër u stërvit normalisht.kombetarjaTë vendosur në kampin bazë në Kaiserau, në një kompleks shumë të mirë sportiv që prej ditës së shtunë, kuqezinjtë dolën në fushën e stërvitjes edhe për seancën e dytë e cila u zhvilluar pasdite dhe u ndoq nga një numër i lartë tifozësh, të cilët nuk u trembën nga shiu, kjo pasi hyrja ishte e lirë për të ndjekur nga afër lojtarët.

    Sa i përket formacionit, dilema mbetet në portë mes Strakoshës dhe Berishës, ndërsa në mbrojtje Hysaj është më i avantazhuar se Balliu, ndërsa balotazh të fortë ka mes Ajetit dhe Ismajlit. Pjesa tjetër mbetet si më poshtë: Gjimshiti, Mitaj, Asllani, Ramadani, Bajrami, Asani, Seferi, Broja.

  • E pazakontë, mesfushori bie nga biçikleta dhe humbet Euro 2024-ën

    E pazakontë, mesfushori bie nga biçikleta dhe humbet Euro 2024-ën

    Futbollisti i kombëtares së Çekisë, Michal Sadilek nuk do të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjet e Euro 2024, dhe arsyeja është e pazakontë!

    Mesfushori 25-vjeçar, pjesë e Twentes në Eredivisie, pësoi një dëmtim në gju si pasojë e rrëzimit nga biçikleta…

    Plaga e marrë nuk e lejon që të jetë në maksimumin e tij dhe në të tilla rrethana ka humbur pjesëmarrjen me Çekinë në Europianin e Gjermanisë.

    Një situatë dhe dëmtim tepër i çuditshëm për një arsye të vështirë për t’u imagjinuar.

    Dhe lojtarit nuk i mbetet veçse të bëjë tifo nga shtëpia për shokët e tij.

    Çekia, kundërshtar të cilit Shqipëria i mori 4 pikë në fushatën eliminatore, ndodhet në grupin F. Me Portugalinë, Gjeorgjinë dhe Turqinë.

    Duelin e parë, ekipi i drejtuar nga Ivan Hasek do ta luajë në datën 18 qershor përballë Portugalisë së Cristiano Ronaldos.

  • Ramadani: Ja cili do të jetë çelësi i suksesit përballë Italisë

    Ramadani: Ja cili do të jetë çelësi i suksesit përballë Italisë

    Kombëtarja ka zbarkuar mbrëmjen e djeshme në Kaiserau dhe është ekpi i parë që zbret në tokën gjermane për Euro 2024. Kuqezinjtë sot janë lënë pushim nga Sylvinho, për të nisur ditën e nesërme përgatitjet për duelin me Italinë që do të luhet me 15 qershor në orën 21:00 në “Signal Iduna Park” në Dortmund.

    Në konferencën e sotme për shtyp doli Ylber Ramadani. Mesfushori i Kombëtares tregoi gjendjen e skuadrës dhe analizoi duelin e radhës me italianët.

    “Atmosfera në ekip? Atmosfera është fantastike dhe jemi këtu të gjithë bashkëu. Sot jemi pushim, dje na kanë bërë një pritje fantastike. Ndjenjë shumë e mirë të marrësh këtë mbështetje.

    Konkurenca në mesin e fushës? Normalisht se konkurenca i bën mirë Kombëtares. Nuk ka rëndësi kush luan, rëndësi ka të japim më të miën tonë, pasi kemi kundërshtarë të fortë.

    Kundër kampionëve në fuqi, çfarë ndjesie u jep? Është një ndjenjë e veçantë, pasi do të kemi përballë kampionët në fuqi. Në fushë duhet të flasim dhe të tregojmë vetën tonë.

    Sa e vështirë ishte të siguronit pjesëmarrjen në Euro 2024? Është një ëndërr e bërë realitet. Për mua është ndjenjë e papërshkrueshme të luaj në Euro 2024 dhe unë do të bëj maksimumin si për kombëtaren si për ekipin.

    Ke ruajtur energjinë për Kombëtare? Nuk e llogaris fare energjinë për Kombëtaren. Unë do të jap shumë më shumë se sa duhet.

    Do luajë Shqipëria në kundërsulm ndaj Italisë? Ndaj Azerbajxhanit ne nuk luajtëm në kundërsulm. Ne bëjmë në fushë atë që thotë trajneri dhe është ai që vendos çfarë do të bëjmë.

    A i keni ndjekur miqësoret e Spanjës dhe Kroacisë? I kemi parë se si luajnë. Janë ekipe të forta, por në do të bëjmë në fushë maksimumin. Ne duhet t’ia lejmë fushës.

    Sa na ndihmon fakti që luajnë disa lojtarë në Serie A? Na ndihmon shumë, pasi çdo lojtar të Italisë e dimë se si luajmë. Ne i dimë pasi kemi luajtur kundër tyre gjatë kampionatit.

    Kalendari sa u favorizon? Të 3 ndeshjet janë të forta. Luajmë kundër kampionait të Botës, kampionit të Europës dhe gjysmëfinalistëve së Botës. Do të luajmë gjithçka për gjithçka.

    Sa na favorizon fakti që na nënvlerësojnë? Mua gjithmonë më ka pëlqyer kur nuk na vlerësojnë, pasi me heshtje i thyen të gjithë.

    Një gol në minutën e para apo në fund? Në minutën e 95-të që ta mbyllim siç duhet”, ka përfunduar lojtari kuqezi.

  • Mediat britanike i tremben incidenteve: Në Gjermani kanë mbërritur huliganët shqiptarë dhe ata polakë

    Mediat britanike i tremben incidenteve: Në Gjermani kanë mbërritur huliganët shqiptarë dhe ata polakë

    Mediat britanike i tremben incidenteve dhe trazirave gjatë zhvillimit të kampionatit europian në Gjermani.

    “Express” i ka dedikuar një shkrim grupeve huligane, duke veçuar ata shqiptarë dhe polakë.

    Gazeta britanike thotë se tifogrupi i “Illyrian Elite”, i përjashtuar tashmë nga mundësia për të përfituar bileta gjatë ndeshjeve të kombëtares shqiptare, ka mbërritur në Gjermani.

    Gazeta thotë se ata kanë shpërndarë në kanalin e tyre në Telegram një fotografi ku bëjnë përshëndetjen naziste.

    Huliganët polakë janë edhe më të rrezikshëm, thuhet në shkrim, ata kanë bërë thirrje për sulme ndaj njerëzve me ngjyrë dhe myslimanëve.

  • Me këngë e brohorima! Shihni si u prit Kombëtarja Shqiptare e Futbollit në Gjermani (Video)

    Me këngë e brohorima! Shihni si u prit Kombëtarja Shqiptare e Futbollit në Gjermani (Video)

    Përveç flamujve kuq e zi dhe simboleve të tjera kombëtare, në mbërritjen e ekipit përfaqësues në Gjermani, nuk munguan as këngët patriotike.

    Kombëtarja Shqiptare e Futbollit mbërriti pasditen e sotme në Dusseldorf, duke u bërë e para skuadër finaliste e Europianit që zbarkon në Gjermani. Menjëherë sapo mbërritën në aeroportin e Dusseldorf-it, kuqezinjtë u pritën në një atmosferë fantastike.

    Ambasadorja e Shqipërisë në Gjermani, Adia Sakiqi, zyrtarë të UEFA-s, përfaqësues të lartë të aeroportit, por edhe disa fëmijë nga komuniteti shqiptar në Dusseldorf, mirëpritën të parët Kombëtaren Shqiptare, duke i uruar mirëseardhje dhe suksese në Kampionatin Europian.

    Siç shihet edhe në videon më lart, fëmijët në kor brohorisnin “Albania”.

    Menjëherë më pas Kombëtarja Shqiptare është nisur drejt Dortmundit ku do të akomodohet në kampin bazë gjatë ditëve të qëndrimit në Gjermani për finalet e Euro 2024 në SportCentrum Kaiserau./TV Klan

  • “Nuk më mbështetën”/ Chelsea “fshin” Armando Brojën nga ekipi pas deklaratës së “hidhur” (Foto)

    “Nuk më mbështetën”/ Chelsea “fshin” Armando Brojën nga ekipi pas deklaratës së “hidhur” (Foto)

    Duket se rrugët e Armbando Brojës dhe ekipit të Chelsea janë të destinuara të ndahen.

    Këtë e vërtetoi dhe vetë futbollisti shqiptare me deklaratën e fundit, ku sulmuesi i Kombëtares kritikoi klubin dhe trajnerin Pochettino që nuk e kishin mbështetur në momentet e tij më të vështira dhe theksoi se ishte gati t’u tregonte të gjithë atyre që dyshonin te ai se çfarë ishte në gjendje të bënte duke veshur fanellën e Shqipërisë në Europian.

    Kjo deklaratë ka sjellë dhe reagimin e parë nga Londra, me klubin blu që ka filluar ta “zhdukë” praninë e tij në skuadër që tani. Në një shkrim në faqen e internetit të klubit që u kushtohet përfaqësuesve të Chelsea-s që marrin pjesë në Europian, emri i Brojës nuk figuron askund edhe pse ai pritet të jetë protagonist me Shqipërinë në Gjermani.

    “Fat të mbarë të gjithë lojtarëve tanë të përfshirë”, shkruante Chelsea në këtë lajm që kishte emrat e Marc Cucurella (Spanjë), Conor Gallagher dhe Cole Palmer (Angli), Djordje Petroviv (Serbi) dhe Mykhailo Mudryk (Ukrainë).

    Askund nuk ishte emri i Brojës, ndonëse edhe ai shkon zyrtarisht si futbollist i Chelesea në këtë Europian meqë kontrata e huazimit të tij te Fullhem përfundoi me mbylljen e sezonit futbollistik në Premier League.

  • Spanjollja “AS” analizon pikën e fortë dhe të dobët të Shqipërisë: Bajrami është lider, por një nga lojtarët bënte pasime shqetësuese

    Spanjollja “AS” analizon pikën e fortë dhe të dobët të Shqipërisë: Bajrami është lider, por një nga lojtarët bënte pasime shqetësuese

    Paraqitja e Shqipërisë në miqësoren e fundit përgatitore ndaj Azerbajxhanit është pasqyruar edhe në mediat e njohura ndërkombëtare, me spanjollen “AS” që i ka dhënë vëmendje të veçantë lojës që shfaqën kuqezinjtë me të cilët do të ndeshet në grupin e saj përfaqësuesja iberike.

    E përditshmja spanjolle i ka kushtuar një artikull ku ka analizuar pikat e forta dhe të dobëta që shfaqën kuqezinjtë në këtë ndeshje të fituar 3-1 nën drejtimin e Silvinjos.

    “Pasi mposhti Lihtenshtejnin (3-0), Shqipëria gjithashtu nuk i ndal për të kaluar Azerbajxhanin në miqësoren e dytë dhe të fundit përgatitore para fazës finale. Dy miqësore të rehatshme për të fituar besim dhe për të qartësuar idetë. Njëra prej tyre, që Bajrami, futbollisti i Sasuolos italian, është një nga liderët e kësaj skuadre të SIlvinjos.

    Gjysmësulmuesi ishte më aktivi i sulmit shqiptar. Guximi i tij ishte ajo që krijoi golin e parë të ndeshjes. Ramadani përfitoi nga një gabim në nxjerrjen para të topit nga Mustafazada për t’ia dhënë topin Bajramit. Nga jashtë zonës, rreth njëzet e pesë metra larg portës, gjuajti në shtyllën e parë. Ai përfitoi nga përplasja në tokë për të ngatërruar portierin.

    Shqipëria dominoi pa probleme, ndonëse krahu i djathtë nuk u mbrohej shumë mirë nga Hysaj, me disa gabime në pasime që ishin disi shqetësuese. Por rivali nuk ishte i një niveli të lartë. Dhe atmosfera ishte si një ndeshje stërvitore. Vetëm disa qindra tifozë mund të shiheshin në tribunat hungareze ku binte shi për pjesën më të madhe të lojës. Dhe e mbajti rezultatin pa shumë befasi përtej goditjes së lirë direkte të Mahmudov nga pozicioni ballor.

    Pranë fundit, Rei Manaj shënoi duke përfituar nga një devijim nga një qendërmbrojtës. Laçi bëri 3-0 pasi priti topin shumë komod brenda zonës dhe shmangu sipas qejfit mbrojtësin. Me rezultatin 3-0 dhe vetëm pak minuta të shtuara, intensiteti i mbrojtjes ra. Ndaj nuk mund të nxirren shumë konkluzione nga goli që shënoi Gurbanli për të kompensuar sadopak rezultatin”, ishte analiza e “AS” për ndeshjen e Shqipërisë.

    PANORAMASPORT.AL

  • Zyrtarizohet lista e Shqipërisë për Euro 2024, kë la jashtë Sylvihno

    Zyrtarizohet lista e Shqipërisë për Euro 2024, kë la jashtë Sylvihno

    Shqipëria ka dërguar listën e saj zyrtare për Euro 2024. Trajneri Silvihno ka hequr nga lista vetëm një lojtar. Bëhet fjalë për portierin e Eintracht Frankfurt, Simon Simoni.

    Kujtojmë që për fazën përgatitore që u zhvillua në Austri, Sylvinjo ftoi 27 lojtarë nga 26 që lejohet të shkojnë në Europian. Kështu një portier i katërt do të ishte i tepërt, mbi të gjitha sepse në grumbullim janë 27 lojtarë.

    Pas kësaj date, kombëtaret kanë të drejtë që të zëvendësojnë portierin në rast se dëmtohet një i tillë gjatë turneut. Pavarësisht se nuk do të ketë mundësi të japë kontributin e tij në fushë portieri Simon Simoni do të udhëtojë me ekipin drejt Dortmundit në kampin bazë dhe do të qëndrojë me skuadrën në mbështetje të kuqezinjve në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”.

    Lista e lojtarëve në Euro 2024:

    Portierë: Etrit Berisha, Thomas Strakosha, Elhan Kastrati;

    Mbrojtës: Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Ardian Ismajli, Arlind Ajeti, Naser Aliji, Mario Mitaj, Enea Mihaj, Marash Kumbulla;

    Mesfushorë: Amir Abrashi, Kristjan Asllani, Nedim Bajrami, Medon Berisha, Klaus Gjasula, Qazim Laçi, Ernest Muçi, Ylber Ramadani;

    Sulmues: Jasir Asani, Armando Broja, Mirlind Daku, Arbër Hoxha, Rey Manaj dhe Taulant Seferi