Category: Sport

  • Sylvinho i përgjigjet ‘kritikëve’ të listës: ‘Nuk kam kohë për debate’!

    Sylvinho i përgjigjet ‘kritikëve’ të listës: ‘Nuk kam kohë për debate’!

    Trajneri Sylvinho doli sot në konferencën për shtypin në lidhje me përgatitjet e kombëtares shqiptare për Euro 2024. Braziliani, ndër të tjera tha:

    “Këtu është një atmosferë shumë e mirë. Donim që ta nisnim në Tiranë, për të ndier atmosferën dhe entuziazmin e njerëzve. Kemi 3-4 ditë që kemi nisur fazën përgatitore. Kemi Seferin që luajti në datën 29 maj, kemi Abrashin që ka luajtur së fundmi, mbrëme u bashkua me grupin. Kemi edhe kapitenin Gjimshiti që ka një ndeshje për të luajtur. Do të bashkohet nesër me ne.

    Po përgatitemi sa më mirë për Euro 2024. Kam parë motivimin e duhur te skuadra. Nuk na mungon karikimi dhe motivimi, kjo është një gjë shumë e bukur.

    Kemi lojtarë me karakteristika të ndryshme. Nesër, me shumë mundësi do e kemi grupin të plotë. Ka lojtarë që kanë ardhur nga shumë ndeshje. Nuk po them që janë të lodhur, por duhet t’i menaxhojmë mirë.

    Si edhe ata që nuk kanë luajtur shumë. Euro 2024 është turne i shpejtë dhe dinamik. Duhet të përgatitim sa më mirë lojtarët, që të japin kontributin e tyre për kombëtaren e Shqipërisë. Duhet të përgatitim të gjithë lojtarët, të gjithë, dhe të aktivizojmë më pas më të mirët. Gjithë grupi ka karikimin e duhur.

    Në një turne të tillë si Europiani 1 minutë mund të bëjë diferencën. Në çdo moment mund të ndryshohet situata, çdo futbollist mund të bëjë diferencën. Lojtarët që nuk e kuptojnë këtë situatë i bie që të mos jenë në gjendje të zbresin në fushën e lojës. Miqësoret me Lihtenshtejnin dhe Azerbajxhanin? Ideja ime është që të hedhim në fushë lojtarët që kanë luajtur më pak. Dhe të rikuperojmë ata që kanë luajtur më shumë me klubet e tyre.

    Lista? Nuk kam kohë të shoh se çfarë thuhet në publik. Kam shumë ngarkesë dhe punë për të bërë. Nuk arrij të jem në gjendje të ndjek debatet që bëhen. Secili ka mendimin e tij për listën.”

  • Silvinjo e la jashtë, por Myrto Uzuni përfundon në… qendër të merkatos spanjolle

    Silvinjo e la jashtë, por Myrto Uzuni përfundon në… qendër të merkatos spanjolle

    Myrto Uzuni nuk u grumbullua nga trajneri Silvinjo në listën e bërë publike pak para startit të Europianit, por kjo nuk e ka penguar aspak sulmuesin beratas që të përfundojë në qendër të merkatos. Pas rënies së Granadës nga La Liga, gjasat janë të mëdha që Uzuni të vazhdojë karrierën në ndonjë skuadër elitare.

    Sipas informacioneve të “Mundo Deportivo”, sulmuesi shqiptar po ndiqet nga Rajo Vajekano e Ivan Balliu, por ardhmja e tij mund të jetë edhe te Sevilja, një klub që prej disa muajsh ndjek hapat e tij.

    Me një vlerë tregu prej 10 milionë eurosh, nuk duket se Granada CF do të ulë sadopak çmimin fillestar për Uzunin. Gjithsesi mbetet të shihet me mjaft interes se cila do të jetë e ardhmja e talentit beratas.

    PANORAMASPORT.AL

  • Chelsea “nxjerr në ofertë” Armando Brojën, gazetari britanik “zbulon” të ardhmen e sulmuesit shqiptar

    Chelsea “nxjerr në ofertë” Armando Brojën, gazetari britanik “zbulon” të ardhmen e sulmuesit shqiptar

    Chelsea duket se ka ulur çmimin për sulmuesin shqiptar Armando Broja, duke kërkuar tashmë 25 milionë paund, nga 50 milionë që kërkonte përpara se ta jepte te Fullhami për këtë sezon jo edhe aq të suksesshëm për të.

    Megjithatë, gazetari sportiv britanik Ben Jacobs thotë se Broja do të largohet nga Chelsea këtë verë, ndërsa zbulon edhe ekipet që janë në garë për të.

    Si lëvizje surprizë, nuk përjashtohet as një ofertë nga arabët e Al-Shabab.

    Ja çfarë shkruan ai në rrjetet sociale:

    Armando Broja pritet të largohet nga Chelsea këtë verë, por nuk do të kthehet në Fulham.

    Wolves, Crystal Palace dhe Everton janë tre klube të interesuara në Premier League.

    Monako dhe Milani të dy ndjekin Brojën gjithashtu.

    Broja gjithashtu i hapur për një lëvizje saudite. Al-Shabab e ka parë atë në të kaluarën.

    25 milionë paund janë ato që klubet po konsiderojnë, pavarësisht se Chelsea e vlerëson atë në dyfishin e asaj përpara huazimit të tij në Fulham.

  • Kush e fiton Euro 2024? Gjiganti i basteve bën parashikimin dhe na ul me “këmbë në tokë”…Ja ku e rendit Shqipërinë

    Kush e fiton Euro 2024? Gjiganti i basteve bën parashikimin dhe na ul me “këmbë në tokë”…Ja ku e rendit Shqipërinë

    Teksa Kampionati Europian po afron, ethet po shtohen te kombëtaret që kanë arritur të sigurojnë një vend për në Gjermani, po ashtu edhe për miliona tifozë.

    Sakaq, kompania gjigante e basteve në SHBA, BetMGM, ka publikuar parashikimin e saj duke renditur Anglinë si më favoriten.

    Parashikimi megjithatë, nuk favorizon Shqipërinë, që e rendit të parafundit, vetëm mbi Gjeorgjinë, vend i cili kualifikohet për herë të parë ne Kampionatin Europian.

    Pavarësisht se nuk ka fituar kurrë një kampionat evropian, Anglia konsiderohet favoritja për kompeticionin e këtij viti, pasi ajo përmban një mori lojtarësh yje në skuadër, duke përfshirë të preferuarin e Topit të Artë, Jude Bellingham, sezoni i jashtëzakonshëm i të cilit me Real Madrid e ka pozicionuar atë për të konkurruar për çmimin individual më prestigjioz të sportit.

    Franca është favoritja e dytë, duke kërkuar titullin e saj të parë evropian në 24 vjet, pasi ka arritur vetëm një herë në gjysmëfinale që nga ai trofe. Gjermania është favoritja e tretë që luan në tokën vendase, pasi ka zhgënjyer në turnetë e fundit të Kupës së Botës dhe ka arritur në gjysmëfinale vetëm dy herë që nga titulli i tyre më i fundit në 1996.

    Kampionia në fuqi e Italisë, e cila ka pasur ulje-ngritjet e saj gjatë dekadës së fundit, është favoriti i gjashtë falë betejave të tyre në kualifikimet e Euros dhe të Kupës së Botës në vitet e fundit.

    Renditja e plotë:

  • “ALBANIA”/ Capital T publikon këngën zyrtare të Kombëtares shqiptare në “Euro 2024” (Video)

    “ALBANIA”/ Capital T publikon këngën zyrtare të Kombëtares shqiptare në “Euro 2024” (Video)

    Ditën e sotme në orën 17:00, këngëtari i mirënjohur kosovar Capital T, ka publikuar këngën që do të ndjekë Kombëtaren shqiptare të futbollit në rrugëtimin e saj në EURO 2024.

    Kënga titullohet “ALBANIA”, dhe do të jetë hera e parë për këtë këngëtar që bën një këngë të personalizuar për Kombëtaren tonë.

    Ka më shumë se një javë që vetë këngëtari ka deklaruar që ditën e sotme do të publikohet kjo këngë dhe momenti erdhi më në fund.

  • “Të bëjmë surprizën e madhe në Europian, të kalojmë grupin”, Asani optimist: Kam një ndjesi që do t’i shënoj Italisë!

    “Të bëjmë surprizën e madhe në Europian, të kalojmë grupin”, Asani optimist: Kam një ndjesi që do t’i shënoj Italisë!

    Jasir Asani është duke u stërvitur në “Shtëpinë e Futbollit” për të qenë sa më në formë për Kampionatin Europian që do të nisë me 14 qershor. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka dhënë një intervistë të shkurtër për “TV Klan”, ku ka deklaruar se kuqezinjtë do të provojnë të kalojnë grupin. Asani duket optimist, teksa shprehet se ndjesitë i thonë se do të tundë rrjetën kundër Italisë.

    “Skuadra ka një mentalitet fitues. Nuk është rastësi që kemi ardhur në Europian dhe duhet ta bëjmë surprizën akoma më të madhe në Europian. Duhet t’ja tregojmë të gjithë botës, sepse me të vërtetë kemi lojtarë shumë të mirë, një staf shumë të mirë. Përse të mos e kalojmë grupin?! Sidomos me tifozët, do se t’ja dalim që në ndeshjen e parë. Zakonisht më pyesin shumë nëse do të shënoj kundër Donarumës, Kroacisë apo Spanjës. Unë kam një parandjenjë që do të shënoj kundër Italisë dhe kam një ndjesi që do të bëjmë gjëra të mëdha atje”, ka thënë Jasir Asani.

  • Alban Bushi tregon se si e bindi Medon Berishën të përfaqësojë Shqipërinë

    Alban Bushi tregon se si e bindi Medon Berishën të përfaqësojë Shqipërinë

    Pasi publikoi listën e Shpresave për ndeshjen e shtyrë ndaj Malit të Zi, trajneri Alban Bushi ka treguar edhe një detaj interesant sesi bindi Medon Berishën për t’iu bashkuar Shqipërisë në kohën kur ai luante me Shpresat e Kosovës.

    Bushi është shprehur se i ka premtuar Medon Berishës shiritin e kapitenit te Shpresat e Shqipërisë.

    “Berisha është për herë të parë, kemi pasur bindje që do të shkonte shumë herët në ekipin A, por shkoi më herët se sa pritej. Për ne ka qenë lojtar deçiziv dhe ftesa është mëse e merituar. Kur e kam kontaktuar për herë të parë i premtova shiritin e kapitenit dhe e meritoi, ishte një lider dhe i uroj shumë urime për Europianin”, tha Bushi.

    Medon Berisha është surpriza e madhe në listën e trajnerit Sylvinho për Euro 2024. Ai nuk ishte grumbulluar asnjëherë nga kombëtarja e madhe, por tashmë do ta bëjë këtë gjë në Europian.

    Berisha ishte kapiteni i Shpresave të Shqipërisë, ndërsa me skuadrën e Lecces në Serie A, ai është aktivizuar titullar në dy ndeshjet e fundit.

  • Kampionati Europian bashkë me Serbinë, Duka: Plagët janë të freskëta, por të shohim para. Lorik Cana: Jo hap i duhur!

    Kampionati Europian bashkë me Serbinë, Duka: Plagët janë të freskëta, por të shohim para. Lorik Cana: Jo hap i duhur!

    Presidenti i FSHF-së Armand Duka ka dhënë një intervistë për AP, ku ka sqaruar përpjekjen e tij për të bashkëorganizuar me Serbinë Kampionatin Europian për moshat U21.

    Pas revoltës që shkaktoi lajmi, duke sjellë edhe reagimet e ashpra të grupeve të tifozëve shqiptarë si në Kosovë dhe në Shqipëri, Duka është përpjekur të mbrojë këtë iniciativë duke thënë se synon “të japë mesazhe pozitive politike”.

    “Në realitet është një projekt 100% futbolli”, tha presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në një intervistë të fundit për Associated Press. “Ky është në fakt një mesazh shumë i mirë politik që ne mund ta përcjellim. Historia mes Serbisë dhe Shqipërisë është e njohur”, u shpreh ai.

    Lidhur me reagimet negative të tifozëve, Duka tha: “Ne patëm disa reagime negative nga fansat, kryesisht, dhe disa grupe interesi, por jo nga qeveria shqiptare”.

    “Ndoshta 10 vjet më parë ishte e paimagjinueshme që do të kishim një shans për të ofruar ofertë. Nuk pres ndonjë reagim negativ nga qeveria e Kosovës. Plaga është ende pak e freskët, ka vetëm 25 vjet. Pra e kuptoj një reagim të caktuar. Por ne duhet të shkojmë përtej kësaj, të shohim përpara dhe të kemi një të ardhme më të mirë”, deklaroi Duka.

    AP pyeti edhe kapitenin legjendar të kombëtares shqiptare të futbollit, Lorik Cana, i cili e quajti si një hap jo të duhur.

    “Nuk është hapi i duhur për mua. Pa kapërcyer disa procese të normalizimit të marrëdhënieve, do të ishte e vështirë të kishim organizime të përbashkëta pavarësisht vullnetit të mirë nga federata”, u shpreh Cana.

  • Ndryshime të mëdha nga Eliminatoret: Ja si mund të luajë Sylvinho me Shqipërinë në Euro 2024

    Ndryshime të mëdha nga Eliminatoret: Ja si mund të luajë Sylvinho me Shqipërinë në Euro 2024

    Pas pritjes së gjatë, dilemat morën fund për trajnerin Sylvinho, pasditen e së hënës, kur publikoi listën paraprake me 27 lojtarë për Euro 2024. Shumë u befasuan, për të tjerë ishte e pritshme, por trajneri duket se guxoi për të mirën e kombëtares.

    Ai la jashtë ekipit Cikalleshin, i cili ka qenë sulmuesi kryesor i Kombëtares në eliminatore, por nuk po kalon një moment të mirë në Turqi, ndërsa është në moshën 34-vjeçare. E dhimbshme për bomberin nga Kavaja, por nga ana tjetër trajneri është për t’u vlerësuar që riktheu në ekip dy sulmues me shumë potencial, Mirlind Daku dhe Manaj. Ky i fundit mbylli një sezon të shkëlqyer në Turqi dhe tashmë po kërkohet nga disa klube në Europë, ndërsa Daku bëri një kthesë të madhe pasi mungoi në miqësoret e marsit. Ai shpërtheu në Rusi me Rubin Kazanin, por me mendjen tek Europiani dhe djersa e derdhur u shpërblye për të.

    Në anën tjetër, Sylvinho i ka dhënë mundësinë e Medon Berishës, i cili fillimisht duhet të falënderojë trajnerin e Lecce-s, i cili e aktivizoi në formacion në ndeshjet e fundit, aty ku ka rënë më shumë në sytë e Sylvinho-s, që nuk hezitoi ta ftonte për herë të parë me kuqezinjtë.

    Edhe pse brazilian, Sylvinho këtë herë është munduar të tregohet shumë i kujdesshëm me grumbullimin e mbrojtësve dhe të mesfushorëve, duke i kushtuar një vëmendje shumë më të madhe se në Eliminatore, ku sulmi ishte më i mbipopulluar. E gjitha kjo ka ardhur si pasojë e kundërshtarëve me të cilët do të përballemi në Grupin B, Italia, Kroacia dhe Spanja. Me një nivel të tillë, sigurisht që kuqezinjtë do ta kishin thuajse të pamundur të luanin në sulm. Sylvinho i nisi eksperimentet që në ndeshjen miqësore ndaj Suedisë, e cila edhe pse u humb minimalisht 1-0, Shqipëria u tregua një skuadër shumë kompakte, mbronte mirë dhe dilte shpejt në sulm.

    Por cilët do të jenë emrat dhe skema me të cilën Sylvinho do të luajë në Gjermani?

    Braziliani ka treguar se nuk është i fiksuar te një skemë e caktuar, ashtu siç ishte Edy Reja para tij. Skema ndaj Suedisë në miqësore, duke u bazuar edhe te numri i madh i mesfushorëve të grumbulluar, pritet të jetë ajo me të cilën do të zbresim në fushën më 15 qershor ndaj Italisë, kampione në fuqi e Europës (4-2-3-1).

    Në portë, Sylvinho me shumë mundësi zgjedhje të parë ka Etrit Berishën, edhe pse ky i fundit nuk ka mundur të luajë asnjë minutë që prej 16 dhjetorit të vitit të kaluar. Këtu do të ndikojë eksperienca e gjigantit kuqezi, i cili është një nga lojtarët që ka marrë pjesë edhe në Euro 2016 në Francë. Në mbrojtje, të padiskutueshëm aktualisht janë kapiteni Gjimshiti dhe Mitaj. Ismajli po rikthehet ai i ditëve më të mira edhe pse vjen nga një dëmtim i rëndë dhe me shumë mundësi do të formojë dyshen e mbrojtjes kuqezi. Dilema mbetet në krahun e djathtë të sulmit, aty ku Hysaj dhe Balliu do të duhet të djersitnin shumë për bluzën e titullarit. Megjithatë, mbrojtësi që luan në Spanjë është pak më i favorizuar, pasi garanton dalje më të shpejta në sulm.

    Ramadani dhe Asllani janë të palëvizshëm, por me ndryshimin e skemës, Sylvinho mund të hedhë në fushën e lojës edhe një mesfushor tjetër, i cili do të garantonte kilometra dhe muskuj, që aktualisht këto karakteristika i plotëson Qazim Laçi. Ai do të ishte një ndihmesë shumë e madhe për Kristjan Asllanin, duke bërë që ylli i Interit të ishte më i lirshëm në lëvizjet e tij që do t’i garantonin skuadrës dalje më të shpejta.

    Asani nuk po kalon një moment të mirë, prej dhjetorit ai nuk ka asnjë minutë thuajse me skuadrën e tij dhe kjo bëri, sipas burimeve, që Sylvinho të ishte në dilemë të madhe për grumbullimin apo jo të tij, por në fund, Asani duket se e ka eklipsuar brazilianin me perlat që realizoi në Eliminatore. Me skemën e re, Asani mund të ulet në stol dhe pas sulmuesit kryesor pritet të jetë Bajrami dhe Seferi, dy nga futbollistët që kanë mbajtur një peshë të madhe në Eliminatore, kanë vrapuar shumë, por edhe kanë realizuar gola vendimtarë.

    Në sulm, gjithçka varet nga forma që do të tregojnë gjatë këtyre ditëve të stërvitje Broja, Daku dhe Manaj. Megjithatë, Armando Broja, është më i shpejtë në fazën sulmuese dhe këtë gjë Sylvinho e përsëriti edhe në konferencën për shtyp kur prezantoi listën një ditë më parë.

    Gjithsesi, trajneri ka më shumë se 2 javë kohë dhe do t’i shohë nga afër të gjithë futbollistët e grumbulluar dhe më pas do të vendosë sesi do të zbresë në fushën e lojës kundër Italisë më 15 qershor në Dortmund./A2CNN

  • U la jashtë Evropianit nga Sylvinho, Sokol Cikalleshi tërhiqet nga kombëtarja “kuqezi”: Fundi i një rrugëtimi!

    U la jashtë Evropianit nga Sylvinho, Sokol Cikalleshi tërhiqet nga kombëtarja “kuqezi”: Fundi i një rrugëtimi!

    Sulmuesi Sokol Çikalleshi ka marrë vendimin për t’u tërhequr nga kombëtarja e Shqipërisë, një ditë pasi tekniku, Sylvinho mori vendimin për ta lënë jashtë Evropianit.

    Reagimi i Cikalleshit:

    Fundi i një rrugëtimi!

    Rrugëtimet jane të bukura, me uljet e ngritjet e veta. Gjatë rrugëtimeve nëse gjërat i ke bërë siç duhet, fundi është i lumtur, paçka se, jo gjithmonë e zgjedhim vetë mënyrën.

    Ka qenë një krenari dhe emocion i papërshkueshëm përfaqësimi i fanellës së ekipit kombëtar të futbollit. Bartja e emocioneve të një kombi mbi shpinë, është sa privilegj, aq edhe një përgjegjësi, cila më ka bërë të përunjur dhe mirënjohës ndaj çdokujt që besoi, ndaj çdokujt që më dha kurajo për të vazhduar, e padyshim, në mënyrë të veçantë ndaj çdokujt që brohoriti për mua.

    Ashtu siç, çdo fillim e ka një fund, edhe rrugëtimit tim me ekipin kombëtar të futbollit i erdhi fundi!

    Ndihem i lumtur për çka bëra gjatë këtij rrugëtimi, ku dhashë pakursimin më të vogel pikën e fundit të djersës dhe shpirtin për të bërë më të mirën e mundshme.

    Falenderoj Zotin për gjithëçka më ka dhënë në jetë, familjen për mbështetjen, tifozet Kuq e Zi që meritojne shumë më shumë sesa ne kemi dhënë në fushën e blertë.

    Lutem Zotit që shokët që do vijojnë rrugëtimin në Euro2024 të kenë sukses dhe të bëjnë një paraqitje dinjitoze

    Vijon…