Category: Sport

  • Kombëtarja në ‘Euro 2024’, Sylvinho: Ja si punojmë me lojtarët, teknologjia na ka ndihmuar

    Kombëtarja në ‘Euro 2024’, Sylvinho: Ja si punojmë me lojtarët, teknologjia na ka ndihmuar

    Trajneri i ekipit Kombëtar, Sylvio Mendes Campos Júnior ka dhënë një intervistë për median braziliane “OGOL” ku ka komentuar suksesin e arritur nga Kombëtarja në edicionin e fundit kualifikues të Kampionatit Europian, vendi i parë në Grupin E dhe kualifikimi në finalet “Gjermani 2024”.

    Tekniku brazilian tha se është bërë një punë e madhe përmes databazës së të dhënave në Federatën Shqiptare të Futbollit, nga ku u zbulua edhe sulmuesi Jasir Asani i cili spikati me golat e tij të bukur dhe vendimtar në sfidat kualifikuese.

    “Sekreti është te interpretimi i të dhënave. Databaza e të dhënave është e mrekullueshme. Teknologjia na ndihmon shumë. Të gjithë ne që punojmë në futboll duhet të jemi të përgatitur për të interpretuar të dhënat dhe gjërat janë bërë më të thjeshta. Nga vjen, si vjen, kush është kundërshtari, çfarë ndodhi, si ndodhi, filtrojmë të dhënat dhe pastaj nisim punën në fushë”, tha fillimisht trajneri i ekipit tonë kombëtar.

    Më tej, tekniku kuqezi shpjegoi edhe dallimet mes punës së përditshme në një klub dhe në ekip Kombëtar.

    “Kjo të bën edhe më të çmendur (të presësh ndeshjet e Kombëtares). Janë dy punë të ndryshme. Futbolli është padyshim i njëjtë, por menaxhimi është i ndryshëm. Imagjinoni të keni një ndeshje shumë të përgatitur në detaje dhe të duhet të presësh edhe një muaj për të nisur punën me futbollistët. Kështu që do të duhet të kërkoni mënyra të tjera të për të menaxhuar situatën dhe madje të futeni në më shumë detaje. Është e vërtetë që në një klub keni imazhe të asaj çfarë dëshironi, stërvitjes dhe gabimeve gjatë një seance stërvitore, më pas ndeshja ku lojtari bëri apo jo gabime. Pra, procesi në një klub është më i shkurtër, ndërsa në një ekip Kombëtar ti gjithmonë thua: ‘Nuk kam kohë’. Kështu që e vetmja mënyrë është të punosh edhe më shumë me videoanalizë”, u shpreh trajneri Sylvinho.

    Analiza e Sylvinhos vijon me mënyrën e punës së futbollistëve në një ekip Kombëtar dhe thotë se duhet të pasur kujdes për të shmangur gabimet.

    “Të paktën gjysma e lojtarëve i nënshtrohet një procesi kontrolli nëpërmjet videove. Duhet të jesh shumë i saktë dhe të kuptosh se çfarë thuhet: ‘E di që skuadra jote luan në këtë mënyrë, trajneri juaj ju kërkon këto gjëra’. Prandaj ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të shmangur gabimet. Ne tregojmë kujdes që të mos hyjmë në metodologjinë e punëve të tjera. Dhe futbollisti duhet të kuptojë që ju e dini se çfarë ndodh me të në anën tjetër. Është komplekse, është punë e vështirë, por kjo është mënyra se si e gjen veten në një ekip Kombëtar”, përfundoi trajneri Sylvinho.

  • Java e fundit e pushimeve, ja kur nis punën trajneri Silvinjo për Kombëtaren e Europianit

    Java e fundit e pushimeve, ja kur nis punën trajneri Silvinjo për Kombëtaren e Europianit

    Kjo do të jetë java e fundit e pushimeve për Silvinjon. Trajneri i Shqipërisë do të kthehet në detyrë më 15 janar, duke nisur punën me vëzhgimin e futbollistëve të ekipit kombëtar.

    Rreth dy muaj punë intensive me udhëtime dhe takime lojtarësh, për t’u përgatitur për miqësoret e muajit mars, ku Shqipëria do të marrë pjesë në turneun e zhvilluar në Algjeri, me kombëtare si Bolivia dhe Afrika e Jugut nga 18 deri në 26 mars.

    Patjetër që në listën e trajnerit brazilian mund të ketë edhe ndonjë emër të ri, me Rei Manajn, i cili po kalon një formë të mirë dhe ftesa pritet që të jetë rezervuar për të. Po ashtu, interesant do të jetë edhe inkuadrimi i Armando Brojës.

  • Kroacia, një trampolinë për legjionin shqiptar. Nga Ismajli, Rrahmani dhe Balaj, ja shitjet më të bujshme

    Kroacia, një trampolinë për legjionin shqiptar. Nga Ismajli, Rrahmani dhe Balaj, ja shitjet më të bujshme

    Kroacia do të jetë një prej kundërshtarëve të Sh qipërisë në Grupin B të Europianit në Gjermani. Më 19 qershor, kuqezinjtë do të sfidojnë kombëtaren ballkanike për herë të parë në histori. Në përgjithësi, shteti shqiptar ka pasur marrëdhënie të mira me atë kroat ndër vite, por edhe në futboll, kanë qenë të shumtë futbollistët kroatë që kanë luajtur në Shqipëri, apo edhe e kundërta.

    Për shumë lojtarë shqiptarë, kampionati kroat ka shërbyer si një trampolinë për t’u hedhur në një kampionat më elitar apo skuadër më të njohur. Që pas viteve 90 ka filluar kalimi nga Shqipëria i lojtarëve si Eduard Abazi, Edmond Dosti, Ylli Shehu, Besnik Prenga, Ardian Aliaj apo më vonë edhe Erjon Bogdani për në Kroaci.

    Më tej, të gjithë futbollistët e përmendur janë transferuar në një kampionat tjetër, ku më në zë, Bogdani nga NK Zagrebi te Rexhina apo Aliaj nga Hajduk Spliti te Standart Liezhi në Belgjikë.

    VITET E FUNDIT

    Por, jo vetëm ta, pasi edhe në vitet e fundit ka pasur shumë lojtarë shqiptarë që kanë dalluar në kampionatin kroat dhe që aty janë shitur në klube të njohura. Mjafton të marrim disa shembuj, me Odise Roshin apo Bekim Balajn të cilët kanë kaluar të dy në vitin 2016-n nga Rijeka te Terek Grozni në Rusi. Roshi u shit për 500 mijë euro ndërsa Balaj për 2 milionë. I bujshëm ka qenë edhe transferimi i Ardian Ismajlit nga Hajduku te Specia në Itali për shifrën e 2.2 milionë eurove.

    Ndërkohë, Amir Rrahmani i cili është shpallur edhe kampion i Serisë A, pas Partizanit në Superiore, luajti për tri sezone në Kroaci, aty ku në vitin 2019 nga Dinamo e Zagrebit u shit për 2.1 mln euro te Verona. Nuk mbarojnë me kaq, edhe Sokol Cikalleshi i dha 1.8 mln euro RNK Splitit, pasi në 2015-n kaloi te Bashakshehiri. Me të njëjtën vlerë është shitur edhe Myrto Uzuni, pasi shkëlqeu me Lokomotivën e Zagrebit. Sulmuesi firmosi për Ferencvaroshin në Hungari në 2020-n. Eros Grezda arriti që të bindë Rejnxhërsin që të shpenzonte 2 milionë euro në vitin 2018, kur ish-lojtari i Kombëtares luante për Osijekun.

    Po ashtu më parë, Emiljano Vila ka kaluar nga D.Zagrebi te Pas Janina në Greqi, ndërsa Endri Çekiçi po nga i njëjti ekip u transferua për 200 mijë euro te Olimpija Ljubljana. Mbrojtësi i Tiranës, Albi Doka, u shit nga Gorica drejt Honvedit në Hungari. Ndërkohë, në shtator të 2022-it, Panathinaikosi pagoi 1 milionë euro drejt Lokomotiva Zagrebit për shërbimet e Enis Çokajt.

    Mesfushori është ende pjesë e klubit grek. Dy shitjet e fundit nga kampionati kroat i futbollistëve shqiptarë janë: Indrit Tuci nga L.Zagrebi drejt Spartës së Pragës për 1 milionë euro një javë më parë dhe Jorgo Pëllumbi nga Varazhdin te Debreceni për 115 mijë euro.

  • Futbolli në zi/ Ndahet nga jeta legjenda gjermane, Franz Beckenbauer

    Futbolli në zi/ Ndahet nga jeta legjenda gjermane, Franz Beckenbauer

    Franz Beckenbauer ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare. Lajmi i hidhur u bë i ditur nga familja e tij.

    Legjenda e futbollit gjerman ka vuajtur për një kohë të gjatë nga një sëmundje e pashërueshme, dhe ishte ajo që e mori nga kjo botë legjendën e këtij sporti

    Fituesi i Kupës së Botës vdiq ditën e dielë, teksa tashmë kanë vërshuar edhe homazhet nga bota e futbollit, duke shprehur ngushëllimet.

    Beckenbauer, i mbiquajtur “Der Kaiser”, konsiderohet si një nga lojtarët më të mëdhenj të futbollit. Beckenbauer ka luajtur në total 621 ndeshje, ku ka shënuar 74 gola dhe ka asistuar 75 herë. Legjenda gjermane nuk është ndëshkuar asnjëherë me kartonin e kuq.

    Ndërsa me kombëtaren e Gjermanisë, ka luajtur 103 ndeshje, ku ka shënuar 14 gola dhe ka asistuar 10 herë.

  • De Biasit i vjedhin pasaportën shqiptare, ja si e paralajmëronte presidenti Nishani

    De Biasit i vjedhin pasaportën shqiptare, ja si e paralajmëronte presidenti Nishani

    Giani De Biasi i cili çoi për herë të parë Shqipërinë në Europian, arriti të merrte pasaportën shqiptare.

    Por ajo pasaportë si për ironi të fatit përveçse nuk e ka më, nuk ishte një ogur i mirë pasi. Pikërisht që pas finaleve të Europianit të Francës 2016-të kur u shqiptarizua, rezultatet e tij filluan të kenë rënie deri në largimin nga detyra një vit më pas.

    Meqë ra fjala, urojmë që të mos jetë ky një ogur i ngjashëm edhe për Sylvinhon, duke u nisur nga fakti që e shqiptarizuam përpara finaleve të Europianit të Gjermanisë.
    “A e di gjënë që kishte frikë presidenti në fillim kur unë erdha këtu?! Më thoshte jo, jo, mos rri këtu, sepse do të marrësh veset e shqiptarëve, shko rri atje në shtëpi dhe hajde këtu kur duhesh.

    Gjithsesi e them këtë gjë kështu si për të qeshur, gjëja më e rëndësishme është se si bëhen gjërat, me sa dëshirë ke që t’i ndjekësh dhe të provosh të bësh më të mirën. E rëndësishme është gjithmonë maja, nëse në majë, në krye ke persona serioz që të japin një dorë dhe të lënë të punosh, atëherë gjërat shkojnë mirë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”, u shpreh De Biasi.

  • ‘Natën e parë në Tiranë vendosa karrigen prapa derës së dhomës’, rrëfimi i De Biasit për Shqipërinë

    ‘Natën e parë në Tiranë vendosa karrigen prapa derës së dhomës’, rrëfimi i De Biasit për Shqipërinë

    Giovanni De Biasi ishte i pari trajner që dërgoi kombëtaren shqiptare të futbollit në fazën finale të Europianit “Francë 2016”.

    Giovanni De Biasi ishte i pari trajner që dërgoi kombëtaren shqiptare të futbollit në fazën finale të Europianit “Francë 2016”. Por asgjë nuk ka qenë aq e lehtë për jetesën në vendin tonë dhe paragjykimet e të huajve. Në një rrëfim për “Exclusive” në TCH, italiani 67-vjeçar kujton natën e parë të para 12 viteve kur vinte në vendin tonë dhe frikën nga grabitjet.

    “Më kujtohet nata e parë që do të më duhej të flija në një hotel në qendër të Tiranës, vendosa karrigen prapa derës së dhomës. Sot i kujtoj këto gjëra dhe më vjen për të qeshur, por 12 vite më parë kur erdha në atë kohë e ndjeja se duhet të veproja ashtu që të isha më i qetë me veten”, tha De Biassi, duke treguar për paragjykimet e të huajve për shqiptarët.

    Pjesa tjetër më pas është histori, ai drejtoi kuqezinjtë për 51 ndeshje dhe siguroi kualifikimin historik në Euro 2016, që për tanët ndodhte për herë të parë.

  • “Natën e parë në Tiranë vendosa karrigen prapa derës së dhomës”/ Rrëfimi i De Biasit dhe italianëve të Kombëtares për Shqipërinë

    “Natën e parë në Tiranë vendosa karrigen prapa derës së dhomës”/ Rrëfimi i De Biasit dhe italianëve të Kombëtares për Shqipërinë

    Shqipëria prej dekadash mbetet e ndarë mes tifozëve axurr dhe gjerman në futboll, por dyert e para të “parajsës sociale”, ekonomike apo shoqërore na i hapën pikërisht ata, italianët.

    Urritëm me këngët e tyre, pamë filmat e tyre dhe mësuam të bëjmë televizion prej tyre. Shqipëria prej dekadash mbetet e ndarë mes tifozëve axurr dhe gjerman në futboll, por dyert e para të “parajsës sociale”, ekonomike apo shoqërore na i hapën pikërisht ata, italianët.

    Nën shembullin italian tentuam të vishemi, të ushqehemi dhe të shfaqemi, por brenda tre dekadave, Italia dhe Shqipëria, janë shumë më pranë.

    “Më kujtohet nata e parë që do të më duhej të flija në një hotel në qendër të Tiranës, vendosa karrigen prapa derës së dhomës. Sot i kujtoj këto gjëra dhe më vjen për të qeshur, por 12 vite më parë kur erdha në atë kohë e ndjeja se duhet të veproja ashtu që të isha më i qetë me veten”, tha De Biazi.

    “Trajnerët apo rezultatet dalngadalë harrohen, ajo që mbetet janë raportet njerëzore. Unë këtu kam gjetur shumë miq, mbi të gjitha kam patur mbështetjen e shumë shqiptarëve, por jo vetëm këtu edhe ata që jetojnë në Itali kur më shohin më ndalojnë për ndonjë foto”, tha Reja.

    Europian e 2024-s do ta hapim pikërisht përballë Italisë së atyre që ishin por edhe stafit aktual, ndërkohë që ndeshjet e fundit përballë axurrëve nuk kemi patur fatin të fitojmë.

    “Do ta kemi herën tjetër, në qershor, gjithmonë ka një herë të parë”, tha Gianluca Stesina, doktori i ekipit Kombëtar.

    “Do të këndoj vetëm himnin shqiptar…”, tha Alarico Rossi, videoanalisti i Kombëtares./ Top Channel

  • Zyrtare/ Dhuratë e madhe për Orges Shehin, Xhuliano Skuka rikthehet te Partizani

    Zyrtare/ Dhuratë e madhe për Orges Shehin, Xhuliano Skuka rikthehet te Partizani

    Partizani ka zyrtarizuar rikthimin e Xhuliano Skukës deri në fundin e këtij sezoni.

    Partizani ka zyrtarizuar rikthimin e Xhuliano Skukës deri në fundin e këtij sezoni. Të kuqtë dhe Metz kanë gjetur dakordësinë për huazimin e dibranit, me Skukën që duket si një dhuratë për trajnerin e sapoemëruar, Orges Shehi.

    “Partizani me kënaqësi zyrtarizon rikthimin e Xhuliano Skukës. Klubi dhe Metz kanë arritur marrëveshjen mes tyre për huazimin e sulmuesit 25 vjeçar te kampionët. Skuka do të jetë pjesë e të kuqve deri në përfundim të sezonit 2023-2024 duke konfirmuar se Partizani mbetet zgjedhja e parë në Shqipëri”, njofton klubi i kuq.

    Një vit pasi la “Demat e Kuq” dhe për 1.4 milionë euro kaloi te Metz në Francë, dibrani ka bërë prapakthehu për t’u bashkuar me kampionët në fuqi të Shqipërisë.

    Aventura e Skukës me Metz nuk ishte e duhura, çka bëri që ai të largohej pas vetëm pesë muajve në huazim. Edhe te Maribor në Slloveni ai nuk mundi të gjente veten, duke qenë tanimë “barrë” për klubin francez.

    25-vjeçari do jetë sërish pjesë e Partizanit, aty ku shkëlqeu me 23 golat dhe tetë asistimet në 46 ndeshje, teksa u ftua edhe në Kombëtare ku luajti katër ndeshje dhe gjeti një herë rrugën e rrjetës

  • Kontrata me sheikët, sa para fitoi Cristiano Ronaldo në vitin 2023?!

    Kontrata me sheikët, sa para fitoi Cristiano Ronaldo në vitin 2023?!

    Kush është sportisti më i pasur në botë? Revista angleze “Forbes” jep një përgjigje për këtë pyetje çdo vit.

    Dhe sipas revistës atleti që fitoi më shumë para në vitin 2023 është superylli Cristiano Ronaldo (38 vjeç)!

    Portugezi thuhet se ka fituar rreth 126 milionë euro (bruto) gjatë këtij viti.

    Kalimi i tij në Arabinë Saudite ia vlejti për Ronaldon.

    Në al-Nassr, pesë herë fituesi i Topit të Artë pritet të arkëtojë rreth 200 milionë euro bruto në sezon (kontratë deri në vitin 2025).

    Kësaj i shtohet edhe popullariteti i jashtëzakonshëm i Ronaldos, i cili i sjell atij kontrata reklamash fitimprurëse. Ai ndiqet nga 615 milionë përdorues vetëm në Instagram.

    Rivali i tij i përjetshëm Lionel Messi (36 vjeç) vjen i dyti në renditjen me fitime bruto prej 120 milionë euro.

    Kampioni argjentinas i botës i vitit 2022 tani luan në SHBA për Inter Miami.

    Një tjetër futbollist fitoi të tretin më shumë para: Kylian Mbappé (25 vjeç) nga Paris Saint-Germain fitoi 111 milionë euro, sipas Forbes.

    Dhjetë atletët më të pasur (Bruto në 2023)

    1. Cristiano Ronaldo (futboll) – 126 milionë euro

    2. Lionel Messi (futboll) – 120 milionë euro

    3. Kylian Mbappé (futboll) – 111 milionë euro

    4. LeBron James (basketboll) – 110 milionë euro

    5. Canelo Alvarez (boks) – 101 milionë euro

    6. Dustin Johnson (golf) – 99 milionë euro

    7. Phil Mickelson (golf) – 98 milionë euro

    8. Stephen Curry (basketboll) – 93 milionë euro

    9. Roger Federer (tenis, në pension) – 88 milionë euro

    10. Kevin Durant (basketboll) – 82 milionë euro

  • Armando Broja prezanton të dashurën në natën e ndërrimit të viteve

    Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare të Futbollit Armando Broja prej disa muajsh ka nisur një lidhje të re dashurie. Broja e kaloi natën e ndërrimit të viteve, pikërisht në praninë e të dashurës së tij.

    Ka qenë e dashura e futbollistit, Xhejd ajo që ka postuar një video të tyre bashkë.