“50 me 50!”/ Merrnin deri në 1 mijë euro për klient, gjykata gjobit eskortat e huaja. Si funksiononte rrjeti që i sillte në Tiranë

Tre vajza nga Kolumbia, një nga Venezuela dhe një tjetër nga Rusia janë dënuar me nga 1 milionë lekë gjobë secila nga Gjykata e Tiranës, pasi u fajësuan për ushtrim prostitucioni në Shqipëri. Katër të pandehurat, të moshave 24, 31, 33 dhe 34 vjeç u gjykuan në mungesë në gjykatën e kryeqytetit, ku përmes avokatëve u dakordësuan me dënimin e kërkuar nga prokuroria.

Advertisements

Gjatë hetimit, të akuzuarat kanë treguar detaje se si kanë mbërritur në Shqipëri, pagesat nga 200 deri në 1 mijë euro që merrnin për çdo klient, por edhe se me kë i ndanin fitimet e tyre, dhe pretendimin se nuk ishin në dijeni të faktit se prostitucioni konsiderohet krim në Shqipëri. Sipas vendimit të gjykatës, hetimi që çoi në gjyq rusen dhe 4 amerikano-latinet, nisi në vitin 2022, pas informacioneve të grumbulluara në rrjete sociale në internet se shtetase të huaja, kryesisht me origjinë nga vendet e lindjes, Rusi, Poloni, Moldavi dhe Ukrainë, por edhe Amerika Latine mbërrijnë në Shqipëri për të ushtruar prostitucion.

Advertisements

Referuar të dhënave, ato qëndronin në banesa të marra me qira për periudha 1-2 mujore në Tiranë e më pas largohen dhe zëvendësohen me vajza të tjera, ç’ka e bënte të vështirë edhe dokumentimin e veprimtarisë së jashtëligjshme.

Lëvizjet e vajzave që mbërrinin në Shqipëri për prostitucion koordinohen nga shtetas shqiptarë e të huaj, që bashkëpunojnë nga rekrutimi i vajzave, krijimi i kushteve të udhëtimit, akomodimet në Tiranë në banesa a hotele e deri tek ndërmjetësimi takimeve dhe vjelja e përfitimeve. Për rastin, hetuesit këqyrën një faqe interneti, ku shfaqeshin foto intime të vajzash dhe kontakte telefonike të tyre. Për të mbërritur tek to, është autorizuar një veprim i simuluar, ku Oficerë të Policisë Gjyqësore, duke u hequr si klientë kanë kontaktuar vajzat dhe kërkuar shërbime seksuale dhe më pas duke zbuluar apartamentet ku 5 të akuzuarat ushtronin prostitucion.

Në deklarimet e tyre gjatë hetimit, të pandehurat kanë rrëfyer se janë lidhur me një agjenci në Shqipëri, të cilës i janë ofruar për të ushtruar prostitucion në Tiranë. Ato kanë pretenduar janë koordinuar nga një grua me të cilën flisnin në whatsapp, që i akomodonte në apartamente. Sipas rrëfimeve, vajzat jepnin gjysmat e fitimeve të siguruara nga prostitucioni, para që ja jepnin një djali rreth 35 vjeç, që shkonte tek apartamentet e tyre një herë në 7-8 ditë.